Të kërkosh strehim (azil) politik në…Zvicër 

January 18, 2019 16:51

Të kërkosh strehim (azil) politik në…Zvicër 

  I nderuar zoti Thano

Gjithnjë kam pyetur veten se si dhe kur dikush mund të braktisë Atdheun e tij, të afërmit farefisin dhe shokët dhe të kërkojë “strehim”politik në një vend tjetër. Patjetër është diçka e rëndë e dhimbshme sidomos kur me një vendim të tillë i pret të gjitha urat për t’u rikthyer në mëmëdhe. Këto radhë shkruhen nga një njeri që e ka provuar se sa e rëndë është të shkëputësh lidhjet me vendin ku ke lindur. Por kur ne (unë) kërkonim strehim politik në një vend tjetër kishte kuptim tjetër: justifikohej se në vendlindje të rrezikohej koka nga sistemi i egër diktatorial.

Sidoqoftë është shumë e rëndë dhe, pse jo,poshtëruese të kërkosh ndihmë të huajve të të mbrojnë nga bashkatdhetarët e tu,por këtë shumë pak e kemi diskutuar. Megjithatë në kushtet e një diktaturë të egër hakmarrëse dhe çnjerëzore, justifikohet që ndokush të kërkojë mbrojtje nga një vend tjetër që supozohet se është demokratik dhe mbron të drejtat e njeriut. Nuk është aspak sekret se në të shumtën e rasteve këta të strehuarit politikë janë përdorur nga vëndet mikpritëse kundër vendit të tyre për qëllimet e tyre shoviniste. Kjo është vënë re historikisht sidomos me shqiptarët që arratiseshin nga Shqipëria dhe kalonin në vendet fqinjë ku në të shumtën e rasteve rekrutoheshin nga shërbimet antishqiptare të këtyre vendeve duke i përdorur se gjoja luftonin diktaturën komuniste. Në shumë raste njerëzit e thjeshtë besonin se me një mënd të huajt, sidomos shovinistët fqinjë i përdornin për të mirën e tyre dhe të…Shqipërisë!

(Në këtë grup njerëzish të gënjyer sigurisht nuk bënin pjesë ata që ishin  të pjekur politikisht dhe të shkolluar që u shërbenin të huajve  në mënyrë të vetëdijshëm!) Dihej se fqinjëve tanë aspak nuk u dhimbsej fati i popullit shqiptar por kishin synime të tjera që dihen dhe nuk është nevoja t’i përmendim këtu. Sinqerisht nuk do kuptoja as do justifikoja dikë që “arratisej” nga Atdheu vetëm për të jetuar më mirë, kur në  vendin e tij nuk rrezikohej dhe jetonte si të gjithë të tjerët. Largimi nga Atdheu për të “tërë jetën” si bënim ne atëherë kur kushtet nuk  dukeshin të ndryshonte sistemi komunist,nuk mund të justifikohej vetëm e vetëm për të “jetuar më mire” se  të lirë ishte e diskutueshme dhe në vendet mikpritëse. Megjithatë nuk mungonin dhe raste kur disa kokëkrisur braktisnin familjet,të afërmit dhe mëmëdheun duke besuar se në botën tjetër do të jetonin si aventurierë,pa pasur ndonjë arsye nga sistemi diktatorial. Këta hynin më lehtë në shërbim të të huajve, sidomos të shovinistëve. Patjetër këta ishin të pakët se shumica e të ikurve u rrezikohej koka dhe familja dhe këta nuk pushonin të ishin patriotë.

Ajo pra që më bën përshtypje (dhe nuk mund ta kuptoj) është se sa lehtë shqiptarët edhe sot kërkojnë strehim (azil)politik në vendet e tjera të Europës akoma dhe në Amerikë. Sot nuk diskutohet se në Shqipëri ekziston demokracia-me ato mangësi që ka zakonisht demokracia ballkanase- por jam i bindur se askush nuk rrezikohet të ndiqet për bindjet e tij politike. E dimë se gjatë këtyre gati tridhjetë viteve popullsia e Shqipërisë është përgjysmuar nga emigracionin  masiv pas shembjes së diktaturës, por askush në Shqipëri nuk i pengoi ose ndaloi të emigronin ashtu si nuk i pengon dhe sot njeri.

