Të promovosh Shqipërinë në Japoni

June 12, 2018 11:35

Të promovosh Shqipërinë në Japoni

 

Entela Resuli-DITA

Në rrjetet sociale ka shumë informacion, në pjesën më të madhe të kot dhe të pavlera, madje edhe lodhës, por ka edhe raste kur edhe ndalesh për një moment dhe kërkon të kuptosh më tepër.

Në Facebook, prej disa kohësh një faqe është tepër aktive me postimin e fotove të vjetra dhe historike për Shqipërinë.

Pothuajse çdo ditë aty gjen foto nga treva të ndryshme të vendit të cilat tregojnë për një periudhë të caktuar, por edhe nëpërmjet përshkrimit që i bëhet jepet informacion.

Mithat Haxhiislami është një prej administratorëve të kësaj faqeje, për të cilën kujdeset duke filtruar informacionin dhe fotot që postohen aty.

Haxhiislami nuk është një personazh krejt i panjohur. Ai është shqiptar i Kosovës, i cili aktualisht jeton në Tokio të Japonisë, ku ka ndërtuar familjen dhe po ashtu drejton një biznes të vetin.

Është shumë aktiv në çështjet patriotike dhe kombëtare, e mbi të gjitha është shumë krenar për prejardhjen e tij, për origjinën që sipas Haxhiislamit nuk e vlerësojmë sa duhet!

Ne u lidhëm me Mithat Haxhiislamin dhe bëmë një bisedë me të, për të mësuar më tepër për të, historinë e jetës së tij, po mbi të gjitha për  promovimin e Shqipërisë dhe njohjen e saj me të kaluarën.

Është shumë e rëndësishme të dimë ku kemi qenë për të kuptuar se ku do të shkojmë, ndaj Miki, siç i thërrasim të afërmit e miqtë, na tregon më tepër në këtë intervistë për Dita-n.

-Z. Haxhiislami, ju shohim shumë aktiv në faqen Albanian vintage photography. Çfarë është kjo hapësirë virtuale?

Fillimisht më lejoni të them ca fjalë për këtë faqe. Ideja për krijimin e saj erdhi në prill të vitit 2011, nga një mik i imi i vjetër nga Peja, Merkur Beqiri. Së bashku me ndihmën e disa miqve tjerë po ashtu nga Peja, brenda një kohe relativisht të shkurtër arritëm të grumbullojmë disa mijëra foto të vjetra.

Iniciativa jonë kishte vetëm një qëllim, t’i bëjmë bashkë sa më shumë shqiptarë dhe dashamirësit e kombit tonë në një vend, dhe të shpërndahen fotografi me vlerë që flasin për historinë, traditën, kulturën, etj., tonë të vjetër dhe shumë të pasur, pra të përdoret teknologjia në të mirë të komunitetit shqiptar, të cilët gjatë shekullit të kaluar u detyruan të imigrojnë në katër anët e rruzullit tokësor.

Mithat Haxhiislami me familjen

Mithat Haxhiislami me familjen

Personalisht i dedikoj çdo ditë rreth 45-60 minuta për postime dhe mirëmbajtjen e faqes. Fatmirësisht tani kemi shumë anëtarë të cilët me postimet dhe komentet e tyre kontribuojnë pa masë për çdo ditë në mbajtjen e kësaj faqe sa më aktive, për çka edhe dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast t’i falenderoj përzemërsisht dhe t’i lus që të vazhdojnë me punën e tyre tepër të çmuar. Gjithashtu i lus lexuesit e tuaj të nderuar që të bëhen anëtarë të Albanian Vintage Photography dhe njëkohësisht të i ftojnë edhe miqtë e tyre që ta bëjnë një gjë të tillë po ashtu.

-Aty postohen shumë foto, si sigurohen ato?

