INTERVISTA/ Etleva Nallbani, arkeologia që jeton për të zbuluar thesaret shqiptare

August 4, 2016 11:19

INTERVISTA/ Etleva Nallbani, arkeologia që jeton për të zbuluar thesaret shqiptare

Entela Resuli

Me një fshesë të vogël, teksa mban kokën ulur për orë të tëra, gërmon lehtë tokën në kërkim të së kaluarës mbi vendin tonë. Thonë se nëse do që të projektosh mirë të ardhmen duhet të njohësh mirë të shkuarën. Etleva Nallbani është arkeologe. Prej vitesh, jeton mes qytetërimeve, epokave të ndryshme teksa gërmon duke zbuluar të kaluarën.

Puna që ajo bën i jep mundësinë të shëtisë mes shekujsh dhe e percepton shoqërinë njerëzore njëherazi, me sistemet politike, ekonominë, prodhimet e shkëmbimet, me banesat e sistemet urbane apo fshatrat. Pastaj përpiqet të rindërtojë edhe aspektet e saj shpirtërore, mentalitetet e kodet e banorëve të lashtë. Për të është privilegj i madh të posedosh më në fund çelësin me të cilin hap “librin e madh të qytetërimeve”.

Nëpërmjet kësaj interviste jemi munduar të kuptojmë jetën e një gruaje që merret me arkeologji, gjithashtu edhe problematikat e kësaj fushe dhe faktin se sa e pasur është Shqipëria në këtë drejtim.

Nallbani e cila momentalisht gjendet në Koman duke zbuluar një qytetërim të tërë mesjetar, shumë të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, që arkeologjikisht ka marrë emrin e qytetërimit të Komanit, tregon për Dita-n “thesaret” e nëntokës shqiptare nga veriu në jug.

 

Zonja Nallbani, këto ditë ju jeni në Koman dhe temperaturat janë shumë të larta. E vështirë të punosh në verë?

Po, e vështirë është të punosh i ekspozuar ndaj natyrës dhe të jetosh në kamp. Mendoni se ditë të tëra gërmojmë në mbi 40° në formacione shkëmbinjsh gëlqerorë, në natyrë të rrezikshme me gjarpërinj e akrepa, ndërkohë që ditë të caktuara ka stuhi të forta. Këtë vit fshati nuk disponon as energji elektrike dhe për rrjedhojë as kampi i ekspeditës, me gjithë përpjekjet tona të vazhdueshme për ta siguruar atë. Jemi të detyruar të ndriçohemi me gjenerator dhe aparaturat e punës vuajnë.

Çfarë ju shtyu të merreshit me arkeologji?

Tani janë bërë shumë vite që ushtroj profesionin dhe e vështirë të gjej zanafillën e shtysës. Janë një bashkësi arsyesh, si shoqërore po dhe trashëgimi familjare. Por mbi të gjitha, mendoj se ishte personaliteti im, së bashku me tërheqjen e madhe nga e panjohura, ku të dyja të gërshetuara më shtynë drejt këtij profesioni. Arkeologu është njëherazi intelektual, zbulues, krijues, e zbatues, punëtor krahu dhe aventurier…

Duket një profesion që kërkon durim, e ke patur, apo të është “kalitur” me kalimin e viteve?

Jam shquar për durimin që në rini të hershme, por me vitet kalita durimin e domosdoshëm për investimet afatgjata, ashtu sikurse e kërkon jo vetëm profesioni i arkeologut, por çdo ndërmarrje e madhe në jetë.

Etleva Nallbani

Etleva Nallbani

A ka momente dobësie dhe pendohesh për rrugën që ke zgjedhur?

Kurrë! Profesioni më ngazëllen dhe nuk mund ta kuptoj veten pa të. Më duket sikur një pjesë e rëndësishme e imja është e tillë në sajë të arkeologjisë, historisë; të lundrimit në një botë kaq të madhe e të mistershme. Nuk do e ndërroja kurrë me gjithë vështirësitë, pasi të jep njëherazi kënaqësi të mëdha, si profesionale, por dhe humane. Më ka hapur horizontin drejt perceptimit të shoqërisë gjatë shekujve, por mbi të gjitha më ka ndërtuar një raport të privilegjuar me njerëzit dhe natyrën. Them, se jam me fat të madh që kam lidhur jetën me zbulimet, me trashëgiminë.

