“Të fortët” në futboll/ Gjyqtari Besnik Kaimi: Kaosi në Tomori-Bylis më ’99, çfarë u tha arbitrave Ardian Çobo

August 17, 2017 14:46

“Të fortët” në futboll/ Gjyqtari Besnik Kaimi: Kaosi në Tomori-Bylis më ’99, çfarë u tha arbitrave Ardian Çobo

 

Ina ALLKANJARI

Një ndër emrat më me peshë të futbollit shqiptar, i cili ka kontribuar në rolin e arbitrit kryesor në ndeshje të shumta brenda Shqipërisë dhe jashtë saj është Besnik Kaimi. Me një eksperiencë shumëvjeçare në fushën e arbitrimit, ai numëron sot një sërë arritjesh. Karriera e tij arriti kulmin në momentin e marrjes së stemës së FIFA-s në 1986, të cilën arriti ta mbajë për tetë vjet, duke e konkretizuar me pjesëmarrjen e tij në rreth 40 ndeshje ndërkombëtare. Pas suksesit të tij si arbitër kryesor, Besnik Kaimi kaloi në rolin e vëzhguesit, duke e vazhduar profesionin e tij si gjyqtar i arbitrave edhe në ditët e sotme. Kalimi i vendit nga regjimi komunist në sistemin demokratik u shoqërua me një fazë tranzicioni ku prezente ishin bandat e armatosura e gjendja alarmante.

Në intervistën e dhënë sot për “Gazeta Shqiptare”, Besnik Kaimi prek fazat e viteve 1997- 2000, ku ekzistenca e bandave të “të fortëve” të zonës ndihej kudo e kjo jo më pak në futboll. Gjatë bisedës me të, ai spikat ndeshjen Tomori-Bylis të mbajtur në 1999 në Berat, ku vetë presidenti i ekipit të Beratit shihej me frikë si një ndër “të fortët” e qytetit. Sipas Besnik Kaimit, Çobo, për shkak se në atë kohë konsiderohej si një njeri prototip, thirrej me nofkën “Zhaku”.

Kur ka nisur karriera juaj si arbitër dhe si ka qenë ecuria e saj ndër vite?

Në vitin 1976 kam nisur  karrierën time si arbitër, duke gjykuar ndeshje për rreth 18 vjet. Ana ime profesionale arriti majën në vitin 1986, kur mora stemën e FIFA-s, të cilën e mbajta për tetë vjet dhe arbitrova rreth 40 ndeshje ndërkombëtare. Më pas kam kaluar në rolin e vëzhguesit të arbitrave, një profesion të cilin e ushtroj dhe sot.

Prej vitesh ju jeni pjesë e botës së futbollit në vendin tonë, cilën periudhë kohore do të veçonit si më problematiken?

Periudha kohore ku jam ndjerë më i riskuar i përket viteve 1997-2000, kjo për shkak të ekzistencës së bandave kriminale, të cilët kishin marrë nën kontroll qytete të ndryshme të Shqipërisë duke ndikuar drejtpërdrejt dhe në sferën e futbollit.

Cilën ndeshje dalloni si më kaotiken gjatë kësaj periudhe?

Kujtoj në ’99 një ndeshje ku isha i emëruar si vëzhgues në Berat ndërmjet Tomorit dhe Bylisit të Ballshit. Kjo ishte një ndeshje e fortë, ku duhej patjetër fitorja e ekipit vendës. Në ato kohë në klubet tona mbizotëronin presidentë ekipesh, ku disa prej tyre shiheshin si “të fortit” e qyteteve. Ndër ta shquhej dhe ish-presidenti i ekipit të Beratit, i njohur me pseudonimin “Zhaku”, i cili konsiderohej si një ndër prototipat e asaj kohe.

Kush ishte ky person dhe pse njihej me këtë nofkë?

“Zhaku”, emri i vërtetë i të cilit ishte Ardian Çobo shihej si një ndër “të fortët” e Beratit. Arsyeja pse shihej si i tillë qëndron e fshehur në karakterin e tij dhe influencën që ai kishte duke ushtruar presione të ndryshme. Para se ndeshja të fillonte, “Zhaku” me kontakton duke insistuar që ndeshja të mbahej drejt si dhe kërkoi garanci për këtë gjë, përndryshe tifozët do të hynin në fushë. Prandaj mora masa me shefin e policisë për të mirëmbajtur ndeshjen. Por kjo ndeshje doli jashtë kontrollit si pasojë e një momenti në lojë.

Pse ndodhi kjo gjë?

Arbitri i asaj kohe nuk dha një penallti dhe për këtë u krijua një shqetësim i madh në stadium nga ana e tifozëve dhe nga vetë presidenti i ekipit të Beratit. Përfundimi i ndeshjes rezultoi 0-0 në favor të ekipit të Ballshit, pasi ekipit të Tomorit i interesonte fitorja. Për shkak të kaosit të kr ijuar në stadium në atë moment policia formoi një gardh ku arbitrat kaluan të sigurt për në dhomën e zhveshjes.