Fotot sigurohen përmes motorëve të kërkimit siç janë Google dhe Yahoo, arkivave të ndryshme në internet të gazetave Britanike, Austro-Hungareze, Gjermane, Italiane, Turke, etj., (ca prej tyre me parapagesë), librave të ndryshëm, si dhe përmes miqve të shumtë të cilët shpesh më ofrojnë foto nga arkivat e tyre familjare.

-A mendoni sa ka vlerë postimi i tyre dhe përshkrimi?

Absolutisht se po, edhe atë shumë. Mos të harrojmë thënien se çdo foto vlen sa një mijë fjalë (a picture is worth a thousand words), plus një përshkrim i duhur dhe sa më i saktë i saj, e bën atë edhe më të vlefshme.

-Një pjesë e mirë e fotove janë të njohura, pse duhet të postohen edhe këto foto?

Pasi që faqja jonë Albanian Vintage Photography mbledh më shumë se 26,000 anëtarë dhe ndiqet çdo ditë nga qindra mijëra vizitor anë e mbanë botës, jo vetëm me prejardhje shqiptare por edhe të kombeve tjera që kanë interesim të mësojnë më shumë për historinë e popullit tonë ndaj sigurisht që ia vlen fotot e njohura të postohen përsëri. Gjithashtu, me mburrje të madhe mund të them se shumë anëtar të faqes tonë janë persona të mirënjohur nga fusha e historisë, kulturës, traditës, artit, muzikës dhe sportit shqiptar, ku edhe përmes ndihmës së tyre shpesh vijmë deri tek përshkrimet e sakta dhe informacione shtojcë me vlerë të madhe, për fotot të cilat postohen aty.

  -Cilat kategori fotosh synoni më tepër që të publikoni, bëni një seleksionim?

Çdo foto e ka vlerën e saj, kështu që nuk shohim arsye të bëjmë ndonjë seleksionim. Sigurisht që sa më e vjetër fotoja, aq më e madhe vlera e saj. Personalisht mua më intrigon shumë e kaluara jonë para ardhjes në pushtet të regjimit komunist në Shqipëri, i cili fatkeqësisht shkatërroj aq shumë ç’kado të vjetër që nuk ishte në linje me ideologjinë e tyre të errët.

Çka nuk lejohet rreptësisht të postohet ne Albanian Vintage Photography është çfarëdo foto e re, apo shfrytëzimi i fjalës tonë për propaganda komerciale, politike, fetare apo të grupeve të ngushta të interesit… as në mënyrë direket, as tërthorazi në përshkrimin e fotove.

-Cila është fotoja më interesante që është postuar në këtë faqe, sipas jush?

Çdo fotografi është mrekulli në vete, mirëpo sigurisht që sa i përket fotografive të vjetra nga trojet shqiptare meritat më të mëdha i takojnë familjes MARUBI. Tani në grup kemi një koleksion shumë të pasur të fotografive të vjetra nga viti 1870 e përmbi, mirëpo dëshiroj ta ceki se deri vonë kam menduar që fotoja e Hamz Kazazit e realizuar në Shkodër nga i madhi Pjetër Marubi në vitin 1858, është fotoja më e vjetër dhe më me vlerë që rrjedh nga trojet shqiptare. Mirëpo pas shumë hulumtimeve të bëra gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm në Shqipëri, u vërtetua se personi në foto nuk është Hamz Kazazi si dhe ajo nuk është e vitit 1858, por në të paraqitet Konsulli italian Alessandro De Rege di Donato në veshje tradicionale shqiptare i cili shërbeu në Shkodër nga 20 shkurt 1881 gjer më 18 shkurt 1886, dhe fotoja është e vitit 1885. Sidoqoftë, kjo foto mbetet një thesar i madh për fotografinë e vjetër shqiptare.

-Z. Haxhiislami, ju jeni shqiptar i Kosovës, por jeton në Tokio. Mund të na tregoni diçka më tepër, ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj?

