Tempujt dhe sinopset e mesjetës arbërore

March 22, 2019 13:14

Tempujt dhe sinopset e mesjetës arbërore

MOIKOM ZEQO

TEMPUJT E GJALLË

Kisha e Antiokisë në kohën e shën Gjon Gojëartit (347-407) pagonte fonde për vejushat dhe jetimët.

Po kështu edhe kisha e Kartagjenës. Ambrozi (339-397) për romakët e zënë rob nga gotët pagoi për lirimin e tyre duke shitur objektet e arta kishtare.

 “Më mirë të veshim tempujt e gjallë të Krishtit se sa të zbukurojmë tempujt prej guri”, ka komentuar shën Euseb Hieronimi ilir.

Njerëzit! Tempujt e gjallë? Ah! (1991)

PSE?

Pse emrat i tradhtojmë me pseudonime? Pse shfaqen ikona hipnotike seksi të një Onufri donzhuan? Pse arkitektët modelojnë ndërtesa statike si monumente funerore? Pse kërkojmë të shuajmë etjen mes shtambave të thyera të fantazive tona? Pse kohërat pirate na zënë robër në folerat e orëve? Pse poetët janë kombi futurist? Pse këto universe janë struktura eshtërore të disa superqenieve që kanë vdekur përgjithmonë? Pse kryqëzimin e Krishtit e përsërit pambarimisht në histori një Sizif ironik që nga caku i pamundësisë? Pse skulpturat janë partitura të heshtjes? Pse idetë e riprodhojnë (shpikin) shpejtësinë e tërë gjithësisë? Pse infiniti është kurora metafizike e hapësirave? Pse CD-të kanë zëvendësuar jetët e vërteta të njerëzve? Pse mijëra rrufe na skanojnë mendimet e fshehta nën kafka? Pse koka e një skulpture s’e njeh dallimin midis kafkës dhe trurit? Pse gënjeshtra ka përherë thundra të rënda, të gjëmshme dhe të përgjakura? Pse trupat e poetëve janë ushqim për të Panjohurën kanibale? Pse doçka e një fëmije e ngre në këmbë çdo Promete të rrëzuar përtokë?  (1993)

PSALMI 83(84) – THEO ZOITI

Mozaiku i bazilikës së gadishullit të Linit mbi liqenin e Ohrit e ka një mbishkrim poetik në greqisht.

Mbishkrimi është:

 “1. Os agapita ta sainomata sou Kyrie e ton dunameon?

 

  1. Enipothi kai ekslipi i psiki mou eis tas aulas tou Kyrieu i kardhia mou kai i sarzmou igaksi asanto epi Theo Zoiti »

Në « L’ecole françaises » ku studiova në 1989 lexova një vepër të Giafranco Fiaccadori-t « Note storiche ai mosaici di Lin, Albania », Ravena, 1980, f. 189-191.

Mbishkrimi në narteks transkriptohet prej tij në 10 rreshta.

Identifikohet si pjesë e Psalmit 83 (84).

Quhet Këngë Shtegtimi.

E mjeshtrit të korit në Gitea.

Psalm i bijve të Koreut.

Në shqip tingëllon kështu :

  1. Oh, sa të dashura janë banesat e tua o Zot i Ushtrive.
  2. Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit, Zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë së Gjallë.

Zoti i Gjallë – Theo Zoiti !

Qenia Kozmike!

Kozmosi i Gjallë!

Klithmë poetike e mijëvjeçarëve. Liqeni përrallor i Ohrit. Shumë më përpara Krishterimit psalmik.

Metaforat e Lasgush Poradecit mbi mozaikët arkeologjikë. Shpirt mbrapsht i zanafillave përpara biografisë së kotë vetjake. Këngëtarë të padukshëm.

Zera që s’dëgjohen.

Scribë të kodikëve dhe të mozaikëve.

Tipografi me gurë mozaikorë Zoti i Gjallë. Poeti i Gjallë. Sfida e vdekatarëve.

