Nga ARBEN DUKA (1957-2021)
Në malet e larta,
sytë se ç’më mbenë,
aty ku e ka,
shqiponja folenë!
Shqiponja e malit,
rron mbi njëqind vjet,
po s’e braktis kurrë,
folezën e vet!
Shqiponja e malit,
dhe pse s’është njeri,
aty lind e rritet,
dhe vdes po aty!
Aty dashurinë,
shqiponja ka mbjellë,
ndaj fole e saj,
është si një kështjellë!
Edhe unë shqiponjës,
dua që t’i ngjaj,
që s’e braktis kurrë,
folezën e saj!
Ndaj shpirti rehat,
s’më gjen asgjëkundi,
iki si veriu,
po kthehem si plumbi!
Po kthehem si plumbi,
nga toka e huaj,
se larg tokës sime,
s’e shtyj dot një muaj!
Kthehem porsi plumbi,
në viset e mia,
veç këtu kuptohet,
ç’është dashuria!
Ndaj vetëm shqiponjën,
kam në jetë model,
se dhe dielli vetë,
aty ndryshe del!