Tërhiqet Kim, ngrin testet bërthamore dhe lëshimin e raketave

April 21, 2018 09:07

Tërhiqet Kim, ngrin testet bërthamore dhe lëshimin e raketave

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka njoftuar pezullimin e të gjitha testeve raketore, si dhe mbylljen e një vendndodhjeje nga ku zhvilloheshin këto teste.

“Duke nisur nga 21 prilli, Koreja e Veriut do të ndalojë testet bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike ndërkontinentale”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve në vendin e izoluar komunist.

Diktatori Kim është shprehur se testet e mëtejshme janë të panevojshme, për shkak se kapacitetet bërthamore të Penianit janë “verifikuar” tashmë.

Njoftimi surprizë vjen teksa Veriu përgatitet për bisedime historike me Korenë e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara. Kim Jong-un pritet të takohet me homologun e tij koreano-jugor, Moon Jae-in, gjatë javës së ardhshme, në atë që do të shënojë takimin e parë ndërkorean pas më shumë se një dekade; ndërsa me presidentin amerikan Donald Trump ndoshta në fillim të muajit qershor.

Të dyja këto vende e kanë nxitur Penianin të heqë dorë nga armët bërthamore, e sigurisht që kanë reaguar në mënyrë pozitive ndaj zhvillimit më të fundit.

“Ky është një lajm shumë i mirë për Korenë e Veriut dhe për mbarë botën. Një progres i rëndësishëm”, do të shkruante Trump në rrjetin social të preferuar “Twitter”, menjëherë pasi mësoi lajmin.

Të enjten, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se ekzistonte një “rrugë e ndritur për Korenë e Veriut sapo ajo të denuklearizohet”.

Një zëdhënës i presidentit të Koresë së Jugut e quajti këtë zhvillim si “progres domethënës”.

“Kjo do të kontribuojë gjithashtu në krijimin e një ambienti tejet pozitiv për sukses në samitin e ardhshëm ndërkorean, e sigurisht për samitin mes Veriut dhe SHBA-ve”, thuhej në deklaratën e publikuar nga zyra e Moon.

Vendimi për pezullimin e lëshimit të raketave u mor gjatë një takimi të Komitetit Qendror të partisë në pushtet, ditën e premte, sipas KCNA-së. Në deklaratën e publikuar nga kjo agjenci, Kim thoshte se nuk është më i nevojshëm zhvillimi i testeve raketore, pasi “armatimi bërthamor” tashmë është arritur. “Vendet e testimit bërthamor të Veriut tashmë e kanë përmbushur misionin e tyre”.

o.j/dita

April 21, 2018 09:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*