Tekstet shkollore/ Nis përzgjedhja, mësuesit kanë afat deri më 2 qershor 

May 31, 2017 13:53

Tekstet shkollore/ Nis përzgjedhja, mësuesit kanë afat deri më 2 qershor 

 Pranvera Kola – DITA

Nis përzgjedhja e teksteve mësimore që do të përdorin nxënësit e arsimit parauniversitar përgjatë vitit të ri shkollor 2017-2018.

Nëpërmjet një urdhri të dërguar së fundmi në të gjitha institucionet shkollore të arsimit të detyruar dhe gjimnazeve, MAS ka detajuar rregullat që do të zbatohen në fazat e përzgjedhjes së teksteve me të cilat do të punojnë nxënësit, si dhe afatet që duhet të respektojnë shtëpitë botuese për shpërndarjen e tyre.

Mësuesit janë ata që kanë barrën vendimtare në përzgjedhjen e teksteve më të përshtatshme nga lista zyrtare e alternativave të miratuara nga komisioni i ekspertëve të dikasterit të arsimit.

Prej dy ditësh, mësuesit që janë pjesë e komisioneve lëndore në çdo shkollë, kanë nisur punën për shqyrtimin e teksteve që MAS ka miratuar për katalogun e vitit të ri shkollor, nga ku mësuesit do të veçojnë edhe tekstin më të përshtatshëm për të punuar me nxënësit e tyre përgjatë vitit të ri mësimor.

“Mësuesit e klasave dhe të komisioneve lëndore fillimisht njihen me të gjitha alternativat e teksteve shkollore të përfshira në katalog, dhe pas diskutimeve do të vendosin për alternativat që duan të përdorin gjatë vitit të ri shkollor. Përzgjedhja e tekstit bëhet me konsenus. Në rast se mësuesit e klasave, ose të komisioneve lëndore nuk bien dakord për të njëjtin tekst, përzgjedhja do të bëhet me votim, ku fitues do të jetë teksti shkollor që do të marrë më shumë vota. Pjesë e mbikëqyrjes së procesit të përzgjedhjes së teksteve do të jenë edhe prindërit”, saktësohet në urdhrin që MAS ka shpërndarë në të gjitha drejtoritë dhe strukturat arsimore rajonale të vendit.

Sipas afateve të përcaktuara, mësuesit e çdo shkolle kanë afat deri në datën 2 qershor për të detajuar listën zyrtare të teksteve me të cilat duan të punojnë.

Pas kësaj date, kjo listë duhet të depozitohet pranë strukturave të shtëpive botuese, e cila në varësi të kërkesave të paraqitura duhet të fillojë edhe përgatitjen e kopjeve të duhura për shkollën përkatëse.

Për të shmangur përzgjedhjet klienteliste, apo abuzive, MAS ka konfirmuar marrjen e masave penalizuese në rast së mësuesit do të favorizojnë shtëpitë botuese në përzgjedhjen e teksteve.

Sipas urdhrit të MAS, nuk mund të përzgjidhen tekstet që kanë autorë, redaktorë, korrektorë, apo ilustrues, të cilët janë mësues të shkollës përkatëse. E në raste se kjo gjë ndodh, mësuesi do të penalizohet me largim nga puna.

Shitja e teksteve në shkolla nis me 25 gusht

Në mbyllje të javës së ardhshme drejtuesit e shkollave duhet të afishojnë në vende të dukshme për nxënësit listën zyrtare të teksteve që kanë përzgjedhur për t’i përdorur përgjatë vitit të ri shkollor. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, shpërndarja dhe shitja e teksteve mësimore do të bëhet pranë shkollave përgjatë periudhës 25 gusht, deri në 10 shtator.

Tekstet do të shiten pranë pikave të posaçme që shkolla i ka lënë në dispozicion shtëpive botuese që kanë siguruar tekstet. Këto tekste duhet të kenë detyrimisht pullën dhe hologramin e MAS. Ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjësit arsimor, me përjashtim të rasteve të nxënësve të pakicave kombëtare.

Lidhur me kurrikulën mësimore, autoritetet e MAS bëjnë me dije se janë në proces të përgatitjes edhe alternativat për tekstet që do të përdorin nxënësit e klasave të dyta, të shtata, si dhe dy viteve të para të gjimnazit.

Me ndryshimet e bëra, për asnjë lëndë mësimore, nuk do të ketë më shumë se sa tre alternativa, nga ku mësuesit do të veçojnë tekstin më të përshtatshëm që duan të përdorin me nxënësit e tyre.

Emërimet e reja në arsimin parauniversitar

Mbyllja e këtij viti mësimor do të pasohet me verifikimin e mungesave të arsimtarëve në të gjitha shkollat e vendit, duke i hapur udhë kështu emërimeve të reja në radhët e mësuesve.

Këto emërime do të bëhen si shkak i vendeve të lira të punës që do të krijohen nga dalja e shumë mësuesve në pension, dhe si shkak i shtimit të fluksit të nxënësve që do të regjistrohen për herë të parë. Pjesë e garës për të fituar një nga kontratat e punës do të jenë fillimisht mësuesit që janë në listat e pritjes të dala nga konkurrimi nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Po sipas autoriteteve të arsimit, për të siguruar një kontratë pune do mund të aplikojnë edhe mësuesit e rinj që kanë arritur të kalojnë me sukses provimet e shtetit të zhvilluara përgjatë dy viteve të fundit.

Testimet e radhës për licencimin e mësuesve të rinj

Gjithashtu, përgjatë muajit korrik do të zhvillohet edhe sezoni i radhës së provimeve të shtetit, për mësuesit e rinj që kanë shlyer të gjitha detyrimet e praktikës profesionale dhe që duan të fitojnë lejen për ushtrimin e profesionit të mësuesit në lëndën ku janë diplomuar.

Janë me qindra kandidatët në pritje të këtij sezoni licencimesh. Pjesa dërrmuese e tyre kthehen në garë për të disatën herë. Kjo pasi kanë dështuar në sigurimin e pikëve kaluese gjatë provimeve të shtetit të zhvilluara në sezonet e viteve të shkuara.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencë pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta japë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

 

May 31, 2017 13:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim