Teatri i ri me kullë? Reagon Shoqata e Arkitektëve: Të ruajmë memorien e brezave

March 2, 2018 12:44

Teatri i ri me kullë? Reagon Shoqata e Arkitektëve: Të ruajmë memorien e brezave

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka reaguar për projektin e Teatrit të ri Kombëtar, për të cilin thuhet se do jetë i rrethuar nga disa objekte të larta.

Përfaqësuesit e shoqatës, shprehen se nuk janë kundër ndërtimit të një teatri të ri, por janë kundër prishjes së vlerave historiko-arkitektonike të qytetit.

Sipas tyre këto vlera pavarësisht se nuk mbartin vlerë kapitale, gëzojnë vlerë shpirtërore.

Ndërsa, sugjerojnë se një godinë e tillë mund të ndërtohet në periferi për të gjallëruar më shumë zonat përreth, dhe jo vetëm qendrën e qytetit.

 

Reagimi i i plotë Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë:

“A kemi nevojë për një teatër të ri ?

Absolutisht PO.

Ne, më shumë se kushdo, duam të shohim një vepër të bëhet streha e shfaqjeve artistike.

Ne, më shumë se kushdo, vlerësojmë të renë e spektakolaren në arkitekturë.

Ne, më shumë se kushdo, duam zhvillimin e artit e të arkitekturës.

Por ne, më shumë se kushdo, nuk mund të pajtohemi me prishjen e vlerave historiko-arkitektonike të qytetit tonë, të atyre veprave që edhe pse pa shumë vlerë kapitale, mbartin vlerë shpirtërore e më shumë, vlerë të memories së brezave të tërë.
Nëse qeveria do të shpallte se teatrin e ri do ta ndërtojë diku pranë bulevardit të ri, apo në tokat e ish-fushës së aviacionit, apo hapësirat e ish-Kinostudios, a diku gjetkë, pa dyshim që të gjithë do të ishim pro saj e, së bashku me ne, do të shihte gjithë aktorët e artistët ta duartrokisnin e përgëzonin duke iu vënë në krah e jo kundër, për një realizim të shpejtë.

Qyteti ynë, tashmë i kthyer në një kryeqytet të përfaqësuar veç nga qendra, apo në një metropol pa pole, ka nevojë të rivitalizojë e të japë jetë, të gjallërojë polet e tij. Investimi i duhur e strategjik i bulevardit të ri drejt veriut mund të shoqërohet me krijimin e një poli verior,i cili bukur mund të nisë me një teatër
modern në qendrën e tij. I vendosur në krah të bulevardit të ri, ai mund të bëhet fillesa e një “La Defense“ tiranase për kryeqytetin tonë. Le të ndërtohet aty një teatër i ri, i cili si një qendër e jetës kulturore mund të bëhet thirrës i jetës e i gjallërisë në periferi ,dhe fillesë e një kompleksi arkitektonik modern, pa cënuar kështu pjesën historike por duke krijuar hapësirë për të “shfryrë” presionin e kapitalit që kërkon të ndërtojë.

Duke u ndërtuar në një parcelë me sipërfaqe të bollshme, ai mund të projektohet duke përmbushur të gjithë parametrat e një strukture moderne të pa kushtëzuar nga njolla e kufizuar e ndërtimit, e cila u tha se do të respektohet nëse teatri i vjetër do të prishet. Të ketë sheshin e parkimin e tij, hapësirat e gjelbra dhe rekreative e pse jo edhe të përfitojë nga një sipërmarrje e tipit PPP me pronarë. Tashmë ka ardhur koha t’i largohemi qendrës, të mos e dendësojmë më shumë atë, por ta lemë në historinë e vet që edhe pse jo shumë e pasur është plot identitet e dinjitet.

Teatri si pjesë e kësaj historie duhet të qëndrojë, të dëshmojë epokë artistike dhe por edhe arkitektonike. I lindur që në fillesë si një objekt me karakter artistik ai u bë në kohë djepi e streha e pasurisë artistiko -teatrore të kryeqytetit, u bë vendi ku lindi teatri modern shqiptar. Për të ruajtur memorien e brezave të artistëve, por edhe të qendrës historike të qytetit ai duhet të rikonstruktohet e restaurohet në formën që ka e ndoshta të mbetet si një sallë për shfaqje dhe evente të veçanta.

Pse mos të ketë Tirana dy Teatro, një të ri e një të Vjetër? Kujtojmë se raste të tilla njihen nga eksperienca botërore (opera e Bastijës e opera Garnier në Paris) e na mësojnë se për të bërë diçka më të bukur e më moderne, jo domosdoshmërisht duhet shembur e vjetra, jo domosdoshmërisht duhet cënuar memoria urbane. Sigurisht, teatri ekzistues mund të kthehet në një skenë prestigji të mbushur me histori, por edhe në një muze të hapur, ku brezat të mësojnë dhe të frymëzohen nga puna e talenti i brezave të tërë, të cilët kanë bërë teatër aty në kushte të vështira,por siç thotë shprehja, “e kanë mbajtur zjarrin ndezur!”

Nga ana arkitektonike e urbane teatri ka luajtur gjithmonë rolin e një objekti të rëndësishëm pranë aksit monumental të Tiranës, e si balancues human i hapësirës ku ndodhet, ai duhet të vazhdojë ta luajë këtë rol edhe në të ardhmen, duke ruajtur e theksuar përmasën njerëzore në një pjesë të qytetit, e cila lindi që në gjenezë e tillë, e që me sa duket do t’i duhet të ballancojë qytetin e ardhshëm të kullave e objekteve të
lartë.

A kemi nevojë për një teatër të ri ? Absolutisht PO. Por le të mos e kthejmë qytetin në një teatër, ku skenografia ndryshon sipas shfaqjes së rradhës. Le të ruajmë identitetin e memorien historike të tij. Ndërtimet e reja jane gjithmonë të mirëpritura, por ato nuk mund të bëhen pa transparencë. Arkitektët dhe komuniteti i tyre kërkojnë të bëhen pjesë e kësaj vendimmarrje e së bashku me artistët, të vendosin si do të jetë struktura që në të ardhmen do të ketë një ndikim jo të vogël në historinë arkitektonike të qytetit”.

s.a/dita

March 2, 2018 12:44
Komento

3 Komente

  1. syri March 2, 12:58

    Njerez te semure ashtu si dhe berishianet! Nuk na duhet godina! Cfare vlerash ka? Arkitekte u thencin!

    Reply to this comment
  2. Monkey March 2, 13:12

    Po Piramida nuk mbarte vlera historiko-shpirtërore more të nderuar arkitekta ??? Nuk më kujtohet që të ishit kundër prishjes së saj. Po Hotel Dajti ? Ankohuni për katrahurën ndërtimore të gjithë këtyre viteve se nuk besoj të jetë aq kujëvënëse prishja e një teatri të vjetër e ndërtimi sipër themeleve të tij të një teatri të ri. Problematike duhet të jetë mungesa e diellit në gjysmën e Tiranës nga ndërtimet pa plan urbanistik. Arti bëhet edhe në rrugë, teatri është për spektatorin që t’i zejë bytha vend, jo për artistin, të nderuar arkitekta

    Reply to this comment
  3. Jimi March 2, 20:09

    Kjo eshte per te ven duart ne koke! Tirana e sotme dhe e perspektives duhet te mbahet peng nga disa nostalgjike te vjeter, jo nga mosha por nga mendimi!? Nuk u ndahet shpirti nga shtepite e qerpicit te Tranes se dikurshme, ku keta mytebere, kur i zinte, per kollajllek ne nje cep te murit i kepusnin nje te shurrosur per shtat pale qejfe! Nuk e kuptoj se cfare vlere arkitektonike ka ai palo hangar, por t’mos ja hame hakun, ai per kaqe vite e kreu me sukses misionin e vete dhe sot kur ky objekt kerkohet te zevendesonet me nje godine dinjitoze dhe bashkekohore, qenka krim!? Jo po kjo relike historike u dashka mbajtur qe t’na relaksohen ca nostalgjike, qe sa here ta shikojne kur kalojne atypari te kujtojne kohen e rinise se tyre!?
    Kjo nuk ka bythe ku te rrije!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*