Ka patur dhunë në sistemin arsimor shqiptar të viteve ’80?

November 9, 2017 11:26

Ka patur dhunë në sistemin arsimor shqiptar të viteve ’80?

 

Ervin Qafmolla / BIRN

Këno”, urdhëroi mësuesja. Belbëzova tre apo katër nota, pastaj automatikisht mbulova fytyrën me duar. Nuk kam qenë ndonjëherë nxënës i shkëlqyer, dhe për këto dështime shpesh paguhej një çmim i shtrenjtë. Orvatja për t’u mbrojtur ishte e kotë sepse një breshëri shpullash më shpartalloi menjëherë. U ula në bankë me fytyrën e skuqur, por mirënjohës që kisha shpëtuar me pak.

Të tjerë nuk ishin aq me fat. Kisha qenë dëshmitar kur Fejzija kishte rrahur brutalisht fëmijë të tjerë, u kishte përplasur kokën mbi dërrasën e zezë, i kishte goditur me regjistrin e madh të notave e mungesave duke i shtrirë të alivanosur, i kishte tërhequr zvarrë prej flokësh, apo që në një rast, një syresh e kishte hedhur nga shkallët duke i thyer krahun.

Ishte fundi i viteve ’80 në Shqipëri, dhe ndonëse ky brutaliteti i mësueses së Muzikës ndaj nxënësve në shkollën time fillore në Tiranë ishte i veçantë nga intensiteti dhe larmia, rastet e tjera të dhunës në shkollë ishin të zakonshme.

Mësuese Zana e lëndës së Historisë, për shembull, preferonte të na çonte peshë nga tufat e flokëve në anë të veshëve apo të na torturonte në mënyra të tjera. Ajo kishte qejf edhe të na pickonte në qafë, ndonjë tjetër na përthyente veshin – veshi im i majtë ka edhe sot një krisje të kërcit si rrjedhojë – ndërsa të tjerë kufizoheshin me ndonjë shpullë të aty përatyshme.

Përveç fuqisë fizike të të rriturit, mësuesit kishin një arsenal të tërë armësh rrethanore apo të paramenduara në dispozicion. Na godisnin me thupër, vizore, fletore, libra shkollorë apo me objekte të tjera që i vinin duarsh. Për ta bërë veten për dajak nuk ishte shumë e vështirë. Mjaftonte të qeshje apo të flisje gjatë orës së mësimit, të mos dije përgjigjen e një ushtrimi, të mos shkruaje bukur në fletore, të mos i kishe prerë thonjtë apo flokët, apo ndonjë vogëlsi e çfarëdolloji.

Në përgjithësi, prindërit nuk e kishin problem agresionin e mësimdhënësve. Nuk mungonin rastet kur në takimet me prindër në shkollë dëgjojë fjalët “rrihe ti edhe për mua”. Nganjëherë, në shtëpi më rrihte im atë, zakonisht sepse nuk dilja mirë në mësime apo për prapësi të ndryshme.

Në fakt, unë rrihesha pak a shumë po aq sa të tjerët, dhe “të tjerët” përbënin pjesën dërrmuese të bashkëmoshatarëve që njihja. Në klasën time arrij të kujtoj vetëm nja dy djem tepër të rregullt dhe të bindur që i kanë shpëtuar dajakut në shkollë dhe në shtëpi. Djemtë rriheshin shumë shpesh, vajzat më rrallë. Ato fillonin t’i rrihnin kur ‘rriteshin’, periudhë kur djemtë nuk i rrihte më kush dhe ata vetë fillonin të rrihnin të tjerët.

Për ta ilustruar mbizotërimin e dhunës në Shqipërinë e viteve ‘80, vlen të kujtoj një rast kur po luanim me fëmijë të tjerë në lagje. Loja nuk më kujtohet, por mbaj mend që një prej tyre gjeti një boshllëk në rregullat e saj për të gjykuar në favor të tij. Ne të tjerët mbetëm pa argument.

Ai ishte një djalë i zgjuar, i qetë dhe që nuk krijonte probleme. Një nga shokët i tha: “Ik ore,ti je aq kot sa nuk të rref as babi”. Mbaj mend që u mërzit shumë dhe u largua pa folur. Të mos rriheshe mund të përbënte një lloj alienimi shoqëror.

