Të jashtëzakonshmet gra të Gorës

Nga Petrit Braçe November 21, 2014 15:49

Të jashtëzakonshmet gra të Gorës

 

Pjesëmarrja aktive dhe qëndrimi dinjitoz i gruas gorare në çdo aspekt, si në krijimin e çerdhes familjare, në respektimin e pritjen me bujari të miqve, në qëndrimin burrëror ndaj armikut pushtues në krah të burrit dhe në mungesë të tij, e kanë ngritur lart figurën dhe fisnikërinë e saj. Ky shkrim është një tribut për gruan e Gorës në 70 vjetorin e çlirimit.

Në mbarë krahinën e Gorës, Korçë, është trashëguar ndjenja e respektit për gruan. Vlen të theksojmë se në Gorë burri kurrë nuk e ka lejuar gruan të ngarkojë në shpinë drutë apo bucelën e rëndë me ujë etj. Përkundrazi, punët e vështira i ka mbajtur për vete dhe kur vendi i punës ishte larg, ai e hipte gruan në kalë ose mushkë sipas rastit. Kurrë nuk ndodhte që gruaja të ecte në këmbë e ai hipur në kalë. Të gjitha këto kanë bërë që ajo të ndihet e barabartë, me kurajo e dinjitet të plotë dhe t’i bëjë ballë jetës në çdo situatë.

 

Gjatë luftës

Kështu në kohëra të vështira, gruaja gorare i ka dalë zot atdheut, duke treguar vetitë e virtytet më të larta. Figura e gruas gorare për trimërinë, guximin e atdhedashurinë shkëlqeu më tepër se kurrë në periudhën e lavdishme të luftës, kur Gora u bë djepi i çetave, batalioneve e brigadave partizane. Pushtuesit iu vërsulën disa herë Gorës duke djegur e masakruar. Ato që u përballën me këtë bishë të tërbuar ishin edhe nënat e gratë, të cilat u ndeshën ballas me të keqen.

Nderim dhe respekt të përjetshëm për nënë Pashakon, që tashmë ka hyrë në histori si simboli i qëndresës së gruas shqiptare, që njihet prej të gjithëve edhe nga filmi “Yjet e netëve të gjata”. Të dy djemtë e saj, Tafili dhe Mehdiu, ranë dëshmorë. Çfarë t’i falte më tepër Atdheut kjo nënë?

Nderim dhe respekt për nënë Meriko Selimllarin nga Dolaneci që me të bijën, Shqipërien, u përleshën me nazistët dhe mbetën të vrara nga breshëritë e plumbave në oborrin e shtëpisë së tyre. Ndërsa në Zvarisht, u sulmua me breshëri plumbash dhe bomba dore banesa e Agollajve dhe mbetën të vrarë në këtë masakër të pashëmbullt 12 vetë, nga të cilët 8 ishin gra dhe fëmijë: Shaqe Agolli 34 vjeç, Dilja 26 vjeç, Minirja 17 vjeç, Farija 20 vjeç, Dudi 4 vjeç, Fitretja 3 vjeç, Telja 4 vjeç, Fëllëza Agolli 2 vjeçe.

Pastaj bastisën shtëpinë e Rakip Zvarishtit, bazë kryesore e L.N.ÇL. Aty u përballën me nënë Zylfinë që ishte me katër vajzat e saj të vogla, 9 deri 15 vjeç. Pasi nuk gjetën asnjë nga burrat, për hakmarrje i marrin peng vajzën e madhe, Seferien 15-vjeçare. Por a mund ta linte të bijën në thonjtë e asaj bishe të tërbuar!? Jo, kurrën e kurrës. Si një shqiponjë që mbron zogjtë e saj, ajo u vërsul mbi katilët për të shpëtuar vajzën nga kthetrat e tyre, por një nga dushmanët e goditi aq fort me kondakun e pushkës sa i theu dërrasën e gjoksit dhe ajo u rrëzua pa ndjenja. Në ikje e sipër një tjetër dushman hapi zjarr mbi të, por fatmirësisht plagosja nuk qe vdekjeprurëse. Vajzat e vogla, të tmerruara nga kjo mynxyrë, u afruan te koka e së jëmës duke qarë me dënesë.

Nënë Zylfia, një nga trimëreshat gorare e sfidoi vdekjen dhe mundi të jetojë. Ajo i përballoi tmerret e luftës përkrah të shoqit, Rakip Zvarishtit, një nga gorarët më në zë të krahinës, burrë trim dhe i besës… Nga Zvarishti nazistët marshuan drejt Lozhanit. Në kollonën e pengjeve, që u vinin arkat e municionit mbi shpinë, ishte edhe Seferia dhe një grua po nga fshati i saj. Ky lajm i tmerrshëm bëri që nënë Bejazja në Lozhan, vajzën e saj, Medien 20 vjeçare, ta veshi me zhele dhe t’ja lyejë fytyrën me blozën e fundit të kusisë, duke i dhënë një pamje për të ardhur keq dhe kështu i shpëtoi pengmarrjes. Ndërsa robinat e tjera marshuan deri në Moglicë. Në kohën kur do pushkatoheshin, një nga shërbëtorët e nazistëve ndërhyn që t’i mbajnë peng të gjalla se me anën e tyre do ta kishin të lehtë të shtinin në dorë prindërit e tyre. Sulmi partizan bëri që ato të shpëtojnë plotësisht dhe të strehohen tek dajallarët e tyre në Moglicë… Vetëm pas tre muajsh erdhi tek familjarët lajmi se ato ishin gjallë. Kuptohet se çfarë gëzimi qe për të gjithë.

Nënë Nazime Shytit nga Pretusha në ato kohë të vështira lufte ju desh të jetë edhe grua edhe burrë. Duke mos e patur të shoqin, i cili ishte ndarë nga jeta, i ra tërë pesha e familjes ku kishte shtatë fëmijë për të rritur. Ajo nuk u ligështua. Djali i madh u lidh me lëvizjen dhe ajo shtëpinë e ktheu në strehë për partizanët. I priti, i lau, i arnoi, i ngrohu dhe i mjekoi me barna popullore dhe me dashuri nëne…

Në luftimet te Guri i Bletës, komisari i batalionit Skënder Çaçi (Hero i Popullit) u plagos shumë rëndë. Menjëhere atë e strehuan në shtëpinë e Dajlan Brahimllarit në Grybec për t’i dhënë ndihmën e parë. Ishte Nazime Brahimllari ajo që i ndenji te koka dhe i shërbeu tri ditë e tre net pa pushim duke i mjekuar plagët e ushqyer me qumësht e lëngje si evlatin e vet për ta shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Ajo bëri gjithçka mundi deri në sekondat e fundit kur ai mbylli sytë dhe u shua në krahët e saj, më 18 Tetor 1943. Ishte ajo që e qau me ligje dëshmorin hero dhe i bëri nderimet e duhura për në banesën e fundit.

Ndërsa Neslie Agolli nga Moçani, Qerime Jahollari nga Tresova, Zybe Tabaku nga Dolani, Demirkë Agolli nga Velçani, Sanie Kaftirani dhe Nazime Shyti nga Pretusha, ishin ndër të parat që u dhanë bekimin djemve të tyre për të shkuar partizanë, atje ku i thërriste Atdheu, në luftë për liri. Midis të tjerëve ishin Gani Agolli, Nesim Jahollari, Samit Qëncka,Tafil Selmani, Çelnik Tresova, Fetah Selca etj. që dolën partizanë, luftuan me heroizëm përmes flakëve e breshërisë së plumbave duke shkruar të parët, me gërma të arta, emrin e dëshmorit.

 

Veprimtaret

Duke kujtuar ato vite heroike, ku njerëzit viheshin në provë me jetën, këto nëna përballuan bastisjet, kërcënimet, plaçkitjet, djegiet e shtëpive dhe nuk u gjunjëzuan. Djemtë e tyre ja falën pa hezitim Atdheut. Madje pati nga ato që duke mposhtur dhembjen për djalin dëshmor, menjëherë niste djalin tjetër në këmbë të tij.

Një ndihmese të madhe dhanë aktivistet e ardhura nga Qarkori, si Kleopatra Maliqi e Neta Stoja, që gjetën në Gorë bashkëluftëtare trime dhe të besës si Dhora Niça, Parashqevi Voskopoja, Xhemile Agolli, Nezirke Qencka, Rubie Gribeci, Medie Lozhani,Shega e Hava Braçe, Lale Aliçkolli, Envere Dushku…etj. që me guxim dhe kurajo shkelën mbi paragjykime jo të pakta për kohën dhe me zjarrin e lirisë në gji u bënë aktiviste të mira duke shkuar fshat më fshat e shtëpi më shtëpi.

