Të fshehtat përvëluese

December 23, 2017 11:55

Të fshehtat përvëluese

Fakte dhe argumente të tjera në përplasjen e mjekëve Isuf Kalo dhe Hektor Peçi për vdekjen e Enver Hoxhës. Cilat janë disa të fshehta përvëluese në këtë histori. Akuzat e Liljanës dhe sa e vërtetë është arsyeja që jep Sokoli për largimin e Hektorit si mjek i Enverit. Reagimi i pjesës tjetër të familjes Hoxha. Një dëshmi e Sulo Gradecit për 11 prillin e 85-s. Pse nuk është përmendur thuajse asnjëherë emri i Sali Berishës në akuzat për helmimin e Enverit dhe dëshmia e Nexhmijes për këtë

Xhevdet Shehu

(vijon nga numri i kaluar)

Dr. Isuf Kalo i quan përralla dyshimet dhe akuzat që hidhen pas afro 33 vjetësh se Enverin e kanë helmuar. Këtë e thotë edhe Dr. Sabit Brokaj e të tjerë. Dr. Hektor Peçi mendon ndryshe, ndonëse nuk ka qenë pranë Enverit në vitet e fundit të jetës së tij. Mirë kunatat mund të kenë xhelozi e armiqësi me njëra-tjetrën, qofshin këto edhe në familjen e Enver Hoxhës, por me mjekët nuk duhej të ndodhte kështu, për shkak të kulturës, formimit dhe profesionit humanist të tyre. Por arsyet mund dhe duhet të jenë më të thella, që nga xhelozitë deri te sjelljet vetjake në raport me pjesëtarët e familjes së Enverit. Këto mund të mos besohen për banalitetin e tyre, por kur për to flet edhe i biri i Enverit, Sokoli, krijohet një pështjellim i paparë.

Dje, ndërsa e kisha mbyllur pjesën e parë të shkrimit për dyshimet lidhur me vdekjen e Enver Hoxhës, më erdhi ky qëndrim i Muharrem Xhafës, një komunist i devotshëm edhe sot e kësaj dite, por që dikur, në vitet ’80, ka qenë shef sektori në Komitetin Qendror të PPSH, pra që i ka përjetuar ngjarjet nga brenda:

“Gjithmonë, kam pasur mendimin se vdekja Enver Hoxhës i ka ardhur nga natyra dhe jo nga ndonjë “helmim” prej dikujt brenda ose jashtë vendit! Përrallat se Enverin e kanë helmuar ose mund ta kenë helmuar agjentë të brendshëm të CIA-s, të KGB-së, të UDB-së etj. besohen nga të çmendurit dhe armiqtë e tij! Bashkëshortja besnike e Enver Hoxhës, Nexhmija, e ka bërë të qartë në mënyrë të përkryer ketë çështje.”

Por, le të shkëputemi për një çast nga pohimet mjekëve dhe familjarëve. Ja si i erdhi vdekja njeriut më të fuqishëm të kohës, sipas kujtimeve të Sulo Gradecit, njeriut më të besuar të Enverit për dekada me radhë:

“Mëngjesin e 9 Prillit 1985, Sokol Hoxha, djali i Enver Hoxhës ndodhej në shtëpinë e pushimit në Vlorë, kur një oficer i sigurimit e lajmëroi se Enver Hoxha ishte rëndë dhe ai duhej të kthehej urgjentisht në Tiranë. I ati kishte rënë në vdekje klinike që atë mëngjes, rreth orës 9.00, ndërsa një infermier po e lante, siç dëshmon gruaja e tij, Nexhmije Hoxha: “…kur po ndiqja veprimet e infermierit dhe po prisja të mbaronte, për një sekondë, Enveri u drodh dhe ju var koka mbi gjoks… pashë e tmerruar infermierin që duke e shtrirë me nxitim më tha: shpejt, shpejt mjekët…” Ekipi i mjekëve nuk mund të bënte asgjë, sepse kishte ardhur fundi për njeriun që kishte sunduar Shqipërinë për katër dekada. Agonia e tij zgjati dy ditë. Ai nuk u zgjua më kurrë. Enver Hoxha ndërroi jetë në ora 2 e 10 minuta duke gdhirë mëngjesi i 11 Prillit 1985. Byroja politike kish pritur gjithë natën në ambientet e shtëpisë, gjysmë e përgjumur dhe tepër e shqetësuar. Askush nuk e dinte çdo të ndodhte më pas.”