Me ndonjë përjashtim, të gjithë rriheshim nga të gjithë. Në rrugë, edhe pse më rrallë, na rrihnin të ‘fortët’ të cilët ishin fëmijë pak vjet më të mëdhenj se ne. Në lagje, gjithashtu më të rriturit të rrihnin për arsye banale. “Më mirë mut se i vogël”, ishte një thënie që përdorej me humor.

Ishin, gjithashtu, të shpeshta rastet kur dëgjoja fqinjët të rrihnin gratë. Gratë nga ana e tyre rrihnin fëmijët. Burrat që rrihnin gratë, rrihnin gjithashtu fëmijët. I forti rrihte më të dobëtin. Dhe fëmijët ishin më të dobëtit nga të gjithë.

Amnezi ndaj brutalitetit të së shkuarës

Është e pamundur t’i ndalësh kujtime të tilla kur lexon reagimet dënuese të publikut në Shqipëri ndaj rasteve të sotme të ekspozimit të dhunës në shkolla, të cilat mund të konsiderohen “incidente të izoluara” nëse krahasohen me realitetin e pak dekadave më parë. Një prej tyre tregonte që një mësuese ishte filmuar duke rrahur nxënësit. Gjatë viteve të fundit janë botuar disa lajme qëtregojnë dhunën fizike në institucionet edukuese të Shqipërisë.

Një sosh i publikuar nga emisioni “Fiks Fare” i Top Channel, zbuloi dhunën fizike dhe psikologjike që një mësuese në një fshat të Tepelenës ushtronte ndaj njënxënëseje 8 vjeç. Përballë dhunës së ushtruar, ditari i nxënëses përmbante si këmbim fraza si “Dua ta vras [mësuesen]”, apo “Dua të iki nga shtëpia”.

“Mësuesja më rreh shumë, më thotë budallaçkë, do të shtypë bota me këmbë, më përplas kokën në dërrasë”, tha vajza për “Fiks Fare”.

Në kohën time, nuk ëndërronim dot t’i vrisnim mësuesit që na rrihnin, thjesht jetonim në terrorin e ndëshkimit të radhës, dhe shpesh ndiheshim të kënaqur kur shpëtonim vetëm me një ‘rrahje normale’. Por edhe rrahjet atipike nuk ishin të rralla.

Ndërkohë edhe në rastet e sotme, dhuna ndaj fëmijëve më institucionet e edukimit paraqitet e larmishme, ndonëse më pak e përhapur. Rreth një vit më parë, në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë, një mësuese u filmua duke rrahur një nxënës para shokëve të klasës. Në një kopsht, pronarja u arrestua pasi u kap në flagrancë duke rrahur një nga fëmijët.

Vlen të shtrohet pyetja sesi do të kishte qenë reagimi i autoriteteve nëse në vitet ’80, një prind do ishte paraqitur në polici për të denoncuar mësuesin që i kishe rrahuar fëmijën. Ushtrim tepër i pagjasë, duke qenë se një sistem i tërë i një prej regjimeve më të egra komuniste në botë ishte ndërtuar dhe mbahej në këmbë mbi një disiplinim universal përmes dhunës dhe frikës.

Në secilin prej lajmeve të kohëve të sotme, dënimi publik dhe ndërhyrja e autoriteteve janë pjesë e pandashme e ngjarjes. Megjithatë, në asnjë prej diskutimeve që ndjekin këto lajme nuk përmenden rrahjet që rrahësit e sotëm mund të kenë pësuar nga mësuesit e edukatorët e tyre.

Tmerr i përjetuar në lëkurë

“E shkurtër, topolake, me buzë të kuqe që lyenin edhe dhëmbët e parë. Kjo as nuk bërtiste as nuk ulërinte, thjesht kalonte afër teje, të shkulte favoritet [flokët në anë të veshëve] dhe nëse ishte me humor [të mirë] të bënte një pickim të tmerrshëm në qafë”, kujton Zhujeta Cima, për një nga mësueset e saj të 8-vjeçares në Tiranë.

Ajo vëren se autoriteti i mësuesit shihej thuajse ekskluzivisht brenda kontekstit të dhunës. “Ne tmerroheshim aq shumë nga mësuesi sa edhe kemi urinuar në rroba nga frika. Këta [mësuesit] ishin zeniti i bullizmit, dhe me këtë model frymëzoheshin e gjithë e ardhmja e kombit”, thotë Cima.

