Historia e një personazhi të pazakontë: Të zbulosh botën me… autostop

November 14, 2017 11:22

Historia e një personazhi të pazakontë: Të zbulosh botën me… autostop

Entela Resuli – DITA

Sapo u takova me të, minutat e para nuk po kuptoheshim. Tjetër gjë flisja unë, e tjetër ai…Pas pak minutash bisedë, fillova ta dëgjoja me vëmendje dhe u habita me ato çka ai më tregoi. Kjo të ndodh vetëm me persona që kanë udhëtuar shumë dhe t’i rrëfejnë ngjarjet ashtu siç ata i kanë parë me sy. E shohin botën ndryshe. Ashtu si Juli, i cili nuk bën dot paqe me monotonin. As me negativitetin, me pesimizmin jo e jo.

Juljan Lala është 25 vjeç. Ka lindur në fshatin Borsh të Sarandës. Ka kryer shkollën e mesme dhe studimet e larta në Greqi për Menaxhim Biznesi dhe është një udhëtar i lindur. Nuk është nga ata që merr avionin e parë dhe fluturon, por hedh çantën në shpinë dhe niset në këmbë, për të kaluar njëri pas tjetrit, kufij e shtet. Deri më tani di 7 gjuhë të huaja dhe këto i ka mësuar nga udhëtimet. Në 5 vitet e ardhshme ka dëshirë të mësojë dh 8 gjuhë të tjera.

Aventurat e tij janë të pabesueshme kur i dëgjojmë, të japin ndjesinë e një lirie që do e donte çdo kush.

Këto kohë 25-vjeçari është i angazhuar si moderator në Radio Travel. Drejton një emision të cilin e ka quajtur “Nomadët” dhe fton personazhe që ndajnë me të histori udhëtimi.

Ai ka dëshirë të udhëtoi po mos të shfaqet, ndaj ka zgjedhur radion si një qoshe ku ndihet rehat dhe jep më të mirën.

Ka provuar të punoj në një bankë, por ka kuptuar që ajo punë të vdes kreativitetin dhe e ka lënë. Ka zgjedhur të bëj jetën që do, duke braktisur rutinën e përditshme.

Kjo bisedë, ndoshta nuk do ju ndryshoj ditën tuaj, por do ju bëj të mendoni për pak çaste për mënyrën se si po e kaloni atë… Sot në Dita kam biseduar me një nomad. Me një personazh të jashtëzakonshëm që pata fatin ta takoja në Tiranë.

 -Juli, si ka nisur pasioni yt për udhëtimet?

Udhëtimet i kam pasur ëndërr që i vogël. Gjeografia na çonte në gjithë shtetet e botës dhe televizioni qe e vetmja lidhje me botën e jashtme. Më pas kam takuar disa herë udhëtare të huaj dhe pashë në ta cilësi që ne të tjerët nuk i kishim. Kurioziteti më shtyu që të provoja dhe unë dhe akoma nuk jam ngopur me aventura.

-Je rritur në një fshat bregdetar, çfarë kujton nga fëmijëria jote?

Kam lindur dhe kam jetuar në Borsh deri në moshën 13 vjeçare. Shkolla ka qenë gjashtë kilometra larg dhe zakonisht e bënim në këmbë. Disa herë, bënim autostop me makinat e bashkëfshatarëve. Pas shkollës, shikoja në televizion seriale latino-amerikan për të rinj, me personazhet që jetonin në konvikt dhe bënin një jetë ndryshe nga ajo që njihja unë. Pjesa më e madhe e ditës kalohej jashtë, sidomos në verë. Diell, det, njerëz, kafshë, pemë, jetë me shumë energji. Ka qenë një epokë ku Saranda dukej po aq larg sa hëna, e në 13 vjet jetë, kisha shkuar vetëm një herë.

-Po pas 13 viteve, ike nga Borshi apo jo?