Quhem Mithat Haxhiislami, i njohur si MIKI që nga fëmijëria. I lindur në Pejën piktoreske më 7 qershor 1964. Jam fëmija më i vogël nga 5 fëmijët që i sajuan çifti bashkëshortor Islam Haxhiislami (i ndjerë) dhe Nanije (Lleshi) Haxhiislami.  Menjëherë pas përfundimit të shkollës fillore më 1978, familja ime u shpërngul në Prishtinë.

-Çfarë mbani mend prej saj?

Vetëm gjëra të bukura; atmosfera e bukur që mbizotëronte në shtëpinë dhe familjen time, shokët dhe kushërinjtë, aktivitetet e shumta sportive, artistike dhe muzikore, natyra e bukur, si dhe turistët e shumtë të huaj që vizitonin Pejën atëherë.

-Kujtimi më i vyer?

Shfaqjet teatrale dhe koncertet muzikore që i organizonim në oborrin e shtëpisë së mikut tim të vjetër Bekim Kastrati, që nga mosha 8-9 vjeçare. Çka e vlen ta ceki është që këto shfaqje dhe koncerte ishin në shumicën e rasteve me pagesë, sado e vogël që ishte ajo. Si kujtim tjetër tepër i vyer janë edhe garat e ping-pongut që zhvilloheshin në oborrin e shtëpisë time.

-Për çfarë i keni vazhduar studimet?

Shkollën e mesme e kam kryer në Prishtinë, shkolla e mjekësisë-drejtimi “teknik i dhëmbëve”, kurse pas shërbimit të detyruar ushtarak në vitin 1983, u regjistrova pranë fakultetit te mjekësisë – dega e stomatologjisë.

-Ishte kjo  dega që doje?

Të them të drejtën ishte më shumë presion nga nëna, sepse personalisht kam qenë i interesuar në arkitekturë dhe dizajnin e brendshëm (interior design). Mirëpo si nxënës i drejtimit “teknik i dhëmbëve”, fillova të ndjehem i afërt më këtë profesion gjithashtu dhe isha mjaft i mirë sidomos në protetikë.

-Ju sot jetoni në Tokio, si ishte rruga juaj deri në Japoni?

Me përkeqësimin e situatës në Kosovë, në fund të vitit 1989 iu vërsula rrugës së kurbetit. Shtegu i kësaj rruge filloi në Kroaci, Zvicër, Gjermani, Holandë dhe pastaj ndalova në Londër nga viti 1990. Pasi që çfarëdo diplome nga ish-Jugosllavia nuk ishte e pranueshme për autoritetet britanike, fillimisht si edhe shumica e shqiptarëve në migrim, kam punuar në restorante dhe bare të ndryshme. Më pas në vitin 1992 fillova t’i mbikëqyr disa apartamente të cilat ishin në pronë të një familje të pasur Angleze.

Në fund të vitit 1993, mora përsipër menaxhimin dhe lëshimin me qira të gjitha apartamenteve që ishin në pronë të kësaj familje. Ishin gjithsej 100 apartamente nën menaxhimin tim në këtë kohë. Ky numër u ngrit në përmbi 1,500 në fund të vitit 2002, kur edhe vendosa të shpërngulem në Tokio të Japonisë.

Gjatë qëndrimit tim në Londër, gjegjësisht më 1996 pata fatin të takoj një vajzë të shkëlqyeshme Japoneze të quajtur Kasumi (e cila në atë kohë studionte dizajnin e bizhuterisë (jewelry design) në kolegjin e mirënjohur të modës St. Martins), me të cilën u martova dhe së bashku kemi një fëmijë, çun të mrekullueshëm me emrin Len, student i vitit të dytë në Universitetin e Keio-s (Keio University), i cili së shpejti do të mbushë 20 vjeç. Këta ishin edhe arsyeja kryesore pse unë në janar të vitit 2003 iu vërsula lindjes së largët, vendlindjes së zonjës sime, kryeqytetit Japonez, Tokios, ku edhe tani jetoj dhe punoj.

-Cili është angazhimi juaj në Japoni, me çfarë merreni aty?