“Zyshë Sofia e biologjisë kur vinte në klasë e pajiste veten me thupër a thua se po futej në trajnim arinjsh cirku. Sapo kapte ndonjë fytyrë të painteresuari për mësimin vringëllinte thuprën dhe merrte situatën në dorë duke bërë që të pendohej edhe ndonjë nga klasa ngjitur”, thotë Enton Kaca, duke kujtuar vitet e shkollës në Tiranë.

Kaca nuk e fsheh ironinë kur shpalos kujtimet e tij, dhe me një ritëm të shtruar tregon goditje pas goditjeje ndaj tij dhe të tjerëve, një ushtrim që ai e konsideron si përmbledhje dëshmish që duhen zbuluar për të gjithë. Ai pohon se përçimi i ndërsjellë i kulturës së dhunës është ende realitet në Shqipëri. Por shton se nuk është vetëm dhuna fizike ajo që duhet përmendur.

“Kishim një djalë që nuk kishte mundësi të blinte kilota të bardha për mësimet e fizkulturës. Zakonisht pas talljes nga mësuesi para grupit të djemve, shoqëruar nga të qeshurat e vajzave pak më andej, fillonte një xhiro e detyruar me vrap rreth shkollës për këtë djalin. Ashtu me ‘brekë grash’ ai duhej të bënte vrap, dhe ishte një ndëshkim absurd edhe pse atëherë na dukej shumë argëtues”, kujton ai.

Kaca tregon se mësuesi i tij i Historisë, Spartaku, një “mjeshtër rrahjeje, përplasje koke e talljeje” e fillonte orën me rrëfime nga një udhëtim që kishte bërë në Bullgari. “’Aty hahet supa pa bukë’ – thoshte dhe i rraste ndonjë shpullë pas qafe ndonjë të përhumburi”.

Kujton se një vajzë e zuri lemza dhe suspansa midis kohës kur “Profesor Spartaku” donte ta identifikonte nëpër klasë, dhe koha kur lemza ndërpritej ndërtoi një situatë qesharake. Vajza u zbulua dhe u nxor jashtë.

“Një djalë me ngjyrë i cili rrihej sistematikisht, kur dëgjoi emrin për në mësim, u ngrit me vrull, dhe nga kjo grisi xhepin e xhaketës. Hëngri një përplasje koke mbi bankë [nga mësuesi], me mllef dhe me ca tinguj, dhe Spartaku e mbylli me frazën: jot ëmë me zor t’i blen, ti i gris”, tregon Kaca.

Ai thotë se më shqetësuese, sot duke parë në retrospektivë, i duket që edhe prindërit e ushqenin dhe e aprovonin dhunën. “Kam dëgjuar shumë shpesh prindër aty [në shkollë], përfshi edhe tim atë, që i rekomandonin stafit mësimor ta aplikonin rrahjen nëse nuk silleshim mirë”.

Ndërsa ky aprovim i ndërsjellë i rrahjes mbetet subjekt i një hulumtimi të mëvetshëm, dhuna sistemike dhe hierarkike që mbizotëroi Shqipërinë gjatë disa dekadash të një prej regjimeve më të egra despotike në Europë mund të jetë një nga fajtorët e mundshëm.

‘Disiplinim pedagogjik’

Disa kujtime nga rrahjet e fëmijërisë nëpër institucionet e arsimit publik në Shqipëri mund të kualifikohen për zhanrin horror të kinematografisë. Dallimi është se aktorët ishin të vërtetë dhe mizanskenat, po ashtu, të jetësuara nga viktimat dhe xhelatët e tyre.

Elsi Rizvanolli, i edukuar gjithashtu në Tiranë, thotë se nuk ishin të paktë mësuesit që ushtronin dhunë ndaj nxënësve, por disa prej tyre shquheshin për nga mizoria dhe mjeshtëria në rrahjen e fëmijëve në klasë.