Jo përfundimisht, por në vitin 2005 fitova një vend pjesëmarrës për në kolegjin turk dhe para së të fillonte shkolla gjetëm një shkollë tjetër në Greqi. Vendosa të shkoja atje sepse Greqia kishte më shumë për të më ofruar se Tirana dhe ishte një kulturë e re për të eksploruar. Shteti fqinje nuk ishte shteti perfekt për një edukim perëndimor, por qe i vetmi ku mund të shkoja në atë moshë. Në Borsh kthehem çdo verë, atje kam familjen, shtëpinë, kujtimet…

-Ishte e vështirë për ty që në adoleshencë të përshtateshe në një vend të huaj?

Gjuhën grekë e kisha mësuar në televizion. Mësimet qenë të lehta sepse atë lëndë që kishim bërë në klasën e tetë, ata e bënin një vit më vonë. Plus që kultura epiriote me tonën nuk ndryshon shumë. Pjesa e vështirë ishte kur u shpjegoja që jam një shqiptar i thjeshtë dhe jo një vorioepiriot “nga i tyre”. Shkrimi dhe ortografia ishte diçka e vështirë gjithashtu. Bëra katër vjet të mësoja përdorimin e saktë të pesë llojeve të ndryshme të shkronjës “i”.

-Çfarë të mësoi jetesa larg familjes në moshë aq të vogël?

Jetesa atje më mësoi pavarësinë, të jesh i aftë të marrësh vendime personale, të jesh zoti i vetes, të mësosh për jetën nga ndodhitë e vërteta dhe jo nga ekrani i një televizioni.

-Ndërkohë, po në Greqi ke vazhduar edhe studimet e larta, pse zgjodhe menaxhim biznesi?

Zgjodha menaxhim biznesi për shkak se është një shkollë e përgjithshme dhe njohuritë aplikohen në çdo fushë. Gjithashtu, nuk jam karakter që më pëlqen të punoj për të tjerë, me orare fikse e duke u ndier si skllav i epokës së re, prandaj vendosa që nëse dua të hap një biznes, kjo është shkolla perfekte.

-Të ka ndihmuar shkolla në udhëtimet e tua, dmth, të ka ndihmuar në llogari, qoftë monetare, qoftë edhe psikologjike apo kohore?

Çdo gjë që bën në jetë ka të bëjë me ekonominë. Dhe çdo gjë duhet menaxhuar në një mënyrë. Kur udhëton, ke një buxhet dhe je ti ai që duhet t’ia dalësh mbanë me aq sa ke. Është si një biznes në kohë krize; qëllimi nuk është përfitimi monetar, por mbijetesa në treg derisa vitet e krizës të përfundojnë. Kur nuk udhëtoj, përpiqem që të punoj në fusha të ndryshme dhe të zhvilloj horizontet në shkenca që nuk i njoh dhe çdo gjë ka lidhje, jo vetëm me menaxhimin, por me gjithçka. Por në shkollë mësova dhe shumë gjëra të tjera e një nga ato ishte muzika. Me shoqërinë mësova bateri, kitarë e bass. Mendoj se është si një diplomë e dytë, diçka që e bëj për qejf dhe si diçka që më sjell ca të ardhura më tepër kur bëj ndonjë live shoë në Tiranë.

-Cili është udhëtimi i parë që ke bërë, që e konsideron vërtetë udhëtim?

Në vitin 2011 isha mërzitur me numrat dhe teoritë e shkollës dhe shkova për 10 ditë në Itali. Shpenzova 350 euro në total, vizitova 7 qytete, shkova dhe u ktheva me traget, hipa për herë të parë në tren, fjeta për herë të parë në hostel, shkova nëpër party e takova shumë njerëz. Mësova shumë gjera të ndryshme dhe atje vendosa që udhëtimi ishte ajo që doja të bëja gjithë jetën. Të mësoja për botën nga eksperiencat origjinale.

-Po i fundit, dhe sa ka zgjatur?

