“Të dish të bësh sherr”, sekreti i një martese të lumtur

April 20, 2018 20:44

“Të dish të bësh sherr”, sekreti i një martese të lumtur

 

Daphne de Marneffe, New York Times

Periudha midis muajit Dhjetor dhe Shën Valentinit është koha kur më shumë çifte vendosin të martohen. Kur çiftet kalojnë nga faza e pëshpërimave të ëmbla te ajo strategjive të mirëmenduara për dasmën, mendjet dhe interneti i tyre mbushen plot me detaje për ditën e madhe, por jo për atë që vjen më pas.

Dhe fundja, pse jo? Është normale që çiftet duan ta shijojnë atë gëzimin e lehtë, pa kokëçarje. Sociologu Endrju Çerlin vëren se martesa nuk është më ajo kthesa në jetën e dikujt, por më shumë si “kapaku” që i vihet një vrapimi. Martesat, në fakt, po simbolizojnë çdo ditë e më pak vendosmërinë e një çifti për ta ndarë gjithë të ardhmen bashkë, dhe po kthehen gjithnjë e më shumë në spektakle Instagrami për të thënë që “ja, ne e arritëm qëllimin”.

Martesa “kapak” dhe moria e planifikimeve për dasmën u japin çifteve idenë sikur stresi dhe intensiteti do të kulmohet vetëm te dasma, e më pas do të vijë ajo jeta rutinë dhe e parashikueshme prej të martuarish. Aspak. Kam 20 vjet që merrem me terapi çiftesh, dhe sherret jo-produktive për punët e shtëpisë dhe për vjehrrit mbeten po njësoj shkaktare për ndarje. Shoh çifte që kanë pasur martesë të ngrirë për 17 vite, por që fillon ta shkrijnë kur më në fund nisin të thonë fjalët që duhen thënë.

Çiftet që duan të bëjnë dasmë, le ta planifikojnë mirë. Fundja, darka e shënuar me 150 të ftuar nuk bëhet aq lehtë. Por teksa mendojnë për ditën e madhe, duhet të mësojnë se si të menaxhojnë sherret. Dashuria dhe martesa janë kthyer në idealizma aq të lartësuara, sa njerëzit kanë frikë të pranojnë që po, mund të bëhen edhe shumë stresuese.

Paraja është një nga burimet kryesore të stresit në martesë, por edhe kur vjen puna te dasma. Treçereku i çifteve përfundojnë duke paguar për dasmën më shumë se ç’e kishin planifikuar fillimisht. Një studim në Britani tregoi se një e katërta e çifteve që kishin marrë borxhe për dasmën ishin penduar shumë shpejt. Dasmat janë të shtrenjta dhe kohët janë të shtrenjta, por bisedat për të kursyer sikur prishin atë entuziazmin romantik.

Por paraja është gjithnjë sfidë në çift. Shoh çifte që flasin për problemet me paratë dhe fajësojnë partnerin si shkaktar (gruaja do pushime, burri do makinë të re) në vend që të pranojnë se vetë jeta ka pengesa. Vendimet për shpenzime duhen bërë duke marrë parasysh mendimin e partnerit, dhe shpesh ndodh të bien ndesh me mendimet e tua. Por shumë njerëz parapëlqejnë t’i shmangin debatet për paratë dhe pastaj vlojnë përbrenda, në heshtje.

Një herë, kur isha në restorant, dëgjova një grua të re në moshë t’i thotë partnerit se kishte vendosur ta linte punën vetëm që të gjente kohë për të planifikuar dasmën. Pasi ia tha, në tryezën e tyre ra një heshtje therëse. Duhej thënë diçka. Po shpresoja fort që burri të thoshte: “Po pse s’e diskutove me mua më parë?” Por ai heshti.