Po reagimi i ish-presidentit të Beratit ndaj kësaj ngjarjeje cili ishte?

Episodi më kryesor që mbaj mënd pasi e kalova vetë mbi kurriz ishte kur ish-presidenti i Beratit, Ardian Çobo donte të hynte në dhomën e arbitrave pas përfundimit të ndeshjes dhe duke qenë se në ato kohë unë kisha rolin e vëzhguesit dhe të delegatit ai më kërkonte me ngulm të takonte arbitrat, por unë vazhdoja t’ia theksoja se rregullorja nuk ia lejonte këtë gjë. Shefi i policisë më jepte shenja nga larg të mos e lejoja “Zhakun” të futej në dhomën e arbitrave, ndonëse vetë nuk afrohej. Ndërkohë, rastësisht shoh dy a tre persona që poshtë xhaketave dallohej që ishin të pajisur me armë.

Si vepruat më tej?

U detyrova ta lejoja të futej në dhomë me kusht që të mos prekte asnjë nga arbitrat fizikisht. I thashë: “Do të të lejoj të futesh, vetëm nëse ti më premton burrash që nuk do i prekësh arbitrat”. Pasi hyri brenda, Çobo u tha arbitrave: “Këtu në Berat nuk ka zot t’ju ngasë njeri me dorë, unë kam për detyrë t’ju nxjerr nga Berati të sigurt dhe do vij do ju gjej ku keni shtëpinë. Këtu s’ju prek njeri me dorë”. Pas kësaj, makinat e policisë u futën në fushë dhe arritën të na shoqëronin duke na larguar nga dera e pasme e stadiumit.

A mendoni se kalimi i viteve dhe rritja e rendit në polici ka përmirësuar situatën e futbollit Shqiptar?

Padyshim zhvillimi i punës së policisë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit ka sjellë ndryshime në ecurinë e futbollit Shqiptar. Kjo gjë dallohet në zbehjen e ndikimit të njerëzve me influencë në sport te policia, duke iu krijuar lehtësi arbitrave në ushtrimin e profesionit të tyre pa presione të jashtme. Vetëm në këtë mënyrë futbolli shqiptar do të arrijë standardet europiane.

***

Ardian Çobo, si u vra presidenti i Beratit pas ndeshjes me Partizanin

Ngjarja në vitin 2000, çfarë shkruanin mediat angleze dhe hetimi i policisë shqiptare për hakmarrjen

Ndikimi i “të fortëve” të viteve ‘90 në futbollin shqiptar ka qenë i përmasave jo të vogla, ku raste të shpeshta dhune evidentoheshin në stadiumet tona. Njerëz me precedentë penalë ose që dyshoheshin për aktivitete të jashtëligjshme si dhe për lidhje kriminale kishin ndikim edhe në sferën e futbollit. Ardian Çobo ishte një 26-vjeçar nga Berati, presidenti i klubit të “Tomorit” dhe pronari i lokalit më luksoz në këtë qytet në vitin 1999, i cili mbante emrin “Shtëpia e Bardhë”. Në atë kohë, ai njihej si presidenti më i suksesshëm i “Tomorit” të Beratit, por që dyshohej edhe për implikimin e tij në afera tw ndryshme. Dyshimet për këtë aktivitet i përforcoi një shkrim i botuar në një media angleze “The Telegraph”.

Çobo ishte një djalë i ri beratas shumë i apasionuar ndaj futbollit dhe i pari që e afroi aq shumë ekipin e “Tomorit” në fitimin e titullit kampion. Kjo skuadër ishte gati duke e prekur kupën e kampionatit, kur presidentit të tij iu bë një atentat, në të cilën gjeti vdekjen.

Vrasja e Ardian Çobos

Ishte ditë e shtunë, 13 maj viti 2000. Pak çaste pasi kishte përfunduar ndeshja Partizani–Tomori, në mëngjesoren “Shelgu”, afër stadiumit “Selman Stërmasi” përballë hyrjes “A” të tribunës ndodheshin së bashku arbitrit, presidenti Ardian Çobo, gazetari sportiv Shakohoxha dhe shoferi i njohur i FSHF-së, Agim Veshi. Rreth orës 17:30 u dëgjuan disa të shtëna arme. Në atë kohë, policia tha se A. G. qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të presidentit. Plumbat prekën disa persona, por fatkeqësisht më fatale ishin ato ndaj presidentit të Tomorit, Ardian Çobos dhe arbitrit Luan Zylfo. Si pasojë e plumbave, të dy këta persona gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa dy gjyqtarë të tjerë u plagosën.

Pista e hetimit

Pas gjendjes së vendit në vitin 1997, dhuna në stadiume ka qenë e shpeshtë në Shqipëri, por rasti i Çobos shënohet si vrasja e parë e zyrtarëve të klubeve në botën e futbollit. Pas vrasjes, policia nisi menjëherë hetimet, ku pista kryesore dyshohej të ishte ajo e hakmarrjes.

 

 

 

August 17, 2017 14:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*