Për udhëtimin e fundit jashtë Shqipërisë u nisa në fund të prillit me 100 euro në xhep, një çantë borxh me disa rroba, një tenxhere ushtarake, një sleeping-bag, një fyell, një sudoku, një diktofon dhe u nisa për në Estoni. Rrugës që ftohtë dhe në Slloveni vendosa të kthehesha majtas, në perëndim. Gjithmonë me autostop, disa herë me këmbë, nuk pagova asnjëherë për transportin apo për fjetjen. Zakonisht gatuaja në zjarr dhe disa herë me mbajtën persona që njoha në udhë ose miq të vjetër. Përshkova në total rreth 8000 km, 16 shtete, 30 kufi, 75 ditë, bëra 65 emisione radiofonike ku shpjegoja aventurat e ditës me hollësi e me detaje, intervistova rreth 180 persona në 10 gjuhë të ndryshme dhe ktheva në shtëpi në mes të korrikut.

-Momenti më interesant nga ky udhëtim, na trego një histori?

Çdo ditë ka qenë e veçantë, pa plan, pa pritur asgjë. Në kufirin Kroaci-Slloveni ndaluan dy kosovarë dhe bënë “selfie” me thanë se më njohën, më kishin parë në televizor. Në Lion të Francës më ftuan të flija në konviktet e një kishe. Në Andorra kishte akoma borë dhe një shofer ofroi të më mbante në Barcelonë por nuk pranova për shkak se do ishte e vështirë të bëja autostop larg atij qyteti. Pranë Cuenca, ndenja 10 ditë në një pyll me 50 persona të tjerë, pa energji elektrike, pa wifi, pa teknologji, ushqim vegan, pa drogë, pa alkool; një jetesë në mënyrë primitive. Në Belgjikë bëra të njëjtën gjë. Çdo ditë ka qenë fantastike.

-Kur vendose të ishe një “shpirt i lirë” dmth, që të filloje të udhëtoje me pak para dhe me një çantë në krah?

Shpirt i lirë mbase kam qenë gjithmonë. Por progresi erdhi gradualisht. Në fillim nuk udhëtoja, pastaj vetëm për shkollën, më pas bëra një udhëtim dhe kur doja të vazhdoja, nuk më dilnin lekët. Duhet të gjeja mënyra më kreative e më të lira. Nga hotelet, zbulova hostelet, që fle me më pak lekë. Më pas zbulova një ëebsite që persona të tjerë të mbajnë falas në shtëpi e mund të mbash dhe ti. Në ditët e sotme, e evitoj dhe këtë se sidoqoftë sugjerohet t’u gatuash diçka apo t’i qerasesh me një birrë në shenjë respekti. Po të kesh tendën tënde nuk ke më obligime të tilla sociale dhe as shpenzime për akomodimin. Nga tragetet e trenat zbulova aeroplanët e lirë dhe autobuzat e më në fund autostopin dhe ecjen në këmbë. Një fluturim për vetëm 20 euro duket magjik, por mund ta bësh edhe falas me autostop. Dhe në ditët e sotme nuk është më për lekët, është mënyrë jetesë. Nuk dëmtoj ekosistemin me dioksid karboni shtesë, nuk shpërndaj para nëpër korporata që nuk respektojnë asgjë dhe jam më i pavarur.

-Juli, çfarë ndodh me ty kur nisesh në një udhëtim me autostop, ke frikëra?

Nga kush? Nga çfarë? Duke parë statistikat dhe lajmet më shumë persona vriten në Shqipëri sesa në shtetet e tjera të Europës. Aksidente dhe mund të ndodhin, por probabiliteti nuk është më i lartë në një shtet tjetër. Rreziqe mbase ka. Unë bëj më të mirën e mundshme për t’i minimalizuar dhe shpresoj të mos ndodh asgjë e keqe. Por frikë nuk kam. Frika të paralizon dhe është shkaku i vetëm përse njerëzit nuk ndjekin ëndrrat e tyre. Formula për çdo lloj suksesi është e thjeshtë, por frika nuk të lë të ecësh para.

