Tensione në seancën e Vetingut për kreun e Apelit Hysni Demiraj

February 14, 2019 14:08

Tensione në seancën e Vetingut për kreun e Apelit Hysni Demiraj

Seanca dëgjimore me kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj i ofroi të gjitha: dyshime, replika, një mal me denoncime nga një koleg gjyqtar dhe në fund u mbyll me irritimin e tre qytetarëve të pranishëm në sallë, të cilët e akuzuan atë për një vendim të padrejtë.

Demiraj u paraqit i vetëm para trupit gjykues mesditën e së mërkurës, i ndihmuar nga materiale të shumta në format A4 mbi tavolinën e tij. Seanca drejtohej nga Roland Ilia, relatorja Pamela Qirko dhe anëtarja Etleda Çiftja, ndërkohë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit përfaqësohej nga Theo Jacobs.

Përgjatë dy orëve të seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi probleme me pasurinë dhe me një sërë vendimesh të dhëna nga Demiraj, ndërkohë që ky i fundit i kundërshtoi gjetjet dhe shprehu bindjen se bën pjesë në 20-30 gjyqtarët më të mirë të vendit.

Hysni Demiraj e ka filluar karrierën në fillim të viteve ’90 si hetues dhe më pas si prokuror në Tropojë. Në mesin e viteve ’90 ëshë emëruar gjyqtar në Gjirokastër, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2009, kur u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Ndërsa në vitin 2016 u zgjodh kryetar i kësaj gjykate.

Rivlerësimi përfshiu rreth 22 vite të karrierës së Demirajt në gjyqësor, edhe për shkak të një denoncimi që kthente në kujtesë një ngjarje të vitit 1997 në Gjirokastër, ku Demiraj akuzohej se kishte qëlluar me armë, ndërsa kishte mbetur i plagosur edhe një gjyqtar.

Gjatë seancës u përmendën gjithashtu dyshime për favorizimin e tij nga një kompani ndërtimi në Tiranë, e gjykuar më pas nga Demiraj, një konflikt me shoferin e gjykatës së Apelit si dhe një mori vendimesh gjyqësore, të konsideruara nga Komisioni me probleme, mes të cilave edhe masa e sigurisë për ish-gardistët e ngjarjes së 21 Janarit.

Demiraj u përball gjithashtu me komente të hidhura të përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs për etikën e gjyqtarit lidhur me një borxh prej 5 milionë lekësh marrë nga një biznesmen në Gjirokastër. Demiraj kundërshtoi të kishte shkelur etikën, ndërsa e interpretoi atë me të drejtën zakonore.

“Unë jam kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pas 35 vitesh punë kam një gjysmë shtëpie dhe një post parkimi,”tha Demiraj. “Unë nuk kam shitur drejtësi dhe nuk kam futur duart në xhepat e shqiptarëve,” përsëriti disa herë ai.

Shtëpi e blerë me hua

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës zotëron sipas deklaratës “veting” një apartament me sipërfaqe 141.4 metra katrorë në rrugën e Kavajës, e blerë për 65 751 euro dhe një garazh prej 29.2 metra katrorë me vlerë 8 mijë euro.

Sipas relatores Qirko, kjo pasuri ka si burim të deklaruar të ardhurat nga pagat, një hua prej 5 milionë lekësh, e marrë në vitin 2006 si dhe një hua prej 30 mijë eurosh që gjyqtari Demiraj i ka marrë të vëllait në vitin 2013.

Komisioni konstatoi se çmimi i apartamentit ishte 412 euro/m2, çka ka ngritur dyshime për marrëdhënie preferenciale mes gjyqtarit Demiraj dhe kompanisë së ndërtimit. Ky dyshim është përforcuar edhe nga një kontratë për ndërtim garazhi, fillimisht me çmimin 12 500 euro dhe më pas e ndryshuar në 8 mijë euro.

“Shuma e paguar është më e ulët se blerësit e tjerë,” tha relatorja, duke përmendur se e njëjta kompani aplikonte çmime deri në 800 euro/m2. “Subjekti dha shpjegime dhe solli kontrata të ngjashme, si dhe pretendoi se nuk është trajtuar në mënyrë preferenciale. Shpjegimet dhe provat do të trajtohen në mënyrë objektive nga Komisioni,” shtoi Qirko.

Komisioni konstatoi gjithashtu se subjekti nuk kishte provuar që huadhënësi, që siç u bë me dije më vonë ishte një biznesmen nga Gjirokastra, kishte pasur likujditete të mjaftueshme. Analiza financiare e KPK-së ka arritur në përfundimin se edhe vëllai i gjyqtarit nuk kishte burime të mjaftueshme për dhënien e borxhit prej 30 mijë eurosh.

