Të dhënat statistikore/ Bien kostot e prodhimit

June 6, 2015 09:32

Të dhënat statistikore/ Bien kostot e prodhimit

Instituti i Statistikave ka raportuar dje se ka rënë indeksi i çmimeve të prodhimit në tremujorin e parë të këtij viti, duke theksuar akoma më shumë dobësimin e presioneve mbi çmimet. Sipas të dhënave, çmimet e prodhimit në vend u ulën mesatarisht me 1.8% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2014. Rënia ka ardhur sidomos nga ulja drastike e çmimeve në segmentin e industrisë nxjerrëse, me -9.6%, ndërsa në industrinë përpunuese çmimet janë rritur me 0.5%.

Nëndega industriale me uljen më të fortë të çmimeve të prodhimit ka qenë ajo e nxjerrjes së naftës bruto dhe gazit natyror. Ulja drastike e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka bërë që indeksi i prodhimit të këtyre produkteve në Shqipëri të ulet me 14.7%. Edhe në industrinë përpunuese një pjesë e mirë e nëndegëve kanë shënuar rënie. Ulja e çmimeve ka prekur kryesisht sektorët e përpunimit të mineraleve, duke ndjekur kështu uljen e çmimeve për lëndën e parë, të papërpunuar.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan ulje me 3.4%, ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 0.8%. Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit. Ecuria e tyre është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të bizneseve. Në kushte normale, një ulje e çmimeve nënkupton ulje të stimujve për të rritur prodhimin, punësimin dhe pagat. Në situatën aktuale, vlerësohet se ulja i detyrohet kryesisht faktorëve të ofertës, si ulja e çmimeve të lëndëve të para. Çmimet e prodhimit kanë edhe një vlerë orientuese për prirjet e inflacionit në të ardhmen e afërt. Një rritje e ulët e çmimeve të prodhimit përcillet në rritje gjithashtu të ulët të çmimeve të konsumit.

June 6, 2015 09:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*