Të jetosh me dinjitet

Nga Bedri Islami June 13, 2014 09:12

Të jetosh me dinjitet

Në nderim të profesor Mentor Qukut

Pak ditë më parë, pas një lëngimi të gjatë, u nda nga jeta profesor Mentor Quku, pa asnjë dyshim mjediani më i shquar shqiptar dhe përtej. Ishte pa asnjë dyshim një figurë poliedrike, tek i cili, vetishëm, pa asnjë sforcim, ishte bashkuar në një dinjiteti i njeriut fisnik dhe profesionaliteti i lartë, në një simbiozë të jashtëzakonshme. Të gjithë ata që kanë njohur, qoftë edhe nga larg, kanë admiruar tek ai vetinë e një shenje që kishte filluar të harrohej, ajo që mund të quhet zotnillëku i Shkodrës, dhe kjo ishte jo vetëm në pamjen e tij, por edhe në fjalën e qetë, të kujdesshme, që të sillte një relaks të pamasë, edhe kur nuk ishte i një mendje me atë që dëgjoje, Por, kjo e fundit, ndodhte radhë, për të mos thënë se ishte e pamundur, dhe ajo që kishte thënë, qoftë edhe krejt shkurt, mbeste gjatë në vetëdijen e njeriut, si një gjë që më në fund ishte skalitur.

Kisha shumë kohë që nuk e kisha takuar. Më saktë, në një ditë mes janari të vitit 1991, dhe kjo është edhe fillesa e asaj që dua të shkruaj.

Ishte një periudhë kur gjërat po lëviznin marramendshëm shpejt dhe kur ngjizja e karakterit tek shumë vetë kishte filluar të shkrinte. Qyteti i vjetër ishte si në ethe, ashtu si ishte i gjithë vendi, por, ndoshta më dukej mua, këtu ndjehej më shumë se kudo tjetër, jo vetëm se rëndesa kishte qenë edhe më e egër, por edhe nga veçantia që kishte pasur qyteti i lashtë, në mes së cilës spikaste përbërja fetare, e cila nuk ishte bërë kurrë urë ndarëse, dhe droja, se mos kësaj here mund të ndodhet diç e tillë, ishte zymtuese. Nuk ndodhi , falë edhe njerëzve të mençur, njëri prej të cilëve ishte edhe profesor Mentori.

Në njërën nga këto ditë ai erdhi në zyrën time, si gazetar i posaçëm i “Zërit të Popullit”. Nuk kisha veçse disa muaj që kisha shkuar në atë gazetë, dhe në këtë periudhë, Mentori kishte botuar disa shkrime rradhazi, çka ndodhte rrallë më herët, natyrisht për figurën e Mjedës, me të cilën ishte e lidhur e gjithë jeta e tij shkencore. Erdhi dhe më tha thjeshtë, por krejt haptas, se në rrethanat e krijuara, kur tashmë bindja dhe mendimi ishte jo vetëm m i lirë, por edhe i mirëpritur kudo tjetër, ai nuk do të bashkëpunonte më me gazetën “Zëri i Popullit”. E mirëkuptova menjëherë, po ndodhte diçka krejt ndryshe me të gjithë ata bashkëpunëtorë, shumë nga të cilët intelektualë, të cilët deri një muaj më parë shtyheshin se kush do të botonte tek “Zëri”, si një shenjë përkushtimi për sistemin, e tani, harronin të bënin një përshëndetje të zakonshme. Mentori ishte ndryshe, më i hapur, më i drejtpërdrejtë dhe, natyrisht, më i dinjitetshëm.

Pas asaj dite nuk u takuam më, ai u bë pjesë e një lëvizje tjetër politike, e Ballit Kombëtar, ku të afërmit e tij kishin qenë dikur themelues dhe figura të rëndësishme, unë vazhdova edhe disa kohë në gazetën ku isha, dhe më pas, isha shumë larg vendlindjes. Figura si e Mentor Qukut në Ballin Kombëtar ishin një mbarësi dhe një nder, jo vetëm për të kaluarën e familjes së tij, por për vetë rezonancën që barte ai, dhe gjithçka e bënte më të besueshme. Mungesa e figurave të tilla, në çdo strukturë partiake, është bjerrëse.

