Të luash “Kuq e zi”

July 9, 2014 11:18

Të luash “Kuq e zi”

Nga Gjergji Nika

Botërori Brazil 2014 po na dhuron momente spektakli dhe emocione të papara, por edhe surprizat nuk i mungojnë. Kemi parë se si skuadrat e mëdha dhe pretendente kanë rënë një e nga një, duke ndihmuar në shfaqjen e skuadrave “surprizë”. Shqiptarët bëjnë tifo për skuadrat e tyre te zemrës, por fatkeqësisht asnjëherë nuk kanë mundur të bëjnë tifo për kombëtaren e tyre në një Kupë Bote. E kanë ëndërruar shumë e kanë shpresuar shumë, por nuk ka ndodhur asnjëherë. E megjithatë, këtë vit, më shumë se edicionet e shkuara, shqiptarët patën mundësinë për të parë në fushë të paktën lojtarë me origjinë shqiptare, tek zbrisnin në fushën e gjelbër, por duke mbajtur në gjoks një emblemë të një kombi tjetër. Dhe ky fakt sikur na ka ngushëlluar pak e na ka bërë që të shpresojmë se shumë shpejt do të jemi edhe ne duke u përballur me të tjerët, mjafton që talentet të mblidhen të gjithë bashkë….

 

Talenti shqiptar

Historia, për fatin tonë të keq, ka treguar së talentet shqiptare janë përdorur dhe janë adhuruar nga shtete të tjerë. I kanë ndryshuar emrin, apo i kanë mësuar gjuhë tjetër, por gjaku dhe pasioni që kanë pasur ka qenë i gjithi kuq e zi. Kanë sjellë fitore dhe medalje ari për vende të tjerë dhe askush s’e ka kuptuar që s’i përket asaj etnie. Por Foto Strakosha, ish portieri legjendar i Kombëtares shqiptare, sot trajnerit i U19 (kombëtarja e të rinjve deri në 19 vjecc) mbase këtë herë ka goditur në shenjë në përzgjedhjen e tij. Serxhio Kuqo, një djalosh 18 vjeçar, i lindur në Tiranë, por i rritur në shtetin fqinj, Greqi, është gardiani i portës së skuadrës Kombëtare Shqiptare U19. Pas një paraqitjeje mjaft të mirë në një turne të zhvilluar në Greqi, Foto Strakosha tregoi besim në këtë portier dhe i dha mundësinë për të shpalosur talentin e tij në një ndeshje miqësore, në të cilën ai na fitoi zemrën. Tashmë Serxhio, si një lojtar zyrtar i skuadrës tonë U19 ndan me ne emocionet e tij “Mendoj se për çdo futbollist arritja e tij më e madhe është të luaj me kombëtaren. Është një dashuri që ndjej ndaj kombit tim, i cili më ka dhënë mundësinë të luaj me ngjyrat e saj. Futbolli në vetvete është një lojë në skuadër, me qëllimin e vetëm fitoren dhe kualifikimin. Dëshira ime është të ngjis shkallët e karrierës dhe të arrij të çoj kombin shqiptar sa më lart, të dëgjohen brohoritjet e të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës duke thirrur “Shqipëri, Shqipëri!!”. Edhe pse Serxhio është larguar i vogël nga vendlindja e tij, nuk e harron atë kurrë. Shprehet se është i lidhur më Shqipërinë, megjithëse kurrë nuk iu dha rasti për ta shijuar atë. Mori statusin emigrant që para se të dinte ç’kuptim kishte ajo fjalë. “Sa herë me jepet mundësia, pa humbur asnjë sekondë shkoj për vizitë në Shqipërinë time të dashur. Mendoj se Shqipëria është një komb i bashkuar dhe mua personalisht më ka falur veç dashuri dhe me ka dhënë forcë për të vazhduar”.

