Teoritë e pansllavizmit dhe praktika e hidhur

Shaqir Vukaj May 3, 2015 08:49

Teoritë e pansllavizmit dhe praktika e hidhur

Vijon nga numri i kaluar

 

Në mënyrën e vet e kuptonin dhe e trajtonin pansllavizmin sllavët e Jugut, veçanërisht serbët dhe disa ideologë të tyre. Ata synonin bashkimin e të gjithë sllavëve të jugut, pavarësisht katolikë (kroatët e sllovenët), ortodoksë (serbët, maqedonasit, malazezët) apo myslimanë (boshnjakët dhe banorët e Sanxhakut), por në variantin e pansllavizmit serb, duke i emërtuar këta popuj: “Kombi serb me tre besime fetare”. Ideja e “Serbisë së Madhe” i binte ndesh interesave të Rusisë, sepse sipas variantit serb të pansllavizmit, në asnjë mënyrë nuk pranohej roli udhëheqës i Rusisë, e cila me çdo kusht donte të sundonte në Ballkan. Garashanini, autori i “Naçertanies” (guri themeltar i politikës së jashtme serbe) shkruante se “Serbia nuk mund të arrijë në asnjë mënyrë qëllimet e veta, veçse në marrëveshje me Rusinë. Por, kjo është e mundur vetëm atëherë kur ajo (Rusia) të pranojë kushtet e Serbisë”. Si rezultat i luftës ruso-turke të viteve 1876-1878 Bullgaria dhe Serbia fituan pavarësinë (Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit). Ato, sapo krijuan shtetet e tyre sllave i kthyen shpinën Rusisë (në vitin 1881, Serbia nënshkroi marrëveshjen me Austro-Hungarinë, ndërsa Bullgaria u orientua krejtësisht nga Gjermania). Periudha 1880-1890 shënon një nder periudhat kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë nga njëra anë dhe, Rusisë e Bullgarisë nga ana tjetër, kanë qenë ndër më të acaruarat. Por jo vetëm midis Rusisë dhe këtyre vendeve, por edhe midis Serbisë dhe Bullgarisë. “Vëllezërit sllavë” serbë e bullgarë, jo vetëm u armiqësuan, por në vitin 1985 Serbia i shpalli luftë Bullgarisë dhe deri më sot, serbët dhe bullgarë kanë zhvilluar katër luftëra kundër njëri tjetrit.

Në Poloni pansllavizmi trajtohej ndryshe. Sipas disa ideologëve polakë, pansllavizmi duhej të shërbente si bazë ideologjike për krijimin e federatës pansllave, e cila do të bashkonte shumicën e popujve sllavë, me përjashtim të popujve që bënin pjesë në Perandorinë Ruse e më vonë në Rusinë Sovjetike (rusë, ukrainas, bjellorusë).

Në fillim te shekullit 20-të, mbi bazën e pansllavizmit lindi neosllavizmi, që kishte të njëjtat qëllime, por që sipas autorëve të saj, popujt sllavë duhej të ishin të barabartë, por jo nën drejtimin e Rusisë.

Parimet teorike të pansllavizmit u vunë realisht në provë gjatë Luftës Parë dhe të Dytë Ballkanike. Në tetor të v.1912 u krijua Aleanca Ballkanike ku bullgarët, serbët dhe malazezët (me ndihmën e Greqisë), të mbështetur nga Rusia, i shpallën luftë Turqisë. Mbasi i përzunë turqit nga vendet e tyre, në vend që të forcohej bashkëpunimi e uniteti sllav, ata u përçanë keqas, prishën marrëveshjen e arritur për ndarjen e tokave të pushtuara maqedonase dhe shqiptare, i kthyen armët njëri tjetrit dhe filluan Luftën e Dytë Ballkanike, ku Serbia dhe Bullgaria u përleshën ushtarakisht ashpër me njëra tjetrën. Në anë të ndryshme të frontit u vunë sllavët gjatë Luftës Parë Botërore. Sllavët e Perandorisë Austro-Hungareze dhe bullgarët u rreshtuan si aleatë të Gjermanisë dhe luftuan kundër rusëve dhe sllavëve të tjerë që u përfshin në Antantë.

Edhe më e dukshme u bë kjo në prag të Luftës Dytë Botërore. Polonia sllave firmosi Marrëveshjen e Munihut dhe shiti interesat e “Çekosllovakisë sllave”, dhe mbas kësaj, pushtoi një pjesë të Silezisë Teshinit, territor i Çekosllovakisë “motër”. Bashkimi Sovjetik, nën pretekstin e sigurimit të popullsive sllave (rusë, ukrainas, bjellorusë) sipas Paktit Molotov Ribentrop ndau me nazistët gjermanë Poloninë dhe pushtoi territore të Republikës Dytë Polake.

Mosmarrëveshjet, përçarja e urrejtja brenda “familjes së madhe sllave” doli edhe më qartë, madje tepër egërsisht, gjatë Luftës Dytë Botërore, kur popujt sllavë ju kundërvunë me armë njëri tjetrit. Kështu Bullgaria, si aleate e Gjermanisë naziste u vu përballë Jugosllavisë dhe pushtoi një pjesë të territorit të saj, shteti i “pavarur sllovak” dërgoi trupat kundër “vëllezërve rusë”, ukrainasit perëndimorë luftuan kundër rusëve dhe polakëve, kroatët kundër serbëve etj.      

Mosmarrëveshjet midis Rusisë dhe Polonisë janë shekullore, të paktën që nga shekulli XVI ato kanë luftuar kundër njëra tjetrës, ku pushtimet alternoheshin herë nga njëra palë, herë nga pala tjetër, gjë që kishte sjellë si pasojë që, në ndërgjegjen e dy popujve të ngulitej thellë urrejtje për njëri tjetrin. Duke qenë kufitarë me njëri tjetrin, gjatë historisë kjo ndjenjë kishte përfshirë dhe ukrainasit e bjellorusët nga njëra anë, e polakët nga ana tjetër. Por edhe tek një pjesë e ukrainasve të Ukrainës Perëndimore, urrejtja kundër rusëve nuk ishte më e vogël se ajo polakëve ndaj rusëve apo anasjelltas. Do të përmend vetëm dy shembuj tepër kuptimplotë nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Paktit Molotov-Ribentrop (Protokollit Sekret shtesë) Bashkimi Sovjetik ndërmori “Fushatën polake” dhe pushtoi tokat e Ukrainës Perëndimore dhe të Bjellorusisë (të përfshira brenda kufijve të Polonisë sipas traktatit të Paqes së vitit 1921). Sipas të dhënave të Arkivit Shtetëror Ushtarak të Rusisë, në kampet sovjetike u gjenden rreth 450 mijë robër polakë, nga të cilët rreth 130 mijë vetë u mbajtën në kampet e Ministrisë së Brendshme. Sipas një vendimi të posaçëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste Sovjetike, brenda një periudhe rreth një mujore janë pushkatuar rreth 24 mijë oficerë e kuadro të lartë që përbenin elitën e kombit polak, që tashmë njihet si Çështja e Katinit.

Një ngjarje e përgjakshme midis “vëllezërve sllavë” polakë e ukrainas dhe që tashmë ka hy në histori si tragjedia e Volinit, ka ndodhur gjatë vitit 1943. Volini, një rajon që sot ndodhet në Veri-Lindje të Ukrainës, krahas ukrainasve banohej nga polakë, gjermanë dhe hebrenj. Mbas pushtimit të këtij rajoni nga gjermanët, hebrenjtë ose i zhdukën ose i çuan neper kampe, ndërsa gjermanët i shpërngulën në rajone të tjera. Ukrainasit, të ndihmuar e të mbështetur nga nazistët gjermanë, duke dashur të spastrojnë rajonin dhe ta kthejnë në zonë të “pastër etnikisht” ukrainase, bënë krime të padëgjuara kundër polakëve dhe siç shkruajnë studiues të ndryshëm, brenda një periudhe të shkurtër vranë rreth 100 mijë polakë, ndërsa polakët vranë rreth10 mijë ukrainas, duke u kthyer në një ndër tragjeditë më të përgjakshme midis popujve sllavë…..

Marrëdhëniet serbo-kroate kanë qenë historikisht të tendosura, madje sipas disa studiuesve, ata bëjnë pjesë nder ata popuj sllavë që kanë pas më shumë kontradikta, mosmarrëveshje e urrejtje për njëri tjetrin. Pavarësisht se në vitin 1918 kroatët dhe serbët i kishin bashkuar në një shtet, në ndërgjegjen e secilit prej tyre ruhej e madje nxitej urrejtja për njëri tjetrin. Konflikti ishte i hershëm, por ai ishte thelluar me daljen hapur të disa qarqeve serbe me ide shoviniste ultra nacionaliste, sipas të cilave, të gjithë popujt sllavë të Ballkanit janë serbë. Mbas krijimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në vitin 1918 (nga viti 1929 ajo u quajt Jugosllavi) serbët ishin komb sundues. Në shumë qarqe kroate punohej për pavarësinë e Kroacisë, një ëndërr e vjetër e patriotëve kroatë. Kjo ide u shfrytëzua gjatë Luftës Dytë Botërore nga pushtuesit gjermanë e italianë, të cilët, në kuadrin e copëtimit të Jugosllavisë, krijuan shtetin e “pavarur” të Kroacisë, ku përfshin dhe një pjesë të Bosnje Hercegovinës. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 1931 në Kroaci jetonin rreth 630 mijë serbë ose rreth 19 përqind e popullsisë. Regjimi pronazist, i ustashëve, duke u mbështetur në të njëjtën ideologji, njëlloj si ultra nacionalistët serbë, të krijimit të shtetit të pastër etnikisht kroat, si dhe në teorinë e “origjinës ariane”(sipas së cilës, kroatët nuk ishin të origjinës sllave), ndoqi një politikë antiserbe të tillë sa disa studiues e vlerësojnë si gjenocid ndaj serbëve. Sipas drejtuesve të shtetit kroat, që ndonjëri prej tyre e shprehte hapur kur deklaronte se: “Një pjesë të serbëve ne do ta shfarosim, të tjerët do ti dëbojmë, ndërsa ata që do mbesin do ti kthejmë ne fenë katolike dhe do ti bëjmë kroatë”. Dokumentet, dëshmitë etj. tregojnë për krime të padëgjuara kundër popullsisë serbe. Thuhet se janë zhdukur rreth 200 mijë serbë (sipas të dhënave të Muzeut Amerikan të Holokaustit, në Kroaci dhe Bosnjë Hercegovine numri i viktimave ka qenë 330-390 mijë serbë). Por të njëjtën gjë bënë edhe nacionalistët serbë (çetnikët) nëpërmjet spastrimeve etnike kundër kroatëve dhe boshnjakëve. Pavarësisht nga akuzat e ndërsjella, apo politika e pajtimit dhe “bashkim vëllazërimit” e ndjekur dhe propaganduar nga Tito dhe udhëheqja jugosllave, urrejtja për njëri tjetrin, nuk u shua asnjëherë, madje siç treguan ngjarjet e viteve 90-të, pritej rasti që ata të lanin “hesapet e vjetra” me njëri tjetrin….

Mënyra si u sollën ndaj njëri tjetrit ukrainas e polakë, serbë e kroatë janë vetëm dy shembuj se si traumat e nacionalizmit kishin marrë revan mbi unitetin sllav. Se si nacionalizmi i dha fund idesë së pansllavizmit, popujt e veçanërisht ata sllavë e panë gjatë Luftës Dytë Botërore, por përfundimisht u bindën edhe një herë mbas kësaj lufte, e veçanërisht në vitet 90-të e tani së fundi, gjatë luftës në Ukrainën Lindore.

Mbas Luftës Dytë Botërore, të gjitha vendet sllave u futën në rrugën e ndërtimit të shoqërisë socialiste. Në pamje të jashtme dukej se po shkohej drejt krijimit të një lloj federate sllave (nuk kanë munguar edhe emërtime të tilla si Federata Socialiste Sllave) ku fillimisht mund të fillohej me Federatën Ballkanike midis Jugosllavisë dhe Bullgaria. Por kjo ide, madje projekt, u shua shumë shpejt.

Megjithëse Rusia ka mbështetur historikisht Serbinë, madje për të, nën parullën e “mbrojtjes së vëllezërve te gjakut sllav” ajo u përfshi në Luftën e Parë Botërore, mbas kësaj lufte marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë tepër të ftohta, për të mos thënë armiqësore. Marrëdhëniet diplomatike midis tyre u vendosën vetëm në vitin 1940.

Mbas Luftës Dytë Botërore dhe krijimit të kampit socialist, që përbëhej në masë të madhe nga popuj sllavë (rusë, ukrainas, bjellorusë, polakë, çekë, sllovakë, bullgarë) dukej se do të shkohej drejt forcimit të unitetit e vëllazërisë sllave, por nuk ndodhi kështu.

Njihet kontributi i Bashkimit Sovjetik për të ndihmuar Jugosllavinë gjatë Luftës Dytë Botërore, por shpejt mbas kësaj lufte “vëllezërit sllavë të një gjaku” u prishen, madje kaluan në armiqësi të hapur. Pavarësisht se marrëdhëniet u përmirësuan, “buka e thyer” nuk u ngjit më dhe, marrëdhëniet me Jugosllavinë nuk u benë asnjëherë miqësore. Ajo nuk u përfshi në kampin socialist, nuk u fut në Traktatin e Varshavës apo në KNER. Mbas pushtimit të Çekosllovakisë në vitin 1968, për shumë qarqe politike, Jugosllavia mund të ishte objekti i ardhshëm i ndërhyrjes ruse…

Aleanca e krijuar mbas Luftës Dytë midis Bashkimit Sovjetik dhe Polonisë nuk u prit mirë nga shumë polakë që ishin mbrujtur historikisht me urrejtje ndaj rusëve, pavarësisht se Ushtria Kuqe e kishte çliruar Poloninë dhe Bashkimi Sovjetik kishte qenë iniciatori, kishte luftuar fort dhe ja kishte arritur që Polonia të zgjerohej dhe të arrinte në kufijtë që ka sot. Polakët e harruan shpejt ndihmën që u dha Bashkimi Sovjetik, dhe qëndrimi antirus tashmë u thellua duke u kthyer në qëndrim antisovjetik, që lidhej krahas tjerave me qëndrime në planin ideologjik e politik. E njëjta gjë ndodhi dhe me çekët e sllovakët më vonë, sidomos mbas vitit 1968. Megjithëse këta popuj (çekët e sllovakët) nuk trashëgonin nga e kaluara qëndrime armiqësore ndaj rusëve (duhet vënë në dukje se ideja e pansllavizmit kishte lindur dhe ishte zhvilluar pikërisht në tokat çeke, madje edhe Kongresi i parë Pansllav është mbajtur në Pragë në vitin 1848, me iniciativën e sllavistëve ceko-sllovakë) politika e nënshtrimit, e ndjekur nga Moska mbas Luftës Dytë Botërore ndaj Çekosllovakisë, veçanërisht mbas pushtimit të saj në vitin 1968, bëri që të ndryshonte krejtësisht qëndrimi i çekëve dhe sllovakëve ndaj rusëve duke u kthyer në urrejtje dhe qëndrim armiqësor. I vetmi vend sllav i bllokut sovjetik ku nuk kishte ndjenja të dukshme rusofobie ishte Bullgaria.

Zhvillimet e vrullshme (edhe të përgjakshme) të fundit të viteve 80-të dhe fillimit të viteve 90-të, vërtetuan edhe një herë se mbi çfarë miti ishte kërkuar të ndërtohej “uniteti dhe vëllazëria sllave”. Që me shpalljen nga Gorbaçovi të politikës së re, dhe heqjes dorë nga politika e “sovranitetit të kufizuar” të periudhës së Brezhnjevit dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve socialiste, ishin pikërisht vendet sllave që kërkuan dhe ja arritën të shkëputen nga Moska, por edhe që prishën menjëherë Traktatin e Varshavës dhe KNER-in. Madje ishte vetë Moska e para që e bëri një veprim të tillë.

Ishin republikat sllave brenda Bashkimit Sovjetik që kërkuan të parat, morën iniciativën dhe nënshkruan marrëveshjen për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, pra për ndarjen e sllavëve që për shekuj kishin jetuar bashkë. Pa u përmbysur plotësisht sistemi socialist, presidentët e republikave të Rusisë (Boris Jelcin), Ukrainës (Leonid Kravcuk) dhe Bjellorusisë (Stanisllav Shushkeviç) më 8 dhjetor 1991 në Bjellovezhsk (Bjellorusi) nënshkruan Marrëveshjen për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, që brenda pak ditësh u ratifikuan nga parlamentet e këtyre vendeve. Kështu u ndanë sllavët e Bashkimit Sovjetik, duke i hapur rrugën edhe problemeve e mosmarrëveshjeve midis tyre, që do të vinin më vonë, veçanërisht midis ukrainasve dhe rusëve. Megjithatë ishte shumë pozitiv fakti se ata u ndanë me të mirë, pa sherre të dukshme.

Krejtësisht ndryshe ndodhi në Jugosllavi. Për shumë arsye, shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashmangshme, madje sipas shumë studiuesve të çështjeve jugosllave, ndarja mund të bëhej vetëm me luftë midis “vëllezërve sllavë të Jugut””. Lufta aty u zhvillua jo për ruajtjen e Jugosllavisë, por për kufijtë e shteteve që do të krijoheshin mbas lufte.

Jugosllavia ishte një shtet i krijuar artificialisht, për interesa të Fuqive të Mëdha, por gjatë periudhës së shkurtër të ekzistencës së saj (1918-1991) krahas trashëgimisë, kishte krijuar një histori plot probleme, mosmarrëveshje, grindje e deri urrejtje të thellë midis disa popujve që e përbenin atë. Edhe “Bashkim Vëllazërimi” i Titos, që u bë promotori ideologjik i marrëdhënieve midis popujve të Jugosllavisë mbas Luftës Dytë Botërore, siç treguan ngjarjet e mëvonshme, i acaroi edhe më shumë më njëri tjetrin “vëllezërit sllavë”, ku nacionalizmi, pavarësisht nga vinte, ishte nxitësi e shkaktari kryesor. Vetëm armiqësia e një urrejtje e kultivuar thellë në ndërgjegjen e disa grupimeve nacionaliste (serbe në radhë të parë, por edhe të tjera) mund të çonte në ato krime të llahtarshme që bënë “vëllezërit” kundër njëri tjetrit. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Europa nuk kishte parë e dëgjuar për vrasje masive, shkatërrime e krime, si ato që ndodhen në luftërat midis serbëve e kroatëve, serbëve e boshnjakëve etj. Mbi 200 mijë të vrarë vetëm në Bosnjë, mbi 3 mijë qendra banimi të shkatërruara etj. Vetëm në Srebrenicë serbët vranë 8 mijë meshkuj boshnjakë (ndërmjet të cilëve fëmijë e pleq). Boshnjakët nuk kishin ardhur nga Anadolli e hapësirat aziatike të Turqisë apo shkretëtirat arabe, por sllavë të myslimanizuar, “vëllezër të një gjaku” me serbët, me të cilët kishin jetuar ose si fqinjë përgjatë shekujve ose brenda një shteti. Me dhjetëra mijëra të vrarë e masakruar numërohen në konfliktin serbo-kroat, pa përmendë shkatërrimet e pallogaritshme të qyteteve, fshatrave e monumenteve të kulturës.

Nuk flet në favor të “unitetit e vëllazërisë sllave” as situata e krijuar në Çekosllovaki mbas përmbysjes së sistemit socialist. Pavarësisht se në historinë e tyre çekët dhe sllovakët kanë jetuar për një kohë shumë të gjatë bashkë brenda Perandorisë Austro-Hungareze e më vonë brenda shtetit Çekosllovak edhe ata nuk mundën të jetonin bashkë në një shtet dhe, në vitin 1993 u ndanë, por u ndanë si vëllezër duke u bërë shembull për të gjithë sllavët e tjerë se si duhen ndarë vëllezërit e vërtetë, pa ngatërresa, pa qejfmbetje e kryesorja pa u lënë pasardhësve probleme të pazgjidhura. Tani, të ndarë, duket se janë të kënaqur të dy palët dhe marrëdhëniet i kanë më të mira, dhe bashkëpunimin e kanë siç duhet të jetë, normal dhe model, jo vetëm për popujt sllavë, por për të gjithë popujt e vendet kufitarë.

Në historinë moderne “vëllazëria sllave” vazhdon të përdoret për interesa nga më të ndryshmet, për çka flet shumë qartë shembulli i Kosovës. Dua të vë në dukje se ideja e pansllavizmit ka pas rendësi tepër të madhe në përcaktimin e politikes së Rusisë në konfliktin midis serbëve e shqiptarëve. Në mungesë të një ideje kombëtare, të aftë për konsolidimin e shoqërisë ruse, në fillim të viteve 90-të, në Rusi iu rikthyen ideve pansllave, duke i parë ato si bazë ideologjike për bashkimin e një pjese të konsiderueshme të hapësirës post sovjetike, aq sa në radhët e elitës politike ruse u përforcua ideja se, siç shkruante revista “Mezhdunarodnie Otnoshenia” në nr. 22, 1995, “Ta konsiderojmë Rusinë dhe gjithë botën sllave si njësi të pavarur, të civilizuar e të barabartë me pjesën tjetër të Europës”. Kësaj ideje nuk i kishte shpëtuar as presidenti i Rusisë, B.Jelcin, i cili në takimin me Millosheviçin, në qershor 1998, ndërmjet tjerave tha se “Ne nuk harrojmë se jemi vende sllave dhe mike”

Mbështetur dhe edukuar mbi bazën e stereotipave të tilla, të “lidhjeve të ngushta shpirtërore dhe të një gjaku me Serbinë” opinioni publik rus (me pak përjashtime), e në radhë të parë politikanët rusë, mbështesnin në çdo hap Millosheviçin. Do përmend vetëm pak shembuj. Që ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, në të katër anët e Rusisë u krijuan Komitete të posaçme për regjistrimin e dërgimin e vullnetarëve rusë në Kosovë për të luftuar kundër shqiptarëve dhe NATO-s. Vetëm brenda katër ditëve të para, (25-29 mars), janë regjistruar mbi 70 mijë vullnetarë. Nuk do përmendë deklaratat e pafund të politikanëve, ushtarakëve, historianëve etj., të Dumes (parlamentit) apo të Ministrisë së Jashtme të Rusisë në mbështetje të “vëllezërve serbë”. Millosheviçi kishte kohë që luante fort lojën e “vëllazërisë sllave”, por kur u bind se shumica dërmuese e politikanëve rusë po e mbështesnin me të gjitha mënyrat, bëri hapin e madh dhe kërkoi bashkimin e Jugosllavisë me aleancën Rusi-Bjellorusi, pra krijimin e një Aleance politiko-ekonomiko-ushtarake (ish ministri i jashtëm i Jugosllavisë së asaj kohe, V.Drashkoviçi e ka quajtur federatë) Sot duket e pabesueshme, por Duma Shtetërore e Rusisë, e aprovoi me shumicë dërmuese votash dhe në emër të “vëllazërisë ruso-serbe”vendosi fatin e Rusisë dhe ndoshta angazhimin e saj në luftë kundër NATO-s, njëlloj siç kishte bërë Rusia në vitin 1914, kur ajo, e pa përgatitur, për hatër të “vëllezërve serbë” u përfshi në Luftën e Parë Botërore. Vetëm publikimi i këtij vendimi, që kush e di ku do ta çonte Europën e më gjerë botën, i solli në vete rusët, e ndoshta u futi frikën.. … në radhë te parë presidentit Jelcin, i cili nuk e firmosi vendimin e parlamentit duke mbetur në letër ky vendim i parlamentit rus.

            Problemi i marrëdhënieve ruso-ukrainase është një temë tepër e gjerë, por edhe shumë e koklavitur. Fatkeqësisht marrëdhëniet midis këtyre dy popujve më te mëdhenj sllavë, nuk po zhvillohen në mënyrë miqësore e për më tepër vëllazërore. Pavarësisht se u ndanë me të mirë, edhe këto dy vende trashëguan shumë probleme të pazgjidhura, duke filluar me mosmarrëveshjet historike, problemet kufitare, ekonomike, ushtarake etj. Me kalimin e viteve, vërtet u zgjidhën disa probleme, por u thelluan dhe u shfaqen të reja. Ajo që ka dalë më në pah, veçanërisht kohët e fundit, janë jo vetëm problemet midis Ukrainës dhe Rusisë, rusëve dhe ukrainasve që jetojnë në Ukrainë, por ajo që tërheqë vëmendjen dhe është me të vërtet shqetësuese, është acarimi i marrëdhënieve brenda popullit ukrainas, midis ukrainasve të dy rajoneve, të Perëndimit dhe Lindjes.

Analistët që kanë ndjekur zhvillimet e fundit në Ukrainë e veçanërisht luftimet në Ukrainën Lindore, vënë ne dukje se atje nuk mund të bëhet fjalë për asnjë lloj “uniteti e vëllazërie sllave”. Pavarësisht, thonë disa prej tyre, atje luftojnë kundër njeri tjetrit jo përfaqësues të dy kombeve, por të një populli të ndarë.

Kështu është shkurtimisht historia e “unitetit dhe vëllazërisë sllave”, që, në vend që të përdorej për miqësimin e vëllazërimin e vërtetë midis popujve sllavë, fatkeqësisht është përdorur e vazhdon të përdoret nga politikat e mbrapshta për të ngatërruar, armiqësuar e madje, për të futur në luftë kundër njeri tjetrit popujt sllavë.

Shaqir Vukaj May 3, 2015 08:49
Komento

3 Komente

  1. Arben Metani May 3, 11:04

    Informacjone te panjohura per ne, por te pavlera per ceshtjen tone kombetare.

    Reply to this comment
  2. beni May 3, 11:33

    Problemi kryesor ka qen pozicioni i ideologjis kishtare e fetare kur u ndan ne katolik e ortodokse ne vitin 1040 me vone filluan qe vendet sllave qe pranuan katolicizmin si ideologji fetare te tyren ti pergjigjen negativisht vllezerve te tyre te krishtere ortodokse tashme,qe akoma nuk ishin shkeputur nga vija sociale e jezuskristos,qe perbente themelin e krishterimit te hershem!
    Me vone linden interesa te tjera mes industrializimit dhe sistemeve te reja politike,qe sllavet tashme si popuj te shendroheshin ne lojen e interesave te shteteve te industrializuara dhe doktrines se vatikanit teresisht djathtas ashtu sic e mbajn edhe shqiponjen koken e saj djathtas
    Shembulli tek kroatet e serbet esht i njellojte kurse tek bullgaret kan pas kontradita te medha ku luhej loja e gjermanis njelloj si me turqine per interesa ekonomike te gjermanise kur gjermania filloj te indusrializohej ne fillim te viteve 1900
    Rasti i ukraines perseri te dobesohej ekonomikisht russia konkurente kryesore ne mardhenjet ekonomike mes perendimit teresisht katolik dhe asaj russe ortodokse gjithashtu rolin amerikan ne kto mardhenje!

    Reply to this comment
  3. jazon May 3, 17:20

    Z. Metani! Jane shume te vlefshme edhe per politiken tone. Nuk jane te pa vlera.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*