-Adrenalina që përjeton?

Udhëtimi nuk është një sport ekstrem. Çdokush që mundet fizikisht të dalë një xhiro tek liqeni artificial apo mundet t’i jap biçikletës, mund të bëj dhe udhëtime si të miat. Nuk është adrenalinë, por një ndjenjë euforie dhe gëzimi që të sjell kjo liri nuk gjendet në asgjë tjetër që bëj në jetë. Ato që ndodhin gjatë gjithë dimrit në një vend, më ndodhin brenda javës kur udhëtoj. Duhet të jesh gati për çdo gjë 24 orë në ditë, njeh persona, shikon vende, merr vendime të vogla me pasoja të mëdha dhe akoma dhe gjeja më e vogël mund të ndryshojë drejtimin e udhëtimit. Në fund të fundit, është diçka fantastike. Mbase udhëtimi është një sport ekstrem.

-Juli, thonë që udhëtimet janë një shkollë më vete, ty çfarë të ka mësuar kjo eksperiencë?

Një nga gjerat që kam mësuar gjatë udhëtimeve të mia janë gjuhet e huaja. Për momentin di shtatë, në nivele të ndryshme. Polonishtja është më e vështira nga to dhe mendoj se në 4 muaj jetese atje kam mësuar më shumë se çdo mësoja në 4 vjet kurs. Kam ndërmend t’i bëj 15 deri në moshën 30-vjeçare dhe e vetmja mënyrë që unë mund të mësoj një gjuhë është duke e folur, sidomos kur jam në atë shtet dhe vendasit nuk flasin gjuhë të tjera.

-Cili është vendi më i bukur, apo kultura më interesante që ke hasur?

Vendi më i bukur është shtëpia. Shtëpia kur kthehesh pas shume muajsh udhëtim dhe pasi ke parë shumë gjera e ke takuar shumë persona, kthehesh e shikon të njëjtin vend që kishe parë gjithmonë, por me një pikëpamje ndryshe. Është e njëjta arsye pse disa poetë që kishin ikur nga Shqipëria shkruanin me mallëngjim për vendin e tyre të largët, për mëmëdhenë, e disa persona të tjerë mbajnë radhën nëpër dyqane me fotokopje e skanime për të aplikuar për lotarinë amerikane. Po nuk ike, nuk do e dish asnjëherë se ç’ke lënë pas e gjithmonë do lakmosh ato që kanë shtetet e tjerë. Thonë që bari duket më jeshil në oborrin e komshiut.

-Kjo formë udhëtimi është ai që do më shumë, po të kishe mundësi ekonomike, do të udhëtoje me avion, makinë?

Është e thjeshtë të udhëtosh me avion. Gjej një punë që të “lejon” të kesh pushime 15 ditë në vit. Futu në kompjuter dhe shkruaj emrin e qytetit më të afërt me aeroport. Pastaj emrin e destinacionit. Kur të vij data shko në aeroport dhe ndiq tabelat. Kur të mbërrish në destinacion bëj “selfie” që ta marrin vesh ata që të kanë inat. Aq. Asgjë interesante. Kjo nuk është aventurë, është transportim. Kaq.

Me makine do kisha shume qejf të bëja një udhëtim. Të merrja një furgon të vogël, të vendosja një dyshek brenda, ta modifikoja si dhomë gjumi dhe ta zbukuroja. E të udhëtoja me të nëpër Europë. Fjetja brenda, ngrënia atje, bën sa kilometra të duash dhe ndalon ku të të pëlqejë. Mbase një ditë do e bëj…

-Juli, shumë lexues mund të dyshojnë, duke thënë se është e pamundur të udhëtosh me një buxhet kaq të vogël, saç e përmend ti. Ç’përgjigje do ju jepje dyshuesve?

