“Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”

May 19, 2016 09:38

“Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”

Entela Resuli

Mbi 150 vetë protestuan dje kundër ndërtimit të digave në Vjosë në fshatin Anëvjosë. Banorë nga fshatrat që do të preken direkt nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit, si dhe banorë nga e gjithë lugina e Vjosës, Zv. Presidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, deputetja Arta Dade, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe donatorët mbështetës të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropes”, përfaqësues të pushtetit vendor nga e gjithë lugina e Vjosës, si dhe shume kajakistë të huaj u mblodhën së bashku për të përmbyllur Turin e Lumenjve të Ballkanit.

Ambientalët dhe të pasionuarit pas natyrës kërkojnë mbrojtjen e lumit  pasi përgjatë tij janë parashikuar të ngrihen hidrocentrale dhe HEC-e, ndërhyrje të cilat do e dëmtonin atë.

Çfarë ka ndodhur?

Për këto ndërtime mbi lumë ekspertët janë tërësisht kundër, pasi sipas tyre këto ndërhyrje do të shkatërrojnë biodiversitetin e zonës dhe do të zhdukin përfundimisht speciet e veçanta që jetojnë në habitatin e tyre natyror. Gjatë vitit të kaluar ka patur disa protesta nga shoqëria civile dhe ambientalistë, duke bërë thirrje për ndalimin e punimeve, por më kot.

Ndërkohë, ishte Parlamenti Europian, i cili  për të dytin vit radhazi i rekomandoi Shqipërisë që ky lumë të mos preket, por duket se rekomandimet nuk u morën parasysh ndaj, ditën e djeshme në  zonën e Poçemit erdhi vetë anëtarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek në mbrojtje të Vjosës.

Turi i kajakistëve të nisur që nga Prilli nga Sllovenia dhe lundruar në të gjithë lumenjtë e Ballkanit, prej ditësh ndodhet në Shqipëri në Lumin e Valbonës, në Osum dhe dje përfundoi turin në Lumin e Vjosës i cilësuar si zemra blu e Europës duke i drejtuar edhe një mesazh kryeministrit Rama.

Fushata për mbrojtjen e lumit Vjosa është pjesë e fushatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve më me vlerë të gadishullit ballkanik. Më shumë se 630 HEC-e janë projektuar aktualisht nga Sllovenia në Shqipëri. Për t’ju kundërvënë kësaj vale shkatërrimi, “EuroNatur” dhe “RiverWatch” kanë nisur fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me partnerët në vendet respektive të Ballkanit.

Kajakistët

Turi i Lumenjve të Ballkanit zhvendoset në destinacionin e tij final në luginën e Vjosës, për të vazhduar rrugëtimin e nisur më 16 prill në Slloveni. Nën sloganin “Të shpëtojmë lumenjtë e Ballkanit – Stop cunamit të digave”, Turi i lumenjve të Ballkanit synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me vlerat e lumenjve të Ballkanit dhe kërcënimet me të cilët ata ballafaqohen. Udhëhequr nga ish-atleti olimpik slloven dhe themelues i Leeway Collective, Rok Rozman, kajakistë nga e gjithë Evropa kanë përshkuar 17 lumenj në 6 shtete të ndryshme të Ballkanit, duke filluar me lumin Sava në Slloveni. Porta e parë pritëse për turin në Shqipëri ishte Valbona, e më pas Osumi.

Finalja e madhe e turit të lumenjve të Ballkanit po zhvillohet (13-19 maj) në luginën e lumit Vjosa tashmë të njohur gjerësisht si perla e egër e Evropës.

13267732_1030348127046099_8012747289758907975_nQë nga malet e Pindit në Greqi e deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik, Vjosa rrjedh e pandërprerë për afro 270 kilometra. Kanione të thella, rrjedha të rrëmbyeshme, brigjet me zall në një shtrat të gjerë dhe ishuj në brendësi të shtratit lumor janë tipike për Vjosën. Ajo çka e bën këtë sistem lumor të veçantë është se jo vetëm dega kryesore e tij është e pa prekur, por edhe shumica e degëve të tjera si  lumi i mrekullueshëm i Bënçës.

Për këto arsye Vjosa është një lumë unik në të gjithë Evropën por fatkeqësisht edhe një nga më të kërcënuarit. Në gjithë ujëmbledhësin e saj, janë planifikuar 40 hidrocentrale, vetëm pak ditë më parë Qeveria miratoi ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, koncesioni i  dytë i madh pas HEC-it të Kalivaçit. Ndërtimi i këtij të fundit do të rrënonte përfundimisht pjesën më dinamike dhe më me vlerë të këtij lumi të rrallë.

Ky tur i rëndësishëm 36 ditor organizohet në mbështetje të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, qëllimi i së cilës është të parandalojë ndërtimin e këtyre HEC-eve dhe në vend të tyre të krijojë një Park Kombëtar në të gjithë luginën. Kjo do të përbënte Parkun e parë Kombëtar të një lumi të “egër” në të gjithë kontinentin.

Gjithë banorët e luginës së Vjosës janë shprehur fuqimisht në mbështetje të vizionit të Parkut Kombëtar dhe i kundërshtojnë projektet e ndërtimit të HEC-eve.

Në këtë finale të madhe të turit të lumenjve të Ballkanit, kajakistë nga e gjithë Evropa do t’i dorëzojnë kryeministrit Edi Rama në 20 maj në Tiranë një peticion të veçantë me kërkesën për mbrojtjen e Vjosës.

Një premtim i pa mbajtur ?!

Banorët e luginës së Vjosës i kërkuan qeverisë një vit më parë ta shpallë Park Kombëtar dhe për këtë morën premtime pozitive nga qeveria Rama.

Atyre iu premtua se kjo luginë do të shndërrohej në një park kombëtar, do të frenohej barbarizmi nga hidrocentralet dhe do të zhvillohej turizmi, ekonomia, bujqësia, do të fuqizohej ekonomia familjare e krahinës, duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës.

Veprimtarët e mjedisit kanë kërkuar një moratorium 3-vjeçar mbi HEC-et e të gjithë lumenjve të Shqipërisë, i cili do t’u jepte kohë ekspertëve për të studiuar përfitimet dhe humbjet nga ndërtimi i këtyre hidrocentraleve. Veprimtarët dyshojnë se lejet e ndërtimeve mbi lumin Vjosë do të shkatërrojnë përfundimisht një nga vlerat më të mëdha të trashëgimisë natyrore shqiptare dhe europiane.

6Vendimi për të ndërtuar një hidrocentral në Poçem, pohojnë ata, është arbitrar dhe shpërfill mesazhet e BE-së, sepse Vjosa është quajtur ndryshe edhe “Zemrën blu e Europës”. Mbrojtja e lumit Vjosa është një çështje kombëtare dhe Evropiane, pasi Vjosa përfaqëson një ekosistem unik në të gjithë kontinentin. Ndërtimi i HEC-it në Poçem do t’i jepte fund vizionit për parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë dhe do të minonte zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e gjithë luginës së Vjosës. Komunitetet vendore dhe veprimtarë vendas e të huaj po kërkojnë prej 5 vjetësh ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në luginën e Vjosës.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë në maj 2015, ku i kërkon Qeverisë Shqiptare të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në gjithë zonat e mbrojtura dhe në mënyrë të veçantë në Lumin Vjosa dhe degët e tij, pasi kjo dëmton lumin e fundit të paprekur dhe natyror në Evropë.

Hidrocentrali i Poçemit, është një nga 8 HEC-et e planifikuara në Vjosë nga qeveritë e mëparshme. Ndërtimi i HEC-eve në Poçem dhe Kalivaç si dhe në degët e Vjosës si Lengaricë, Bënça, Shushica, Kardhiqi, Picari etj, do t’i jepte fund vizionit për këtë Park Kombëtar lumor.

May 19, 2016 09:38
Komento

1 Koment

  1. Totila May 19, 15:56

    Megjithmend qe lumi i VJOSES si cdo lume ne Shqiperi ka rendesi ,por VJOSA pos qe ka Biodervisitet te rralle e me specie te larmishme ku nga shpendet ,nuk mungon dhe lejleku apo dhe patat e rosat e egra qe jane shpende migratore ,ai ,lumi Vjose ka dhe specie te larmishme peshqish ,ku do te dalloja
    “Mustaqesin ” ,melyshin , qefullin por edhe Ngjalen e famshme dhe aq te shijshme .
    Duke ecur drejt vendburimit te saj prej Grykes se Mezhgoranit ,por sidomos ne Kelcyre dhe Permet gjen kanionet e saj ,tipike per kete lume .
    HEC i Kalivacit ka 22 vjet qe ka filluar punimet dhe e ka katandisur bregun perendimor qe i perket Qarkut te Vlores ne nje shkretetire a thua se je ne Nevada ,duke e shkaterruar komplet faunen dhe floren tipike si shkurret ashtu dhe druret e eger por tipike per zonen ,ku do te dalloja Perrallin e Eger ,Krekzen ,Dushqet ,Panjen e te tjera ,por she ka bere qe te maren arratine si Derrat e eger ,dhelprat ujku ,lepuri ,dhe gjithfare shpendesh ciceronjes qofte ne shpatet e tanishme te zhveshura apo edhe anes lumit .
    Gjithashtu dhe ne Pocem eshte e njejta situate ,por qe nuk do te demtonte shume siperfaqe te kultivuar ose jo ne kete zone ku do te permendja Karbunarin dhe ndonje fshat tjeter
    Ku ta dish se me vone do te jepet leja dhe per Gryken e Kamenices ,qe do te shkaterronte komplet nje zone qe ne te dy anet e lumit mban rreth 20000 banore .
    HEC i kalivacit do te permbyste te gjithe zonen prej Kalvacit deri tek ura e Luftinjes ,duke nxjerre dhe kthyer ne llum fushen e Krahesit ,Damesit ,Qesaratit deri ne Memealiaj .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*