Tefta Cami: Kalvari i goditjeve të Haxhi Lleshit ndaj Camëve

November 15, 2014 14:24

Tefta Cami: Kalvari i goditjeve të Haxhi Lleshit ndaj Camëve

Bija e Ahmet Camit dhe ish ministre e Arsimit dhe Kulturës në periudhën 1978-1987. E mbyll këtu rrëfimin e saj për të jatin, fisin Cami dhe kundërvënien e vazhdueshme të Haxhi Lleshit ndaj tyre. Ish presidenti i Kuvendit në regjimin e kaluar për 30 vjet më rradhë, bëri ta pamundurën për të goditur pikërisht atë familje dhe ata njerëz që dinin dobësinë dhe anët e tij të errëta, bashkëpunimin e ngushtë me jugosllavët dhe atributet e pamerituara për luftën antifashiste në Dibër. Sulmet sistematike shumëvjeçare, megjithatë, e ekspozonin edhe më shumë mes dibranëve këtë njeri që kaq pa meritë ishte ngjitur kaq lart, dhe prej andej kërkonte të retushonte të kaluarën e vet. Në momente të veçanta, edhe autorja e këtij shkrimi mund ta kishte pësuar, por duket se makinacionet vulgare dhe arrogante të haxhi Lleshit ranë në sy edhe të drejtuesve më të lartë të regjimit të kaluar, Enver Hoxha e Hysni Kapo, që detyruan Lleshin të tërhiqej. Në fund, Tefta Cami jep edhe një shpjegim përse vendosi t’i botonte këto shënime.

 

Vijon nga numri i kaluar

Në vitin 1947 arrestojnë edhe kushëririn e afërt të Ahmetit, njëkohësisht vëllai i dëshmorit Musa Rrahman Cami, Hidër Camin. Ai ishte bashkëvuajtës burgu si antifashist dhe bashkëluftëtari besnik i Ahmet Camit, si dhe kryetar i parë i këshillit Nacional Çlirimtar në fshatin Viçisht. Hidër Cami ka ndëëruar jetë në burgun e Gjirokastrës në vitin 1953 nga torturat. Llogjika të çon në faktin, se duhej të përndiqeshin në mos të gjithë Camet, sepse përbënin afro 400 shtëpi brenda e jashtë kufirit, ata që ishin rrethi më i afërt dhe bashkëluftëtarë me Ahmet Camin. Të gjitha bazat e luftës së tij, ishin shpallur të deklasuar.

Në vitin 1955 u shpallën kulakë familja e Rifat dhe Liman Camit në fshatin Viçisht pa asnjë motiv. Rifati e Limani kishin qenë bashkëvuajtës në burg me Ahmetin. U detyruan të kalonin kufirin familjarisht e të shkonin në Dibër të Madhe, sepse nuk mund të duronin izolimin politik, ekonomik e shoqëror që filluan t’u bënin.

Nxorri në lirim para kohe oficerin e Ushtrisë Popullore dhe kushëririn e parë të Ahmetit, e bashkëluftëtarin e ngushtë të tij, Ukë Abdulla Camin, i cili ndonëse djalë ende i parritur, qe listuar për pushkatim bashkë me 7 kushërinj të tjerë në prill 1941 për pjesmarrje aktive në lëvizjen antifashiste në atë periudhë. Me urdhërin e Haxhi Lleshit, u fut në burg oficeri i Ushtrisë Popullore Esat Sinan Cami, kushëri i parë i Ahmetit dhe i plagosur në luftimet për mbrojtjen e qytetit të Peshkopisë.

Në vitin 1967, me rastin e dënimit të veprimtarisë armiqësore të ish-sekretarit të I-rë të Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës, Zoi Themeli, Haxhi Lleshi organizon përfshirjen e Moisi Camit, djalit të Ahmet Camit, në atë grup, me qëllim ta përjashtojë nga partia dhe eleminuar si kuadër, dmth, si deputet të Kuvendit Popullor dhe shef të seksionit të Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Shkaku i vërtetë ishte se Moisi Cami kishte bërë vërejtje për maketin e Historikut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit të Dibrës. Ndër të tjera, kishte ngritur se pse nuk përfshihej veprimtaria e çetës së Gollobordës që prej krijimit të saj në janar të vitit 1940 dhe pse nxirrej e krijuar shumë vonë. Në atë debat Moisiu i kishte kujtuar Haxhi Lleshit edhe ardhjen e bisedimet e tij me Ahmetin më 7 prill 1941. Pikërisht atë takim e ato bisedime nuk deshte t’ia kujtonte. Haxhiu e kishte mendjen e fjetur, se të gjithë ata që kishin dijeni për ardhjen e tij në Shqipëri dhe kishin qenë të pranishëm në ato bisedime, ishin vrarë e nuk jetonin më. Nervozohet dhe e sulmon Moisin që në atë mbledhje. Akuzat në mbledhjen e organizatës së partisë të komitetit ekzekutiv ndaj Moisiut ishin: Kush të ka emëruar shef të seksionit të Arsim-Kulturës të rrethit të Dibrës? Kush të ka zgjedhur deputet të Kuvendit Popullor? Pse të ka ardhur sekretari i I-rë i KP të rrethit të Dibrës për 5 maj?

Deri në atë moment ishin përjashtuar disa veteranë të luftës nacionalçlirimtare të Dibrës si Met Hajrullai (vëllai i dëshmorit Irfan Hajrullai); Muntaz Kodra; Xhavit e Fuat Baruti, Musa Lala, Mexhit Shehu e tjerë që, me sa i kujtoj, nuk i ishin nënshtruar diktatit të Haxhi Lleshit. Në kohën që po gjykohej Moisiu, kishte qenë i pranishëm edhe Hysni Kapo. Kur Moisiu jep si përgjigje, se “për vizitën e sekretarit të parë me 5 maj, më njoftuan nga Komiteti i Partisë dhe e mirëprita, sepse Zoi Themeli ka qenë bashkëluftëtar me babain tim. Por po e deklaroj se që sot nuk do të pres më asnjë për 5 majin, kushdo qoftë”. Ndërhyn menjëherë Hysni Kapo, duke u shprehur se orientimi i dhënë ishte i gabuar. Po kush e kishte dhënë atë orjentim të gabuar në Dibër?! Moisiun nuk e përjashtuan nga partia, sepse kishte autoritet në Dibër, por beniaminët e Haxhi Lleshit që drejtonin në atë kohë e lanë në hije e në heshtje, nuk e zgjodhën më si deputet i Kuvendit Popullor, e hoqën si shef i Arsimit dhe e emëruan drejtor të shkollës së mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” për përgatitjen e specialistëve të mesëm për të gjithë rrethet Veri-Lindore. Ajo shkollë me drejtimin profesionel të Moisiut u bë model në shkallë kombëtare.