Po të gdhihesh çdo ditë te Blloku, është e pa mundur të besosh se dikush mund të jetojë me më pak se dy dollarë. Normalisht, ke nevojë për kafe, për smartphone, për cigare, alkool, për makinë, për drekë në restorant meksikan, duhet të lësh dhe bakshish se mos të hanë me sy. Por sipas Bankës Botërore, u llogarit që (në 2013) mbi 10 për qind e popullsisë botërore jeton me më pak se 1.90$ në ditë. “E pamundur” tha dikush në Bllok, “me aq nuk merr dot as mojito”!.

-Ke njohur njerëz interesant, të çuditshme, na trego një rast?

Çdo njeri është i çuditshëm. Sa më shumë të rrish me një person, aq më shumë do zbulosh. Por ka patur mjaft persona që jetojnë ndryshe nga ajo që ne në Shqipëri i quajmë “normale”. Kam njohur persona që udhëtojnë prej më shumë se 10 vitesh, pa lekë. Njoha dikë që kishte 15 fëmijë, me 13 gra të ndryshme. Dikë që ishte drejtor në një kompani të njohur dhe dha dorëheqjen për të jetuar maleve. Dikë që në Indi i ofruan një lope dhe tre dhi për t’i blerë gruan, e madje i benë pazar dhe për një dhi më tepër…

-Ndërkohë, momentalisht je duke bërë një emision për udhëtimet apo jo, na trego pak më shumë për eksperiencën tënde radiofonike?

Po, po bëj emisionin “Nomadët” në Radio Travel, që filloi si një emision i përditshëm në udhëtimin tim, ku ndaja eksperiencat e mia dhe intervistoja personat që njihja, e kur u ktheva në Shqipëri e vazhdova duke intervistuar të huaj që vizitojnë shtetin tonë. Për momentin kam bërë më shumë se 100 episode e 300 personazhe dhe kam ndërmend të ftoj dhe personazhe të njohur të ndajnë eksperiencat e tyre.

Pse “Nomadët”?

Nomad është dikush që nuk ka një banesë të përhershme. Nomad jam unë, janë ata që intervistoj, nomad kemi qenë të gjithë para shumë vitesh. Njeriu nuk ka lindur që të jetojë gjithmonë në të njëjtin vend. Atë veti e kanë vetëm bimët.

-Pse ke zgjedhur këtë jetë?

E cila është alternativa? Të zgjohem në mëngjes, i pangopur me gjumë me një alarm telefoni që e kam fikur tri herë. Të nis makinën që e kam blerë me këste në trafikun e mëngjesit dhe të mbërrij me vonesë në një punë që nuk më intereson, që më paguan pak, që drejtorin e kam inat dhe të zotin nuk e njoh fare se është me pushime në Majorka e i shkojnë lekët në bankë. Të shkoj në darkë në shtëpi dhe ushqimin ta blej nga jashtë se s’kam as kohe as fuqi të gatuaj. Të mos shoh fëmijët e mi se dikush tjetër i edukon në kurse private, pasi unë nuk kam kohë. Të shoh Portugalinë në Discovery Channel. Të gëzohem kur bën Barcelona gol, se gëzim tjetër nuk kam. Të pres për një rritje në karriere, vetëm e vetëm që ta marrë kushëriri i drejtorit. Të shkoj 65 vjeç, e kur të kem kohë e lek për pushime të mos kem më fuqi. E ta shikoj më në fund Portugalinë, nga dritaret e një autobusi që ndalon 5 minuta para çdo atraksioni dhe dikush na thotë në mikrofon fakte që i ka dhe në Wikipedia. Të jem 80 e t’u them nipërve e mbesave përralla, se s’kam histori të vërteta… Jo, jeta është e imja dhe do bëj atë që dua unë. Nëse dua të shoh Portugalinë, edhe me këmbë vete.

-Ke punuar ndonjë ditë në profesion?

