Bullgarët i tremben rekrutimit në ushtri

February 25, 2016 14:43

Bullgarët i tremben rekrutimit në ushtri

Bullgaria planifikon të regjistrojë të gjithë të rinjtë, përfshirë gratë, nga mosha 18 deri në 32 vjeç, që janë të përshtatshëm për stërvitje ushtarake në rast të luftës ose një emergjence kombëtare, konfirmoi të mërkurën ministri i mbrojtjes Nikolay Nenchev.

Ideja është pjesë e ndryshimeve të propozuara në Aktin e Forcave të Armatosura Rezervë dhe u publikua në uebsajtin e ministrisë së mbrojtjes të martën.

Aftësia e Bullgarisë për të drejtuar forcat e saj të mbrojtjes ka qenë e kufizuar pasi u hoq rekrutimi i detyrueshëm në vitin 2008.

Si rezultat , një gamë e gjerë e qytetarëve duhet të regjistrohen për të mund t’u thirrur për shërbim ushtarak në kohë të jashtëzakonshme ose në kohë lufte.

“Nuk po mobilizojmë askënd,” siguroi Nenchev popullatën të mërkurën, teksa lajmi nxiti frikën e mobilizimit të detyrueshëm.

Ideja e rekrutimit shkaktoi ndjenja të përziera te bullgarët, ku disa kanë ende kujtimet e ditës së shërbimit ushtarak të detyrueshëm.

“Nuk do të doja t’i bashkohesha ushtrisë, nuk kam arsye. Por nëse është e detyrueshme, nuk do të kem zgjedhje,” tha Atanas, një student 20-vjeçar nga Sofja.

Shoku i tij, Borislavi, 26 vjeç një inxhinier IT bëri shaka duke thënë se edhe nëse ka një emergjencë, ushtria ende nuk do t’i ketë armët për të armatosur ushtarët. “Nuk do të ketë efekt nga kjo ide,” tha ai.

Martini, një gazetar 24-vjeçar, tha se problemi më i madh i ushtrisë është financiar.

“Çfarë do të bëjnë – do të numërojnë burrat në Bullgari? Si do t’i gjejnë paratë për këtë, kur ushtria nuk ka para as për një avion?” pyeti ai.

Përpara se të hiqej rekrutimi i detyruar në vitin 2008, shërbimi ushtarak përfshinte të gjithë burrat në Bullgari nga mosha 18 deri në 27 vjeç.

Gjatësia e shërbimit varej nga niveli arsimor, nga gjashtë muaj për studentët në nëntë muaj për ata që kishin vetëm gjimnazin.

Brezat e vjetër nuk janë entuziast për veprimin.

“Nëse fillojnë të mobilizojnë të gjithë 18-vjeçarët, do të ketë një lëmsh për shkak të mungesës së arsimit dhe përgatitjes politike, si dhe mungesë të parave,” parashikoi avokati 70-vjeçar, Ivan.

Natalia, një nëpunëse civile 61-vjeçare, u shqetësua rreth emigrimit të të rinjve. “Kjo thjesht do të thotë se të rinjtë nën 32 vjeç do të duhet të largohen nga vendi,” shprehu frikën ajo./BIRN

February 25, 2016 14:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*