 

Ftesa nga jashtë

Lojtarët me origjinë shqiptare janë duke marr vëmendje nga e gjithë bota, lojtarë si Januzaj, apo si Shaqiri që zbritën në Brazil këtë vit dhe fituan mijëra fansa, i çuan shtetet të cilët përfaqësojnë në një nivel tjetër. Të gjykuar, ose jo, çdo shqiptar që ndeshet me emrin Adnan Januzaj, apo Xherdan Shaqiri ngel pa fjalë. Ngel pa fjalë për pengun se këto talente shqiptare, mund të çonin kombëtaren tonë drejt një kualifikimit, drejt një fitoreje më shumë….., pavarësisht se ato bënë zgjedhje të tjera duke lënë shqiptarët me trishtim në sy. Portieri ynë i ri na tregon se si do të kishte vepruar ai në rast se i vinte një propozim për të luajtur në një kombëtare tjetër. “Edhe pse asnjë letër zyrtare nuk ka arritur te unë për të përfaqësuar një kombëtare tjetër, por edhe sikur ajo letër të vij, përgjigja ime do të jetë një Jo e madhe! E di që Shqipëria ka punë akoma, por kjo nuk më jep mua të drejtën për ta “tradhtuar” atë. Në një mënyrë ose tjetër zhgënjej veten time, familjen, shokët dhe gjithë ato shqiptarë të cilët besojnë tek unë dhe tek një kombëtare shqiptare të bashkuar dhe të fortë”. Por nga ana tjetër Serxhio nuk tregohet kaq kritik ndaj futbollistëve tanë që luajnë me fanelat e shtete të tjera “Nuk gjykoj asnjëri i cili bën zgjedhjen të luaj me kombëtare të tjera dhe jo me atë të Shqipërisë. Veç kësaj, kombi kuq e zi i takon shqiptarëve dhe atyre që ndihen të tillë. Nuk mendoj se ka një emocion më të bukur se të luash për kombin tënd dhe të përfaqësosh origjinën tënde, bashkëpatriotët e tu”.

Talenti Serxhio jo me larg se katër vjet provoi për herë të parë çdo të thotë të kesh një pasaportë shqiptare dhe jo një evropiane. Ai u shpall portieri më i mirë në një turne i zhvilluar nga Arsenal Soccer Academy, pas shpalljes së tij, i erdhi ftesa për t’u provuar në klubin londrinez të Arsenalit por ai nuk e ndoqi dot. Kjo për arsye se Ambasada Britanike nuk e pajisi atë me një VIZE dhe kështu ai humbi rastin për të treguar talentin e tij në Britani.

 

Topi rrumbullakët

Aktivitet futbolistike ndiqen nga i gjithë globi, sidomos në raste kampionatesh e gjithë vëmendja kthehet tek ato. Shikuesit përjetojnë emocionet e një tifozi, por çfarë emocionesh vallë ndjejnë futbollistët? Për të na e sqaruar këtë do të na vijë në ndihmë portieri ynë: “Futbollin mund ta përshkruaj si diçka magjike dhe të veçantë. Çdo problem, ose vështirësi që kam gjatë ditës, i lë jashtë fushës së gjelbër. Futbolli në vetvete fsheh shumë emocione, si të gëzuara ashtu dhe të zymta. Për shkak të moshës time të re nuk kam arritur t’i zbuloj të gjitha, por ama është një arsye më tepër, e cila më shtyn drejt përmirësimit tim”. Kur ne i drejtojmë pyetjen, a është futbolli mbreti i sporteve, ai pa hezituar përgjigjet se Po! “Kam filluar ta godas topin që në moshën 5 vjeç dhe jam shumë i lidhur me këtë sport. Nuk do e ndryshoja futbollin me asnjë sport tjetër, jam shumë i lidhur pas këtij aktiviteti dhe mënyrë jetese dhe pa të nuk do bëja dot”. Çdokush prej nesh ka një idhull të cilin do ta ndjek dhe e merr për bazë në hapat e tij, për mikun tonë të ri ky idhull është ish portieri i Gjermanisë Oliver Kahn. “Që në moshë të hershme, isha fans i Oliver Kahn. E admiroja për arsye se kishte aftësinë për të marrë gjithë skuadrën në krah dhe ta çonte drejt fitores, ishte “shefi” madh dhe shpirti skuadrës. Nuk mund të lë pa përmendur edhe portierin tonë Etrit Berisha, i cili ka bërë hapa të mëdha në karrierën e tij këto vitet e fundit dhe është një shembull për t’u ndjekur nga ne të rinjtë”.

Për t’u quajtur futbollist duhet sakrifikuar, por çfarë është ajo të cilën futbollistët sakrifikojnë?! “Nuk mund të them se e përditshmja ime është e pamundur. Arrij të kombinoj detyrimet e mia me sukses. Krahas futbollit ndoqa shkollën, të cilën e mbarova sivjet”. “Ajo çka një futbollist sakrifikon më shumë është koha. Bashkëmoshatarët e mi jetojnë një jetë normale, pa orare dhe regjime, pa kufizime dhe “telashe”. Në jetën e futbollistëve kjo nuk lejohet, duhet përshtatur sa më shpejt ritmi i duhur për tu kthyer në një profesionist të vërtetë”.