Më 20 korrik 1973 nën ndikimin e në prani të Haxhi Lleshit organizohet mbledhja e byros së partisë të rrethit të Dibrës, ku pa më paralajmëruar, analizohem e gjykohem unë, që isha sekretare e dytë e KP të rrethit të Dibrës, për të më shkarkuar e përjashtuar nga partia. Megjithëse besnikët e Haxhiut janë përpjekur që të heqin praninë në atë mbledhje dhe faktet kompromentuese për Haxhi Lleshin, përsëri zbardhen disa akuza nga materialet e arkivit si dhe nga kujtimet e të pranishmëve:

Ka biografi të keqe, se është vajzë parie, se babai i saj kishte qenë zogist e nacionalist, se s’kishte pranuar të mbajë yllin në kapele e në flamur, se ishte mbesa e Ukë Dan Camit dhe e Mahmut Përvizit etj. Nuk ishte e vërtetë se isha mbesa e drejtpërdrejtë e tyre.

Mohon sukseset e partisë në rrethin e Dibrës me anën e kritikave që bëheshin në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”, që e ka në vartësi si sektor i edukimit. Në gazetë ishin kritikuar disa kuadro që kishin dhënë shifra fiktive, si dhe disa të tjerë që praktikonin frymën e komandimit e të bajraktarizmit në ushtrimin e detyrës. Ishte krijuar një imazh i paprekshëm për Dibrën, meqë i ishte dhënë titulli “ Hero i Punës Socialiste”.

Ka ndikuar në thyrjen e unitetit në byro.

Ka zbutur luftën e klasave.

Është ankuar në KQ të PPSH për Mehmet Shehun e shembuj të tjerë. (P.S: Kam shkuar në KQ të PPSH dhe kam takuar Hysni Kapon. Meqë Kryeministri kritikoi në një aktiv partie në Dibër kryesisht sektorët që drejtoja unë, mendoja që të kërkoja largimin tim nga ajo detyrë). ( F. i KP te Dibres, Nr. 1; D. 1, V.1973 )

Në aktivin e partisë për kulturën, që u mblodh e diskutoi në frymën e Plenumit të 4-rt të KQ të PPSH-së për kulturën Haxhi Lleshi, si i deleguar i KQ të PPSH-së, ka folur për grupin e Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, duke aluduar edhe për mua. Në festën e krijimit të Batalionit në Gjoricë, më 26 korrik 1973 Haxhi Lleshi ka folur në miting, pasi ka demaskuar Ukë Dan Camin, i ka cilësuar të gjithë Camët si tradhtarë. Ndërsa në festën e çlirimit të Zerqanit e ka vlerësuar Ahmetin si hero dhe bashkëluftëtar të tij. Pse e bëri?! Më ofroi si kërbaçin ashtu edhe kulaçin për t’më gjunjëzuar.

Pas analizës në byronë e partisë të rrethit të Dibrës, zhvillohet mbledhja e sekretariatit të KQ të PPSH-së, me 8 shtator 1973, ku merrnin pjesë anëtarët e sekretariatit të KQ si dhe Haxhi Lleshi, zv/kryeministri Adil Çarçani, ministri pa portofol Sulejman Baholli, sekretari i I-rë i KP të rrethit të Dibrës Hekuran Isai, sekretarja e dytë e KP të rrethit të Dibrës Tefta Cami, kryetari i ekipit të KQ që kishte ardhur në Dibër gjatë muajit korrik 1973, Gafur Çuçi. Në atë mbledhje Haxhi Lleshi u përpoq përsëri për t’i vazhduar akuzat ndaj meje. Sulejman Baholli, si beniamin i ngushtë i tij, më etiketoi si kryetare e grupit që mohon sukseset e partisë në rrethin e Dibrës, ashtu si Zoi Themeli, që u dënua nga partia si armik.

Haxhi Lleshi dhe Sulejman Baholli në akuzat e sulmet ndaj meje ndihmoheshin edhe nga Hekuran Isai, të cilin e përdornin si marionetë. KQ i PPSH kishte bërë verifikimet e nevojshme në Dibër për akuzat e bëra ndaj meje. Enver Hoxha e Hysni Kapo vlerësuan si Ahmet Camin si një patriot që ka derdhur gjak kundër armiqve, ashtu edhe mua që punoja mirë. E trajtuan problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas në Dibër. Në fondin e kësaj dosjeje mungon fjalimi me zë i Enver Hoxhës. Në materialin e shkruar janë hequr disa vlerësime të Enverit si këto: “Nuk jam dakord me observimin që i është bërë Teftës (dmth, hetimin, sepse më qe kontrolluar edhe shtëpia). “Për herë të parë po njihem me historinë e një familjeje nga më patriotet në Shqipëri, me katër breza të vrarë për çështjen kombëtare”. Në material është hequr edhe debati që u zhvillua midis Haxhiut e Enverit, ku Haxhiu shpjegoi për vrasjen e Ahmet Camit në luftën për mbrojtjen e Peshkopisë. Për mua mbeti si enigmë. (F. KQ i PPSH, Nr. 14, D. 24, 82, V. 1973).

