Të gjithë njerëzit e Presidentit…të vërtetë

Habjon Hasani August 16, 2014 13:38

Të gjithë njerëzit e Presidentit…të vërtetë

Presidenti Bujari Nishani firmosi dje mos-pranimin e tri ligjeve të mazhorancës. I pari ishte një ligj që sugjeronte ndryshime mbi formulën e gjykatave administrative. Ndërsa dy të tjerët janë ligje që sugjerojnë një ri-strukturim të skemës funksionuese në Policinë e Shtetit dhe në KLD.  Këto dy të fundit janë dhe çështjet më nevralgjike, në të cilat, një operator i Berishës si Nishani, kësaj here ka të drejtë, e prekin vërtetë. Le t’i marrim me radhë, pika kryesore në ligjin për policinë është ajo që quhet risia me Byronë Kombëtare të Hetimit. Bëhet fjalë për një njësi e cila do të hetojë në mënyrë të koordinuar dhe të organizuar.

Presidenti shprehet se krijimi i kësaj njësie prish ekuilibrin kushtetues të organeve të tjera të ngarkuara me hetimin në vend.  Përtej debatit juridik, e vërteta është se sot në Shqipëri nuk ka nukël të specializuar hetimi. Prokuroria, dirigjon ‘nga zyra’ hetimin në vend, ndërsa hetimin në terren e kryejnë kryesisht oficerët e policisë gjyqësore. Njësia e re e propozuar në ligj është e konceptuar si një qendër ku do të mblidhen dhe koordinohen të gjitha veprimet hetimore, do të ndahen detyrat dhe sigurisht hetimit do i shkohet më thellë. Një njësi e ngjashme me rolin koordinues dhe tërësor të FBI-së në Shtetet e Bashkuara por dhe të njësive të tjera në disa vende të zhvilluara. Në kuptimin e hetimit dhe rritjes së cilësisë së tij ky është një hap cilësor.

Por në kuptimin e harmonizimit kushtetues dhe komplikimit të kompetencave me prokurorinë, Presidenti ka ngritur pretendime, ndonëse në deklaratën zyrtare për mediat nuk i ka specifikuar dhe qartësuar konkretisht komplikimet që pretendonte se krijoheshin. Por përtej gjuhës dhe pretendimeve juridike, Nishani ndjen se po humb një ndër monopolet arbitrare që sot disponon: Monopolin mbi hetimin. Korniza ligjore e sotme e ka vertikalizuar strukturën e hetimit, ku maja e strukturës është Prokurori i Përgjithshëm. Ai varet drejtpërdrejt nga Presidenti. Pra në letra dhe me ligj është Nishani, “Mbreti i Hetimeve” në këtë vend, është ai që ka tagër të padiskutueshëm për emërimet e prokurorëve në rrethe dhe ndikim të padiskutueshëm për transferimet e tyre. Nisur nga ky kontroll vertikal mbi strukturën e prokurorëve del me rregull treshi dhe ndikimi dhe kontrolli absolut i Presidentit mbi hetime apo çështje të veçanta. Nisur dhe nga varësia e shpallur, arbitrare e vetëdeklaruar e Nishanit ndaj Partisë Demokratike, bëhet e qartë se në dorë të kujt është sot hetimi në vend dhe pse Nishani po e kthen këtë ligj.

Ligji i dytë i kthyer nga Nishani është ai mbi KLD-në. Ky ligj specifikon sidomos një ndryshim mbi mënyrën e zgjedhjes së Zv/kryetarit të KLD-së, që sot e mban Elvis Çefa. Ligji i ri parashikon që të mos jetë ekskluzivitet i Presidentit zgjedhja e nën/kryetarit të KLD-së. Sot Presidenti është kreu i KLD-së, por njeriu që realisht bën punët aty, apo më saktë, Kryeministri “de facto” i gjyqësorit është Zv. Kryetari i KLD-së. Është Zv/kryetari që vendos rendin e ditës të KLD-së, vendos për emërimet e gjyqtarëve, transferimet, inspektimet, kontrollet etj, etj. Duke u zgjedhur direkt nga Presidenti, në mënyrë ekskluzive, ky zv/kryetar me kaq shumë kompetenca e kthente të gjithë ‘lojën e gjyqësorit’ në një lojë me “dy pasime”. Janë thjesht dy njerëz që vendosin se çfarë duhet të bëhet me X apo Y gjyqtar se kush duhet të bëjë karrierë e kush jo.

Precedenti i degradimit të kësaj skeme nisi me Kreshnik Spahiun zv/kryetar i KLD-së dhe Bamir Topin President dikur, ku meritokracia në karrierën e gjyqtarëve thuajse mori fund, ndërsa me kalimin e Nishanit President, i zgjedhur për të vetmen veti sepse jepte garanci të plota se do i bindej Berishës pa kushte, zv.kryetar i KLD-së u zgjodh Elvis  Çefa, personi, që dikur punonte në zyrën ngjitur të Berishës kryeministër. Nëse shikon jetëshkrimin e zotit Çefa, kupton se ai deri në vitin 2005 ka qenë një aparatçik krejt normal shtetëror. Në vitin 2006 ai punoi ngushtë me Berishën në zyrën e anti-korrupsionit, një zyrë që kontrollohej drejtpërdrejt nga Berisha dhe në 2009 Çefa, kaloi si kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky ishte një tjetër emërim ku Berisha vendoste vetëm persona që kishin dhënë prova të besnikërisë së palëkundur. Për pasojë Çefa u bë anëtar i KLD-së në vitin 2012, e më pas dhe zv.kryetar i KLD-së, kryeministër i gjyqësorit.

Mjafton të shohësh itinerarin e karrierës së Elvis Çefës dhe besnikërinë e palëkundur të Nishanit ndaj Berishës, për të kuptuar se përse ishte e pamundur të mos refuzoheshin këto ligje. Janë ligje që u heqin monopolin në hetime dhe në gjyqësor të gjithë njerëzve të Presidentit, si të Presidentit në Letra, Bujar Nishanit, si Presidentit të vërtetë që ka sot  Shqipëria, Sali Berishës.

 

 

Jetëshkrimi i Elvis Çefës

cefaZëvendëskryetar I Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Data e zgjedhjes si anëtar i KLD-së: 12.04.2012.
Data e zgjedhjes si Zëvendëskryetar i KLD-së: 07.08.2012.
Datëlindja: 28 shtator 1973
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Gjendja civile: I martuar me dy fëmijë.

Arsimimi:
2009 – 2011 Master i Nivelit të dytë me drejtim publik “E drejtë europiane dhe kushtetuese e krahasuar” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
1992 – 1996 Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
1988 – 1992 Shkolla e mesme e përgjithshme “Jordan Misja” Shkodër.

Eksperienca në punë:
Janar 2009 – gusht 2012 Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
Shkurt 2006 – janar 2009 Inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave.
Shkurt 2005 – shkurt 2006 Jurist në Departamentin Juridik dhe Kontrollit të Cilësisë në Kontrollin e Lartë të Shtetit Tiranë.
Maj 2004 – janar 2005 Jurist në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.
Shtator 2000 – maj 2004 Inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Financiar pranë Prefektit të Qarkut Tiranë.
Prill – shtator 2000 Drejtor i Departamentit Rajonal Tiranë të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nëntor 1996 – mars 2000 Inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Tiranë.

Kualifikime të tjera:
Dhjetor 2009 Merr titullin “avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë.
Nëntor 2005 Trajnim “Prezantim me BE dhe procesin e stabilizim – asociimit”, organizuar nga ITAP.
Korrik 2005 Trajnim “Praktika mbi antikorrupsionin” organizuar nga ambasada e SHBA në Tiranë.
Nëntor 2004 Çertifikuar me titullin “Audit i brendshëm në sektorin publik”.
Tetor 2004 Trajnim “Auditi i brendshëm”, organizuar nga Center of Excellence in Finance në Ljubjanë, Slloveni.
Qershor 2004 Trajnim “Auditi dhe kontrolli i brendshëm”, organizuar nga Komisioni Europian në Tiranë.
Shtator 1997 Kurs për drejtues të rinj, organizuar nga Këshilli i Europës në Strasburg, Francë.

Gjuhët e huaja:
Italisht
Frëngjisht

 

***

Nishani i kthen Kuvendit 3 ligje

Presidenti Bujar Nishani i ka kthyer dje Kuvendit për rishqyrtim 3 ligje, atë për organizimin e Gjykatave Administrative, për Policinë e Shtetit dhe KLD-së. Në arsyetimet e tij Kreu i Shtetit shprehet se ndryshimet e parashikuara në këto ligje bien ndesh me disa nene të Kushtetutës, ndërsa tek rasti i KLD-së, Presidenti shprehet se ky ligj kufizon kompetencat e tij si kryetar i KLD-së por edhe disa anëtarëve të këtij institucioni.

 

Arsyetimi “Për Policinë e Shtetit”

Në dekretin nr. 8681, Presidenti i Republikës paraqet arsyet e kthimit të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Duke iu referuar nenit 2 të ligjit në fjalë, që lidhet me misionin e veprimtarisë së Policisë së Shtetit, e konkretisht atë të ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, Presidenti konstaton se ky ndryshim mbetet deklarativ pasi vetë neni 22 i tij e referon këtë rregullim në një ligj tjetër. Po ashtu, Kreu i shtetit vëren se ligji i ri kërkon të kalojë në mënyrë të pakuptimtë, në përgjegjësinë e Policisë së Shtetit ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore, për sa kohë këtë mision e ka Garda e Republikës, një institucion i konsoliduar në këtë fushë. Duke u ndalur tek neni 4 i ligjit “statusi i Policisë së Shtetit”, Presidenti thekson se ky ndryshim, i cili e parashikon Policinë si pjesë të strukturës së Ministrisë së Brendshme, bie ndesh me parimin e paanësisë politike në të cilën bazohet e gjithë veprimtaria e strukturës së Policisë. “Kjo lloj varësie mbetet tërësisht e paqartësuar për qëllimin që kërkohet të arrihet, sa kohë që funksioni i Ministrit është një funksion politik dhe rrezikon politizimin e Policisë së Shtetit”, argumenton dekreti i Presidentit. Lidhur me krijimin e “Byrosë Kombëtare të Hetimit” (Nenin 27), Kreu i shtetit gjykon se kemi të bëjmë me një strukturë, e cila krijon paralelizma në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore.

 

Arsyetimi për KLD-në

Ndërsa në dekretin që kthen ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së” Presidenti vlerëson se ndryshimi që sjell neni 7 i ligjit duke parashikuar se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një zv/kryetar”, bie ndesh me nenin 147, pika 3 të Kushtetutës. Kreu i shtetit argumenton se ky ndryshim përbën shkelje të parashikimeve kushtetuese në dy plane: kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të KLD-së, për të propozuar si zv/kryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli, si dhe heq të drejtën që i ka dhënë kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e zv/kryetarit të KLD-së.

“Kushtetutëbërësit e kanë lënë në vlerësimin e Presidentit dhe të KLD-së zgjedhjen e zv/kryetarit, i cili mund të jetë si nga radhët e gjyqtarëve të zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, ashtu dhe nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi. Ndërsa me ndryshimet që sjell neni 7 i këtij ligji, de facto kjo kompetencë i kalon Kuvendit i cili me tre emërimet e tij në KLD e vendos Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Presidentin e Republikës para faktit të kryer. Në gjykimin tim, këto ndryshime cënojnë parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe rrezikojnë të dëmtojnë balancën duke ndërhyrë haptazi në pavarësisë e gjyqësorit, e cila është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës”, shprehet Presidenti në dekret.

