Tërheqja graduale e BE-së përballë Rusisë

November 25, 2017 20:12

Tërheqja graduale e BE-së përballë Rusisë

Samiti i kësaj jave i zhvilluar në Bruksel, mes BE-së dhe 6 vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, nuk u shfaq në nivelin e pritshëm të kornizës së rëndësisë, që normalisht kanë samite të tilla. Mos pjesëmarrja e presidentit francez dhe lajmërimi i pjesëmarrjes së kancelares gjermane Merkel, vetëm një ditë përpara Samitit, nuk mund të mos tërheqin vëmendjen mbi pozicionime elastike evropiane përballë politikave të Rusisë. Vetëm disa orë para zhvillimit të Samitit, ushtria ukrainase po pësonte humbje të rënda vetëm brenda një dite që prej armëpushimit shumë pak të respektuar. Për polakun Tusk, këta të vdekur janë ilustrimi i fundit i pasojave tragjike të agresionit rus në Ukrainë.

Por, çfarë po ndodh konkretisht ?

Me rënien e Bashkimit Sovjetik, BE dhe NATO do të zbatonin një proces zgjerimi sistematik, ndaj vendeve që ishin nën influencën ruse. Mes vitit 1999-2009, 12 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, që ishin nën influencën e ish-Bashkimit Sovjetik u anëtarësuan, një pjesë e tyre në NATO si edhe në Bashkimin Evropian, duke zgjeruar kufijtë e influencave gjeopolitike.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, NATO dhe Rusia kanë krijuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi. Kjo, në kuadrin e Këshillit të Bashkëpunimit Atlantik, që në vitin 1997 shndërrohet në Këshillin e Partneritetit Euro-Atlantik. Në nënshkrimin e Aktit Themelues të marrëdhënieve NATO-Rusi, nga Boris Jelcin, në Paris (1997) theksohej se: “Aleatët dhe Rusia nuk konsiderohen si kundërshtarë” dhe se angazhohen “për të ndërtuar së bashku një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në hapësirën Euro-Atlantike, të bazuar në parimet e demokracisë dhe të sigurisë bashkëpunuese”. Nënshkrimi i këtij akti, angazhonte Rusinë në respektimin e sovranitetit, të pavarësisë dhe të integritetit territorial të të gjithë shteteve dhe të drejtën e tyre për të zgjedhur mjetet për të krijuar sigurinë e tyre. Më pas, nën presidencën e Vladimir Putinit do të kemi edhe Deklaratën e Romës që mundësoi krijimin e Këshillit NATO-Rusi, një format në të cilin Aleatët dhe Rusia do të bashkëpunonin si partnerë të barabartë, për t’iu përgjigjur së bashku kërcënimeve të përbashkëta.

Pas zgjerimit të madh të 2004-s, ndaj vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, BE do të konkretizonte në vitin 2009 politikat e Partneritetit Lindor. Një iniciativë kjo, që kishte marrë rrugë që në vitin 2001 e njohur gjerësisht si politika e Fqinjësisë. Partneriteti Lindor, orientohej drejt 6 vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik (Ukrainë, Bjellorusi, Gjeorgji, Moldavi, Azerbajxhan dhe Armeni) dhe synonte një përafrim të legjislacioneve mbi bazën e normativave evropiane, në fusha të ndryshme, duke përfshirë në të edhe fushën e preferencave tregtare. Edhe pse ky dimension i ri bashkëpunimi, nuk bënte fjalë për të ofruar një perspektivë anëtarësimi në BE, kjo hipotezë shpeshherë e përmendur edhe nga disa vende anëtare si Britania e Madhe, Polonia, vendet Baltike apo edhe Suedia, vlerësohet se ka krijuar nga njëra anë iluzione të gabuara tek këto vende dhe nga ana tjetër, ka ndikuar në rritjen e agresivitetit të politikës ruse.

Samiti i Vilniusit (nëntor 2013), që i kushtohej afrimit të Ukrainës me BE-në, por me perspektivë të hapur edhe ndaj Gjeorgjisë, Moldavisë, Bjellorusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, do të ishte momenti i “shpërthimit” të tensionit gjeopolitik që u shoqërua më pas edhe me nisjen e konfliktit në Ukrainë.

Në përgjigje të aneksimit të Krimesë dhe zhvillimeve të krizës në Donbas, NATO vendosi të përforconte krahun lindor, në kuadrin e “iniciativës së ri-sigurimit” në dobi të Polonisë dhe të tre vendeve baltike. Katër batalione shumëkombëshe janë zhvendosur, në këto katër shtete të BE-së. Po në të njëjtën logjikë, me forcën e reagimit të shpejtë të NATO-s, gjashtë poste të reja komandimi janë instaluar në shtetet e Unionit, në Lindje të Aleancës. Nga ana e saj, Rusia ka zhvendosur divizione të reja në rajonin e saj ushtarak perëndimor, si edhe ka përforcuar prezencën e saj ushtarake në Kalingrad duke zhvendosur aty raketa me kapacitet nuklear.