Në deklaratat e pasurisë, gjyqtari Demiraj ka deklaruar se e ka kthyer borxhin prej 5 milionë lekësh me këste. Sipas Komisionit, ai nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për shlyerjen e kësteve ndaj biznesmenit dhe as për 2 mijë euro që deklaron se ia ka kthyer të vëllait.

Borxhi prej 5 milionë lekësh zuri një pjesë të konsiderueshme të debatit, pasi vëzhguesi i ONM-së, Jacobs i kërkoi Demirajt të sqaronte marrëdhëniet me shtetasin P.K si dhe një opinion nëse e kishte kapërcyer vijën e etikës me marrjen e 5 milionë lekëve nga një biznesmen.

“Ne kemi një shprehje, që nuk e di nëse e keni ju këtu: nuk ekziston diçka e tillë si dreka falas. A nuk mendoni se e keni vendosur veten në një situatë vulnerabël në këtë rast,” pyeti Jacobs.

Demiraj tha se e njihte biznesmenin për shkak të miqësisë së hershme që ai kishte me familjen e bashkëshortes dhe se ai i kishte ofruar ndihmë, pa i kërkuar borxh. Gjyqtari shtoi se në vitin 2006 u votua anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ishte i shqetësuar pasi nuk kishte ku të banonte në Tiranë. Ai shtoi se fillimisht biznesmeni e kishte këshilluar t’i merrte paratë borxh tek familja e bashkëshortes, por Demiraj i ishte përgjigjur se “aty kishte marrë gruan dhe nuk mund të merrte gjë tjetër”.

“Të nesërmen më ka ardhur në zyrë dhe më ka sjellë 5 milionë lekë cash. Kontrata është bërë pas 3 muajsh. Nuk kam shkelur asnjë kod etik, kur një person i afërm i njerëzve të bashkëshortes dhe i imi është i gatshëm të ofrojë ndihmë pa ia kërkuar,” tha Demiraj, ndërsa shtoi se “kjo është e vërteta, ky është edhe zakoni”.

Jacobs e shtyu më tej debatin, duke theksuar se nuk po flisnin për Kanunin dhe e këshilloi Demirajn të lexonte mbi detyrimet etike të gjyqtarit. Ai tha gjithashtu se Demiraj kishte barrën e provës, por nuk kishte dokumentuar se biznesmeni i kishte pasur paratë për t’i dhënë atij borxhin.

Gjyqtari Demiraj nënkuptoi se Jacobs nuk e njihte të drejtën zakonore në Shqipëri, ndërsa këmbënguli se shuma ishte një hua e shlyer.

“Nëse unë do të kisha 40 mijë euro, si do të mund të rrisja dy fëmijë në ato kushte, në atë shtëpi me qera që kam jetuar,” tha ai. Ai shtoi gjithashtu se kishte qenë në vështirësi financiare për të kthyer pas borxhin, për shkak se bashkëshortja e tij kishte qenë pa punë.

“Kam shtrirë këmbët sa e kisha jorganin për të paguar borxhin,” tha ai.

Marrëdhëniet me kompaninë e ndërtimit, prej së cilës kishte blerë shtëpinë dhe garazhin u bënë gjithashtu pjesë e debatit. Relatorja Qirko tha se Demiraj kishte gjykuar një çështje në vitin 2013 me palë aksionerët e kompanisë së ndërtimit, V.D dhe M.D ndërsa ngriti dyshime për qëndrimin e tij në trupën gjyqësore, ndërkohë që në një rast të ngjashëm ishte larguar nga gjykimi.

Demiraj u mbrojt me argumentin se kontrata e sipërmarrjes nuk parashikohet si konflikt interesi nga Kodi i Procedurës Civile, por u përball sërish me pikëpyetjet e Jacobs.

“Çfarëdo që të citoni, ai është një konflikt interesi. Pas atij vendimi, garazhi që ju keni blerë dyfishohet në përmasë dhe ulet në çmim. Aspak e zgjuar,” tha vëzhguesi i ONM-së.

Por Demiraj e quajti këtë një vulgarizim të çështjes dhe mohoi të kishte përfituar. Ai ironizoi se bëhet fjalë për 12 mijë euro, kur nga ana tjetër janë tre gjyqtarë dhe pesë palë në proces, ndërsa garazhi sipas tij sot nuk shitet as 5 mijë euro.

Denoncimet nga gjyqtari

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Demiraj është vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte konstatuar disa mangësi në dosjet e analizuara.

Por 24 denoncime të mbërritura në KPK, një pjesë e të cilave nga A.M, që u identifikua nga Demiraj si ish-kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës e rrezikojnë atë edhe në kriterin e aftësive profesionale.

Sipas relatores Qirko, denoncuesi A.M ka informuar se subjekti kishte goditur me armë në vitin 1997 kolegun e tij me inicialet G.B, sot ish-gjyqtar.