***

Për të gjykuar drejt mbi vdekjen e Enverit, duhet të vendosesh në kohë, këtu e tridhjetë e pesë vjet të shkuar. Kanë qenë vite të vështira, ekonomia kishte marrë tatëpjetën, ishte vendosur sistemi i tollonave, ndërsa në majën e kupolës bëhej një luftë e egër dhe udhëheqësit hanin kokat me njëri-tjetrin. Ish-Kryeministri Mehmet Shehu u tha se vrau veten në dhjetor 1981. Ishte kjo ngjarja më traumatike, pas një sërë eliminimesh të tjera më përpara në udhëheqjen e lartë. Për këtë arsye fundi i Mehmet Shehut është ku e ku më enigmatik dhe më i dyshimtë se vdekja e Enver Hoxhës.

Për këtë ngjarje unë kam shkruar një libër me titullin “Prapaskena”. Pasi e kishte lexuar këtë libër, Nexhmije Hoxha, më shkroi një letër të gjatë, ku ndër të tjera hidhte poshtë dyshimin se në fundin e Mehmetit ishte dora e Enverit. Ndër të tjera, për të dalë te dyshimet që hidhen tani për vdekjen e Enverit, ajo më shkruante:

“Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin. Në fakt, pas vetëvrasjes së Mehmetit, në dhjetor 1981, gjendja shëndetësore e Enverit, me sëmundjen e rëndë të zemrës, mori tatëpjetën deri sa mbylli sytë në prill të vitit 1985.”

Ndarja e Enverit nga Nexhmija

Liljana Hoxha bën një ndarje drastike midis Enver Hoxhës dhe Nexhmijes. Ndërsa Enverin e ngre në qiell, Nexhmijen e nxin dhe nuk lë epitet negativ pa shqiptuar kundër vjehrrës së saj. Pikërisht këtu qëndron një nga enigmat e qëndrimit të saj. Si mund të qëndrojë Enveri i virtytshëm dhe në këmbë po e ndave nga shoqja dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë e tij? Si është e mundur që Enveri të mos e kishte kuptuar se armikun më të madh paska pasur pikërisht gruan e tij? Ç’janë gjithë këto mistere që e rrethojnë familjen e Enverit? Liljana ka folur për intriga, për prapaskena dhe keqdashje të mëdha në gjirin e familjes së njeriut më të famshëm të Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX.

Vitin e kaluar kur u botua libri i Teuta Hoxhës “Enveri në kujtimet e mia” e kam pyetur autoren gjatë një interviste për këtë qëndrim të kunatës së saj. Teuta më pohoi të kundërtën e Liljanës:

“E vёrtetё është qё gjithё jetёn (Enveri me Nexhmijen) kёshtu e kaluan, bashkё dhe tё pandarё. Kёshtu i njoha pёr aq vite sa unё jetova pranё tyre. Unё nё libёr them: “Ata ishin aq tё lidhur dhe tё pandarё, sa vёrtet nuk bёnin pa njeri-tjetrin. Mosha i bёn njerёzit dhe mё tё ndjeshёm, pёr mё shumё nё çiftet qё kanё kaluar shumё vite tё lumtura pranё njeri-tjetrit. Unё jam dёshmitare e admirueshme e asaj lidhjeje tё fortё tё prindёrve tё Ilirit, gjё qё na mёsoi dhe edukoi dhe ne tё dyve, tё ishim tё lidhur fort me njeri-tjetrin edhe nё ditё shumё tё vёshtira, ku na pёrplasёn tallazёt e jetёs. Ata ishin aq tё dashuruar me njёri tjetrin, sa thёnien qё “dashuria nuk njeh moshё”, unё tek ata e kam vёrtetuar se ёshtё e vёrtetё.”

Pasi kemi hedhur në tryezë një sërë argumentesh për vdekjen e Enverit, me citime e kundërcitime, shtrohet me të drejtë pyetja: Cilat janë arsyet që Dr. Hektori del në media dhe sulmon doktor Isufin?

Kjo është mister. Ky debat rindizet 45 vjet pas largimit të Hektorit nga familja e Enverit dhe zëvendësimin e tij me Isuf Kalon. Duket se ai ka akumuluar xhelozi dhe është ndjerë i fyer që Isufi u bë më i njohur se ai si mjek i Enverit në vitet më të vështira të shëndetit të Enverit etj. Mund të jetë ndjerë keq në vitet kur Isufi, pasi vdiq Enveri u caktua me detyrë si shef i endokrinologjisë, ku më parë detyrën e shefit, por i pa emëruar, e pat kryer Hektori. Fati dhe koha i lidhi këta dy mjekë të udhëtojnë së bashku dhe njëri duke zëvendësuar tjetrin.