Mentor Quku ishte mjediani më i pasionuar që ka njohur vendi ynë. Asnjëherë poeti i shquar dhe atdhetari Ndre Mjeda nuk ka pasur një studiues më të pasionuar ndaj tij dhe një hulumtues kaq serioz. E gjithë vepra madhore e Qukut është përmbledhur viganshëm tek kjo figurë, në një cilësi kaq të lartë shkencore dhe njohëse , sa që të duken njëkohësisht dy gjëra; se profesor Quku ka jetuar çdo ditë me Mjedën e fuqishëm, dhe e dyta, se, një pendë e tillë , kaq e saktë, të dukej sikur kishte dalë nga shkolla e Çabejit. Mjeda rierdhi në botën shqiptare përmes një studiuesi tejet rigoroz ndaj vetes, por edhe tejet të dhënë pas figurës së padër Mjedës. Por rierdhi edhe përmes shikimit të një atdhetari të pashoq, për të cilin, edhe pse ishte nga një familje me tradita islame, studimi i jetës, veprës dhe ideve të një padri françeskan, ishte më shumë se punë titanike , voluminoze studiuese, por edhe përkushtimi ndaj vendit të tij. Nuk dua të flas më gjërë për vlerat e vyera të veprës së profesor Mentor Qukut, atë do e bëjë koha, studiuesit, shkencëtarët, kjo është një lëmi e tyre. Unë e kam lexuar veprën e plotë të profesorit si një njeri i dhënë pas letrave, por edhe admirues i punës dhe i jetës së autorit.

Duke qenë nga një familje e cila ishte gjithnjë nën hesapet e pushtetit, pra që gjithnjë i duhej tëp llogariste hapat që bënte, ai, si duket, u kap fuqishëm pas një figure të dinjitetshme, dhe përmes saj, natyrshëm, shprehu dinjitetin e tij. Mësues ende i ri , i emëruar në njërën nga qendrat mjediane, në rrethinat e Barbullushit, ai e ndjeu se koha dhe pushteti do të binin rëndshëm mbi supet e tij, si kishte rënë dhe do të binte mbi të afërmit; e rëndësishme do të ishte për të që në gjithë këtë fortunë ciklopike, ai të mos humbiste dinjitetin e familjes së tij, dhe emrin e tij si njeri dhe si qytetar i vjetër i Shkodrës. Duke studiuar jetën dhe veprën e Mjedës, hap pas hapi dhe gërme pas germe, si duket ai gjeti edhe forcën e tepërt që i duhej, atë ndjenjë që shpesh herë njerëzit e humbisnin, dhe e bëri në një kohë shumë të vështirë. Të gjitha shkrimet e Mentor Qukut, të botuara para pluralizmit politik, mund të botohen edhe sot, pa i hequr asnjë presje, ashtu si janë shkuar në atë kohë, pasi ai mendoi me të drejtë se, është më e dobishme t’i shërbesh të ardhmes së vendit se sa rrethanave të çastit. Pavarësisht se ku ai i botoi në atë kohë shkrimet e tij, ata kishin vetëm vlerën e shkencës dhe të dinjitetit, dhe vetë fakti se të risjellura sot, në këtë kohë, pa asnjë ndryshim, do të thotë se në çdo kohë, ai kishte aftësinë të ruante, me shqisën e tij të veçantë, orientimin e së ardhmes.

Si e thashë, kishim më shumë se 20 vite që nuk ishim parë dhe në shumë momente bindjet tona, pas vitit 1991, ishin të ndryshme. Por kjo ishte një e shkuar e shpejtë, pasi, në mënyrën tonë, edhe pse në dy kahe të politikës, qoftë edhe përkohësisht, ai gëzonte të gjithë respektin e një njeriu që nuk mendonte si ai. Unë e respektoja se, në të gjithë kohërat, ai kishte ditur të ruante dinjitetin e tij , si qytetar dhe si pinjoll i një familje me emër, por edhe më shumë nga ajo që po linte pas vetes: një jetë të ringjallur të poetit dhe atdhetarit të shquar, Ndre Mjeda.

Dhe këtë punë mund ta bënte një njeri që kishte tri veti të domosdoshme: aftësinë e shkencëtarit, atdhedashurinë dhe dinjitetin. Ai i kishte të tria.

Mjerisht shumë të tjerë i kanë humbur prej kohësh veti të tilla, por nuk dua të prish kujtimin e një njeriu të shquar, duke vendosur pranë tij ata që nuk e meritojnë këtë nder.

Nga Bedri Islami June 13, 2014 09:12
Komento

3 Komente

  1. velecik mali June 14, 16:43

    Jemi te etun te lexojme shkrime dinjitoze qe vlesojne intelektualet e medhenje qe ka nxjerre populli yne. Se ne shtypin tone ma shume shkruhet per kengetar, aktor dhe shkrimtare tallava ashtu sicjane edhe vete shkruesit

    Reply to this comment
  2. lis dushku June 14, 17:12

    E njoh Mentor Qukun qe nga mbledhja e pare e riformimit te Ballit Kombetar me figura te denja intelektualesh si Uran Kalakula,Aleko Gjergo,Rinush Idrizi,Hasan Turdiu,Xhevat Agolli,Taulant Ceka dhe shume te tjere qe formuan dhe mbajten per shume vjet gazeten Balli i Kombit,nje gazete qe i sherbeu mendimit intelektual,ndryshe nga qendrimi i partise se Selfos,qe e coi Ballin ne duart e Berishes.

    Reply to this comment
  3. babo June 14, 21:12

    Ju zoti artikullshkrues i Zerit te popullit ishit dhe po ne ate krah keni mbetur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*