Pas vendosjes në Tokio më 21 shkurt 2003, krijova kompaninë time INTERMEDICO JAPAN CO., LTD., të cilën edhe sot e udhëheq së bashku me bashkëshorten time, e cila kujdeset për financat dhe kontabilitetin e saj. Jemi të specializuar në prodhimin dhe shitjen e produkteve inovative medicinale, kozmetike dhe kujdes shëndetësor, që e mbrojnë dhe rrisin cilësinë e jetës. Kryesisht jemi të fokusuar në teknologjinë transdermale. Po përpiqemi ta ndryshojmë kulturën e përdorimit të barnave, nga ajo orale në atë përmes lëkurës (transdermale),  që ta mbrojmë shëndetin e njeriut duke eleminuar efektet anësore dhe dëmtimin e organeve tretëse të përdoruesit.

-A ishte e vështirë për ju gjithë kjo sipërmarrje?

Vështirësitë ishin të shumta, pasi Japonia nuk njihet si vend i lehtë për të huajt sa i përket punësimit, sidomos për ata që vendosin të udhëheqin biznesin e vet. Gjithashtu ballafaqimi i mentaliteteve paraqet një problem tjetër për të huajt, por pasi unë në Tokio u shpërngula nga një metropol tjetër i madh botëror siç është Londra, e pos kësaj e kisha vizituar Tokion shumë herë më parë dhe isha mjaft familjar me këtë mentalitet, këtë e përballova më lehtë.

Sidoqoftë vështirësia kryesore ishte komunikimi, duke e pasur parasysh që Japonezët në përgjithësi nuk janë njohës të mirë të gjuhëve të huaja, duke e përfshirë këtu edhe atë angleze, kurse unë nuk kisha njohuri fare të gjuhës Japoneze aso kohe. Sidoqoftë, me ndihmën e familjes dhe disa miqve të mirëfilltë, në fund ia dola dhe sot jemi prezent me prodhimet tona të ndryshme në më shumë se 35 vende të botës. Fatkeqësisht ende jo në trojet shqiptare, kurse aty afër, në Kroaci dhe Mal të Zi, jemi prezent që plot 10 vite me produktin/brand-in tonë.

Z. Haxhiislami, ju jeni shumë i angazhuar edhe në çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në atë vend, na tregoni diçka me tepër, ata shqiptarë që jetojnë në Japoni, me çfarë merren kryesisht?

Me promovimin e çështjes shqiptare në Japoni, merrem që nga vendosja ime në Tokio. Ishte interesant se në çdo takim që kisha në muajt e parë, nga 60 minuta sa ishte kohëzgjatja e takimeve, 50 minuta iknin duke biseduar për Shqipëri dhe Kosovën, çka për mua ishte pak e tepërt, duke pasur parasysh kostot e larta të jetës në Tokio, dhe unë nuk kisha fare të ardhura në atë kohe, por vetëm shpenzime. Një ditë vendosa ta pyes një mik të vjehrrit tim, që udhëhiqte një kompani gjigante japoneze; Zotëri, pse ndodh kjo? A është e mundur të flasim 15 minuta për shqiptarët kurse 45 minuta për biznes? Ai mu përgjigj rreptë me një JO, çka më habiti pa masë. Kur e pyeta pse, ai më tha: E bëjmë këtë më qëllim që ta kuptojmë sa i do ti rrënjët e tua dhe vendin tënd, sepse vetëm kështu mund të vlerësojmë/besojmë dhe vendosim për krijimin e lidhjeve profesionale dhe miqësore me ty në të ardhmen.

Nga kjo ditë, kurrë më nuk jam ankuar dhe më plot kënaqësi kam folur për historinë, kulturën, traditat, sportin, muzikën, etj., shqiptare.

