Teknologjia gjenetike, Evropa ashpërson ligjet

July 26, 2018 14:39

Teknologjia gjenetike, Evropa ashpërson ligjet

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka ashpërsuar ligjet për organizmat e modifikuar gjenetikisht.

Deri tani rregulli për etiketimin vlente vetëm për organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ), ADN-ja e të cilëve është ndryshuar nga ADN të huaja.

Por gjyqtarët e Luksemburgut deklaruan në vendimin e tyre se edhe metodat e fundit të së ashtuquajturës mutagjenezë duhet t’i nënshtrohen këtij detyrimi.

Rasti në fjalë u kalua në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) nga një gjykatë franceze.

Në direktivat e BE-së organizmat përcaktohen si OMGJ që nga viti 2001.

Megjithatë, metodat më të vjetra të mutagjenezës që konsiderohen si të sigurta përjashtohen nga rregullat strikte të OMGJ-ve.

Në këtë rast ndryshimet në materialin gjenetik arrihen pa futur ADN-në e huaj.

Të dëmshme për njerëzit?

Shoqatat mjedisore dhe bujqësore franceze argumentuan në padinë e tyre se me kalimin e kohës janë zhvilluar teknika më të reja për mutagjenezën që lejojnë mutacione të qëllimshme tek gjenet dhe që mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin e njeriut. Prandaj, ato duhet t’u nënshtrohen detyrimeve të njëjta si organizmat e tjerë të modifikuar gjenetikisht dhe duhet të kontrollohen dhe etiketohen në mënyrë specifike.

Teknika e mutagjenezës

Mutagjeneza është një teknikë mbarështrimi përmes së cilës përbërja gjenetike e bimëve dhe e kafshëve ndryshohet me anë të rrezatimit, kimikateve ose nga një enzimë që ndan gjenomin. Për shembull, me anë të mutagjenezës mund të zhvillohen varietete farash që janë rezistente ndaj disa helmeve të caktuara të farërave të këqija.

Kritika nga Gjermania

Shoqata Gjermane e Fermerëve e kritikoi këtë vendim, sepse sipas tyre ai ndalon mundësitë për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshimeve klimatike nëpërmjet mbarështimit të bimëve.

“Thatësira aktuale na tregon se në të ardhmen, për shembull, na nevojiten varietete tolerante ndaj thatësirës”, tha presidenti i saj, Joachim Rukwied.

s.a/dita

 

July 26, 2018 14:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*