Njerëzit që merren me studime mbi martesën apo që punojnë për terapi çiftesh, vënë shpesh në dukje që çiftet kanë nevojë të bashkëpunojnë për qëllimet dhe vlerat në jetë. Por që të bashkëpunojnë, duhet të gjejnë se si të zhvillojnë një bisedë produktive. Biseda, ndryshe nga dy monologë që ecin paralel, i përfshin të dy palët dhe të dy duhet të përpiqen ta kuptojnë njëri-tjetrin. Dhe bisedat produktive janë të vështira të arrihen, sidomos kur dikush rrëmbehet nga emocionet.

Prandaj ka udhëzime konkrete që këshillojnë se si t’u shmangesh këtyre kurtheve në komunikim. Çiftet këshillohen që para se të flasin për diçka me rëndësi, që mund të çojë në emocione, ta pyesin një herë partnerin nëse është koha e duhur për të folur. Çiftet zakonisht futen në biseda serioze si kalimthi. Po ashtu, duhet të gjejnë ekuilibrin midis nevojës për të zgjidhur problemet reale dhe hapjes rrugë për emocionet. Nëse keni partner që i shmanget bisedave serioze, mos u dorëzoni dhe përpiquni të krijoni komunikim. Nëse keni partner që emocionohet shpejt, qëndroni të patundur për nevojën për ta diskutuar, por edhe tregoni mirëkuptim për emocionet duke thënë: “Do të të përgjigjem më mirë nëse qetësohesh pak”. Të gjithë kemi nevojë për taktika të tilla kur jemi në ato çastet e këqija.

Këto taktika nuk na duken si pjesë e romantikës, por unë kam parë se martesat më të mira janë ato kur partnerët kanë aftësinë të përballen me emocionet e forta. Ata nuk i shmangen zemërimit, por as nuk i shkojnë tjetrit sipas qejfit. Përballen me bisedat e vështira pa u mbyllur në vetvete dhe kanë aftësinë të kërkojnë falje nëse sillen keq.

Më e rëndësishmja në martesë është ajo që mund të arrihet pas flakës së parë të dashurisë: bisedat e dobishme, intime dhe të çiltra. Nuk është se çiftet bashkohen në fillim ngaqë e kuptojnë njëri-tjetrin fluturimthi, si me komandë elektrike, dhe pastaj e gjitha kjo magji prishet pas një sherri. Çiftet bashkohen prej vrullit të pasionit, ndërsa dashuria arrihet kur zhvillohen biseda.

Nëpërmjet këtyre bisedave arrijmë të zhvillojmë atë lidhjen emocionale që është thelbësore për martesën: “Unë përpiqem të kuptoj se çfarë mendon dhe se çfarë ndien ti, pa i bërë dëm vetes sime. Realiteti yt nuk duhet të asgjësojë realitetin tim.”

Kjo mund të duket si gjë pa rëndësi kur ke një mal me halle të tjera, si p.sh një dasmë për të organizuar. Por në jetën prej të martuarish, kur ndieni se emocionet po ju vijnë vrullshëm, do të thotë që duhet të ndaloni e ta merrni shtruar. Emocionet janë shpesh të papërshtatshme.

Artisja Georgia O-Keeffe ka thënë: “Asnjeri nuk i vëzhgon lulet me kujdes. Janë aq të vogla sa të marrin shumë kohë. Dhe ne s’kemi kohë. Por edhe të kesh një mik, kërkon kohë”. Dhe ajo që duan shumica e njerëzve nga martesa është një partner që ta kenë si shok intim. Çelësi i një dashurie që zgjat është të gjesh kohën për ta dëgjuar tjetrin e t’i përgjigjesh shtruar.

Dasma është festë që bëhet një herë të vetme, por martesa vazhdon pa fund dhe ka vend për shumë lëmshe keqkuptimesh. U uroj jetë të lumtur atyre që kanë vendosur të martohen. Uroj gjithashtu që përveçse të mendojnë për listën e të ftuarve, të ndalojnë e të shohin nëse po i bëjnë sherret siç duhet, dhe se si duan që t’i flasin njëri-tjetrit.

l.h/ dita

April 20, 2018 20:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*