Bëra praktiken e shkollës së lartë në bankën nacionale të Greqisë, gjysmë viti. Mësova shumë gjera, hapa e mbylla llogari, kuptova se si funksionojnë bankat, por të gjithë atje qenë moshë e madhe dhe pesimistë për jetën. Unë, të premteve shkoja në shtëpi, ndërrohesha dhe ikja në ndonjë plazh të vogël deri të dielën në darkë. Atje është vendi ku vdes kreativiteti, çdo ditë pak nga pak shuhesh si person dhe bëhesh makineri për sistemin.

-Çfarë të bezdis nga jeta në Tiranë?

Negativiteti. “S’bëhet” thonë të gjithë. Shumë më thonë që duan të udhëtojnë si unë por nuk fillojnë asnjëherë. Shume më thonë që e kanë ëndërr të bëjnë emisione në radio. Kur u them të marrin telefonin e të fillojnë e bëjnë emisione, t’i dëgjojnë, të shikojnë çfarë nuk shkon, t’i bëjnë përsëri, sa të kenë në portofolin e tyre 10 emisione të bukura, e pastaj të trokasin në një radio me idenë e tyre, u duket punë e rëndë. Duan që dikush t’u thotë “hajde”. Nëse do diçka, shko e bëje. Por është e vështirë. Më e lehtë është të ankohesh sesa t’i ndryshosh gjerat.

-A habiten miqtë, të afërmit, me këtë pasion tëndin, për të udhëtuar?

Miqtë e të afërmit mirë do të bëjnë të më pranojnë kështu siç jam, se nuk kam ndërmend të ndryshoj thjesht për t’u bërë qejfin. Kush më do, më do për atë që jam dhe jo për atë që do isha, në qoftë se unë do ndryshoja disa gjera dhe bëhesha ajo që do donin ata. Secili është unik në botë. Unë i dua siç janë.

-Na ka thënë që shpesh shkëputesh nga rutina e përditshme, shkon diku, në një mal dhe qëndron për ditë të tëra, na trego një aventurë të tillë?

Këtë tetor organizova në jug një event me 120 të rinj në një kodër pranë detit. Jetuam për 4 javë të gjithë bashkë, pa energji elektrike, pa teknologji, pa ëifi, pa drogra, alkool, dhunë, paragjykime, urrejtje për njëri-tjetrin. Në një përpjekje për të jetuar të gjithë bashkë me dashuri e respekt, u bashkuam persona nga të 6 kontinentet dhe bëmë diçka që në Shqipëri nuk kishte ndodhur. Kaluam mire, mësuam shumë gjera dhe i shtuam jetës një eksperiencë më shumë.

-Cili do të jetë udhëtimi i radhës?

Po planifikoj të bëj një udhëtim nga Shqipëria në Japoni me 50 euro në total. Do të jetë diçka tepër e vështirë dhe duhet të përgatitem shumë. Nuk jam ende gati. Dua të mësoj për bimët që hahen, për kërpudhat, si të bëj zjarr pa shkrepëse, më duhen viza, e mbi të gjitha kurajo. Të zgjohem thjeshtë një ditë të bukur e të them “ika”, siç bëj gjithmonë.

-Juli, udhëton kaq shumë, vetëm, në terrene të vështira dhe vende të huaja, cila është frika jote më e madhe?

Që një ditë s’do mundem më të bëj të gjitha ato gjerat që dua e që kam ëndërruar.

-Nëse nuk do të jetojë në Shqipëri, ku do të doje të jetoje?

Rëndësi nuk ka vendi, nuk besoj se një institucion i quajtur “shtet” do më bëj më të lumtur se një tjetër i përafërt. Rëndësi kanë njerëzit. Do jetoja kudo që ka njerëz të mirë dhe që të mbështesin e të duan po aq sa i do, mbase dhe pak më shumë. Dëgjova që Mongolia mund të jetë një vend i tillë. Do ju them kur te shkoj.

 

November 14, 2017 11:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*