Gjatë Konferencës së Sigurisë së Munihut (shkurt 2017) ministri rus i punëve të Jashtme, Lavrov do të deklaronte se: “Zgjerimi i NATO-s kishte krijuar një nivel tensionesh në Evropë, që nuk ishin vëzhguar kurrë, përgjatë 30 viteve të fundit. 2017, është viti i 20 vjetorit të nënshkrimit në Paris të Aktit themelues NATO-Rusi dhe 15 vjetori i Deklaratës së Romës për një cilësim të ri të marrëdhënieve NATO-Rusi. Parimi bazë i këtyre dokumenteve ishte që Rusia dhe Perëndimi të angazhoheshin bashkërisht për të garantuar sigurinë, mbi bazën e respektit të interesave të gjithsecilit, të përforcimit të besimit reciprok, për të parandaluar çdo thyerje Euro-Atlantike dhe për të fshirë linjat e ndarjes. Nuk është kjo ajo që ndodhi, kryesisht pasi NATO ngeli një institucion i Luftës së Ftohtë.”

Megjithatë, në këtë klimë mosbesimi vlerësohet e rëndësishme që Këshilli NATO-Rusi ka mundur të rimarrë rolin e tij të dialogut në vitin 2016 dhe në mars të vitit 2017, pasi edhe pse nuk ka arritur të dalë në konkluzione konkrete, ai i mundëson palëve të shkëmbejnë në parim shqetësimet mbi zhvendosjen reciproke ushtarake me synim të instalojnë një transparencë të nevojshme për zvogëlimin e rreziqeve.

Konflikti në Ukrainë dhe mos zbatimi i marrëveshjeve të Minskut që prej dy vitesh e gjysmë, është në thelb të shtyrjes së vazhdueshme të sanksioneve evropiane.

Franca ka disa kohë që ka nisur të favorizojë idenë e një restaurimi të pistave të bashkëpunimit të BE-së me Rusinë, duke kaluar nga korniza e plotësimit pa ekuivok të Marrëveshjeve të Minskut, në një zbutje graduale të zbatimit të tyre. Kjo nën logjikën se, situata e një shteti të brishtë i shërben interesave të Rusisë dhe situata me Ukrainën do të marrë trajtat e një konflikti të ngrirë, siç tashmë ekziston në Moldavi dhe në Gjeorgji. Dhe bëhet fjalë për sanksionet me karakter politiko-diplomatik, ato të fazës së parë, që mund t’i afrohen kësaj qasje graduale. Këto sanksione kanë pezulluar pa limit mbajtjen e samiteve dypalëshe, pjesëmarrjen e Rusisë në G8, apo negociatat për liberalizmin e vizave për qëndrimin afatshkurtër. Sanksione, që nuk janë të lidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Minskut, në ndryshim me sanksionet e fazave të tjera të karakterit ekonomik dhe sektorial. Dhe zbatimi i Marrëveshjeve të Minskut, është kushti paraprak për çdo ndryshim thelbësor të pozicionit të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Franca dhe Gjermania, kanë një rol të veçantë si ndërmjetësues në dialogun mbi Ukrainën.

Që prej nisjes së krizës në Ukrainë dhe vendimit për të imponuar dhe më pas rinovuar sanksionet, një kuadër i ri dialogu është zhvilluar mes Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës, në kuadrin e formatit të “Normandisë”. Këto dy vende, në emër të BE-së, janë ndërmjetësues, përfaqësues dhe propozues përballë Rusisë dhe Ukrainës, mbi administrimin e krizës dhe zbatimin e marrëveshjeve. Mbi bazën e opinioneve të tyre kemi më pas dhe prononcimin periodik të 28-ve, mbi mbajtjen apo vazhdimin e sanksioneve.

Tashmë janë një sërë vendesh që kërkojnë rikthimin apo normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, sidomos normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Edhe pse konflikti ditën e mbajtjes së Samitit do të përshkallëzohej në Donbas, Hahn siguroi se “Samiti nuk ka për objektiv të zgjidhë konfliktet” dhe se “Partneriteti Lindor me BE-në, nuk është i drejtuar kundër Rusisë, por se synon të zhvillojë shoqëritë, të ndihmojë individët dhe se në rajon ka vend për të gjithë.” Synimi sipas Hahn është krijimi i një rrethi prosperiteti përreth Evropës, pasi “Nëse nuk eksportojmë qëndrueshmëri, do të importojmë paqëndrueshmëri”.

Nga të gjashtë vendet e Partneritetit Lindor, Ukraina dhe Gjeorgjia kanë shprehur aspiratat e tyre për një aderim të mundshëm në Bashkimin Evropian. Por, në Riga (2015) u theksua se fokusi do të jetë mbi konkretizimin e projekteve në përfitim të qytetarëve se, sa në formulimin e linjave gjeostrategjike. Qëndrime, që në vijimësi lexohen si përpjekje për të zbutur klimën e tensionit me Rusinë dhe se për të dalë nga korniza e zbatimit pa ekuivok e Marrëveshjeve të Minskut do të mund të kemi një kalim në zbatimin gradual të tyre, për të bërë të mundur në momentin e volitshëm tërheqjen e pjesshme nga bllokadat e Unionit.

DITA

November 25, 2017 20:12