Kështu që në verë 1943 në Gorë u formuan mbi 20 këshilla antifashiste të grave me rreth 160 anëtare dhe nga fundi i vitit arriti deri në 30 këshilla me 300 anëtare.

Në shenjë kujtimi dhe nderimi për to del detyrë që Pushteti Vendor në bashkëpunim me biznesmenët gorarë të ngrenë një memorial për t’i shkruar emrat e tyre në piedestal që ne dhe brezat që vijnë t’i kujtojmë e nderojmë në çdo përvjetor. Ndërsa në këto shënime në shenjë respekti le t’i shkruajmë edhe njëherë emrat e paharruar të atyre grave trimëresha që u zgjodhën në krye të këshillave të grave:

Demirkë Agolli, Dolan; Hane Pane, Tresovë; Neslie Bashllari, Zvarisht;Shega Braçe e Hava Braçe,Lozhan; Nezirkë Qose, Qënckë; Xhevrie Rroko, Senisht; Rubie Lipo, Gjyras; Salushe Muçollari, Bickë; Fike Zerellari, Babjen; Fike Çuka, Gribec; Lije Sabriu ,Kolanec; Naibe Taipllari, Moçan; Parashqevi Voskopoja; Mereme Zhilla, Pirg; Vasilika Lluka, Shipckë; Rakibe Isufllari, Beras; Shyqyrie Pillati, Mesmal; Bejkushe Hoxhallari, Velçan; Refie Taralliu, Velitën; Rakibe Agolli, Desmirë; Fatiko Sullari, Symiz; Shegë Çelua, Zbogj; Nasibe Prrenjasi, Marjan; Selime Skënderi, Strelcë; Hane Fetahu, Bubuq; Salushe Zeneli, Çereshnik,etj.

Në Lozhan të Gorës më 15 shtator 1944 u arrit të mbahet Konferenca e Parë e Gruas Antifashiste për Qarkun e Korçës. Pak ditë më vonë nga Këshilli i Përgjithshëm u zgjodhën dhe delegatet Medie Lozhani, Fike Gribeci e P.Goça që përfaqësuan Gorën në Kongresin e Parë të Bashkimit të Grave Antifashiste shqiptare në Berat, më 4 Nëntor 1944.

Nuk është rastësi që në këtë krahinë u formuan 6 çeta, tre batalione dhe dy brigada partizane që bashkë me Armatën e madhe të Ushtrisë me gjak e sakrifica fituan lirinë.

 

Nga Petrit Braçe November 21, 2014 15:49
Komento

1 Koment

  1. vmskv March 1, 18:13

    ORE vetem keta qe ka permendur ky sh-PETRIT e kane cliruar SHQIPERINE pse nuk permend kryetarin e keshillit te fshatit GRIBEC ISLAM MALLKAZIN qe e varrosi me duart e tij kur dha shpirt SKENDER CACI dhe kur ju be zhvarrimi qe u muarre eshtrat e tij dhe u vendosen ne vorrezat e deshmoreve po ky njeri i mblodhi eshtrat nje e nga nje .KY njeri ka qene shok me PILO PERISTERIN ,TEKI KOLANECIN .SHABAN ZERECIN KU I DHA JASHTE ZAKONISHT LUFTES -NAC–CLI-POR JA MOHUAN PUNEN SA EDHE EMRIN ja hoqen nga lista e kryetareve te keshillit te luftes nac -cldhe meritat i kaluan per veten e tyre disa pseudo historiane te zones dhe te fshatit gribec .po keto dekumenta qe ISLAM MALLKAZI ka qene kryetar i keshillit nga periudha e vitit 1942–1946 ndodhen ne muzeun e luftes tq qarkut korce .dhe KJO KA ARDHUR SE NJE VELLA JA PUSHKATOI PA gjyq REGJIMI SATRAP I ENVER HOXHES .po ishte mire qe autori i keti shkrimi te bazoheshe mbi dekumente dhe jo mbi pacavuret e shkruara nga pseudo -historjanet

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*