Tërbaçi, një ‘bilanc’ nderi

Bexhet Rrapo February 20, 2016 15:36

Tërbaçi, një ‘bilanc’ nderi

Si çdo fshat në Lumin e Vlorës e krahinën e Labërisë, Tërbaçi ka shkëlqimin e vet të historisë me trimat e kapedanët, mendimtarët, heronjtë, dëshmorët e idealit kombëtar të çdo periudhe apo kthese historike.

Populli i këtij fshati ka qenë pjesëmarrës aktiv në ngjarjet kulmore të historisë, duke filluar nga Vlora, Janina, Meçova e Shqipëria e Mesme deri në Veri.

Tërbaçi si pjesë e trevës së Labërisë kreshnike vazhdimisht ka qenë i përfaqësuar me figura të qëndresës, guximit e trimërisë në mbrojtje të interesave të atdheut, qoftë kjo dhe në kohët më të vështira siç ka qenë pushtimi 500 vjeçar turk. Në këtë periudhë janë organizuar me çeta disa luftëtarë e prijës të cilët kanë bashkëpunuar dhe me çeta e luftëtarë të krahinave të tjera si Kurveleshi, Himara, Mallakastra etj. Këtu do të veçonim: Labe e Thanas Aliun, Lulo Abazaj, Mehmet e Ali Gjoka, Dulo Koka, Zenel Hodo, Selam Abazi dhe kryetrimi Shako Xhaka i cili ka qenë dhe komandant i çetës së Tërbaçit në Luftën e Meçovës, Greqi në 1854 ku komandant i përgjithshëm i shqiptarëve ishte Mehmet Bej Vlora, babai i Ismail Qemalit.

Në Tërbaç edhe gruaja në përmasa të gjera ka dhënë provat e forcës dhe trimërisë krahas me burrat, e tillë ishte Gego Bobja Skëndaj e cila luftoi përkrah me burrat më 1780 për mbrojtjen e kufijve.

Kurse legjendarja Miro Kosta Strati (Tërbaçja) është mishërim i trimëreshës labe e cila nëpërmjet aktit hakmarrës për vëllain me vrasjen e pashait turk në sarajet e tij në 1764, shpreh dhe revoltën e tërbaçjotëve e mbarë Labërisë ndaj politikave të pushtuesit. Po ashtu edhe në 1944 dëshmorët Anife Kiçaj e Taze Çela.

Pjesëmarrja e tërbaçjotëve në mbrojtje të lirisë e pavarësisë ka qenë e vazhdueshme, kështu ata do të merrnin pjesë në shpalljen e pavarësisë 1912, në mbrojtje të qeverisë së Vlorës 1914, në revolucionin e Qershorit 1924. Lufta e 1920 ka qenë më gjithëpërfshirësja dhe më e organizuara. Në komisionet e organizatorëve të kësaj lufte ka qenë Halim Xhelo e Murat Myftari, Laze Malo e Nuro Hoxha, kurse komandant i çetës së Tërbaçit ka qenë trimi Selman Hysen Gjondeda, ‘gjarpri me pika’ si i këndonte populli. Në këtë luftë morën pjesë 226 veta, pra të gjithë burrat e fshatit.

Po të bëjmë një bilanc të pjesëmarrjes dhe të rënëve në këto luftëra rezulton se nga Tërbaçi kanë marrë pjesë si luftëtarë mbi 1300 veta. Kanë rënë në fushën e betejës 102 veta nga të cilët janë shpallur dëshmorë 61 veta, 2 janë vajza e 4 heronj populli. Janë dënuar nga regjimet para 1944-ës 11 veta, internuar e burgosur 159 veta. Nga Tërbaçi ka patur internime e burgosje dhe në kampet e përqendrimit nazist si patriot e intelektual. Ibrahim Ali Skëndaj, patrioti e luftëtari Xhebro Gjika si dhe pjesëtari i njësiteve guerile në Vlorë, i riu Miço Skëndaj.

Si çdo fshat apo krahinë, por në veçanti Tërbaçin në shekuj e kanë karakterizuar disa veçori e virtyte, ku do të veçonim:

Unitetin e dashurinë midis njëri-tjetrit, urtësinë e maturinë në gjykimin e çështjeve brenda fisit, fshatit apo dhe jashtë tij. Kjo i ka bërë tërbaçjotët që të kenë dhe disa figura të cilat gjykonin në krahinë siç kanë qenë: Murat Myftari, Laze Malo, Halim Xhelo, Mustafa e Lace Hoxhaj, Lulo Habazi, Zenel Hodo e Muço Delo.

Besa është një virtyt tjetër i veçantë i tërbaçjotëve dhe shembulli më kulmor për besë-dhënien do të arrinte në 1856-ën ku paria e fshatit e përfaqësuar nga Sinan Habazi i dhanë besën 13 birbilenjve që ndiqeshin nga autoritetet turke. Ata qëndruan 3 muaj në një shpellë, ajo sot quhet shpella e Birbilenjve. Me gjithë arrestimet e parisë së fshatit e raprezaljet ndaj banorëve, fshati nuk i dorëzoi birbilenjtë, duke iu përgjigjur:

 

“Në litar të gjithë shkojmë

Birbilenjtë si dorëzojmë.”

