TEKNOLOGJI / Fatos Nano udhëton në kohë në 1998-n, propozon Ulsi Manjën për Ministër të Kulturës

July 12, 2019 21:20

TEKNOLOGJI / Fatos Nano udhëton në kohë në 1998-n, propozon Ulsi Manjën për Ministër të Kulturës

Ndërsa të gjithë ministrat kishin mbërritur në sallën e mbledhjeve të kryeministrisë atë fillim tetori të vitit 1998, në pritje të shefit që e kishte zakon të vonohej pak, ndodhi një fenomen që i la pa fjalë.

Një vorbull ajri u krijua nga hiçi në mes të sallës, shoqëruar me disa shkreptima të çuditshme. Dritat u fikën, perdet dhe llampadarët u tundën, disa fletë A4 fluturuan në ajër.

“Mos, po na sulmojnë prapë,” thanë ministrat, që ende nuk u kishte shkrirë gjaku nga 14 shtatori.

Por gjithçka u qetësua shpejt, dhe para tyre u shfaq një Fatos Nano i çuditshëm. Edhe ngjante, edhe s’ngjante me kryeministrin. Ishte gollomesh, por teksa tymi po shpërndahej, u vesh shpejt e shpejt dhe u ul në kolltukun e vet.

“Fillojmë pa humbur kohë. Ah harrova, ju nuk e keni sensin e kohës,” tha Nano duke buzëqeshur me rromuzin që sapo hodhi dhe që askush nuk e kapi, “doja të propozoja para jush emrin e zotit Ulsi Manja si ministër Kulture. Po, e di. Emër i çuditshëm. Ndoshta kanë dashur t’ja vënë Hulusi. Ose Kudusi. Po ç’rëndësi ka. Është jurist i përgatitur, po edhe sektorin e kulturës e qan”.

Bashkim Fino nuk duroi dot më.

“Po prit pak o Fatos. Mirë që na bën hyrje spektakolare si në Hollivud, po ç’janë këto habere? Është nomenklatura jote të zgjedhësh kë të duash, po ku gjen këta tipa me thonj të paprerë xhanëm? Ç’janë këta fshatarë? Pse, humbën gjirokastritët?”

Nano buzëqeshi dhe ja ktheu:

“Baçiiii! Jep okejin se është djalë i mirë! Mos u anko nga thonjtë e Hulusiut. Ta dish ti se çfarë thonjsh kam parë unë para tij, do lemerisesh!”

Në vijim, Hulusiu u ftua të hynte brenda dhe të prezantohej. Flokët e zinj me onde, barsetat deri në gjysmë të faqes, xhaketa moderne dopiopet dhe një kollare që mezi arrinte deri te kërthiza, lanë përshtypje të mirë tek të pranishmit.

“Tani dëgjoni këtu, se nuk kam shumë kohë,” tha kryeministri duke parë orën, “në qoftë se Kudusiu punon mirë dhe ngjyen pallatet e Tiranës me ngjyra, unë them ta propozojmë edhe si kandidat për Bashkinë e Tiranës vitin tjetër”.

Atë moment u hodh Ilir Meta, që s’po e mbante vendi.

“Zoti Kryeministër! Për ministër Kulture sikur folëm për një publicist të zotin, artist me nam dhe luftëtar kundër regjimit të Berishës. Edi Ramën, apo jo? Ç’është kjo punë, a jemi parti kolegjiale apo jo?”

Debati vijoi gjatë. Meta, që në formatin e ri të kabinetit do bëhej zv.kryeministër, deklaroi se nëse kandidatura e Ramës binte poshtë, ai do rishikonte pozicionin e tij.

Zëri i Nanos po zvargej, portreti i tij sikur po mjegullohej.

“Zhvilloni përgjegjësitë. Ilir, s’kemi shumë kohë. Kam udhëtuar nga shumë larg për këtë mbledhje. Dhe e kam bërë vetëm për ty. Prano Hulusiun, është djalë i mirë, edhe pse disi rustikan. Hiqe mendjen nga Rama. Ai, që ta dish ti….”.

Befas Nano nuk ishte më në sallë.

Ministrat u stepën një çast, pastaj ja plasën të qeshurës.

“Epo ky është karagjoz klasi, përfundimisht. Nga i ka mësuar këto numra cirku, për zotin. Prite kur të hyjë nga dera tani,” tha Fino.

Dhe vërtet, Fatos Nano hyri në sallë, përshëndeti thatë dhe nisi të flasë.

“Si jeni, të gjithë mirë? Sot doja t’ju flisja për një djalë flori. Edi Rama quhet…”        

 

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike pro-teknologjike

July 12, 2019 21:20
Komento

1 Koment

  1. terminatori July 11, 18:27

    Hahahahaha, fantashkence me Tos Nanon! Terminatori tenton te shpetoj te ardhmen!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?