Gjithashtu, pas hapjes së ambasadës së Shqipërisë në vitin 2007 në Tokio, fillova të krijoj miqësi shumë të mira edhe me diplomatë të ndryshëm nga mbarë bota që gravitojnë më selitë e tyre diplomatike në Tokio.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës së bashku me zonjën time Kasumi vendosem që me 8 mars 2008 ta organizojmë një ceremoni në lidhje më këtë datë te madhe historike. Fal lidhjeve tona të mirëkrijuara, në këtë ceremoni morën pjesë shumë ambasadorë të vendeve më të zhvilluara siç janë: Gjermania, Britania, Franca, Danimarka, Luksemburgu, etj., dhe mbi 150 tjerë të ftuar nga bota e kulturës, shoqërisë e biznesit Japonez, dhe sigurisht edhe gjithë komuniteti shqiptar.

Madje nga kjo ceremoni lindi ideja për formimin e shoqatës së parë miqësore Japoneze-Kosovare dhe njëzëri me zgjodhën mua si drejtues, të cilën ende sot e udhëheq.

Festimi i ditës së pavarësisë mori formën tradicionale. Ne vazhduam ta organizojmë këtë festë edhe në vitin 2009 dhe 2010, pjesëmarrja çdo herë ishte më e lartë. Madje për ditëlindjen e dytë dhe të tretë në ceremoni morën pjesë ambasadorë edhe nga shtetet që akoma nuk na kishin njohur.

Përveç kësaj, mundohem maksimalisht ta mbledh mini-komunitetin tonë në Tokio sa më shumë, kështu që shpesh organizojmë mbrëmje shqiptare, ku gjithmonë e kalojmë për mrekulli.

Disa nga këta shqiptarë ndodhen në Tokio për studime post-diplomike, kurse të tjerët jetojnë dhe punojnë këtu qe nga viti 1997.

-Janë të shumtë në numër?

Më sa unë jam në dijeni, jemi gjithsej rreth 100 shqiptarë në mbarë Japoninë. Shumica e këtyre (ndoshta 75-80) janë nga Shqipëria, kurse të tjerët vijnë nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare.

-Ndërkohë ju shohim edhe ju të angazhuar në çështjet kombëtare, pse jeni kaq i ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve?

Dashuria ime ndaj çështjes kombëtare rrjedh që nga fëmijëria ime, mirëpo nga momenti që jetoj në Japoni, kjo dashuri është shumëfishuar, duke i parë vendorët sa shumë e duan dhe respektojnë njëri- tjetrin, dhe sa shumë i vlerësojnë kulturën dhe traditat e tyre. Edhe pse shumica e lajmeve që dëgjohen në botë për shqiptarët, nuk janë aq pozitive, unë e ndiej vetën shumë krenar dhe mburrem që jam pjesë i një populli me histori, kulturë dhe tradita aq të lashta (të cilën fatkeqësisht jo shumë njerëz e njohin mirë), në çka unë fokusohem totalisht dhe mundohem maksimalisht t’i evitoj gjerat negative. Edhe ashtu ka mjaft të tillë që merren me to.

-E vizitoni shpesh Kosovën, apo Shqipërinë?

E vizitoj Kosovën 3-4 herë në vit, ndoshta më shpesh se shumica e shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të Europës, jo larg trojeve shqiptare. Gjatë kësaj kohe patjetër e shfrytëzoj rastin që ta vizitoj edhe Shqipërinë.

Çfarë mendoni apo ndjeni për këto vende?

Për këtë përgjigje do e shfrytëzoj një nga shumë thëniet e bukura dhe plotësisht të qëlluara të të madhit Faik Konica: “Ah, malli i Shqipërisë (trojeve shqiptare), malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë (trojeve shqiptare), e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! (Vepra 1, f. 103).

June 12, 2018 11:35
Komento

1 Koment

  1. anticensurë25642654 June 12, 16:52

    he sa bukur “Të promovosh Shqipërinë në Japoni”,dhe ta shesësh në greqi””Në samitin e qershorit, ne do të japim miratimin tonë për rrugën europiane të Shqipërisë. ——————–Kemi zgjidhur tashmë të gjitha problemet,————————– ne duhet të ndihmojmë dhe të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj europiane”, deklaroi Kotzias.”!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*