Shembulli më përgjithësues e gjithëpërfshirës i dhënies së besës do të jetë ai i mbështetjes të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, duke e konsideruar këtë të vetmen forcë që jepte garanci për lirinë e pavarësinë e vendit. Në njësitet luftarake të këtij fronti morën pjesë mbi 300 luftëtarë nga të cilët 24 gra.

Një ndikim të veçantë këtu kanë patur edhe heronjtë, që nga Halim Xhelua i cili shumë më herët kësaj lufte kishte punuar me bashkëfshatarët e tij e më gjerë për të rritur ndjenjën e lirisë. Hysni Kapo bashkë me Vehbi Hoxhën, Arif Haskon, Delo Balilin, Banush Goxhon e Hajredin Bylyshin kanë qenë frymëzuesit e organizatorët e parë të LANÇ në Tërbaç e më gjerë në krahinat e Vlorës e Labërisë.

Në nëntor 1941 Hysni Kapo do të dërgojë një thirrje në Tërbaç ku u kërkohet mbështetje e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar. Në mars 1942 organizon një takim me burrat më aktivë ku u zgjodh dhe një këshill i përkohshëm organizativ me 5 veta, Fejzo Sheme, Sali Lusho, Baxhul Gjondeda, Hyso Rrapo e Rustem Hyseni. Më vonë do të krijohen organizma e struktura më të plota siç do të jenë celula e Partisë Komuniste më 10.11.1942 e kështu me radhë çeta territoriale, Këshilli antifashist NAÇL, organizata e Rinisë dhe ajo e Gruas dhe si drejtues u zgjodhën Qazim Nane, Beqir Selimi, Islam Ganaj, Fejzo Sheme Cane, Sose Lushaj, Shezajete Sinaj e Barjam Canaj. Në sajë të këtyre organizmave filloi edhe goditja më e fortë ndaj pushtuesve. Më 25.09.1942 u organizua prita ndaj një autokolone italiane në Qafë të Pëllumbit Tërbaç, me komandant njësiti Banush Goxhaj e 11 partizanë të tjerë tërbaçjot. Në këtë aksion morën pjesë dhe 3 partizanë jo tërbaçjotë, Neki Imeri, Filat Muço e Qazim Çakërri.

Më 03.12.1942 do të bëhet lufta e Gjormit me pjesëmarrës edhe çetën e Tërbaçit ku ra heroikisht komandanti Beqir Selim Skëndaj. Në shtator 1943 çeta e Tërbaçit do të luftonte në Drashovicë në bashkërendim dhe me formacione të tjera partizane të udhëhequra nga Hysni Kapo, këtu u vra Pilo Muarrem Memaj e u plagos Hysni Kapo. E kështu me radhë do të kemi aksionet e çetës së Tërbaçit në Tragjas, Mal të Bardhë etj.

 

Me shtimin e aksioneve e fitoreve ndaj armikut rritej besimi për Frontin Nacional Çlirimtar. Kjo bëri që të fillojë krijimi njësive më të mëdha luftarake në brigada, një nga këto është krijuar edhe në Tërbaç, Brigada e 5-të sulmuese, Heroinë e Popullit më 20.01.1944. Në këtë Brigadë morën pjesë mbi 130 tërbaçjotë burra e gra. Krijimi i këtyre njësive e më vonë i atyre më të mëdha e divizione e korparmata, çoi dhe në fitoren përfundimtare të ushtrisë Nacional Çlirimtare ndaj armikut më 29.11.1944.

Kjo luftë përfundoi me fitore ndaj pushtuesve nazi-fashistë, por me shumë dëme materiale e në radhë të parë ato njerëzore, u vranë 28000 dëshmorë, pra 1 dëshmor për çdo km katror, ku nga Tërbaçi ranë dëshmorë 61 veta. Pati familje e nëna që e paguan më shtrenjtë. Harzike Gjikës ju vranë dy djem, Asllani e Selmani, nga ky fis janë 6 dëshmorë, Merushe Bylyshit dy djem, heroi Haredini dhe Hakiu, i mbiquajtur Blloku. Selvi Beqiraj Metaj humbi dy djem, Sihatin e Delon dhe Zykajt i dhanë luftës dy dëshmorë, Memo Sinon, pionieri 15 vjeçar dhe Raiti, baba i gjashtë fëmijëve.

Në familjen Çelaj po ashtu 2 dëshmorë, komandant Resul Veliu dhe vajza 20 vjeçare Tazja. Nënë Havasë së Skëndajve, më parë i kishte vdekur Halimi në dhe të huaj dhe tani nipi Nysereti. Kur mori vesh ajo u shpreh: “Kësaj ideje i fala dy djemtë, po të shkojë në vend amaneti i Halimit dhe gjaku i Nysretit nuk shkon kot.” Brengën e dhimbjen e këtyre nënave e thotë shumë qartë në rapsodi Xhebro Gjika në këngën për dëshmorët:

 

“Trimat që na janë vrarë,

Tërbaçi nuk i ka qarë,

Dhe nënat që kishin mall

Të rrojë Shqipëria thanë”

 

Organizatorja e fituesja e kësaj lufte krijoi qeverinë e parë demokratike dhe filloi rindërtimi, eliminimi i dëmeve të luftës. Vendi ishte shumë i prapambetur, kështu që nevojiteshin transformime të mëdha ekonomike. Këto filluan në disa sektorë dhe për kohën u arritën rezultate të mira. Sidomos në industrinë energjitike, në miniera e në atë të naftës të cilat shfrytëzohen edhe sot nga qeveritë dhe populli.