Anashkalimi i një mjeku tjetër

Në debatin e ditëve të fundit, apo më mirë në përplasjen e beftë me protagonistë Hektor Peçin, Isuf Kalon, Liljana dhe Sokol Hoxhën, është i pashmangshëm edhe një mjek tjetër, emri i të cilit nuk është përmendur thuajse fare këto ditë. Ky është Sali Berisha. Në të vërtetë Sali Berisha nuk ka qenë mjek i Enverit asnjëherë, por ai ka qenë mjek i Hysni Kapos. Ndaj dhe është lënë jashtë diskutimeve dhe dyshimeve të hedhura në tregun mediatik për helmimin e Enverit. Gjithsesi, Berisha ka pasur një lidhje të çuditshme me familjen Hoxha, posaçërisht me Sokolin dhe Liljanën. Të jetë kjo një e fshehtë përvëluese, mbase më e rëndë se gjithë akuzat që janë hedhur deri tani në tregun mediatik.

Ja si ma ka treguar këtë fakt Nexhmije Hoxha dy vjet më parë në shtëpinë e saj.

E pyeta: “Në librin e Teutës që u botua vitin e kaluar, kam lexuar se ju jeni bërë pengesë që Sali Berisha të futej në ekipin e mjekëve që kujdeseshin për shëndetin e Enverit”…

Nexhmija u përgjigj:

– Po, kjo është e vërtetë. Sali Berisha ishte planifikuar të futej në këtë ekip mjekësh që ishte ngritur për Enverin, aty nga mesi i viteve ’70. Mirëpo një ditë më thirri në zyrë Hysni Kapoja e më jep të lexoj biografinë e tij. Aty kishte hije dyshimi të lidhjeve të tij me agjenturën serbe për shkak të vjehrrës së tij serbe. Hysni Kapoja ma tha vetë këtë. Jo, i thashë Hysniut, ky njeri nuk mund të bëjë pjesë në ekipin e mjekëve të Enverit. Dhe kështu ai (Saliu) nuk hyri në ekip. A është takuar Enveri me Saliun ndonjëherë? Po. Kur ishte sëmurë Hysniu dhe Enveri i ka dhënë dorën Saliut si një mjeku që u gjend aty. Është e vërtetë ajo që kam treguar para disa viteve se pas atij takimi për ca kohë Saliu nuk u jepte dorën njerëzve të njohur, duke thënë se me këtë dorë kam takuar shokun Enver… Por dua të them se edhe ne, unë dhe Enveri ia mbyllëm derën e shtëpisë Saliut, ai na hyri nga dritarja. Ai krijoi një lidhje të çuditshme me Liljanën dhe Sokolin, e kini parë atë fotografinë në varkë në Pogradec. Ja, kjo ka qenë vërtetë e çuditshme dhe ngre shumë dyshime…

E fshehta përvëluese

Në letrën ku Isuf Kalo hedh poshtë akuzat e Hektor Peçit si shpifje, është një moment ku Dr. Kalo shpërthen ndaj ish-kolegut të tij më të moshuar: Pse për 45 vjet ti (Hektor) vetë nuk e kërkove arsyen e atij largimi që të paska dhembur aq shumë? Mos vallë ishte frika mos hapej kapaku?

Vërtet, cila ishte arsyeja e largimit të Hektor Peçit? Ç’është ajo frikë se mos hapej kapaku? Për këtë po i referohemi një fragmenti të intervistës së Dr. Peçit dhënë gazetës ‘Panorama’ më 14 dhjetor 2017 si dhe një deklarimi të Sokol Hoxhës. Sokoli flet për një intrigë të kunatës së tij ndaj Hektor Peçit.

Pjesa tjetër e familjes Hoxha prej vitesh është treguar shpërfillëse ndaj akuzave të Liljanës dhe Sokolit për shumë arsye që tashmë dihen, pasi janë bërë publike. Më e pakta që mund të thuhet është as Iliri dhe as Teuta nuk i marrin fare seriozisht akuzat e Liljanës dhe Sokolit duke i quajtur ato thjesht shpifje të ulëta, ashtu sikurse i konsideroi Dr. Isuf Kalo akuzat e Hektor Peçit. Qëllimi duket se është vetëm një: denigrimi i figurës së Enverit. Ndërsa Nexhmija duket se e konsideron të mjaftueshme mbylljen e kapitullit të marrëdhënieve me djalin e vogël të saj dhe të shoqen e tij me letrën që u ka dërguar Ilirit dhe Teutës dhjetë vite më parë.