“Komisioni ka marrë në pyetje G.B dhe subjekti ka dhënë shpjegimet e tij në lidhje me ngjarjen. Ai ka paraqitur gjithashtu një kopje të gazetës “Koha Jonë” si dhe një vendim gjyqësor,” tha Qirko, ndërsa shtoi se shpjegimet do të vlerësoheshin me objektivitet.

Gjyqtari Demiraj e shpjegoi ngjarjen e ndodhur në ’97 në një dritë tjetër, ndërsa tha se qëllimi i tij ishte të lajmëronte forca shtesë të policisë pas një sulmi mbi gjykatën, ku ai ishte goditur me levë ndërsa një punonjës policie kishte mbetur gjithashtu i plagosur. Demiraj shtoi se sulmi ndodhi pas dënimeve të disa personave nga Lazarati si dhe pengmarrjes së ish-drejtorit të policisë së Gjirokastrës.

“Në Gjirokastër kemi punuar në një situatë të jashtëzakonshme në ’97, policia nuk kishte asnjë pushtet mbi Lazaratin. Nëse do isha në të njëjtën situatë, 1 mijë herë do ndërhyja…,” tha Demiraj.

Por vëzhguesi i ONM-së ngriti pikëpyetje edhe mbi këtë ngjarje, duke e krahasuar Demirajn me aktorin amerikan të filmave Western, Xhon Uejn, ndërsa vuri në dyshim trajnimin e tij për të përdorur armë. Reagimi i Jacobs i ngriti tonet, ndërsa Demiraj tha se ai po fliste për vitin 1997 si të ishte viti 2019.

“Ngjarja nuk ka qenë për t’u sjellë si kaubojs, por për të mbrojtur jetën time në radhë të parë, sepse isha gjuatur me levë hekuri. Pastaj u ndikova dhe emocionalisht, pasi pashë policin me kokë të çarë,” tha Demiraj, ndërsa shtoi se mbi 70% e gjirokastritëve e dinë se ç’ka ndodhur.

Komisioni konstatoi gjithashtu se vendimi i Demirajt për masën e sigurisë së njërit prej gardistëve të 21 Janarit ishte kthyer mbrapsht nga Gjykata e Lartë si dhe renditi denoncime të tjera që lidheshin me një gjyq trashëgimie, një kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues si dhe një konflikt mes tij dhe shoferit të Gjykatës së Apelit.

Demiraj i cilësoi denoncimet nga kolegu i tij gjyqtar si lajthitje, ndërsa sqaroi se Gjykata e Lartë kishte marrë vendime të ndryshme për të njëjtën çështje për të akuzuarit e 21 Janarit.  Ai tha se gjatë gjithë punës së tij kishte zbatuar ligjin dhe kishte dhënë drejtësi.

“Kjo sallë nuk e nxë djersën dhe dinjitetin e këtij gjyqtari,” tha Demiraj në fund të seancës dëgjimore, duke përsëritur se në 35 vite punë kishte vetëm një shtëpi dhe një garazh. Ai shtoi se e priste me qetësi vendimin, por kërkonte konfirmimin në detyrë.

Fundi i seancës dëgjimore solli momente tensioni, pasi tre qytetarë të pranishëm në sallë, palë në një proces gjyqësor kërkuan fjalën dhe e akuzuan Demirajn për korrupsion. Pasi u nxorrën jashtë nga salla, njëri prej tyre, Luan Llapaj akuzoi i irrituar për vendim të padrejtë dhe atë që ai e quajti vjedhje të pronës së tyre.

Aleksandra Bogdani / Gazetare e BIRN Albania

February 14, 2019 14:08
Komento

4 Komente

  1. enno February 14, 18:48

    35 vjet hajdut ky kriminel gjyqtar. paska qelluar dhe kolegun me arme. Imagjinojeni nga cfare monstrash gjyqtaresh gjykohen shqipetaret.
    Te shkosh te kerkosh te drejten tek ky monster.

    ptu… racce e ndyre tropojan i peshtire. Hjadut.

    Reply to this comment
  2. Monika , NEPERKA PIKA - PIKA February 14, 19:08

    Po ky , malok Vicidolas te jete thua…? Te gjithe ata qe gezojne perkrahjen e shpellarit mesjetar serb , Sali Berishes , pa as me te voglin dyshim , duhen flakur jo vetem nga drejtesia , por edhe si banor te Tiranes ! Tipik mafioz ! ! !

    Reply to this comment
  3. Popullore February 14, 22:48

    Hysni Demiraj e ka vendin ne burg!

    Reply to this comment
  4. Adih February 14, 23:33

    Hej ,ju komentues lart ,mos me akuzoni ,per te mare kete post ,kam paguar te vendi i emerimeve 200mije Euro ,dhe duhen ti zevendesoj keto shuma . Seshte ,e lehte te vije une koklopa nga Vucidoli dhe te shkoj ne majat e larta ,te sistemit te zhdrejtesise ..Dru me pre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin