Tensioni turko-gjerman, ministri turk sulmon Merkelin

August 17, 2017 20:03

Tensioni turko-gjerman, ministri turk sulmon Merkelin

Ministri turk i ngarkuar me çështjet e BE-së, Omer Çelik u hodh në sulm ndaj Kancelares gjermane Angela Merkel, i indinjuar prej komenteve të saj mbi frenimin e ekspansionit të një unioni doganor mes Ankarasë e Brukselit.

Shefja e ekzekutivit gjerman u tregua mjaft e prerë të mërkurën, kur sqaroi se nuk do të ketë zgjerim të një unioni të tillë dhe asnjë thellim të marrëdhënieve Turqi-BE, pas mosmarrëveshjeve që kanë shpërthyer prej masave të ashpra të ndërmarra prej autoriteteve turke në vazhdën e tentativës së dështuar për grusht shteti.

Fjalët e saj nuk janë pritur mirë në Ankara.

“Kjo është një deklaratë e pavend. Na duhet ta theksojmë se, asnjë shtet anëtar i BE-së nuk duhet t’i japë urdhra institucioneve të bllokut apo proceseve të tij. Mënyra sesi i merr BE-ja vendimet e saj mbështetet mbi disa parime dhe procedurat janë të mirëpërcaktuara. Të tilla situata janë tejet të rrezikshme. Pohime si këto cënojnë besueshmërinë e Bashkimit Europian”, tha Omer Çelik, ministri turk për çështjet e BE-së.

Çelik argumenton se nga bashkimi doganor do të përfitonin në të njëjtën masë të dyja palët, si Turqia, ashtu dhe BE-ja.

“Ama Brukseli, – shton ai, – sillet sikur po na bën nder. Lejomëni të jem shumë i qartë për këtë çështje. Ne nuk kemi asnjë nxitim”, ishte komenti i tij.

Çelik i kërkoi Berlinit të jetë bashkëpunues lidhur me kërkesën e ekstradimit të paraqitur nga Turqia për lektorin e teologjisë, Adil Oksuz, nën dyshimin se ka pasur rol madhor në komplotin e përmbysjes së pushtetit. Mediet turke pretendojnë se Oksuz është pikasur në Frankfurt dhe Ulm dhe se landi gjerman Baden-Württemberg i ka dhënë leje të përkohshme qëndrimi.

August 17, 2017 20:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*