E vërteta e ngacmimit

Hektor Peçi, mjeku personal i Enver Hoxhës tregon për marrëdhëniet e tij me familjen Hoxha dhe i përgjigjet akuzave për ngacmime.

Në intervistën në “Panorama”, profesor Peçi, shprehet se ka qenë prej 7 vitesh mjeku personal i Enver Hoxhës, derisa në vitin 1972 ai është transferuar në fakultetin e Mjekësisë, ndërsa është zëvendësuar nga Isuf Kalo.

Djali i Enver Hoxhës, Sokoli është shprehur se profesor Peçit i thurën një intrigë sikur ka ngacmuar bashkëshorten e Ilir Hoxhës, vëllait të tij. Profesor Peçi shprehet se Teuta Hoxhën nuk e ka takuar asnjëherë, ndërsa ajo ka qenë gjimnaziste kur ai ishte mjek i Enver Hoxhës. Ai shprehet i habitur me këtë intrigë për të cilën shprehet se e ka mësuar vetëm kur ka lexuar në ‘Panorama’ intervistën e Sokol Hoxhës.

Ai tregon se ka qenë për 7 vjet mjek i Enver Hoxhës dhe me pas u largua, por pa i dhënë arsye.

“Nuk kishte asnjë arsye që m’u tha mua në atë kohë. Unë për herë të parë e dëgjoj këtë gjë në intervistën e Sokol Hoxhës në gazetën tuaj. Por, më saktë, këtë gjë mund ta shpjegojë Teuta, e cila në atë kohë ka qenë në moshën e pubertetit.

Pyetur nga “Panorama” nëse e kanë akuzuar për këtë gjë brenda familjes ai përgjigjet: “Unë nuk e di, brenda familjes mund të ketë ndodhur çdo gjë, por ndonjë qëndrim përbuzës të familjes ndaj meje nuk pata. Unë me Nexhmijen jam takuar herë pas here, në raste të ndryshme. Të tjerat i dinë vetë ata, unë nuk mund të hyj në problemet e brendshme të familjes së tyre. Por unë vetë nuk pata ndonjë masë qortuese, as kritikë të lehtë, apo të rëndë, apo ndonjë pasojë. Nuk mund të çohet nëpër mend që të ketë pasur një dyshim apo akuzë të tillë ndaj meje dhe unë të vazhdoja punën si mjek i pacenuar. Nuk mund ta çosh dot nëpër mend”- thotë ai.

Çfarë tha Sokol Hoxha

Sokol Hoxha, djali i Enver Hoxhës tregon mënyrën e largimit të mjekut personal endokrinolog Hektor Peçi, nga babai i tij. Sipas Sokol Hoxhës ai u largua pas ngritjes së një intrige për t’u zëvendësuar nga mjeku Isuf Kalo.

Isuf Kalo ka qenë mjeku personal i Enver Hoxhës deri sa ky i fundit vdiq, ndërkohë që ju dhe bashkëshortja juaj e akuzoni atë si pjesë të komplotit kundër jetës së Enver Hoxhës. Ku i bazoni këto?

Unë them se likuidimi i Enver Hoxhës nëpërmjet shëndetit të tij deri më sot është konsideruar si paranojë e tij. Edhe vetë zhvillimet postkomuniste vërtetojnë synimet anti-Enver. Blair-i me ngjarjet në Irak u shpreh se Britania ka dështuar vetëm me Shqipërinë për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Pra pranojnë vetë që rrëzimi i regjimit të Enver Hoxhës ishte i pamundur, ndaj likuidimi i tij nëpërmjet pistave të tjera, kryesisht të brendshme, e pse jo nëpërmjet shëndetit (si pika më e dobët e tij), s’ka se si të jetë fantazi. Aq më tepër po të marrim dhe raste analoge historike si Stalini etj.

Kush ka qenë mjeku personal i Enverit para Isufit?

Deri në vitin ‘72 ka qenë Hektor Peçi. Formulohet një intrigë e ulët nga mbesa e Ramiz Alisë, e fejuara e vëllait tim, që pretendoi të ishte ngacmuar si femër prej doktorit. Synimi ishte të largohej Hektori dhe të sillej Isuf Kalo nga Hysni Kapo.

 

December 23, 2017 11:55