Të njohim më mirë Parisin e vogël (Korçën)

September 12, 2018 16:16

Të njohim më mirë Parisin e vogël (Korçën)

E kanë quajtur Qyteti i serenatave, Qyteti i dashurisë, Qyteti i Artit, Qyteti i birrës, Qyteti i birrës, Parisi i Vogël, e po të kërkosh, gjen plot epitete të tjera që cilësojnë vlerat e saj por edhe karakteristikat se përse duhet vizituar një qytet si Korça.
Një tjetër hipotezë: Iljaz bej Mirahori kishte vetëm një ëndërr: të ngrinte një qytet të madh dhe
të bukur. Njerëzit të ndaleshin diku e ta vështronin me ëndje pa u larguar dot prej tij.
Të harronin për ku ishin nisur. Edhe qyteti një emër të tillë të kishte – “shiko e shko”, ku të gjithë të ktheheshin sërish e sërish për ta soditur nga fillimi. Kërshëria e tyre të mos shuhej kurrë.  Sa herë të vinin për ta parë, gjithnjë ta gjenin më të bukur. E njëjta gjë duhej të ndodhte edhe me të huajt.
Kjo ishte ëndrra e Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës, dhe kështu ndodhi. Vendin ku u ngrit Korça e quajti “Gierixhë”; e përkthyer nga turqishtja do të thotë “shiko e shko”.
Po ideja që ky qytet të cilësohej si “Paris i Vogël” nga nisi?
Fillimisht, ideja e magjishme për ta quajtur Korçën “ Paris i Vogël” u nxit nga shkrimtarja dhe udhëtarja e famshme britanike, adhuruesja e Shqipërisë, Edit Durham (1863-1944), e cila vizitoi Korçën në vitin 1904. Në të vërtetë as ajo nuk e quajti “ Paris të vogël”, por vlerësimet që dha për Korçën ishin kaq të mrekullueshme sa gjithë banorët mbetën të lumturuar. Që nga ai çast ata mund të huazonin për Korçën emrin e çdo kryeqyteti europian dhe Korçës do t’i rrinte mirë. Megjithatë, deri në ardhjen e Edit Durhamit le të shohim kush ishte Korça në ato kohëra, për të kuptuar më mirë rrëfimin që do të vijojë më poshtë. Korça vërtet kishte nisur të shkëlqente. “Sipas një dokumenti të viteve 1647-1648, tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës Veneto-Turke (1644-1669), kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbyllur, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sojadhë – Korfuz – Venedik. Gjatë rrugës në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë, dyllë) prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga Venediku”. (S. Naçi, “Të dhëna mbi  Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut sipas një dokumenti të shek. XVII”, Bul. Shk. Shoq., II, 1957, F.223-225). Këto vite e bënë Korçën edhe më të njohur. Gjithashtu, sipas dokumenteve të vitit  1712, mësojmë se banorët e Voskopojës kishin shkuar te mjeshtrit e kazasë së Korçës, ku kishin punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepsisë, këpucarisë dhe të farkëtarisë”. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, v.III, Tiranë, 1962, dok. 197). Kjo tregon qartë shpjegon studiuesi Pirro  Thomo, “se në atë kohë zejet në këtë qytet, (në Korçë) ishin në lulëzim, përderisa banorët e Voskopojës, e cila kishte arritur një nivel të lartë si qendër e rëndësishme tregtare e kulturore, vinin këtu (në Korçë) dhe mësonin zanatet”.