 

Arsyetimi për Gjykatën Administrative

Në parashtrimin e arsyeve të kthimit të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, Presidenti argumenton se ndryshimet dhe shtesat në ligjin në fjalë, ndonëse janë plotësisht të nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen dhe efikasitetin në punën e gjyqtarëve në këto gjykata, konstaton se procedura e emërimit, lirimit dhe shkarkimit nga detyra të ndihmësve ligjore (neni 6/1 sipas ndryshimeve) është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe më konkretisht të pavarësisë së gjyqësorit, e cila është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Sipas Kreut të shtetit, kompetenca ekskluzive që i jep ligji kancelarit të gjykatës për të propozuar emërimin, lirimin apo shkarkimin e ndihmësve ligjorë, i vendos këta të fundit de facto nën varësinë e tij. Kryetari i gjykatës, i cili de jure emëron, liron apo shkarkon ndihmësit ligjorë nuk bën gjë tjetër veçse formalizon një vendim të marrë nga kancelari i gjykatës, dhe nuk ka diskrecion për mospranimin e kandidaturës apo refuzimin e shkarkimit ashtu siç nuk ka diskrecion apo të drejtë përzgjedhjeje as vetë gjyqtari pranë të cilit do të punojë ndihmësi, thuhet në dekretin e Kreut të shtetit.

 

Reagon Rama: Pseudoargumente

Në lidhje me kthimin e ligjit për Policinë e Shtetit ka reaguar edhe kryeministrit Rama, i cili shpreh keqardhjen e tij për kthimin, duke shtuar se ky ishte një ligj i punuar me partnerët ndërkombëtarë. Rama më tej i quan pseudoargumente të PD-së, argumentat e Presidentit për të kthyer ligjin. “Presidenti kthen mbrapsht Ligjin për Policinë dhe rreshton pseudoargumentat e PD për një ligj të punuar me partnerët ndërkombëtarë. Keqardhje”, thotë ai në një status të shpërndarë në Facebook.

Ndërsa në një tjetër shkruan, “Por është e kotë #Refoma s’ndalet. Kuvendi do ta kalojë përsëri Ligjin e Policisë pa asnjë ndryshim, pseudoargumentat e PD s’vlejnë. Vaj medet PD”, shkruan Rama.

Habjon Hasani August 16, 2014 13:38
Komento

6 Komente

  1. andromeda August 16, 14:01

    Thoni që Sala ka dhënë dorëheqje? Çdo gjë në Shqipëri vazhdon ta drejtojë Sala me anë të levave të tij-Lulin, Llallën, Vishon, Nishanin…

    Reply to this comment
  2. Jozi August 16, 14:01

    SI KA DAL SALA TE KJO FOTO SIKUR I THOT JARIT PO SME DEGJOVE MUA Do …..

    Reply to this comment
  3. Niko August 16, 14:09

    E shte ber bajate cdo koment te njejta dikutohen pothuase per dit Por ajo qe afron kenaqesine jane pamjet mjaft terheqse fotografit qe na sevir gazeta Dita qe nuk len vend per koment pamjet flasin vete

    Reply to this comment
  4. Kris August 16, 14:13

    Berisha, eshte strumbullari, I te gjitha te keqijave.Ata, qe mbajne mend, se si sekretaret e Komiteteve te partive,te atyre egzekutive, drejtore- Enveri vete mblidhnin rreth vetes njerez qe kishin ne gjak te perdoreshin. Vrau vodhi e kompromentoi “te ndershmit” dhe tani keta kamikaze nuk kane rruge tjeter vetem te mbrojne Berishen qe te mbrojne veten,dhe simbioza e “stokholmit” eshte me I forte se kurre.Kane frike nga Berisha por eshe nuk kane guxim te dalin kunder tij se I pret burgu.Pra zgjidhja eshte -Largoni Berishen! Pse u vra Santo?! Qe News 24 te perdoret per qellimet e Berishes. Sadizmi I Berishes sapo ka filluar! Ndaleni pa qene vone!

    Reply to this comment
  5. lumi August 16, 14:54

    foto trishtuse po i thot mos lsho pe se per ndryshe
    ta shkul veshin me dhemb.pis iqelbt une te kom
    lene ne pushtet bre mustaqe mini.

    Reply to this comment
  6. M A R K O August 16, 15:25

    Na u ça torovolja me Nishan e bajat Berishe. Jan bere si jashtqitja e çdo mengjezi…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*