Të padëshiruarit

August 13, 2016 19:43

Të padëshiruarit

Çështja e migrantëve vazhdon ta ekspozojë shoqërinë evropiane të mbyllur. Të mbyllur në vetvete, rreth identitetit dhe vlerave përfaqësuese të saj. Të pranueshëm për shoqërinë evropiane janë vetëm një kategori migrantësh. Ato, që vijnë nga vendet e Unionit. Të tjerët, janë të padëshirueshëm. Nuk preferohen nga qytetarët e BE. Janë dy sondazhe të fundit, që konfirmojnë këtë qasje negative, EB-85 i zhvilluar përgjatë muajit prill dhe Ipsos, i publikuar vetëm dy ditë më parë (11.08) dhe i zhvilluar përgjatë muajve qershor-korrik.

Migrimi identifikohet si problemi kryesor, me të cilin BE, duhet të përballet aktualisht. Në një shumicë prej (58%) kemi konfirmim të qasjes negative të qytetarëve evropianë ndaj imigrantëve, që nuk vijnë nga vende të Unionit. Me vende, ku përqindja refuzuese shfaqet shumë e lartë, si në Sllovaki (84%), në Hungari (83%), në Republikën Çeke (77%) dhe në Poloni (65%). Ndërkohë që një përqindje e lartë vërehet edhe në vende, që kanë pritur një numër të lartë refugjatësh, që prej nisjes së krizës, si Gjermani, Austri, Belgjikë (58% secila) dhe në Francë (57%).

Vendet e ish-kampit sovjetik

Të katër vendet e Vishegradit, tashmë janë të profilizuar si vende të përqendruara rreth vetvetes nga ana kulturore, por edhe me një frymë të munguar tolerance, sidomos në krahasim me shoqëritë e vendeve të tjera të Evropës. Ksenofobia, racizmi dhe diskriminimi i lartë, që shfaq politika hungareze nën drejtimin e konservatorit Viktor Orban, jo vetëm ndaj imigrantëve dhe refugjatëve, pro edhe ndaj minoriteteve në vend, ka kohë që shqetëson Evropën, duke shkaktuar edhe monitorim të detyrueshëm demokratik të saj. Të tilla politika ksenofobie, kanë gjetur fuqizim të mëtejshëm edhe në Poloni, që prej ardhjes në pushtet të ultra-konservatorëve të Partisë për Ligj dhe Drejtësi të Jaroslav Kaçjinskit. Por, një situatë dhe frymë e munguar tolerance është shfaqur edhe nga social-demokratët e Sllovakisë, nën drejtimin e Ficos, që janë pro vetëm ndaj imigrantëve të krishterë, duke rikujtuar këtu edhe futjen për herë të parë në parlamentin sllovak të një partie neo-naziste.

Mungesa e tolerancës, dëshira për të qëndruar të mbyllur në shoqërinë homogjene të tyre, duke refuzuar si pranimin apo bashkëjetesën me kultura të tjera, por edhe duke pasur një politikë shumë të kritikueshme ndaj minoriteteve në vend, duhen parë në një kontekst historik, që i karakterizon këto vende, në dallim me vendet e rajoneve perëndimore.

Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ndonëse kanë njohur Perandori shumë-etnike, ato janë bërë pjesë e persekutime të minoriteteve, kryesisht përgjatë shekullit të XX. Prirjet pro-fashiste dhe bashkëpunimet e qeverive hungareze me nazistët gjermanë, kanë spikatur që prej ultra-nacionalistit Gombos (1932-’36) duke kulmuar më tej me themeluesin e partisë neo-naziste të Kryqeve të Thyer, Szalasi, që instaloi edhe regjimin e terrorit, në tetor 1944. Këto bashkëpunime, janë shoqëruar jo vetëm me pjesëmarrje aktive në brigadat luftarake gjermane, por edhe me nënshkrime të ligjeve anti-semite dhe bashkëpunim në dëbimet e tyre në kampet e përqendrimit, si edhe në ekzekutime. Edhe Sllovakia, një shtet satelit i Rajhut, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, do të jetë e përfshirë drejtpërsëdrejti nën presidencën e Tisos dhe të kryeminstrit Tuka në persekutime kundër çifutëve mbi territorin sllovak, duke filluar nga heqja e të drejtave civile dhe sekuestrimit të vlerave materiale, deri në dërgimet e tyre në masë në kampet e shfarosjes. Situatë me një panoramë të njëjtë, vinte edhe nga politika çeke e territorit të Protektoratit të Bohemisë dhe Moravisë.

Edhe përgjatë epokës së sistemit komunist, këto vende nuk kanë qenë shoqëri të hapura, duke ruajtur karakteristikat e një shoqërie homogjene nga ana kulturore dhe për sa i përket identifikimit të vlerave kombëtare.