Veçse emigracioni nuk është çrrënjosës se të gjithë udhëtojnë vazhdimisht dhe lirisht në mëmëdheun e tyre,tek të afërmit e tyre,madje duke përmirësuar dhe kushtet e jetesës në Shqipëri. Madje dihet se me pasaportë shqiptare mund të udhëtosh pa viza pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe kjo është një arritje e madhe lehtësuese si për emigrantët ashtu dhe për udhëtarët e ndryshëm. Këtë e kam provuar vetë kur m’u desh të udhëtoj në Kajro,me pasaportën shqiptare që sapo e kisha marrë pas gjysmë shekulli. Po kështu udhëtova atëherë në Austri, Zvicër dhe Gjermani. Kudo që shkoja gjeja shqiptarë sidomos kosovarë me të cilët kaloja shumë mirë.

Dëgjojmë dhe lexojmë për shqiptarët e Zvicrës. Madje pas episodit të të tre futbollistëve shqiptarë në kombëtaren zvicerane u bë një zhurmë e madhe publicistike nga ku nuk munguan dhe shfaqjet raciste diskriminuese,ose dhe lavdërimin e “patriotizmit” që shfaqën këta të rinj duke bërë shenjën e flamurit. S’do mënd se nuk mungojnë dhe “analistët“ njëri prej të cilëve dallohet për sulmet e tij ndaj Tiranës-domethënë njëfarë Enver (?) Rambolli. Mirë këta,janë të privegjiluar por pjesa dërmuese e shqiptarëve si jeton? Dinim se para shembjes së diktaturës komuniste shumë kosovarë lejoheshin të shkonin në emigracion, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër.

Qëllimi i titistëve ishte që të zbrazej sa më shumë ish Jugosllavia, sidomos Kosova dhe ish Maqedonia nga shqiptarët dhe të zëvendësoheshin në vendet e tyre nga sllavët, kryesisht serbët. Veçse tani ka dhe shumë shqiptarë nga vetë Shqipëria (do t’u shpëtonte shqipove Zvicra?Jo, zoti na ruajt!!!) dhe duket se këtu shqiptarët nga të dy shtetet shqiptare janë bashkuar dhe kalojnë në harmoni të plotë. Jeta këtu ka nivel shumë të lartë-kush nga bota nuk ëndërron të vizitojë ose të bëjë pushime në Zvicër, ndoshta duke e tepruar disi se ka nga ata që kujtojnë se zviceranët ose kullosin lopët ose bëjnë sahate… Dhe shqiptarët- si dhe të huajt e tjerë- si kalojnë? Në shtëpinë tone vinte një pastruese nga …Portugalia dhe një vajzë kujdestare për fëmijët nga Kosova. Sigurisht që në fillim sikur donin të fshihnin prejardhjen e tyre ndonëse këtu racizmi është tepër i zbehtë, pastaj edhe ne nuk ishim vendas. Vajza kujdestare vazhdonte studimet në Universitet kurse prindërit e saj ishin punëtorë të thjeshtë në mirëmbajtjen e rrugëve.

Shqipen e fliste me vështirësi megjithëse më tha se kishte vizituar disa here Kosovën dhe se ëndërronte që në të ardhmen të bënte pushime në Shqipëri…”Shqipëria ka det të bukur-thoshte- dhe këtu nga vetëm lumenj dhe male”  “Ka dhe shumë lope..”thoshte duke qeshur.

Prindërit e saj kishin emigruar të rinj që në kohën e Titos-thoshte dhe gëzohej që gjendja në ish Jugosllavinë kishte ndryshuar dhe “Na kemi shtetin tone” Por ky , me vajzën e re ishte një rast i jashtëzakonshëm dhe kuptimplotë për mua. Flitet për shkolla shqipe dhe unë nuk gjeta shumë të tilla ndonëse ligji federativ i Zvicrës nuk i ndalon, madje i inkurajon. Sigurisht duket tepër qesharake të kërkosh sot “strehim politik” në këtë vend  kaq të lirë (dhe kaq i shtrenjtë!). Këto i mendoja kur vitet e fundit është bërë kaq fjalë për dy ish oficerë (efektivë?) të policisë shqiptare që paskan kërkuar “strehim (azil) politik “në Zvicër! Dhe pse pikërisht në Zvicër? Dikush i ka pritur atje? Kanë pasur njerëzit e tyre atje, apo thjesht kanë kërkuar përkrahjen dhe mbrojtjen e qeverisë zvicerane se u rrezikuakan  në Shqipëri?

Apo  duke u justifikuar kështu që të…jetonin më mirë në Zvicër? Si është e mundur-mendoj unë ndoshta gabimisht- që dikush të braktisë vendin dhe të afërmit e tij, kur ka një punë-qoftë të thjeshtë që i siguron jetesën- duke kërkuar ta mbrojnë të huajt kur dihet se nuk rrezikohet kurrsesi? Ndoshta shumë shqiptarë nuk e kanë kuptuar se nuk mundin më të kërkojnë strehim politik se në Shqipëri nuk ka më diktaturë komuniste,por kështu mund të mendojë një njeri  i thjeshtë por kurrsesi dy oficerë të lartë të policisë shqiptare.. Dihet se shumë nga këta kërkojnë të përfitojnë politikisht duke shpresuar se partia e tyre kur të vijë në pushtet demokratikisht do t’i shpërblejë do t’i bëjë deputetë dhe…ministra! Por çështje qëndron ndryshe: si mund t’i besojë këta dikush tjetër i huaj se rrezikohen në Shqipërinë e sotme? A nuk i shikojmë pësojnë përditë “azilkërkuesit” shqiptarë në Francë Gjermani e gjetkë? Sa  e sa tragjedi nuk kanë përjetuar azilkërkuesit e mashtruar! Sa e sa nga këta janë dëbuar me dhunë nga këto  vende? Se sot nuk mund të mashtrohet më se regjimi në Shqipëri nuk është demokratik dhe shkel të drejtat e njeriut

Sidoqoftë këto ngjasin edhe sot me shqiptarët. U interesova të mësoj se si jetojnë emigrantët e huaj në këtë vend kaq të pasur. Takova disa punëtorë ndërtimi në një kantier dhe, duke dëgjuar se flisnin shqip i u afrove dhe u miqësova përderisa kaloja andej me nipçen e vogël  dy here në ditë. Ata sa po më shihnin më përshëndetnin nga larg me gëzim, madje njëri më ndihmonte të kaloja rrugën me vogëlushin  duke e përkëdhelur. I pyeta pra se si është jeta-si jeton një emigrant shqiptar në Zvicër.”Paga është shumë e mirë-më tha njëri nga ata-por edhe jetesa është shumë e shtrenjtë.

Në një familje tre katër veta, po të punojë vetëm njëri-burri- nuk mund të jetohet. Qeraja më e ulët e një apartamentit të zakonshëm (dhe nuk është e lehtë ta gjesh) është rreth dy mijë franga (rreth njëmijë e nëntëqind e pesëdhjetë juro) Pastaj dritat, biletat e urbanit dhe të trenit janë shumë të shtrenjta.

Prandaj duhet të punojmë dy veta që të mundim të jetojmë mirë; këtu jemi afër Gjermanisë dhe Francës prandaj njëherë në javë kalojmë në këto vende ku blejmë sendet ushqimore dhe shtëpiake më të lira se këtu janë të paafrueshme për ne punëtorët;akoma dhe nga Zyrihu shkojnë në Gjermani për pazar madje kudo që është afër këtyre vendeve të BE. Prandaj mos kujtoni se këtu është parajsë e vërtetë. Banorët vendas kanë punët e tyre kanë shtëpi dhe prodhimet vëndase, kurse ne që duhet t’i blejmë të gjitha fatmirisht që jemi afër Gjermanisë dhe mundim të hamë mish e djathë…”

Të gjitha këto i kisha konstatuar vetë por më interesonte më shumë se si jetojnë emigrantët e shumtë shqiptarë. Gjëja më e mirë është se gjejnë punë-nuk ka papunësi- dhe e dyta qetësia dhe rregulli shembullor. Kur shikoja se si punojnë e si sillen, si ngjanë makinat dhe si pastrojnë rrugët, mendoja pse vallë ne ballkanasit nuk mundim t’i bëjmë këto gjëra kaq të thjeshta dhe në dukje të vogla?

