Të huajt, shpenzime rekord në Shqipëri, por dhe ne lamë jashtë 624 mln euro

September 11, 2018 09:31

Të huajt, shpenzime rekord në Shqipëri, por dhe ne lamë jashtë 624 mln euro

 

Si turistët e huaj në Shqipëri, ashtu dhe shqiptarët jashtë, kanë shpenzuar më shumë në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në vend për periudhën janar-qershor arritën në 785 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord maksimal historik, që pas viteve ’90, shkruan Monitor.

Rritja e fluksit të turistëve të huaj, teksa Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar turistik, ka bërë që të hyjë më shumë valutë nga turizmi në vend. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga shpenzimet e të huajve në Shqipëri janë rritur me 8.7%.

Të dhënat e mëparshme të INSTAT kanë treguar se ka një rritje të hyrjeve të të huajve në vend. Për periudhën janar-qershor, Shqipërinë e vizituan 1.9 milionë të huaj, me një rritje prej 9.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Peshën kryesore vijojnë ta mbajnë shtetasit nga Kosova, me rreth 29% të totalit, të ndjekur nga maqedonasit, me 15%, grekët me 11.5%, malazezët me 9.3%, italianët me 7.3%. Rreth 30% e hyrjeve ishin për qëllime pushimi, sipas INSTAT.

Shpenzimi mesatar i të huajve në Shqipëri rezulton rreth 410 euro, sipas të dhënave nga INSTAT për numrin e të huajve dhe Bankës së Shqipërisë për shpenzimet gjithsej.

Edhe shqiptarët që udhëtojnë jashtë kanë qenë më të shumtë në numër dhe si rrjedhojë kanë shpenzuar më shumë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-qershor, paratë e shpenzuara jashtë ishin 624 milionë euro, me një rritje prej 10% me bazë vjetore. Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë arritur nivelet rekord të larta që pas viteve ’90.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, për 6 muajt e parë të vitit, daljet e shtetasve shqiptarë arritën në 2.4 milionë, me një rritje prej 6% me bazë vjetore. Shpenzimi mesatar i shqiptarëve jashtë rreth 327 euro, sipas të dhënave nga INSTAT për numrin e të huajve dhe Bankës së Shqipërisë për shpenzimet gjithsej.

Mesatarja e shpenzimeve të shqiptarëve jashtë rezulton më e ulët për shkak se një pjesë e madhe e pushuesve shkojnë në vendet fqinjë, ku është relativisht lirë dhe qëndrojnë pak ditë.

Por kur udhëtojnë në vendet e Europës Perëndimore, shqiptarët nuk kursehen dhe shpenzojnë më shumë sesa mesatarja europiane. Për në Gjermani, ku mesatarisht rrinë 10.9 ditë, shpenzimi mesatar është 496 euro, ose 47% më shumë se mesatarja europiane. Vetë gjermanët për pushime jashtë vendit të tyre shpenzojnë mesatarisht 443 euro për udhëtim, sipas Eurostat.

Prej disa vitesh bilanci i udhëtimeve në Shqipëri është pozitiv, ndërsa deri në 2014-n shqiptarët shpenzonin më shumë jashtë sesa të huajt harxhonin në Shqipëri. Për 6-mujorin e parë 2017, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv me 162 milionë euro, 4% më shumë se janar-qershor i një viti më parë, shkruan Monitor.

September 11, 2018 09:31
Komento

4 Komente

  1. ??? September 11, 10:06

    “për 6 muajt e parë të vitit, daljet e shtetasve shqiptarë arritën në 2.4 milionë, me një rritje prej 6% me bazë vjetore. Shpenzimi mesatar i shqiptarëve jashtë rreth 327 euro” – Gati 80% e popullsise ka udhetuar jashte dhe thone qe nuk kane buke te hajne!

    Reply to this comment
    • Taku September 11, 10:25

      Dhe jane patriote te medhenj….

      Reply to this comment
    • Toni September 11, 10:30

      Nuk jane 80%, por ama ata 30-40% ja luajne fene. Emigrantet shqiptare, te cileve u bie breku ne punet me te renda dhe te perbuzura kudo ne bote, kur shkojne ne Shqiperi nuk kursehen, per te mos u ndjere keq ne ate vend pordhe, dhe parate e tyre perfundojne tek keta 30-40% qe nuk mjafton qe mbushin me pordhe ate vend, por i eksportojne ato edhe ne bote (eshte eksporti me i rendesishem krahas droges, prostitucionit dhe krimit). Ne cdo aeroport te botes ku ka fluturime per ne Tirane, dallon qarte dy shtresat e siperpermendura: emigrante qe u eshte thare lekura dhe jane te veshur me rroba supermarketesh dhe me canta plot dhe snobet e Shqiperise (kryesisht Tiranes), te veshur me rroba firmato dhe me qeska Duty-Free ne duar, te mbushura me vleren e rroges se muajit te nje emigranti.

      Reply to this comment
    • nje shqiptar ne Itali September 11, 12:38

      Ate desha te thesha edhe une , m’a more nga goja . Po te degjosh telefonatat e mengjezit ne disa kanale televizive , ka plot telefonues (sigurisht militante PD-iste) , qe ulerijne se shqiptaret nuk kane buke te hane ….Epo mire , kini degjuar ndonje lajm publik qe , ndonje turme njerzish te urritur te sulmoje e te grabise nje furre buke ? Kurre . Edhe ai lypsi me i fundit ne rreze te trotuarit e siguron buken e gojes . Si more , Shqiperia nuk ka buke te haje ? Nuk iu vjen turp te flisni ne kete menyre ? Po a ka te varfer ? Sigurisht qe , po . Edhe ne Newy York ka te varfer dhe do te kete gjithmone . Ky eshte kapitalizmi ; por ama , te thuash qe shqiptaret nuk kane buke te hane , kur , me qindra mijra bare e restorante qe nga Vermoshi e deri ne Konispol , jane plot e per plot , sa nuk gjen vend te ulesh , kur djem e vajza kane aifon (jo nga nje , por nga dy) , kur diskotekat e klubet e nates nuk mbyllen kerre , kur shqiptaret harxhojne per pushime jashte shtetit 624 milion euro?! , veç atyre qe harxhojne per pushime ne Shqiperi , epo , si mund te thuash qe jemi aq shume te varfer ? Sigurisht qe , shoqeria ne kapitalizem eshte e polarizuar , dikush eshte shume i pasur , dikush tjeter eshte i pasur , dikush del drejt e drejt (shumica) dhe natyrisht , nje pjese e vogel duhet ndihmuar , sepse jane te pa afte per t’i bere balle sistemit kapitalist dhe per kete , shteti ka mekanizmat e ndihmave ekonomike . Shqiptare , mos shani vehten dhe vendin tuaj , siç kini bere tere jaten , se vetem dem kokes i beni .

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*