 

Në vitin 1978, kur isha ministre e Arsimit dhe Kulturës, kryetari i Inspektimit të Shtetit i dorëzon Kryeministrit Mehmet Shehu një raport lidhur me një kontroll që thuhej se kishin bërë në disa ministri për metodën e punës dhe luftën kundër burokratizmit e liberalizmit, ku kritikohesha me emër vetëm unë si ministre. Mbi bazën e atij raporti, kryeministri më kritikoi shumë ashpër në mbledhjen e Qeverisë. Pas mbledhjes i bëra një letër Kryeministrit ku e informova dhe, meqë Kryeministri kishte atë mendim për MAK, i kërkova dorëheqje për të mos dëmtuar punën. Dorëheqja vlerësohej si disfatizëm e tërheqje para vështirësive. Kryeministri Mehmet Shehu dhe z/kryeministri Manush Myftiu më presin e bisedojnë me mua dhe në fund, pasi më qortuan për kërkesën e dorëheqjes, më thanë se do të vazhdoja të punoja si ministre.

Në fakt Inspektimi i Shtetit nuk kishte bërë asnjë kontroll. Konkluzionet e atij materiali Sulejman Baholli i botoi në gazetën “Zëri i Popullit”, ku kritikohesha rëndë me emër. Atëhere i bëra një letër tjetër Kryeministrit, që e informova se në MAK nuk ishte bërë kontroll dhe nuk kishin asnjë njoftim për materialin që kishte publikuar kryetari i Inspektimit të Shtetit. Zhvillohet mbledhja e Kryesisë së KM dhe vërtetohet ankesa që kisha bërë si ministre, për dizinformim të Kryeministrit dhe të KM të RPSSH nga ana e Inspektimit të Shtetit. Sulejman Baholli ishte beniamin i Haxhi Lleshit.

Në vitin 1980, Haxhi Lleshi ngarkon Prokurorin e Përgjithshëm Rrapi Mino, që të ushtronte kontroll në rrethin e Dibrës, për investimet ekonomiko-financiare të ministrisë së drejtoja. Prokurori e bën atë kontroll pa njoftuar MAK dhe mua si titullare. Në ato vite ka qenë një orientim, që organet e diktaturës nuk mund të viheshin mbi organet e zgjedhura. Rrapi Mino më solli raportin e përfundimit të kontrollit në Dibër. Me insistimin tim, ai më tregoi se kontrollin e kishte bërë me urdhër të Haxhi Lleshit, meqë po bëheshin shume investime nga ana e MAK në rrethin e Dibrës. Rrapi Mino u bind se nuk kishte asnjë shkelje të ligjit dhe të planit të shtetit. Nuk ishte merita ime për investimet në Dibër. Në ato vite sektorët social-kulturorë zinin 27-30% të buxhetit të shtetit. Mbi atë plan janë bërë investime në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Ç’të keqe i vinte Haxhi Lleshit pse bëheshin shumë investime në Dibër?! Ai më përndiqte këmba-këmbës. Më kishte kontrolluar korrespondencën e letrave që më vinin nga populli. Pse dhe si e ka bërë?!

 

Metodat që ka përdorur Haxhi Lleshi për të konfirmuar akuzat e tij:

Në fillim ka vepruar në mënyrë të kamufluar e fshehurazi. Fshehurazi e sulmonte familjen e Ahmet Camit. Sa herë që shkonte në Dibër deri në vitet ’70, shkonte për vizitë tek familja e tij si familje dëshmori. Me siguri, e ka bërë për të fituar kredibilitet në sytë e popullit, sepse familja e Moisi Ahmet Camit ishte një familje e nderuar e me autoritet në Dibër.

Ka vepruar edhe hapur nëpër mbledhje e metingje, duke e etiketuar Ahmet Camin e Camet e tjerë si armiq, tradhtarë e spiunë.

Ka organizuar shkrimin e letrave me emra e anonime siç janë edhe këto, që janë ruajtur edhe në AQSH:

Letra drejtuar sekretarit të I-rë të KP të rrethit, Hekuran Isai dhe kryeredaktorit të gazetës lokale “Ushtima e Maleve” Velo Cfarku me logon “Tepër sekret” nga këta veteranë si, Ymer Lleshi, Rexhep Doda, Ahmet Jegeni, Ilmi Çausholli, Xhavit Hatibi.

Letra drejtuar Enver Hoxhës nga këto gra të rrethit të Dibrës si Adivije Lazri, Ismete Jashari, Hajrije Lika e Rina Rena. Kjo letër i është drejtuar Hoxhës një javë para se të paraqitesha në mbledhjen e Kuvendit Popullor si ministre.

Letra të tjera, anonime dhe me emra etj. Të gjitha letrat kanë një objekt me të njëjtat akuza: Shtrembërimin e mohimin e figurës së Ahmet Camit si dëshmor i LANÇ dhe me akuza direkte për mua. Përmbajtja e të gjitha letrave tregon se janë orientuar e nxitur nga i njëjti burim.

Nëpërmjet sekretarit të tij, Hamit Vata, u ka kërkuar deklarata pothuajse të gjithë ish-partizanëve të çetës së Gollobordës, për t’u shprehur kundër komandantit të tyre, Ahmet Cami, se s’mbante yllin në kapele e flamur, se ishte frikacak etj,, që janë shkruar me dorë nga i njëjti shkrim dhe me të njëjtat akuza. Vetëm se në çdo faqe e në fund të çdo dëshmij vihen emrat e firmat apo gishti i atyre ish-partizanëve e veteranëve, pa e ditur se çfarë ishte shkruar në ato deklarata. Vënia e firmave apo gishtit në çdo fletë me siguri duhet ta ketë trashëguar Haxhi Lleshi si ish-ministër në MPB. Këta veteranë na vinin e na thonin në ato vite, se u kishte bërë shantazh sekretari i Haxhi Lleshit që, po të mos vinin firmën apo gishtin në ato që kishte shkruar ai (Hamit Vata), Haxhi Lleshi do t’ua hiqte pensionin prej 1000 lekësh si veteranë dhe do t’ua largonte fëmijët e të afërmit nga punët shtetërore. Këto deklarata janë në AQSH.