Këtu-në Zvicër- respektimi i ligjeve është i detyrueshëm për të gjithë dhe shkelësit ndëshkohen shumë ashpër dhe askush nuk ankohet për këtë, ashtu si nuk durojnë askënd të shkelin rregullat dhe ligjet… Si përfundim më mbeti në kokë pyetja: pse duhet dikush duhet të kërkojë “azil” në Zvicër? E dimë se shumica dërmuese  e emigrantëve shqiptarë e bëjnë nga halli se nuk kanë kurrfarë punë në vendin e tyre,por të jesh  në një punë të mirë-në kushtet e Atdheut tënd dhe të “arratisesh” sot për në Zvicër, sinqerisht nuk e kuptoj. Mjerisht shumë gjëra nuk i kuptojmë dhe kot po përpiqemi t’i  diskutojmë ose t’u japim një shpjegim.

Kristo Zharkalliu

January 18, 2019 16:51
Komento

5 Komente

  1. Vasili January 18, 19:42

    Qenkeni me naiv se sa ju pandehja:
    E verteta eshte se kemi nje vend me nje variacion te mrekullueshem natyror,ne kontrast ekstrem me ndertimin e kaplloqeve tona.
    Ne vend te huaj kjo kaplloqe,ne pergjithesi nuk gjen zgjidhje tjeter,vecse te punoje dhe te mesoje,qe te mbaje vehten sic bejne dhe te tjeret pereth tyre.
    Kurse ketu tek ne,ne
    albanistan,vjedhja,mashtrimi,shpifja,nepotizmi etj,eshte ngritur ne sistem dhe funksionon ne te gjithe hallkat.
    Kjo epidemi komb-ngrenese,qe ze fill ne katet e siperme ze dhe integrohet ne tufen e gjere.
    Dhe tragjedi-komedia eshte,qe ulerin e ngjiret me shume per moral,ai qe ka perlare gjithcka dhe ne shumicen e rasteve bertet dhe shan dhe i kundervihet me shume megahajduteve,ne emer te moralit,ata qe brenda vehtes thone:
    Por si nuk u gjenda une ne vend te tij,per ti mjele ato vende,por po i gezojne ata maskarenj.

    Reply to this comment
  2. Derveni January 18, 23:52

    Po si te mos ikin shqiptaret neper bote?
    Po ketu nuk eshte se ka vetem varferi e padrejtesi,por ketu mungon shteti ligjor!
    Si te mos iki une familjarisht,kur bashkia e Tiranes me ve taksa te pa ligjeshme per te paguar,jam ankuar ne kryeministri dhe kryeministri thote se bashkia nuk varet nga qeveria!
    Ankohem tek Avokati i Popullit dhe juristet e tij me thone se do pyesim bashkine ne se ti ke te drejte apo jo!
    Ankohem tek emisionet investigative STOP dhge FIKS FARE,por edhe ata duan te pyesin bashkine per te me dhene apo jo te drejte!
    Pra une kerkoj te drejten qe me jep ligji,ndersa nje shtet i tere jo vetem nuk ballafaqon ankesen time me ligjet,por shkon e pyet ate per te cilin une ankohem!
    PRA PYESIN UJKUN NE SE PRANON AI QE E HENGRI QINGJIN?
    Ky eshte shteti shqiptar sot!

    Reply to this comment
  3. Labi January 19, 22:29

    Jetoj 21 vjet ne Zvicer,Zvicra eshte mal i madh, te ben o njeri o budalla, kete te shkretin e ka bere me shume se budalla, shko puno e jeto e leni hartimet o Kico.

    Reply to this comment
  4. Koqa January 19, 22:37

    Ky Kristo Zharrkalliu eshte arratisur ne Greqi dhe ka jetuar po ne Greqi shume vite.
    Keshtu qe ti leje “filozofirat” per te tjeret.
    Le te na thote Kristua pse ka ikur nga Greqia dhe eshte vendosur ne Zvicer ?

    Reply to this comment
  5. Trimi ferrave January 19, 22:45

    Thjeshte shkrim mendjemadhi ,tregon qe portugalezja I pastron shtepine ,kosovaria I mban niprat.
    Dhe ky Kristua shikon shqipot e shkrete qe punojne me ndertim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*