Që nga dita e ardhjes së Edit Durhamit në Korçë, njerëzit kishin nisur ta vështronin Kasabanë (Korçën) me një sy tjetër, kishin mundur të kuptonin që jetonin në një qytet të famshëm e të qytetëruar. Fjalët e Durhamit: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë…”. Çdokush i gjen edhe sot te pazari i vjetër i Korçës, i cili shtrihej brenda ansamblit urbanistik dhe arkitekturor të Kasabasë. Megjithatë, duhet thënë se Edit Durhami nuk e krahasoi Korçën me një “ Paris të Vogël”, por vetë banorët e saj kishin filluar ta mendonin gjithnjë e më shumë si një qytet europian. Krahasimi me Parisin duket se kishte nisur të artikulohej edhe nga të huaj të tjerë. Gazeta “Korça”, 17 Gusht 1909, në një artikull të saj që flet për një çështje tjetër, midis të tjerash shkruan: “Ky qytet, të cilin shumë të huaj evropianë që kanë shëtitur në Shqipëri, e kanë quajtur “Paris të Vogël”…, tregon se 5 vjet më pas nga vizita e Edit Durhamit, banorët e qytetit jo vetëm që ishin familjarizuar me termin “Paris i Vogël”, por kishin filluar ta përmendin kështu edhe në shtypin e kohës. Gjithashtu, fakti i mësipërm tregon qartë se Korça ishte quajtur “Paris i Vogël”, para ardhjes së grekëve, të austro-hungarezëve apo
edhe të francezëve.
Korça është një krahinë e Shqipërisë e gjitha për t’u vizituar, si nga ana kulturore, ashtu edhe për nga vlerat e saj natyrore që disponon me anë të monumenteve të shumta që natyra ia ka falur krahinave përreth saj. Korça si qytet dhe rrethi i saj shquhen për objektet dhe mjediset e veçanta me vlera të larta turistike. Qyteti u ofron turistëve një trashëgimi të pasur kulturore në arkitekturë, urbanistikë, monumente kulture etj. Të veçanta janë ushqimet që servirin në restorantet, pijet karakteristike si vera, birra “Korça”, vodka korçare etj.
Korça ka tradita dhe zakone të veçanta, gjë që dëshmon se qyteti ka qenë një vatër e rëndësishme e kulturës me shumëllojshmëri materialesh shpirtërore për popullin tonë. Dy nga veprat më të rëndësishme të folklorit shqiptar janë, “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos dhe “Valët e Detit’ të Spiro Dines.
Veshja kryesore e burrave është fustanela, kallat dhe opingat me xhufka të zeza në majë të tyre, në kokë mbanin fesin me ngjyrë të bardhë. Ndërisa gratë visheshin me xhamadan dhe në kokë mbanin shami. Serenatat korçare janë këngë lirike karakteristike që këndohen të shoqëruara me kitarë. Me to Korça është bërë e famshme në të gjithë Shqipërinë. Serenatat shquhen për ëmbëlsinë e ndjenjave të holla dhe mënyrën orgjinale se si i këndojnë dashurisë. Ato janë kënduar poshtë dritareve të vajzave çapkëne korçare, pranë kangjellave të oborreve me lule, dhe rreth e rrotull tavolinave mbushur me ushqime dhe pije tradicionale. Serenatat lulëzimin e tyre e patën në vitet ’30, megjithatë ato vazhdojnë të këndohen edhe sot në çdo familje korçare apo baret dhe restorantet me muzikë live. Numërohen rreth 110 monumente kulturore, që mbrohen nga shteti.
M.H/Dita
September 12, 2018 16:16
Komento

3 Komente

  1. demo September 12, 18:06

    Nuk na the gje.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D(Dh.Xh.) September 13, 00:20

    Korca-KORCE -sa korcaret-Na bejne krenar.
    pos te tjerave;Me A.B.C- e pare!

    Titulli shkrimit eshte gjithcka duhet thene per Korcen.
    Komentuesi z.”demo”,na e persos…
    Per mua;ato fotot e persosura.
    Faleminderit!
    Korca-KORCE-ruajtur themelet e saj…
    .na ben krenar.

    Pasuesi veteran;

    Toronto 12-09-2018 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  3. Margarita Tola September 13, 14:27

    Sa varfer paske shkruar.
    Ke dashur te thuash dicka dhe s’ke thene asgje. Me mire Dita te mos e kishte botuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*