Ka thirrur e biseduar edhe me ish-bashkëvuajtës të burgut si antifashist të Ahmet Camit, si me Dyl Çelmetën nga Peza i burgosur me grupin e pezakëve, ku sipas diktatit të Haxhi Lleshit, sekretari i tij ka shënuar sikur Dyl Çelmeta ka thënë se Ahmet Cami i paska spiunuar tek italianët. Po pezakët kanë dalë nga burgu para se të dilnin burrat e djemtë e Cameve. Pasi e kishte thirrur Haxhi Lleshi dhe i kishte shënuar ato deklarime, sikur i kishte thënë Dyl Çelmeta, Dyli më ka ardhur në shtëpi dhe më ka thënë, se Haxhi Lleshi i kishin kërkuar që të fliste keq për Ahmetin. Por ai nuk kishte pranuar, sepse Ahmeti na udhëzonte e na mbronte

Ka thirrur e ka biseduar me Vasil Velkon, vëllain e Spiro Velkos, që ka qenë komisar i çetës partizane të Gollobordës, dhe i ka kërkuar që të shprehet keq për Ahmet Camin. Në protokollin e shkruar nga sekretari i tij, shënohet sikur i kish thënë gjatë luftës Spiro, i vëllai, se Ahmet ishte frikacakë etj. Në fakt nëna e vëllai i Spiro Velkos kanë shkuar në festën e çlirimit të rrethit të Dibrës më 23 gusht 1975 dhe kanë bërë vizitë në familjen e Ahmet Camit. Ata kanë treguar se si Spiro (Velko) u kishte thënë se rrinte tek shtëpia e Ahmet Camit në Golovisht dhe se kishte gjithë kujdesin e mbrojtjen e familjes së tij. U ka treguar se kishte filluar të merrej me lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare i frymëzuar nga vrasja e vëllait të tij në demostratën e bukës në Korçë dhe nga vrasja e kolegut e mikut të tij më të ngushtë Fasli Fetah Cami. Në vitet 1940-1941 Spiro Velko ka qenë mësues në fshatin Radovesh të Gollobordës, pranë lagjes Golovisht.

Ka thirrur e biseduar me disa miq të tij, që i përdorte si informatorë për krahinat e Dibrës nga ishin dhe u ka kërkuar që të shpreheshin kundër Ahmet Camit e fëmijëve dhe kushërinjve të tij. Të tillë informatorë kanë qenë Bajram Zeneli nga Tërnova, Abdurrahman Gjura dhe Ali Miftari nga Çereneci, Fatos Daci nga Sllova, Ali Zajmi nga Dohoshishti, Gani Koçi, heroi i punës socialiste nga Tuçepi, por me banim në qytetin e Peshkopisë dhe disa të tjerë, që s’ia vlen të përmenden. Akoma edhe në shkurt 1991 Haxhi Lleshi gjatë takimit me zgjedhësit si kandidatë i PS për në Kuvendin Popullor në zonën e Shupenzës dhe në fshatin Viçisht ka folur kundër Ahmet Camit. Ndërsa disa zgjedhës e kanë kundërshtuar: “Ahmet Cami për ne ka qenë dhe është hero. Ndërsa ty Haxhi Lleshi të paska ardhur pleqëria nga koka dhe jo nga këmbët” (botim në gazetën RD, mars 1991).

Ka thirrur e u ka bërë presion e shantazh edhe disa gazetarëve, që kishin bërë ndonjë shkrim për Ahmet Camin si dëshmor dhe për Camët e tjerë të rënë dëshmorë, siç ka bërë me Arqile Aleksin, Agim Hilën, Pavllo Gjideden etj. Ndërsa Esat Basharin, ish-kryeredaktorin e parë të gazetës “Ushtima e Maleve” me ndërhyrjen e tij e degdisën në Batër të Martaneshit si ekonomist të thjeshtë.

Ka thirrur historianë e shkrimtarë, rapsodë etj, për t’i orientuar që të shkruajnë e të glorifikojnë figurën dhe paraardhësit e tij. Eshtë për t’u përmendur takimi e biseda e tij me prof. Kristo Frashërin më 16.7.1982, ku ndër të tjera, i thotë: “Të hiqen nga historia Camët se të gjithë janë tradhtarë, gati të gjithë….Edhe Teftës unë ndërhyra për të vazhduar universitetin, se ishte me biografi të keqe”. (Për rezultate shumë të mira dhe për biografi të mirë, mua dhe Fanije Hoxhës byroja e partisë e rrethit të Dibrës na e ka nxjerrë të drejtën për të vazhduar studimet jashtë shtetit, në BS. Meqë po prisheshin marrëdhëniet me BS dhe studentët duhej të ishin të organizuar, na pranojnë edhe kandidate partie. Por, siç del nga kjo bisedë, ka ndërhyrë Haxhi Lleshi për t’na hequr nga lista e studentëve që do të vazhdonin studimet jashtë shtetit. Arsyet dihen. Ne të dyja vinim nga familje atdhetare, që kishin luftuar e ishin gjakosur nga forcat shoviniste serbe. Haxhi Lleshi, si i përbetuar i tyre, na ndiqte këmba-këmbës si familje, për t’na mënjanuar dhe izoluar plotësisht).

Prof. Kristo Frashëri ka rënë pre e kurthit dhe të diktateve të Haxhi Lleshit. Në botimin e tij të vitit 2010 me titull “Historia e Dibrës”, ka manipuluar e shtrembëruar disa figura historike. Halit Lleshin nga esadist e bën Fanolist, nga n/kolonel besnik të Serbisë që ka udhëhequr forcat shoviniste serbe në Dibër se deshte ta vinte kufirin në Qafë Buall dhe në Qafë Muhur, e bën atdhetar të flaktë. Halit Lleshin e transformon nga tradhtar, siç e ka cilësuar Kongresi i Lushnjës më 1920, në atdhetar. Në Kongres është vendosur dënimi i tij me vdekje bashkë me Gani Beg Kryeziun për tradhëti të lartë (sipas Historisë të Shqipërisë të botuar para vitit 1960), e përshkruan si atdhetarë e bashkëluftëtarë të Elez Isufit dhe të Camëve. Kur dihen dhe akoma kujtohen krimet e kryera nga forcat pushtuese serbe, që ka udhëhequr ai në Dibër të Epërme e të Poshtme, në Gollobordë e në Lurë. Halit Lleshi ka qenë me forcat shoviniste serbe edhe në vrasjen e Elez Isufit dhe të Fetah Shaban Camit. Të bashkosh vrasësin me viktimat e tij, vetëm penda manipuluese e prof. Kristo Frashërit ka mundur ta bëjë…!? Pse dhe si? Enigma mbetet midis tyre. Mjafton të lexohet në AQSH, F. nr. 143, D. 587, V. 1878-1924, Fl, 1-57, materialin “Libër Kujtimesh të pjesëmarrësit të dy luftrave botrore dhe dëshmorit të LANÇ, Ismail Strazimiri”, ku shkruhet: “… Prijsat e ushtris Serbe qene Halit Lleshi e Taf Kaziu, dy fytyra teper te shemtueshme per historin e Shqipnis dhe, veçanrisht, dy njolla te pa shlyeshme per ate te Dibres e te Matit….. : (-Fondi nr. 143, Kutia 18, Dosja 857, Viti 1917-18, Faqe 238-319, Poza 60, Xhepi 909)

Edhe shkrimtari Haki Stërmilli në librin “Dibra në prag të Historisë”, përshkruan edhe figurën e Halit Lleshit, duke e cilësuar si bashkëpunëtor të Serbisë dhe tradhtar të kombit shqiptar. S’ka se si të mos jetë njohur historiani i shquar me ato fonde në AQSH. Ja pse nuk iu dhanë titujt Heronj të Popullit Ahmet Camit, Ismail Strazimirit dhe Haki Stërmillit…

Në vitet e socializmit populli i Dibrës mërmëriste e buzëqeshte me ironi, kur shikonte Haxhi Lleshin të fliste si “atdhetar” e të demaskonte e diskreditonte njerëz të ndershëm e patriotë. Populli acarohej me dhunën e shantazhet që ushtronte ai. Ndiente frikë dhe ankth prej tij. E kishte kthyer Dibrën si një çiflig të tij. Kishte ngritur një rrjet miqsh në Tiranë e në rreth dhe në çdo zonë të Dibrës, që e informonin për çdo problem sipas mentalitetit të tyre dhe vepronin siç i orientonte e porosiste ai.

 

Për ta përmbyllur:

Do të kisha dëshirë që ish-Presidenti i Shqipërisë për mëse 30 vjet të ishte marrë dhe të kishte lënë në fondin e Presidiumit të Kuvendit Popullor projekte të mëdha për zhvillimin progresist të vendit dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare ende të pazgjidhur. Jo të gjithë shtetasve u jepet mundësia për të shërbyer nga ai post i lartë. Edhe unë kam punuar në atë sistem deri në postin e ministres dhe shpresoja që ish-Presidenti të ishte në lartësinë e Presidentëve të vendeve të tjera.

Mua dhe familjes time na është dashur të vetëmbrohemi nga sulmet e tij. Jemi krenarë që nuk iu nënshtruam as ofertave dhe as presioneve e shantazheve të tij, sepse jemi udhëhequr nga interesat kombëtare. Ndërkohë ne nuk e kemi sulmuar Haxhi Lleshin. Vetëm të inkriminuarit kanë frikë nga viktimat e tyre të vrarë e të vdekur.

Kur ndërroi sistemi, akuzat e sulmet e tij i quajta si kapitull të mbyllur. Gjatë këtyre viteve kam lexuar disa materiale të disa fondeve në AQSH të shkruara nga Haxhi Lleshi e sekretari i tij, protokolle takimesh e bisedimesh, kujtime veteranësh e të tjera, në të cilat përshkruhen akuzat e sulmet e pasqyruara më lart në formë të përmbledhur, ku shprehet një urrejtje patologjike e bizantine ndaj Ahmet Camit, familjes e fisit të tij.

Kur i lexova ato materiale në arkiv, më erdhi mirë. I ka shkruar duke u udhëhequr nga bindjet e pozicioni i një kundërshtari politik, duke përdorur akuza e metoda të paprecedenta. Ai, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si President si dhe i zgjedhur në organet e larta të partisë e të shtetit shqiptar, ka përvetësuar, ndërruar e deformuar ngjarje e figura historike. Më vjen mirë që i ka lënë të shkruara, ku vërtetohet se kemi qenë historikisht të distancuar prej atyre, që u kanë shërbyer të huajvë, Serbisë e Jugosllavisë dhe nuk kemi qenë asnjëherë pjesë e klanit të tyre.

Historia duhet të rishkruhet, për të pasqyruar të vërtetat e për të ndrequr manipulimet, për të pastruar glorifikimet e bëra gjatë 50 vjetëve. Këto janë arsyet që po jap disa shpjegime, për të sqaruar e shpjeguar sipas dokumenteve arkivore e kujtimeve të bashkohësve veprimtarinë e çetës së parë atdhetare në Dibër e më vonë të çetës partizane të Gollobordës dhe të komandantit Ahmet Cami. Ky shkrim është përmbledhja e një botimi që parashikoj ta nxjerr së shpejti.

Tiranë, më 9.11.2014

 

November 15, 2014 14:24
Komento

19 Komente

  1. tony November 15, 20:23

    Shume faleminderit per kujtimet Znj.Tefta.
    Edhe per terheqjen e vemendjes… duke na treguar per daten e nxjerrejes te librit tuaj…!!!
    Po ku ta nis e ku te lë une i shkreti te gjitha ato qe kam per te thene per ju …!!!????
    Per ju qe tani kujtojeni dhe na tregoni , se paskeni qene edhe ju “shume “shume ” te terrorizuar dhe te perndjekur….!!!
    Mos keni humbur gje rastin per tu regjistruar ne listat e te perndjekurve te ish regjimit…!!???
    Mos e dhente zoti…. Se ne qofte se e meriton ndokush ate shperblim te shkrete , atehere ju jeni te paret…( simbas jush ,,,,!!!!!!!!!! )
    Znj Tefta !!!!
    Nqse do kete ndonje Ferr per te gjithe ata , te cilet , me perulesine , inferioritetin ,servilizmin, injorancen ,,etj,etj,,,, i bene gropen ketij vendi per 45 vjet ,,,,,
    atehere duhet te luteni ,, qe shpirti juaj te mos digjet ne rrethin me te nxehte te Ferrit te Dantes…….!!!!
    Lutuni qe te mos takoni ne ate rreth perseri Haxhiun,,, Kadriun,,,, dhe Enverin,,,,,!!!!
    Lutuni qe te mos takoni edhe ata , te cilet ju me injorancen tuaj( ministre e arsimit,,, te kujt arsimit !!!!!!! ) i dogjet talentin, frymen e jetes dhe vete jeten e tyre!!!!
    Kurre ,,,,, dhe kurre,,,,, kujtimet tuaja nuk do ti vlejne ndonjehere ketij populli,,,!!!
    Ato jane genjeshtra ,,, dhe jane zbukurime ,,,, per te lare me pafajsi krimine madh te bere perpara zotit,,,,, !!!
    Krimi i heshtjes ,,, dhe krimi i mos veprimit!!!!!!
    Keto te dy krime do tju çojne ne ferrin e Dantes…!!!
    Ju dhe te gjith te tjeret ( ish byroja e famshme politike )
    me aspak rrespekt..!!