Në këtë periudhë do të veçoja zhvillimin e vrullshëm në arsim, kulturë dhe shëndetësi. U përmirësuan dukshëm kushtet e jetesës krahasuar me kohën. Kjo bëri që të kemi dhe një zhvillim demografik të madh. Këto u reflektuan edhe në Tërbaç. Kështu Tërbaçi nga 270 familje në 1946-ën, sot numëron mbi 2100 familje, ku vetëm në Vlorë janë 1100 familje.

Në 1946-ën në Tërbaç vërtet ishin 10 mësues, por popullata ishte mbi 80% analfabete. Sot janë mbi 1400 veta me arsim të lartë, vetëm arsimtarë janë 270 veta, me tituj shkencorë, profesorë e doktorë janë mbi 30 veta ku do të veçonim, Prof. Doktor Bardhosh Gaçe, Prof. Qemal Xhaka, Prof. Nase Bozheku, Baftjar Novruzaj, Arta Balili, Dr. Selim Beqiri, Aleko Skëndaj e Hajdar Kiça.

Tërbaçi mbahet si fshati me numër më të madh të ushtarakëve, mbi 250 veta nga të cilët 4 gjeneralë dhe mbi 50 me akademi. Tërbaçi është fshat i gjashtë deputetëve, Hysni Kapo, Liri Balili, Banush Goxha, Delo Balili e Eltar Deda, si dhe disa kryetarë bashkish e komunash, Murat Myftari, Halim Xhelo, Muço Delo, Hamdi Kapo, Shpëtim Gjika, Fatbardha Kapo e Gëzim Hoxha. Tërbaçi në art e kulturë ka kontribute me të madhin Kastriot Gjinin, kompozitor i talentuar e këngëtarja Aurela Gaçe si dhe grupi folklorik i fshatit. Dhe në sporte Tërbaçi nuk mbetet mbrapa, nga gjiri i tij ka dalë shahisti ndërkombëtar Altin Spiro Çela si dhe futbollistët e kombëtares Latif Gjondeda, Eqerem Memushi e Përparim Lusho. Këto rezultate janë arritur në sajë të ngritjes së infrastrukturës së plotë arsimore në Tërbaç e në gjithë Shqipërinë. Në fshatin tonë në 1992 ishin 3 shkolla, sot është mbyllur edhe shkolla e fundit që ishte hapur në 1913.

Tërbaçi është dalluar edhe për punë si në drejtim e në frontet e vështira, ka patur ministra, zv.ministra apo drejtorë drejtorish e ambasadorë të cilët kanë marrë dhe dekorime si heronj të punës Hysni Kapo, Muço Delo e Haki Gjondeda i cili vuri jetën në rrezik për të fikur pusin e naftës Patos-Marinzë (542).

Për ruajtjen e historisë dhe të vlerave të tij në Tërbac para viteve ‘90 u ndërtuan dhe disa objekte social-kulturore si lapidari i dëshmorëve në Bragjin, Muzeu Historik për Hysni Kapon, por me përmasa dhe për krahinën e Pallati i Kulturës, një objekt shumë i bukur e në pozicion mjaft piktoresk. Po si janë mbajtur e si mbahen këto? Themi se ka një indiferentizëm si nga institucionet shtetërore, por edhe nga vetë komuniteti. N.q.s do të ishte ruajtur muzeu apo pallati i kulturës do ishin dhe vlera historike për Tërbaçin e objekt vizitorësh. Le t’i ruajmë e t’i mbrojmë këto vlera historike njerëzore apo kulturore, të djeshme apo të sotme sepse janë pasuria jonë më e çmuar.

 

*Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Tërbaç

Bexhet Rrapo February 20, 2016 15:36
Komento

5 Komente

  1. Terbaci February 20, 19:47

    shkrim shume i mire z.bexhet.

    Reply to this comment
  2. Geni February 20, 19:57

    Nje shkrim qe me pelqeu,por doja te saktesoja qe jane 5 Gjeneral bashke me gjen Syrja Gjoka!

    Reply to this comment
  3. a February 21, 05:27

    Me ne fund nje shkrim per njerzit e mire te fshatit terbac pershendetje per artikull shkruesin

    Reply to this comment
  4. elio February 21, 11:56

    95% jane kusherinjte e Hysni Kapos…te tjeret….asgje..

    Reply to this comment
  5. era February 21, 20:11

    Shkrim shume i mire per historine e terbacit deputetet duhet te bejne rrugen per shkak te mungeses se rruges ate fshat e ka mertvyer harresa e viteve .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*