Me thelb  por edhe përtej hyjnores.(1990)

LIZA SI GULIVER

Imagjinata fëmijërore, subjekti hokatar i shndrimit në liliput ose gjigant tek “Liza në Botën e Çudirave” të Lewis Corrol-it.

Ah, Swift, Swift!

Liza si Guliver në dy botë, ku përmasat alternohen.

Jo një subjekt, por dy subjekte!

Ars aemula naturae. (Arti është konkurrent (garues) i natyrës. (1987)

SHEKSPIRI, SHQIPTARI I PALINDUR

A mund të shkruhet një roman për shqiptarët e shekullit XIII?

Mëtimi duket fantastik, njerëzit kompetentë do të rrudhin buzët, e mbase jo pa të drejtë do ta quajnë këtë gjë një çmenduri.

Por unë s’mund të tërhiqem.

Përherë kam menduar se ka më tepër letërsi të fshehur në kronikat mesjetare, më shumë ide, thellësi krahasimesh dhe metaforikë imazhesh, se sa në romanet, e quajtur modernë në ditët e sotme.

Në shekullin XIII Shqipëria, e njohur si Arbëria, është një fushë krejt e bardhë për letërsinë. Për këtë s’dyshon askush, përveç meje.

Mendoj se letërsia ka qenë, por e padukshme, e pashfaqur.

Ashtu si në përrallën e vjetër; nën formën e bretkut fshihej Princi i magjepsur.

Historitë e kronikave vetvetiu janë një natyralistikë e plleshme, mundësi e pashtershme letrare.

E teproj? S’e besoj.

Ja një sinops romani.

Dua të nxjerr nga errësira disa struktura prej drite të informacionit historik.

E di, që është shumë e vështirë, por nuk është e pamundur.

Një vështrim më i thelluar na çon tek të papriturat.

Të papriturat janë nga më të ndryshmet.

Dua të njoh lexuesin me një letërkëmbim të bujshëm për disa ngjarje tepër të mprehta dhe shqetësuese për Arbërinë në shekullin XIII.

Ky shekull që njihet edhe si shekulli i Shtetit të Arbërit, ka një rëndësi të madhe në historinë shtetërore të Mesjetës Shqiptare.

Dihet që dinastia e Shtetit të Arbërit, një Dinasti Arbërore, vazhdoi në tre breza sundimin e vet. I pari kryezot arbëror është Progoni.

Pas Progonit, kryezot i Arbërisë bëhet Dhimitri.

Vëllai i Dhimitrit është Gjini.

Dhimitri u martua me Komnenën që i takonte familjes perandorake të Aleksit III Engjëlli.

Dhimitri vdiq në 1216 dhe gruaja e tij Komnena mbeti e ve.

Që të mbijetonte trashëgimia e Shtetit të Arbrit, Komnena u martua me një bujar arbëresh të quajtur Grigor Kamona.

Por Grigori qe martuar më përpara me vajzën e Gjinit, që ishte i vëllai i Dhimitrit.

Grigori qe ndarë ligjërisht me gruan e parë, për të marrë si grua të dytë të venë e Dhimitrit.

Pikërisht ky veprim shpërtheu një konflikt të madh dhe të pabesueshëm.

Kryepeshkopi i Krujës e quajti martesën e dytë të Grigorit si një martesë të paligjshme, që nuk respekton rregullat kanonike kishtare.

Grigori e kuptoi se sulmi ndaj tij qe politik, kurse argumenti i këtij sulmi gjoja qe teologjik.

Por në Mesjetë politika dhe teologjia kanë qenë përherë bashkë.

Nuk mund të ndaheshin në pjesë përbërëse dhe autonome.

Konflikti për martesën qe në substancë konflikt për ligjshmërinë e trashëgimisë së kreut të shtetit.

Grigori u mbrojt, por dhe peshkopi i Krujës me protestën e tij përfaqësonte një grup kundërshtarësh të rreptë, madje edhe nga rrethi familjar i Dhimitrit të Arbrit.