 

***

Sikur t’i sajdisnim pak më shumë…

Entela Resuli

Media, kombëtarja e madhe e Shqipërisë në botë

cunat taneGianni de Biasi trishtohet sa herë që sheh ndeshje të Botërorit pasi shumë prej lojtarëve që shkëlqyen në Brazil mund të kishin luajtur për Shqipërinë. Ky është mendimi i gazetës sportive katalanase “El Mundo Deportivo”, që me anë të një artikulli thekson se “vendi i vogël europian me 3 milionë banorë është një “fabrikë” futbollistësh që përdoren nga federata dhe vende të tjera”. “Në Kupën e Botës janë prezentë futbollistë të shkëlqyer që mund të luanin në një kombëtare si Shqipëria, që kurrë nuk është kualifikuar në një Botëror apo Europian”, lexohet në artikull. Shaqiri, Januzaj, Granit e Taulant Xhaka, Xhemaili dhe Admir Mehmedi janë 6 lojtarë që sipas “El Mundo Deportivo”-s do e bënin Shqipërinë një “kombëtare të mirë”.

 

BBC për shqiptarët e Zvicrës

Sipas BBC Sport, Shaqiri, Xhaka e Behrami luajnë me Zvicrën dhe janë krenar për një gjë të tillë, mirëpo vendlindjen e tyre nuk e harrojnë asnjëherë, përkundër prejudikimeve të shumta në Zvicër për emigrantët shqiptarë. Emri i heroit më të famshëm të historisë së Zvicrës sigurisht se është Ëilliam Tell. Pas tij vjen ylli i tenisti botëror, Roger Federer. Mirëpo, askush nuk e ka menduar se pas atyre dy emrave në listë do të vijnë emrat e emigrantëve si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka apo Admir Mehmedi, shkruan BBC Sport. Të rritur në një vend të huaj, futbollistët shqiptarë pranuan ta përfaqësonin atë, madje krenarisht, por ata nuk duan ta harrojnë vendlindjen e tyre. Ata janë myslimanë të cilët jetojnë në një vend i cili vetëm tash vonë vendosi t’i ndalojë minaret e xhamisë. Madje, vite më parë një parti e djathtë zvicerane filloi fushën: “Shqiptarët e Kosovës – JO”. Gjithsesi, tani të gjithë i duan ata. Ata të cilët pavarësisht eliminimit, përfaqësuan denjësisht Zvicrën para gjithë botës, duke qenë heronjtë e radhës të këtij shteti. Por, një gjë është e sigurt: Ata nuk i harrojnë rrënjët e tyre. Vetëm kohë më parë, i pyetur për prejardhjen e tij, Shaqiri u përgjigj: “Unë jam shqiptar nga Kosova”. “Unë jam një mysliman dhe kësisoj nuk i festojmë (Krishtlindjet), por motra ime e vogël ka dëshirë të ketë një pemë Krishtlindjesh dhe ne gjithmonë ia marrim një”, shtoi tutje Shaqiri. E, BBC Sport shkruan: “Mesazhi është jashtëzakonisht i qartë: Ne jemi këtu, ne jemi zviceranë, ne jemi krenarë që luajmë me Zvicrën, por mos na kërkoni ne që ta harrojmë kulturën tonë”.

 