Puna që bëni, duket sikur ju fut në shumë kohë, besoj zhyteni në një periudhë, ndërkohë kur ngrini kokën nga gërmimet, kuptoni se je në një periudhë tjetër… e përjetoni këtë gjë? Çfarë ndjen?

Është privilegj i madh të posedosh më në fund çelësin me të cilin hap “librin e madh të qytetërimeve”. Keni të drejtë kur thoni që jetohet midis periudhash të ndryshme historike. Është sikur shëtit mes shekujsh dhe e percepton shoqërinë njerëzore njëherazi, me sistemet politike, ekonominë, prodhimet e shkëmbimet, me banesat e sistemet urbane apo fshatrat. Pastaj përpiqesh të rindërtosh edhe aspektet e saj shpirtërore, mentalitetet e kodet e banoreve të lashtë. Është sikur i prek njëherazi dhe ndërkohë ke një ndjesi moskokëçarëse ndaj jetëgjatësisë së individit. Me pak fjalë historia shekullore e qytetërimeve të bën ta perceptosh jetën në dimensione shumë më të shtrira, t’i japësh një dimension filozofik.

Nëse do të zgjidhnit të jetonit në një periudhë të caktuar, cila do të ishte ajo dhe pse?

Në Evropën e viteve 1970, për lirinë e mendimit dhe veprimit. Nuk me pëlqen konformizmi. Çmoj shumë lirinë, që e kam të vyer për jetën time.

Etleva, sa e pasur është Shqipëria nga ana arkeologjike?

Është jashtëzakonisht e pasur. Janë gjurmë qytetërimesh të mbivendosura për të cilat lypet vizion, dëshirë, finesë dhe nevojë për t’i zbuluar dhe integruar si pjesë e jetës sonë. Mendoj se kur këto prova të shkuara do zënë vend në jetën tonë në format nga materiale në atë shpirtërore, atëherë mund të ndërtojmë zinxhirin e vazhdimësisë së qytetërimeve. Aktualisht jemi shumë larg. Nuk e njohim, nuk e kuptojmë dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të.

Ju momentalisht jeni e përqendruar në Koman, pse? Çfarë po zbuloni aty dhe cilat janë rezultatet e deri tanishme?

Komani e ka përditësuar ndërkohë historinë mesjetare shqiptare. Zbulojmë një qytetërim të tërë mesjetar, shumë të rëndësishëm në Ballkanin perëndimor, që arkeologjikisht ka marrë emrin e qytetërimit të Komanit. Fillesat e tij janë në shekujt e parë të Mesjetës. Në fakt bëhet fjalë për historinë e Arbërve, banorëve mesjetarë të territorit shqiptar. Është një periudhë historike shumë pak e njohur, por shumë e pasur dhe e një rëndësie të veçantë për historinë tonë. Komani në vetvete po shfaqet si një vendbanim i jashtëzakonshëm i veriut mesjetar, i paimagjinueshëm deri para pesë vjetësh. Mendimi se lulëzimin e kish gjatë shekujve 6-8 por përpos kësaj periudhe po na dëshmohet shumë i zhvilluar gjatë shekujve 11-13.

Çfarë prisni nga gërmimet në Koman?

Gërmimet janë një pritje e përhershme. D.m.th në cilindo moment të gërmimeve, zbuluesi pret gjetje të reja, të cilat duke patur parasysh rëndësinë e vendbanimit, përbëjnë risi të padiskutueshme. Komani e ka pohuar madhështinë e tij. Është një vendbanim që me modelin e tij po transformon njohuritë tona klasike për mesjetën në Adriatikun lindor. Zbulimi dhe studimi i Komanit me metodologji bashkëkohore, bazuar në një arkeologji multidisiplinare, do përbëjë një model rajonal të një vendbanimi të grupuar arbëror. Shumë aspekte të errëta të mesjetës së veriut shqiptar po dalin në dritë, si për sa i përket vetë vendbanimit por dhe organizimit të komuniteteve në një entitet më të gjerë, që është lugina e Drinit dhe veri-perëndimi shqiptar e jugu dalmatin. Bëhet fjalë që të dhënat arkeologjike nga gërmimet, të shërbejnë për rindërtimin e strukturës se popullsisë, jetës ekonominë, prodhimeve e shkëmbimeve,  influencave politike dhe kristianizimit të rajonit, pas shpërbërjes së sistemit romak e deri në fund të Mesjetës. Influenca e dyfishtë kishtare lindje-perëndim, karakteristikë e veçantë për territorin, i lë përfundimisht vendin orientimit latin, pas Skizmës së Madhe të mesit të shekullit të XI.

Pres që “Komanin” të ilustrojë mesjetën shqiptare, denjësisht të krahasueshme me modelet e vendbanimet elitare mesjetare në Evropë. Pres që Komani të përbëjë qendër studimesh mesjetare, kantier-shkollë arkeologjie e restaurimi, një park arkeologjik-natyror-industrial, në pothuaj 80 ha e tij.

Komani pati disa probleme me linjat e OST-së, si është gjendja tani?

Po kodër-mali i vendbanimit dhe zona përreth, janë përshkuar aq shumë nga shtyllat e telat, saqë ndonjëherë të duket vetja si në lagjet e Tiranës, ku telat janë bërë kaçurrel. Rëndësia e madhe e lëvizjes së shtyllave qëndron në faktin se u anashkalua nga kufijtë e vendbanimit dhe sidomos nga qendra e fshatit. Shiko, në Shqipëri është shumë i vogël sensibiliteti për jetën e njerëzve, lëre pastaj për natyrën e për vendbanimet e lashta. Ka injorancë shumë të madhe e cila nxitet edhe më shumë nga menaxherët e parasë. Për shembull një fakt që është sa të vësh duart në kokë po dhe aq qesharak, inxhinierët e OST shprehen: mirë që u shpenzuan para për modifikimin e segmentit të linjës, por e paskemi bërë që arkeologët të na zbulojnë sllavët! Kuptoni sa punë duhet bërë në shoqërinë shqiptare që të pranohet diversiteti si përbërës normal i jetës sonë dhe respekti ndaj tjetrit? Njerëzit pavarësisht se arsimohen, nuk kulturohen, janë pak tolerant dhe shumë të manipulueshëm. Mungesa e tolerancës dhe modeli unik që synon shoqëria, atë të pasurimit të shpejtë me të gjitha format bën që të zhduken pasionet dhe trashëgimia kulturore të shihet me cinizëm. Nga ku shtrohet dhe rishtrohet rëndësia e madhe e edukimit përmes trashëgimisë historike e kulturore.

Duket sikur jeni e përqendruar më tepër të gërmimet arkeologjike në veri të vendit, pse?

Të ndërtosh një model arkeologjik, nuk bëhet sot me nesër. Merr ndonjëherë kohëzgjatjen e jetës profesionale të një studiuesi. Të kuptohet një vendbanim duhet të paktën një dhjetëvjeçar i plotë. Të studiohet pastaj duhet dhe një dhjetëvjeçar i dytë… Lëre pastaj kur vendbanimet janë shumë të rëndësishëm dhe zbulimi-studimi dhe vlerësimi i tyre bën që ai kthehet në qendër studimore për dhjetëvjeçarë të tërë. Prandaj filozofia që më ka udhëhequr në jetë ka qenë: sa më thellë e në vazhdimësi i përkushtohesh një çështje të rëndësishme, aq më të madh e të rëndë do e vësh gurin në murin e shoqërisë njerëzore. Dhe unë besoj në “murin” e njerëzimit dhe dua të kontribuoj në ndërtimin e tij. Pastaj mesjeta e veriut shqiptar përbën një model kompleks që i ka munguar shoqërisë mesdhetare dhe dua ta çoj deri në fund. Sigurisht vendbanime të ndryshme të jugut e më gjerë më kanë shërbyer si modele krahasues.

Ju duhet të keni udhëtuar në të gjithë Shqipërinë dhe e njihni atë, çfarë ju bën përshtypje nga ana arkeologjike?

Është e stërpasur për të gjitha periudhat historike, por fatkeqësisht është e pa kuptuar dhe rrjedhimisht e keqtrajtuar. Sigurisht ka monumente të disa periudhave historike që janë më të përfaqësuar, më të ruajtur apo më të prekshëm. Objektet e kultit sikurse dhe ato me karakter ushtarak, janë qartësisht më të spikaturit.

Sa është dëmtuar kjo pasuri nga pakujdesia, e njerëzve apo e shtetit?

Si kudo në botë, njerëzit vënë të mirat e trashëguara në funksion të kërkesave dhe standardeve të jetës të momentit. Nëse politikat kulturore edukative janë vizionare, trashëgimia arkeologjike bëhet pjesë e jetës dhe prioriteteve të banorëve. Nëse ndodh e kundërta, ose thjesht lihet në harrese, atëherë banorët përfitojnë prej saj në mënyrë pragmatike afatshkurtër, detyrimisht shkatërruese në aspektin afatgjatë. Në disa vende të lindjes apo të rajonit, pasuria arkeologjike po përjeton ditë shumë të vështira.

Cilat janë zonat më të dëmtuar, për të cilat ju vjen keq?

Nuk di të përcaktoj dhe ta ndaj qartë, pasi ka dëmtime nga harresa dhe mosinteresimi, por ka dhe dëmtime nga politikat kulturore-ideologjike totalitare, apo dhe më keq akoma, nga ato të interesave aktuale të ndërtimeve të shpejta a pa plan rregullues afatgjatë. Di të them se qytete perla të antikitetit, ku do mund të zbulonim, kuptonim e prezantonim jetën e periudhave historike, janë në zhdukje.

Durrësi është rast flagrant që tregon shkallën e thellë të injorancës së menaxhimit dhe nivelin e lartë të korrupsionit shtetëror dhe profesional me një mungesë të thellë vizioni. Pasi u shkatërrua parku pothuaj 6000 m2, lagje antike artizanësh, mbi të cilin u ndërtua një palaço pallat, tani duan të lajnë veten e të shpallin nën mbrojtje atë çiko gjë që ka mbetur, nën shtyllat e pallatit. Vetëm në Shqipëri perversiteti është i tillë, që dhunuesi të paraqitet si shpëtimtar… nuk dënohen shkatërruesit dhe për më tepër u jepet e drejta të bëjnë propozime të tilla pa mbajtur përgjegjësi për shkatërrimet…

Lë të marrim rastin tjetër flagrant të Lezhës, përsëri ku shfaqet qartë dobësia e strukturave shtetërore përball bizneseve që nuk kursejnë as vendet “kult”, simbolet identitare të një kombi. E tillë është kalaja e Lezhës për trashëgiminë historike të shqiptarëve. Ndërkohë që ekipit arkeologjik shqiptaro-francez, që zbuloi kishën paleokristiane në kala dhe kushedi sa ndërtime bizantine, veneciane e osmane i ndërpriten zbulimet në mes; ndërpritet në mënyrë të dhunshme zbulimi i varrezës dhe kishave jashtë kalasë (në gërmim që në 2004), lejohet të fitohet gjyqi i një privati, për ta marrë me qira dhe për ta ndërtuar kalanë, me kishat, ndërtesat veneciane e feudale, xhaminë osmane… Pse ndërpriten vallë gërmimet? Nga frika e zbulimeve? Një shtet i fortë dhe me politikë të qartë të trashëgimisë kulturore, i ka të gjitha format për të mbrojtur objektin që populli ia ka lënë në ngarkim për t’i mbrojtur, pra kalanë; për të mbrojtur aktivitetin profesional, pra zbulimet, e punonjësve të vet, domethënë të arkeologeve dhe restauratorëve që punojnë për trashëgiminë. Ndërkohë, me veprimet e tij shteti vendoset në krah të dhunuesve dhe lë në mëshirë të fatit punonjësit e vet së bashku me vendin e tyre të punës…

Më thoni ju lutem, a mund të marri dikush shtëpinë me qira me zor një pronari?! Jam e bindur që do thoni JO. Ja pra, po ta thjeshtojmë, ky është thelbi. Institucioni më i lartë i mbrojtjes së trashëgimisë, i posedon të gjitha format të sikterisë monstruozitetë të tilla në kurriz të monumenteve, të trashëgimisë dhe kujtesës historike e identitare të popullit shqiptar. Nëse nuk e bën, po ja lë atyre që e lexojnë këtë intervistë, t’i gjejnë një emër këtij rasti pa precedent… Madje unë po ju them se jo vetëm duhet ta sikterisë pretendentin për uzurpim të kalasë, por duhet të dënojë në mënyrë shembullore të gjithë ata politikanë e pseudo-profesioniste që e bënë të mundur një marrëveshje të tillë. Në cilën kohë jetojmë, kur gjendemi para perversiteteve të tilla?! Këto çështje as që duhet të shtroheshin fare.

etlevaaaaPse ka kaq pak investime në arkeologji?