    Reply to this comment
    • babo November 15, 21:41

      BRAVOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOO !!!

      Reply to this comment
    • "Horri i Bulevardit" November 16, 00:04

      tony, besoje ose jo, nje nip i kesaj zonje, ishte 14 vjecar, ka provuar 2 here elektroshokun, pse me 8 nentor 1976, u kap ne liqenin e Pogradecit.
      Dhe me e bukura e kesaj historie, ishte se ai 14 vjecar, nuk u nis per tu aratisur, por donte te shifte ndeshjen Skenderbeu-Tirona.
      E di kete histori nga vete nipi i saj, qe sot jeton ne Gjermani. Dhe e besoj zonjen Tegta, se segmente te diktatures, u munduan te kapen tek hallkat me te dobta te kesaj familje.
      Nipi i saj quhet Adi, djale qe ne kapitalizem, ne Gjermani, ka shkelqyer, ne biznes dhe shoqeri.
      Prandaj kujdes kur gjykoni, mos shifni bythace si nasruddini,qe jane te kenaqur se u perdhunuar, nga Zogolli, por sjifni realitetin, se gjaku nuk behet uje, atdheu mbi te gjitha dhe kjo familje, detyrenndaj atdheut, e ka bere me se miri.
      Respekter familjen Cami, respekt per deshmoret e kesaj familjeve, rwspekt per familjet e shquara shqiptare, qefillojne nga Molla e Kuqe, deri ne Preveze.
      Nderi heronjve tane dhe nje falenderim, per familjet qe i rriten.

      Reply to this comment
  2. Korabi November 16, 02:57

    Do te kishin vlere keto shkrime po t’i paraqiste dikush tjeter. Ju keni konflikt interesi. Keshtu jeni e pabesueshme…….

    Reply to this comment
  3. dritan November 16, 06:49

    Keshtu shkruhet, me fakte. Urime zonja Tefta Cami. Respekt

    Reply to this comment
  4. Lora November 17, 06:32

    Nuk te vjen turp Tefta Cami?! Vetem pergojimi qe i ben Prof Kristo Frasherit na ndihmon te kuptojme me mire se kush ke qene ne te vertete. Edhe vete ky prononcim mbas kaq vjetesh, mbasi i korre mire e mire benefitet me te larta te atij regjimi tregon se vertet paske gjak te poshter, tradhetare dhe frikacake nga ato qe te godasin pas shpine. Nuk po ben gje tjeter vecse po peshtyn ne canakun ku je ushqyer. Ne kujtesen dhe vetedijen popullore ke qene nje nga ministret me qesharake qe solli Enver Hoxha dhe nje kukull e kurdisur ne Byrone Politike. Menyra dhe forma se si arrite atje ku arrite nuk eshte e zorshme per tu kuptuar nga asnje shqiptar. Ishit takemi juaj, ti me te tjeret qe shkaterruat dhe helmuat ate qe e besonin si nje sistem pro popullit, ishit ju te gjithe kllounat qe u futet se fundmi ne byrone politike qe e kthyet komunizmin ne Shqiperi ne nje karikature qesharake nen udheheqjen e kryetradhetarit Ramiz Alia. Ju shemtira meritonit gjyqin nga komunistet e ndershem te Shqiperise per batakun ne te cilin e futet vendin kur Enveri filloi te humbiste aftesite per shkak te semundjeve te njepasnjeshme, duke ja atribuar atij gjithe ndyresite tuaja dhe del e flet sot sikur te jesh nje virgjereshe e panjollosur. Ky shkrim eshte nje fakt tjeter se nje burre trim si Haxhi Lleshi ka pasur te drejte ne theniet dhe parashikimet e tij. Koha verteton versionin e te drejteve!

    Reply to this comment
    • "Horri i Bulevardit" November 17, 12:57

      Lora, babai i Haxhi Lleshit, ka qene udherrefyesi i forcave serbe, qe rrezuan qeverine demokratike te Fan Stilian Nolit, qe solli Ahmet Zogun ne fuqi.
      Kur te shkruash, duhet te informohesh mire dhe zonja Tefta Cami, nuk ka qene anetare e byrose politike.
      Pa dashje dhe pa e ditur, po beni lojen e Sali Berishes, qe ne fillim te viteve 90, u mundua ta afroje kete familje, qe te fitonte sa me shume pike ne Dibren kendej dhe andej kufirit dhe mbasi nuk arriti ti mbushe mendjen, nxorri brekdhjerin Frok Cupin, duke e sulmuar ne menyren me te poshter, deri sa dolen niperit e zonjes Tefta dhe ja mbyllen gojen, para surratit te Sali Berishes dhe Frok Cupi, ate dite shpetoi fale nderhyrjes se Azem Hajdarit, ne seline e pare te PD, tek rruga Fortuzi.
      Te them me gjithe respektin qe kam per komentet tuaja, qe jane ne nje linje me komentet e mija, je shume e pa informuar, per ish ministren e arsimit zonjen Tefta Cami.
      Nje detaj te jap, ne vitin 90, vullnetaret e Enverit, kerkonin te stacionoheshin te shkolla e partise dhe fale kembenguljes se zonjes Tefta, qe ate kohe ishte drejtoreshe e kesaj shkolle, vullnetaret e Enverit, nuk munden te futeshin ne konviktet e kesaj shkolle dhe nuk vonoi, Ramiz Alia me Fatos Nanon, me urdher te Nexhmine Hoxhes e perjashtuan nga PPSH, zonjen Tefta Cami.
      Kete replike e ke miqesisht nga une, se e shoh, qe nuk e njef as zonjen Tefta Cami dhe as familjen nga vjen, te siguroj se po te kishte nje note per atdhetarizem, familja Cami do te kishte noten 10.
      Vetem perjashtimi i Ahmet Camit, nga shkolla ushtarake ne Rome, se nuk pranoi te betohej nen flamurin fashist, me jep te drejten te kundershtoj miqesisht.

      Reply to this comment
    • LORI December 9, 09:57

      Lora, a mund te me thuash se pse Prof. I Madh nuk shkroi gjate periudhes se Enverit. Pikerisht nga presionet qe i beheshin dhe kuptohet censures e autocensures. Po ku kupton ti mi? Te duket se ke nje Compjuter perpara dhe po thua thagma. Me vjen keq per miopine Tende. Ke hyre ne fazen e shperlarjes se trurit. Zhvillimi i debatit eshte shume I ushqyeshem per shoqerine tone shqiptare. Por I debatit dhe Jo I fyerjeve . Nuk duam debat. Duam vetem te shajme, poshterojme, helmojme. Etj. Etj. Çpaskemi qene ne shqiptaret per te share e per te poshteruar. Ne asnje vend te botes nuk ndodh. Ne asnje vend. Dhe mua Pikerisht per kete me vjen keq se si e vrasim kohen ne shqiptaret, duke share dhe denigruar njeri tjetrin. Dhe per kete veme ne perdorim arsenale fjalesh, qe cudisim gjithe boten.

      Reply to this comment
  5. Lora November 17, 14:42

    Zoteri H. I Bulevardit, sigurisht dhe dukshem ju dini gjera qe une nuk kam si ti di. Une di ato qe di gjithe populli shqiptar, edhe pa qene me origjine nga Dibra. Di qe Haxhi Lleshi ka qene nje burre trim ne Luften Nacionalclirimtare e me pas, qe mbeti i tille edhe pas viteve 90, di qe nuk deshi t’ia dinte nga prangat, kur e burgosen me barele, ngaqe nuk levizte dot dhe sigurisht di qe gjate kohes se komunizmit nuk u fsheh kurre ne rrethimin e Bllokut te famshem, por deren e kishte te hapur per gjithkend qe trokiste ne te. Mendoj se nje njeri i tille nuk mund te jete i pandershem dhe as burracak qe te godase pas shpine.
    Si mendoni ju, jam kurioze ta di, mendoni vertet se Prof Kristo Frasheri ben pjese ne kete kategori njerezish qe te falsifikoje historine? Babain e Haxhi Lleshit vertet nuk e njoh, por ju nese e njihni duhet te sillni prova per ato qe pretendoni per te qene i besueshem.
    Ahmet Cami nese ka luftuar per Atdheun do jete gjithmone i nderuar dhe jo i vetem, por sa per ministren Tefta nuk keni se cfare pretendoni! Ajo ishte nje e perkedhelur e atij regjimi, perderisa mbante postin me te larte te Arsim Kultures me ate nivel medioker aq te ulet, qe e njohim mire te gjithe. Nuk e di se kujt i sherbejne shkrimet e saj sot dhe ndershmeria apo edhe perpjekja per te vene ne vend historine e cunguar duhet te tregohej atehere kur Haxhi Lleshi ishte gjalle, sy per sy, atehere do ta nderoja ate grua dhe ajo njekohesisht do ta meritonte respektin si bije e nje luftetari, por ta besh kete sot, si kofini pas te vjelit, mbi nje tufe varresh dhe kur gjeja me e lehte per t’i bere se shkuares eshte vec shtremberimi, perkthehet si nje perpjekje per tju shtuar kolones se te paskrupujve. Do te deshiroja qe mbi emrat e medhenj te Shqiperise te mos beheshin perpjekje per te hedhur balte a vrer, kushdo qofshin ata. Gjithashtu duhet ditur se historia i ngre vete monumentet dhe ato me te medhenjte nuk jane prej bronzi por prej kujtese popullore dhe nderimi.

    Reply to this comment
    • "Horri i Bulevardit" November 17, 21:00

      Haxhi Lleshi ka qene kryetari i Klanit te Veriut, kaq di te them dhe ne qoftese nuk u eliminua nga Enver Hoxha, ketu ka patur gisht Nexhmije Hoxha, qe gjithashtu ka qene pjese e ketij klani.

      Reply to this comment
  6. Me ne fund November 25, 18:56

    Respekte Tefta! E guximshme si gjithmone! Si atehere qe ja perplasje Haxhiut apo e injoroje publikisht. E vetmja qe si shkoje per ta uruar per ditelindje per 1 Maj. Te quante kokeforte dhe te pabindur. Ai te kishte frike Ty dhe familjen Tende nga vije. Kermijte e Tij funksionojne si atehere dhe tani. Me cfare? Me baltosje, shpifje dhe letra anonime. si: vjen nga nje familje e pasur, eshte vajza e ish Oficerit te Zogut… Apo ishe e pa afte apo … Ato qe mund ti lexosh tek Disa komentues te tute te perhershem apo I persekutuari etj. Etj. … Le ti kerkojne se do ti gjejne neper arkive.
    Respekte Tefta Cami per guximin! Si atehere dhe tani ne kete Moshe. Ishe Ministre e Popullit dhe Jo e Kulisave dhe e klaneve. Me kujtohet shtepia jote ne rrugen e Elbasanit, ku ne vere behej si rradhe mishi e ti prisje dhe I sqaroje deri te qytetari i fundit I ardhur nga rrethet, qe te priste per te takuar e per ta ndihmuar. Dhe se bente kush kete, po e beje ti “injorantja” Po sot keto “0ratoret” e sotem me nxenesit e shkolles se asaj kohe po krenohen. Te arsimuarit ne ato kohe Kane zene pozicione te larta edhe ne nivele te larta administratash shteterore apo private qe nga Amerika e Veriut e Evrope e Australi. Ndersa keta analfabetet funksional – sic I perkufizon raporti I Bankes Boterore – Dijne te performojne apo perdorin vetem fjalor rruge prej te deshperuarish e te pervuajturish. Keqardhje. Analfabetet funksional te sotem duan ministrat qe I rropen dhe I xhvaten per 20 vjet rresht, duan ministret kukulla, qe me nje qarje qe ben Greku thone: po do ta nderrojme dhe korigjojme historine e Shqiperise e do ta bejme si e doni Ju Grek. Po historia shkruhet mbi fakte e dokumente dhe Jo mbi deshira, vullnete apo lobe te caktuara si per fat te keq eshte shkruar dhe Historia e Luftes Nacional Clirimtare. Ky sistem me te rinj Analfabete funksional beri nipin e Xhuvanit te Madh killer. Dhe te gjithe analfabetet funksional vjellin vrer kunder te emes deputete dhe askush nuk artikulon nje fjale te ngrohte per keta prinder ne nje hall kaq te Madh. Por per fat te keq nuk jane te vetmit. Me mijra te rinj shqiptare ndodhen neper burgje te Evropes apo matane Europes e vuajne denimet per arsye nga me te ndryshme. E sa familje vuajne per bijte e tyre. E askush se can koken.

    Reply to this comment
    • Dibra January 17, 16:19

      Ore zoterinj pse shkruani kur nuk dini gje. Tefta Cami priti sa vdiqen te gjithe ata qe dinin te verteten dhe tani ben gam gam. Ahmet Cami nuk ka marre pjese ne luften per clirimin e vendit, ai ka qene nje ballist i ndyre, kur e pa qe pushtuesit po mundeshin dhe koha e ballisteve po perendonte ai kaloi ne anen e patizaneve dhe ne perpjekjen e pare ne krah te partizaneve u vra. Haxhi Leshi e dinte kete dhe ishte kunder Klanit Cami sepse ato qene tradhetaret e kombit. Tefta ka perfituar shume nga regjimi i Enver Hoxhes, pse na tregon tani perralla me mbret. Rri moj Tefta atje ku je se qe kene zonje e madhe ne kohen e Enverit mos na tego perralla se te vjetrin qe te njohin mire te perbuzin, nje pjelle e nje ballisti te paskrupullt sic qe yt ate. Pyesni ne Diber dhe do mesoni te verteten per Camet. Haxhi Leshi ka qene burre jo ti nje bije e nje tradhetari te paskrupullt.

      Reply to this comment
      • dibra2 January 18, 09:50

        Ke te drejte Dibra. Zonja Tefta ne kohen e Enverit kur u be ministre ka qene me sherbetore ne shtepi, ndersa te tjeret kishin buke apo jo kjo zonje rronte ne vilat ne Tirane. Ushqimin natyrisht nuk e bente pazarin vete se kishte sherbyese, e blinte ne dyqanet e posacme per bllokmenet. Kur semuresh shkonte ne kliniken per bllokmenet ose dilte jashte vendit. Kur te tjeret i kalonin pushimet neper barakat e plazhit ose dergjeshin burgjeve te kohes se Enverit kjo zonje kalonte pushimet ne vilat e plazhit dhe merrte dhe pastruesen dhe kuzhinjeren me vete. megjithese bllokmenet kishin mencat e vecanta. Kjo zonje ka jetuar ne kohen e Enverit zonje e kaluar zonjes, prandaj do bente mire gazetari te nxirrte te verteten ne shesh. Ne kohen e Enverit kjo familje ka pare vetem te mira, i vellai ka qene drejtor shkolle, i shoqi ka qene mjek, femijet mbaruan shkollat e larta. Ku eshte persekutimi ketu?

        Reply to this comment
  7. tomor labi January 18, 11:16

    Ore po cfare thoni ju mor te pa ditur dhe enverista te thekur e te djegur, po edhe enveri i persekutuar ka qene se i kane vrare komunistat BURRIN E MOTRES , ZOGISTAT E PUSHUAN NGA PUNA DHE DEMOKTATET E RREZUAN NGA BAZAMENTI PE BETONI. hAJDE POPULL HAJDE DHE DONI TE FUTENI NE EVROPE, NDOSHTA NGA VITI 2050 KUR TE MOS KETE MBETUR SHTET PA U FUTUR ( PO SU SHPERNDA ue DERI ATHERE)

    Reply to this comment
  8. moderni July 11, 10:17

    Mesoni shqiper o gazetar…per babain thuhet te atin dhe jo te jatin

    Reply to this comment
    • SHqipnija Mesme August 2, 04:49

      O moderni! Ku ösht diferenza llogjike apo teknike midis “i ati” dhe “i jati”…? Jo për noì gjo, po ngaqi jom tu studjù t’folmet e t’gjitha krahinave shqipfolse. Flm!

      Reply to this comment
  9. SHqipnija Mesme August 2, 04:44

    Mu i gjo m’bo përshtypje…si ka munci qï ky tosku Kristo Frashëri e paska dit kaq mir historin e Dibrës?! Ösht ndryshe puna doktorrit apo inxhinjerit apo avokatit…po qï t’flasësh për historin e nji zone t’caktume, duhet t’jesh lè e rrit n’at zon…Kshuqi kti llafi i thojn “pordha me rigòn”

    Reply to this comment
  10. Adih December 22, 20:38

    Zonja Tefta me keqeardhje , ju ka ngelur ora te komunizmi . e konkretisht cdo emer te familjes tuaj vetem ne kete shkrim e permendni 100 here . Akoma me preardhjen e gjyshit e katragjyshit do degjojne shqiptaret . Zonja Tefta ne demokraci nuk shikohet familja por personi direkt. Na lini rehat ne hallet tona dhe mos u lodhni kot se shkruari ,,me sinqeritet eshte humbje koha e ulni vehten tuaj . Me komandante e me partizane ,se jam pame hajrin .

    Reply to this comment
  11. Huri July 19, 08:41

    Hazhi Lleshi. Mysllm Peza , Kristo Frasheri kane nje lidhje.Jugoslavine.E bene lufteb per patriotizem? Harojeni.Agjntura jugoallave vazhdon prej200 vitesh

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*