Telekom reagon ndaj deklaratës së AKEP: Është shkelur parimi i paanshmërisë

February 15, 2018 20:48

Telekom reagon ndaj deklaratës së AKEP: Është shkelur parimi i paanshmërisë

Kompania celulare Telekom Albania ka reaguar me anë të një deklarate për vendimin e AKEP në lidhje me rregullimin e tregut në sektorin e telefonisë së lëvizshme që favorizon operatorin Albtelecom.

Telekom Albania kërkon në këtë deklaratë, transparencë të plotë për vendimet dhe konsultim me grupet e interesit ashtu siç parashikon ligji.

Prononcim nga Telekom Albania mbi situatën me AKEP

U njohëm me njoftimin e fundit për shtyp të AKEP në lidhje me rregullimin e tregut në sektorin e telefonisë së lëvizshme. Jemi te befasuar që AKEP në këtë njoftim nuk është përpjekur aspak të mohojë  në mënyrë të drejtpërdrejtë projekt-vendimet e përgatitura prej tyre, ashtu siç janë raportuar ditët e fundit në media. Ndaj, dhe referimi që bëhet në dokumentet ekzistues nuk hedh aspak dritë mbi situatën. Nëse AKEP e ka fjalën për rregullimet e tregut në formën e raportuar në media (konkretisht imponimi i asimetrisë në favor të Albtelecom dhe heqja e kufizimeve brenda rrjetit/ jashtë rrjetit vetëm për këtë kompani), të gjithë duhet ta kenë të qartë se këto masa të propozuara janë thelbësisht të reja dhe kërkojnë ligjërisht edhe konsultime të reja publike.

Parimet themelore të paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit, të cilat shprehen qartë në Ligjin për Komunikimet Elektronike, kërkojnë që ndryshime kaq të rëndësishme të dokumenteve të para disa kohëve, t’u bëhen paraprakisht të ditura të gjithëve, veçanërisht aktorëve në këtë treg, në mënyrë që ata të komentojnë ose sugjerojnë ndryshime, si edhe të kryejnë analizë të plotë të ndikimit në biznesin e sotëm dhe në planet e investimeve të tyre. Shmangia nga konsultimet nuk mund të justifikohet duke iu referuar formalisht, por pa kuptim procedurave dhe veprimeve që bazohen në një analizë të kushteve të dikurshme të tregut.

Gjithashtu, kemi kundërshtuar dhe kemi dhënë komente edhe kundër ndryshimeve që AKEP ka në plan të kryejë në sektorin e telefonisë fikse, sepse masat e sugjeruara i konsiderojmë sërish në favor të Albtelecom, pa justifikuar qartë interesin publik dhe duke dëmtuar lojtarët e tjerë në treg.

Ndaj, në vazhdim të kërkesës tonë zyrtare drejtuar AKEP para pak ditësh, këmbëngulim në rivendosjen e komunikimit transparent, në përputhje me kërkesat ligjore, si edhe mbetemi të vendosur të mbrojmë të drejtat tona dhe të jemi po aq konstruktivë, ashtu siç kemi qenë këto mbi 20 vjet të operimit tonë në Shqipëri.

l.h/ dita

February 15, 2018 20:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*