Ka mundësi që edhe gruaja e parë e Grigorit, që ishte vajza e Gjinit dhe që e kishte xhaxha Dhimitrin ta ketë kundërshtuar me forcë martesën e Grigorit me vejushën Komnena, e cila ishte gruaja e xhaxhait të gruas së parë të Grigorit.

Çështja duket tepër e komplikuar dhe hyri në hullinë e një diskutimi të tmerrshëm.

Rolin e arbitrazhit juridik dhe teologjik e luajti kryepeshkopi i Ohrit i quajtur Dhimitër Komationi.

Po kush është ky Dhimitër Komationi? Çfarë dimë për këtë Dhimitër Komationin?

Dhimitër Komationi ka jetuar në shekullin XIII.

Mbaroi studimet e larta universitare për jurisprudencë në Kostandinopojë.

Në vitin 1200 u dërgua në Ohër si kryearkivist i kryepeshkopatës.

Në 1215 bëhet Kryepeshkop, këtë detyrë të lartë e mbajti deri në 1234.

Si intelektual i madh, ai ka lënë shumë vepra të shkruara.

Në vitin 1891 studiuesi J.B.Pitra, botoi librin e quajtur “Analecta Sacra” ku janë botuar gati dhjetë letra të Dhimitër Komationit që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me historinë mesjetare të shqiptarëve.

Në letrat e tij jepen përgjigje mbi probleme të ndryshme ekonomiko-shoqërore, deri dhe për çështje të ndërlikuara familjare.

Letrat mbështeten në ligjet e kohës, kanë vlera të përgjithshme dhe mbështeten tek korpusi bizantin “Bazilikat”, që është kodi i sistemuar i së Drejtës Juridike Justiniane dhe të rregullave kodifikuese të bëra nga juristët bizantinë të shekujve VI dhe VII.

Si klerik i lartë Komationi nuk injoron asnjëherë kanunet kishtare.

Është tepër interesante të japim disa fragmente nga letrat e kryepeshkopit të Ohrit.

Në një letër të vitit 1215 drejtuar Grigor Kamonës, kryepeshkopi riprodhon letrën origjinale të Grigorit në formën e një pyetjeje për ligjshmërinë e martesës së tij me të venë e Dhimitrit të Arbrit.

Kryepeshkopi i Ohrit tregon se sipas ligjit ekziston pengesa ligjore e martesës me vajzën e vëllait ose të motrës madje edhe me mbesat e tyre.

Po kështu ndalohet martesa me vajzën e xhaxhait, të hallës dhe të tezes, por dhe me ata që konsiderohen kushërinj të dytë.

Kjo ndalesë është kufiri i martesave të ndaluara prej gjakut, ligjësuar nga Sinodi i Kostandinopojës i vitit 1126.

Kryepeshkopi i Ohrit jep disa shembuj nga historia e martesave të ndaluara.

Me rastin e martesës së Grigorit me fisniken Komnena sipas letërshkruesit ekzistojnë tre persona, Gjini që është vëllai i tretë i Dhimitrit të vdekur si dhe vajza e Gjinit, që së bashku e bëjnë të gjerë distancën ndërmjet Grigorit me Komnenën duke e treguar martesën e tyre si të padëmshme, kështu kjo martesë nuk identifikohet me atë që ndalohet prej ligjit.

Sipas ligjit xhaxhai ose nipi, që qoftë se përzihen me kushërira të para të një fisi tjetër, martesat i kanë të ligjshme sepse distancohen ndërmjet tyre me hapësirën ligjore dhe nga kjo nuk e ndotin farefisin.

Xhaxhai dhe nipi mund të jenë bashkëdhëndurrë tek një fis tjetër dhe martesat e tyre të jenë të ligjshme.

Si rrjedhim, sipas kryepeshkopit të Ohrit Grigori ka një martesë të ligjshme, prandaj sulmi kundër tij del jashtë kuadrit ligjor dhe kanonik.

Kjo letër zyrtare e kryepeshkopit të Ohrit e ka qetësuar Kryezotin e Arbërisë, Grigorin.

Pa dyshim që Grigori e ka përdorur këtë letër si një argumentim përfundimtar.

Mund të kuptojmë se martesën e tij Grigori me Komnenën të venë e Dhimitrit, duhet ta ketë kurorëzuar në kryekishën e peshkopatës së Ohrit dhe jo në atë të peshkopatës së Krujës.

Por konflikti nuk përfundon. Kryepeshkopi i Krujës reagon përsëri.

Ne njohim letrën që kryepeshkopi i Ohrit i dërgon atij të Krujës në vitin 1215.

Dhimitër Kamationi shkruan “Prej kohësh është paraqitur nga ne një letër lidhur me martesën e përfolur që përmban gjerësisht mendimin tonë lidhur me këtë, që e konsideron legale kryerjen e kësaj martese në bazë të vëzhgimeve të nxjerra nga vendime dhe kanune të lashta”.

Pasi citon emra juristësh në letër përmendet dhe sundimtari i Krujës i quajtur Pliti.

Pliti emërtohet me të njëjtën shkallë hierarkie “pansevast” po ashtu si Grigor Kamona.

Asnjë historian nuk është thelluar dhe nuk ka folur për Plitin e Krujës.

Kuptohet që Pliti është ai që ka shtyrë kryepeshkopin e Krujës në këtë luftë për pushtet kundër Grigorit.

Fakti që Pliti është qeveritar që ka rezidencë Krujën, tregon se është shumë i rëndësishëm.

Kruja qe rezidencë e dyfishtë, peshkopale dhe shtetërore. Ajo qe kryeqendra e Shtetit të Arbrit.

Pliti, të cilit nuk ia dimë mbiemrin mund të ketë qenë një nga bujarët arbëreshë, që ka pretenduar të bëhet kryezot i Arbrit.

Ai ka përfaqësuar partinë politike kundërshtare, kundër partisë tjetër të përkrahur më shumë dhe më qartë nga Komnena e veja e Dhimitrit.

Kjo është arsyeja që nismën e martesës mund ta ketë marrë Komnena si një aleancë politike me Grigorin, i cili deri në atë moment, pra para martesës, qe guvernatori i Despotatit të Epirit.

Martesa me karakter absolut politik bëri të mundur që partia politike e të vesë së Dhimitrit të fuqizohet me anë të të Grigor Kamonës, duke i dhënë kështu këtij të fundit privilegjin e shtetarit të parë, të kryezotit të Arbërit.

Nga Guvernator i Despotatit të Epirit, Grigori triumfon në luftë politike ndonëse ka kundërshtarë shumë të fuqishëm dhe kryesorë si Pliti dhe Kryepeshkopi i Krujës.

Por është fakt që sundimi i Grigorit në vitet e ardhshme është plot kontradikta dhe shprehje e një dekadence të shtetit.

Për fat të keq emri i Plitit i cili qe një “pansevast” me titull të madh hierarkik dhe pretendues për fronin, nuk del më në kronikat historike.

Dua të shtoj dhe diçka tjetër të veçantë nga letrat e Dhimitër Kamationit.

Kështu në një letër të shkruar në maj 1223, kryepeshkopi i Ohrit shtjellon një teori për ligjshmërinë e një Testamenti ku përfshihen të gjithë ata, që gëzojnë sipas ligjit të drejtën e trashëgimit.

Rasti i testamentit lidhet me një familje nga qyteti i Durrësit.

Një banor durrsak me peshë të madhe në Durrës i quajtur Gjergj Alyati i shkroi një letër Kryepeshkopit të Ohrit, ku i shpjegon se i ndjeri Gjon, babai i vjehrrit të tij Tanushit, kishte qenë baba i shtatë djemve.

Katër prej tyre, që i lidhi me martesa të ndryshme u dha nga pasuria e tij pjesë të përshtatshme.

Gjithashtu martoi dhe Tanushin dhe Thomain dhe që në fejesë u bëri marrëveshje martesore për t’u ndarë dhe atyre pjesët përkatëse të pasurisë etj., etj.

Gjoni para vdekjes e shkruan testamentin dhe cakton kujdestar të pasurisë gruan dhe djalin e tij Tanushin.

Pas një kohe të shkurtër, disa katastrofa dhe trazira ngjajnë në jetën e Tanushit, të cilat e bëjnë atë të banojë afër Dibrave, për një kohë të shkurtër si parik.

Kjo mungesë e Tanushit rrezikoi që pasuria e Gjonit të ndahej në mënyrë të padrejtë nga të tjerët.

Po kështu edhe nëna e Tanushit që jetonte brenda në kështjellën e Durrësit, para vdekjes e bëri testamentin e saj, duke mos i përmendur djemtë e tjerë.

Kështu Tanushi nuk përfitoi nga trashëgimi i të atit, por dhëndrri i Tanushit i quajtur Gjergj Alyati, nuk e le çështjen me kaq.

Ai kërkon ligjshmërinë e testamentit, sepse i takon dhe atij pjesa e vjehrrit të tij, Tanushit.

Padashur të hyj në hollësira mund të them se përgjigjja e Dhimitër Komationit është një ndërthurje juridike plot referenca ligjesh që përbën në vetvete një traditë juridike mesjetare të shqiptarëve në shekullin XIII.

Së fundi, nuk mund të lemë pa vënë në reliev edhe një çështje të diskutuar në një tjetër letër të Komationit të shkruar në vitet 1233-1234.

Përgjigja është konform pyetjes, si në një intervistë të kohëve moderne.

Ja teksti:

Pyetje: Çfarë tregon thënia:- “Skllavi të mos flasë lirisht”, që e kanë zakon ta shkruajnë noterët?

Përgjigje: Skllavëria e njerëzve të skllavëruar me dhunë, kaq shumë u është gozhduar atyre që e kanë, sa që skllevërit të mos munden jo vetëm në vetë përmasat e skllavërisë të ngrenë zërin, ashtu si u përket fisnikëve dhe të lirëve kundër zotërve të tyre, por edhe në qoftë se do ta meritojnë lirinë këta skllevër nuk mund të ngrenë lart një zë të tillë. Prandaj, si gjobë për të folurin lirisht të skllevërve që kanë fituar lirinë, u është caktuar prapë skllavëria. Sepse si skllavi ashtu dhe skllavi i liruar privohen tërësisht të flasin lirisht”.

 

Ky pasazh tregon qartë se institucioni i skllavërisë ekzistonte në trojet e juridiksionit të kryepeshkopatës së Durrësit dhe të hapësirave të vetë shtetit të Arbërit.

Janë dhe disa dhjetëra letra të tjera të Dhimitër Kamationit.

Një letër i drejtohet Teodor Gliqit nga krahina e Margëlliçit në Çamëri, për të drejtat e fëmijëve në trashëgimin e pasurisë së prindërve.

Një letër tjetër bën arbitrazhin në grindjen ndërmjet peshkopit të Butrintit dhe të një manastiri në Çamëri etj. etj. Të gjitha këto letra janë një thesar informacioni.

Ato mund të ishin subjekti i një libri më vete.

Dhimitër Kamationi është një intelektual i një rendi të lartë për kohën dhe roli i tij ekuilibrues  e sqarues në grindjet politike dhe në paqartësitë juridike të kohës, është gati vendimtar.

 

***

Substanca e romanit është.

Mungon përpunimi,intriga kryesore,struktura, ekuilibri i reales me imagjinatën, ngjizja e metaforave.

Por përbrenda detajeve fshihet gjithsesi një Shekspir shqiptar, veçse përjetësisht i padukshëm, që mund të lindëte, por nuk lindi dot.

E kishte  te pamundur !

 

Por kjo mungesë është përsëri ftillesë e paeleminueshme dot.(Durrës, 17 Shkurt 1989)

 

March 22, 2019 13:14
Komento

2 Komente

  1. Donald March 22, 21:49

    Zoti te dhente shendet i nderuari Moikon
    Flm shume per keto shkrime qe na jep mundesi te njohim kulturen qe politika po na shkateron

    Reply to this comment
  2. demo March 23, 04:38

    shendoshe Manastiri,se murgj gjen sa te duash o Kozma!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*