CNN: Shaqiri dhe Januzaj mes 32 talenteve të Botërorit

Rrjeti televiziv CNN në mesin e 32 futbollistëve, duke zgjedhur nga një prej secilit ekip, ka veçuar edhe dy shqiptarë me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri që do të mbrojë ngjyrat e Zvicrës dhe Adnan Januzaj nga ekipi kombëtar i Belgjikës.  Është një krenari për Kosovën që përfaqësohet me disa futbollistë në këtë ngjarje kryesore botërore të futbollit dhe edhe më nder kur dy prej tyre veçohen nga 32 ekipet pjesëmarrëse. Për Xherdan Shaqirin CNN thotë se ndonëse zviceranët nuk kanë një forcë të madhe sulmuese, 22-vjeçari është krahasuar me sulmuesit më të mëdhenj në botë. Dhe, duke dhënë përgjigje se pse nuk është dëgjuar aq shumë për te numërohen tri arsye: Franck Ribery, Arjen Robben dhe Thomas Mueller, mesfushorët bashkëlojëtarë në Bayern Munich, të cilët thuhet se do të jenë “mentorët më të mirë për yllin që po lulëzon.”  Në komentet për ekipin kombëtar të Belgjikës, CNN thotë se belgët janë të rinj, por asnjëri nuk është më i ri se sa mrekullia e Manchester United, Adnan Januzaj. Në detyrimin e tij të parë për Manchester United, 18-vjeçari shënoi dy gola duke siguruar fitoren mbi Sunderland.  Për Januzajn CNN thotë se ekziston edhe një legjendë ku thuhet se që në moshën 6 vjeç ai kishte shënuar 17 gola gjatë një ndeshjeje. Dhe në qoftë se atij i jepet rasti për të luajtur, “me siguri nuk do t’i mungojë vetëbesimi,” thotë ndër të tjera rrjeti i njohur televiziv amerikan CNN.

 

Xhaka në Gjilan, këndon “Xhamadani vija-vija” me këngëtarin Gena

Mesfushori i Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, u bë futbollisti i parë kosovar që ka shënuar në një Kampionat Botëror dhe kjo bëri që pas tij të “çmenden” edhe më shumë shqiptarët. Se sa është patriot dhe atdhedashës, Graniti e tregoi me të mbërritur në aeroportin e Prishtinë ku dha një deklaratë që i kënaqi krejt shqiptarët. “Për mua Ibiza, Mallorca, Dubai është Prishtina. E kam krejt familjen këtu dhe për çdo verë vij këtu për t’i kaluar pushimet”- tha Xhaka me të mbërritur në aeroport. Në mbrëmjen e së shtunës, Graniti gjeti kohë që ta vizitojë edhe qytetin e Gjilanit, ku në një ndejë që ishte organizuar në një klub të quajtur “Stop”, po këndonte këngëtari korçar Gena, dhe 22-vjeçari ishte i ftuar special i mbrëmjes nga pronarët e lokalit. Me t’u ngjitur në skenë Gena përshëndeti Granitin dhe i bëri edhe njëherë me dije se është krenaria e shqiptarëve dhe kjo mjaftoi që të elektrizohen të pranishmit. E kulmi është arritur gjatë këndimit të këngës më të dashur për shqiptarët “Xhamadani”. Gjatë këndimit të këngës, Gena zbriti nga skena për të shkuar te tavolina speciale që ishte për Granitin dhe e kënduan së bashku. Në ato momente Xhaka bënte me duar shqiponjën dykrenore, por nuk hezitoi të këndojë edhe disa vargje disa vargje të këngës.”Rreh si zemër çiftelia, o sa e madhe është shqiptaria”,ishin këto vargje që i këndoi mesfushori prishtinas për t’i ngritur në këmbë rreth 1000 të pranishëm në diskotekë.

 

 

 

July 9, 2014 11:18
Komento

4 Komente

  1. xha Teme July 9, 11:33

    Kosovari i pare qe ka shenuar ne boteror eshte Hakan Shukur i Turqise.Januzaj u morr nga Belgjika por ky boteror tregoi se vleresimi i trajnerit per te eshte shume i vogel.Shaqiri i madh vetem kunder Hondurasit, ndersa kur duhej vertet kontributi i tij nuk u pa.Xhaka tregoi qe eshte lojtar i mire por asgje e jashtezakonshme

    Reply to this comment
  2. artan nika July 9, 16:45

    Asnjehere asnje emigrant,i brezit te pare apo dhe te trete,nuk e harron gjakun,por kushtet ekonomike,sociale,familjare e bejne qe te lej menjeane flamurin e gjyshit dhe te shpalos tjetrin…bukur Gjergji,dhe si teme shume kohore dhe interesante…

    Reply to this comment
  3. bora July 10, 07:21

    guri rend ne vend te vet- keshtu kane thene te paret.
    Djemte dhe vajzat e talentuar te shqiperise jane ambasadoret me te mire ne bote per promovimin e vlerave te kombit, SHQIPETARISE .
    Na duan e na nderojne. Ju faleminderit ….

    Reply to this comment
  4. enea July 11, 11:37

    bravo gjergj edhe bravo djalosh..succese te kariera jote

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*