Shqipëria është futur prej vitesh në fazën e investimeve dhe fitimeve të shpejta. Arkeologjia dhe menaxhimi profesional i trashëgimisë kërkon të punosh dhe investosh për brezat. Madje zbulimet shpeshherë prishin punë. Jua thashë rastet më sipër. Qytetërimi i prish punë një pallati, apo një hoteli-restorant. Ne s’po ja arrijmë dot të modelohemi si Europa perëndimore. Duhet parë larg…

Kush është zbulimi më i madh arkeologjik në trevat tona që na vë përkrah qytetërimeve më të vjetra në botë?

Ka disa të rëndësishme, që i takojnë periudhave të ndryshme historike. Është Maliqi p.sh. i epokës së Bronzit. Po është Apolonia si qytet aristokratik helenistik e më pas Romak. Gjithashtu Komani mesjetar… Ka dhe shumë të tjera cilësore dhe të rëndësishme.

Kemi raste ku njerëzit marrin lopatën e fillojnë gërmojnë në kërkim të thesareve. Kemi rastin e fshatrave të Librazhdit. Banorët e kësaj zone, jetojnë me ëndrra, me gojëdhëna se në nëntokën e tyre fshihet flori. Sipas tyre, në atë tokë janë gjetur monedha… Çfarë dini ju për këto anë?

Janë dy arsye për mendimin tim pse njerëzit jetojnë me ëndrra të tilla. Së pari është rritur niveli i mosdijes së banorëve. Ku ka injorancë dhe varfëri, shtohen historitë çudibërëse se si më shkopin magjik do ngrysesh i varfër e do gdhihesh i pasur, nga një gjetje thesari. Së dyti, është shtuar vjedhja e vendbanimeve antike që vjen si rezultat i mungesës së kontrollit të territorit dhe i një legjislacioni të shtrembëruar. Së fundi p.sh., për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore të luajtshme, është marrë një vendim i Këshillit të Ministrave më datë 27.04.2016 që kërkon regjistrimin e trashëgimisë kulturore të luajtshme për gjashtë muaj. Një koleg i imi pasi diskutuam një gjë të tillë, më tha: po vazhdoka dynjaja fuqishëm gropat këto gjashtë muaj.

Më duket mua apo ka më shumë arkeolog meshkuj se sa femra?

Në Shqipëri? Po më duket. Në Europë është ndryshe. Ka më shumë femra.

Etleva cilat janë veglat e punës së një arkeologu?

Mekanike: kazma, lopata, mistria, spatula, instrumentet e dentistit, fshesa, furçat, fshesa me korrent, skalimetri, metri, busulla, lapsi, goma, letra e milimetruar. Elektronike: aparati fotografik, stacioni total, niveli, kompjuteri, skaneri, droni etj.

August 4, 2016 11:19
Komento

6 Komente

  1. watson August 4, 13:55

    Heroine e koheve moderne

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D. (Dh.Xh) August 4, 14:53

    Kur flasin dy “E-Tw” e mwdha-“Zonja tw mendimit”…
    “Trinitrina gjyshi”

    Nuk e di, nw do mw falin lexuesit pwr kwtw titull zgjedhur;- tw falenderoj kwto dy “zonja tw mendimit”; me thellwsi “arkeollogjike” do tw thoja, dy “cupat” pwr mua gjyshin, qw mw rinojnw sa shkruajnw e mirwqwndisin fjalwt, pwrkatwsisht:Entela Resuli “zonja e penes”, Etleva Nallbani-“Sonda drejt tw pwrtejmes.”..
    Faleminderit cupa sa zonja, mw dhatw kwtw “kafe ” mwngjezi,(me dy dallandyshe pwrfytyruar nw dritaren time tw Bediumi,( mes Torontos),orientimi drejt lindies,nga shoh (pos baces pwrpara qwndisur si pwrmetarwt),atdheun me.Dy “E-tw-“trinitrina gjyshi. Paci mirwsi.
    Etleves arkeolloge, po i nwnvizoj dy tw vecantat shprehur:..
    “..s’pregatitet e adhmia pa njohur tw shkuarwn” sa,
    – “wshtw fat i madhe te posedosh “CELESIN” e madh te qytetwrimeve” pwr pasojw:
    Hap -“Librin e madh tw qytetwrimeve”.
    Thwnie fondumentale do i quaja. Faleminderit.
    Jam njw gjysh, sa, i pasionuar i kwtij pofesioni,aqw i dwshtuar…Ju adhuroj,pwr mw tepwr ; jeni ZONJA.
    Mirwsi zonja te nderuara tw kohws qw jeton atdheu ynw dhe me halle…