Në ndryshim nga një sërë vendesh evropiane, ato nuk e kanë njohur dhe nuk kanë qenë pjesë e historisë së kolonializmit. Në kuptimin, jo vetëm të kuadrit përfitues, ndaj vendeve të treta më pak të zhvilluara, por edhe në kuptimin e njohjes dhe të familjarizimit me shoqëritë, që nuk i përkasin vendeve evropiane. Vendet evropiane, që kanë njohur dhe zotëruar koloni perandorake në vendet përtej Evropës, jo vetëm që janë të familjarizuar me kulturën e këtyre vendeve, por epoka e dekolonializimit u shoqërua edhe me përgjegjësi dhe detyrime të pashmangshme morale ndaj këtyre shoqërive, nga ku kemi si rrjedhojë tolerancë dhe prioritet ndër dekada ndaj shtetasve të këtyre vendeve, duke lejuar instalimin e tyre në vendet evropiane, të bashkëshoqëruar me lehtësira në dhënien e shtetësisë. Rasti më i spikatur ai i Francës me zotërime të mëdha kolonie në territoret e Afrikës së Veriut (Marok, Algjeri, Tunizi), në Afrikën Sub-Sahariane, në Lindjen e Mesme, etj.

Por, kjo njohje dhe familjarizim i politikës dhe shoqërisë së këtyre vendeve, ndaj këtyre kulturave, duke përfshirë këtu edhe vende, që kanë njohur dhe pranuar migrim të strukturuar prej vitesh, nga shoqëritë e vendeve myslimane, për arsye të mungesës së krahut të punës, shkakton frikë dhe një lloj tensioni tek shoqëritë e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Frikë, që buron jo vetëm nga mosnjohja, mungesa e kontaktit dhe e prezencës historike të tyre në territoret e këtyre vendeve, por edhe nga një mënyrë e veçantë e këndvështrimit apo perceptimit, që ato kanë mbi shoqëritë e hemisferës perëndimore. Një këndvështrim, që e shohim rëndom të ekspozuar në retorikën politike, që nuk ngurron të shfaqet edhe publikisht. Rasti i fundit tipik, vjen me deklaratën e një politikani hungarez (Ministri i Punëve të Jashtme- Szijarto) që do të konfirmonte se, sa i pasigurt dhe i rrezikuar ishte ndjerë teksa, ecte rrugëve të Brukselit !

“Nëse humb në Bruksel, duke gabuar në dy rrugë, duhet të vraposh që të ngelesh gjallë. Nuk është një ekzagjerim, kam qenë në një situatë të tillë”.

Një deklaratë, që tashmë është stereotip i retorikës politike tek këto vende, por që shfaq dozat e perceptimit të shoqërisë perëndimore, si një shoqëri e pasigurt, duke ia atribuuar këtë pasiguri konceptimit të ndryshëm, që ajo ka për bashkëjetesën mes kulturave të ndryshme dhe hapjes së lartë ndaj migrimit, sidomos ndaj vendeve myslimane.

Radikalizmi politik 

Teksa është e kuptueshme, që në vende si ato më sipër, që i përkasin Vishegradit, kemi përputhje të politikave refuzuese qeveritare me nuanca ksenofobie me qasjen e opinionit publik, vëmendje tërheqin vende si Gjermania, Austria, Franca apo edhe Belgjika, ku politikat qeveritare janë të hapura ndaj migrimit, me kontribute të veçanta përgjegjësie dhe solidariteti ndaj krizës së refugjatëve, por edhe racionale në kuptimin e pranimit të nevojës, që ka vendi në plotësimin e boshllëqeve të tregut të punës.

Por, teksa evropianët e këtyre vendeve shprehen në shumicë se janë kundër migrimit nga vende jashtë BE, duke nënkuptuar edhe flukset e refugjatëve, kemi një ndërthurje interesante, që shpreh një këndvështrimin human, teksa kur pyetën nëse dëshirojnë që kufijtë të mbyllen, anojnë kryesisht kundër mbylljes së tyre ndaj migrantëve.

Refuzimi i lartë, që ato shfaqin gjen shpjegim në elementë të tjerë, që ofron vetë sondazhi Ipso, (Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë) ku spikasin ndër të tjera, frika e lartë për një mos-integrim të tyre në shoqëri, si edhe frikë ndaj mbingarkesës së sistemit social në këto vende, apo rritjes së konkurrencës në tregun e punës.

Është e rëndësishme të theksohet se, që me nisjen e krizës së refugjatëve, kemi një instrumentalizim gjithnjë e më të konsoliduar të kësaj situate nga parti autoritare, ekstremiste dhe populiste. Duke luajtur me ndjesinë e frikës dhe duke krijuar amalgame të dëmshme mes migrantëve dhe “agresorëve seksualë” mes refugjatëve dhe “terroristëve”. Një retorikë, që ka shtuar radhët e partive ekstremiste, si në rastin gjerman me partinë e ekstremit të djathtë, AfD, apo në Austri me partinë për Lirinë, FPO, e cila ndonëse humbi në presidencialet e majit, po rishfaqet në avantazh sërish në sondazhet paraprake, teksa zgjedhjet do të ripërsëriten. Është ky kontekst krize, që nxit vazhdimisht partitë me nuanca ekstremiste të Flandrës në Belgjikë, që kërkojnë ndryshime legjislative në dëm të lirive dhe të drejtave të njeriut. Por, efektet e instrumentalizimit të kësaj situate vërehen edhe në vende të tjera si në Holandë me Partinë për Lirinë, në Danimarkë me Partinë e Popullit Danez, pa përjashtuar nga kjo klimë edhe efektin negativ të referendumit për daljen e Britanisë nga BE.

Një tjetër element, që konstatohet në jo pak vende, me nisjen e krizës së refugjatëve, është qëndrimi negativ i opinionit publik ndaj kësaj krize, për shkak të mos administrimit të duhur nga qeveri të ndryshme të kësaj situate, siç janë: sqarim dhe komunikim i nevojshëm publik i vendimmarrjeve të ndjeshme, shpjegim mbi detyrimet ligjore ndërkombëtare dhe ato morale historike, shpjegim mbi përfitimet ekonomike të pranimeve, bazuar në studimet ekonomike, dënim pa ekuivok i gjuhës ekstremiste të përdorur nga partitë radikale, etj. Por, në vend të këtyre politikave, në jo pak vende gjejnë konfigurim qasje të kundërta, të shumë-kritikuara, duke miratuar ligje, në kundërshtim me frymën ligjore ndërkombëtare. Rasti tipik do të ishte ai i Danimarkës, që vendosi sekuestrimin e të mirave materiale me vlerë të caktuar ndaj refugjatëve, duke rikthyer në memorien historike pasazhe të errëta të regjimit nazist.

Fluksi i refugjatëve me të cilën po përballet Evropa nuk vjen rishtazi, pasi historia e Shekullit të XX ka dokumentuar shembuj të shumtë. Përveç lëvizjeve të detyruara të popullatave, të imponuara nga traktatet e paqes dhe ndarjet e territoreve në mbarim të Luftës së Parë Botërore dhe në fillim të viteve ’20, si edhe shkëmbimet e dhunshme dhe të forcuara të popullatës si ato, që njohu Lufta greko-turke (1921-1923), një sërë fluksesh refugjatësh do të vijonin me ikjen nga Rusia të shtetasve rusë të përndjekur nga bolshevizmi, ndërmjet të cilëve, një pjesë e mirë e tyre, gjetën strehim në Francë. Më pas do të ishte Lufta Civile e Spanjës, (1939) që detyron zhvendosjen e qindra mijëra spanjollëve në Jugun e Francës. Shifrat do të rriten me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, ku numri i refugjatëve të zhvendosur do të dokumentohej në një nivel rekord, 40 milionë persona. Mes tyre, do të dokumentohen edhe 12 milionë nga popullatat gjermano-folëse, që i kishin ikur Ushtrisë së Kuqe, apo ishin përzënë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, sipas Traktatit të Potsdamit dhe që Gjermania dhe Austria duhej t’i mirëprisnin. Më pas, historia do të shënonte, flukse të tjera të larta gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ku mijëra hungarezë do t’i drejtoheshin kufirit austriak dhe kufirit të Gjermanisë Perëndimore, pas Revolucionit hungarez të vitit 1956, që u shtyp nga ndërhyrja e forcave ushtarake ruse, si edhe ikjen në masë të çekosllovakëve gjatë ndërhyrjes ruse për “normalizimin e situatës” pas frymës liberale, që krijoi “Pranvera e Pragës”. Këtyre flukseve do t’i shtoheshin përgjatë vitit 1962, refugjatët algjerianë, mbështetës të autoriteteve franceze në Algjeri, që do të zhvendoseshin në Francë, pas luftës për pavarësi. Në vitin 1975, rreth 1.5 milionë vietnamezë, do të linin Vietnamin, pas marrjes së pushtetit nga forcat komuniste, duke u instaluar një pjesë në Evropë dhe pjesa tjetër në SHBA. Dhe flukset e fundit që ka njohur Evropa, do t’i përkasin luftërave në ish-Jugosllavi (1992-2001) që gjeneruan një numër të lartë refugjatësh boshnjakë dhe kosovarë, kryesisht të mirëpritur në Gjermani./im.ta /DITA/

August 13, 2016 19:43