    Toronto04-08-2016 Guri Naimit D.(Dh.Xh.)

    Reply to this comment
  3. Emri i vertete: Enid Zoto August 4, 17:06

    Ja keshtu e dhjesin keta arkeologe si Etleva, apo Neritani dhe … ku-di-une sa te tjere qe japin deklarata si “Apolonia qytet aristokratik Helenistik e me pas Romak” … po me pas, mos ka qene ‘qytet aristokratik Turk, Bashkimas-sovjetik apo Kinez’ (meqe u lidhem me pas me keto perandori). Ju lutem znj. Etleva, edhe nje jo-profesionist si une e di se nuk ka pasur ndonjehere qytetrim helenistik por ka pasur qyteterim Hitit, Mikenas, Kretas, Spartan, Athinas, e (ku-di-une).. deri Trojan (per te mos permendur ata qe kane qene ketu ……. ‘afer Apollonise’). Me perunjesi ju sugjeroj qe krahas arkitektures duhet te kishit studiuar edhe paksa etimologji, gramatike te krahasuar, pellasgologji, etruskologji etj. Me falni per nderhyrjen.

    Reply to this comment
  4. Neri August 4, 20:16

    Po mire moj zj Etleva sipas qejfit tend te ngelet shqiperia e pa ndertuar se don te lozes e te kalosh kohen Ti duke na u mburrur me zbulimet e tuaja nga veriu ne juge e ne te na ngelen pronat e qytetit pa u zhvilluar se ti me kompani kerkoni pune qe te shtyni vite duke bere ” pune”. Po mqs se flisni per shtetet perendimore atehere mund te na thoni perse Ata “budallenjte” Italiane ne Rome, Firenze, Bologna etje apo Ato budallenjte Gjermane , Austriake, Francese etje etje qe kane ndertuar brenda qyteteve e mbi arkeologji, por duke i ruajtur ne esence budallenj apo barbare do ti quani Ju ?!

    Reply to this comment
    • Shpk August 5, 23:29

      I le rene pikes. Jepi e derdh beton me tonelata fiks si roma, parisi, meqe i njihke mire. Ja europa mbare, sic duhet ta kesh pare zotrote jo vetem qe s’loz si zonja profesore, por i Ka shkaterruar me rrenje E me dege dhe pike qendre arkeoligjike, qendra arti apo muzeume s’ka lene ne kembe. C’i duan? Per kokloqe si ti?!

      Reply to this comment
  5. Nene Pashako D( N..Xh) August 5, 18:36

    “Dangellia Naimjane” ju pret; Etleve nallbani.

    Shoh ate poze fotografie((salla e Akademise duket), qe me flet shume.
    Fytyra juaj, pasqyra e shpirtit. C’keni shkruar i pashe ne ate foto,me ate tejpamje qe flet shum..
    Vertet si arkeolloge qe jeni.
    Ju pwrgezoj e mira Etleva Nallbani.Cka shpirti paraqitur ne te me ate lagpamesi parashikuese.
    Suksese …shkoni dhe ne “Dangelline Naimjane”, mjeshteria juaj ndoshta, na sjell te reja,deri sot munguar,profesionistet e vertete ne ato zona steril;
    “Gurin e blete”, “Vilat” e Frasherit, Zhejet bri golikut, sa lugina burimore e lumit Lengarice e Osumit siperm, kane suprizat e pa spuluara.
    Me dashamiresi pasion i atij profesioni.

    Toronto 05-08-2016 nene Pashako D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*