“Ka qenë një mësuese e Gjuhës Shqipe, Shqipja… nëse haje shpulla, ishe me fat. Godiste deri me shqelma. Për fat mua vetëm shpulla [më ka dhënë], por të tjerë e kanë pësuar më keq”, tregon Rizvanolli. Ai thotë se viktimat e Shqipes ishin të shumta, por disa raste nuk i fshin dot nga kujtesa.

“E ngriti në mësim njërin, këtij të shkretit i bëhej urina. ‘Aty të rrish’ i tha, – thuaj mësimin; ky i lutej, ajo me të vetën. Dukej që po vuante i shkreti, kjo s’donte t’ia dinte. Më në fund ai nuk e mbajti më dhe e bëri aty i ngritur në mësim, me gjithë klasën që qeshte dhe atë këllirën që e qortoi e i tha të shkonte në shtëpi… por jo para se ai të pastronte urinën”.

Sadizmi i Shqipes ishte i famshëm në shkollën e Rizvanollit, dhe sipas tij, viktimat e saj ishin të panumërta. Ai shton se dëmi që mësuesja dhe të tjerë si ajo u kanë shkaktuar të rriturve të sotëm mund të jetë i pallogaritshëm.

Gjithashtu, ai kujton dramën e një djali rom, i cili paraqitej i papërgatitur në mësime dhe vinte nga një familje shumë e varfër. Pavarësisht rrethanave, Rizvanolli kujton për ish-shokun e klasës se ishte djalë i sjellshëm dhe nuk shkaktonte probleme, çka sipas tij ishte diçka e rrallë për djemtë e fundit të viteve ‘80 dhe fillimit të viteve ‘90 të shkollës së tij, e cila konsiderohej si furnizuese e rregullt e burimeve njerëzore për bandat e zonës famëkeqe “Restorant Durrësi”.

“Shqipja e kishte veçanërisht ‘qejf’ këtë djalin, dhe nuk i kursente përshkrimet ‘pse vjen erë e keqe këtu – prapë s’je larë ti?’, apo të gjitha llojet e ofendimeve raciste që s’po i përmend këtu. E ngriti në bankë dhe ky s’kishte mësuar. Ajo ia futi një shpullë, deshi ta kapte nga flokët, por nuk arriti dhe e shau, i ra prapë, dhe ky bëri të ikte… kjo i vuri stërkëmbësh dhe ai u rrëzua. U ngrit duke qarë dhe ne pamë që po i dilte gjak nga hunda. I tha ‘mos bëj kot’ dhe i kërkoi të dilte nga klasa se po e bënte dyshemenë pis”.

Shqipja vdiq dhe djali rom u rrit dhe shkoi në Itali. Vite më vonë ai u kthye në Tiranë si endacak që bariste kryesisht në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Njerëzit e kujtojnë për italishten e rrjedhshme dhe për mirësjelljen e tij në nivelin e perënduar të oborreve viktoriane. Nuk bezdiste njeri dhe nuk lypte para, thjesht kërkonte ushqim nga ata që i njihte apo nga persona të panjohur që duke i gjykuar nga fytyra i dukeshin njerëz të mirë.

Ai vishej kurdoherë në një mënyrë që disa mund ta quajnë ‘ekstentrike’, por fakti është se teshat që i gjente në rrugë, i kishte të kombinuara aq mirë, sa i shndërronte dëshmitarët e parakalimeve të tij në spektatorë të një sfilate impromptu. Ndoshta, në një vend tjetër do të ishte bërë stilist mode.

Shoku i shkollës fillore të Rizvanollit vdiq këtë vit në Shqipëri. Ishte një mbrëmje pranvere. Raportohet se hyri në një kabinë elektrike nga ku nuk doli më i gjallë. Quhej Rigels Patoku.

Si t’i torturosh fëmijët e moshës 4-5 vjeç – një manual praktik

Brutalizimi ndaj fëmijëve në institucionet publike shqiptare nuk fillonte në shkollën tetëvjeçare. Këtë e dëshmon Klodiana Alia, krahas rasteve të dhunës në shkollë, kur është tërhequr zvarrë për flokësh nga një mësuese (Xharija) apo kur një tjetër (Diana) e kishte qëlluar fort disa herë në kokë ngaqë i kishte shterur boja e stilolapsit gjatë një provimi. Përvojat e saj me dhunën apo me torturën e mirëfilltë shtrihen pas në kohën kur ishte në kopsht.

“Kur edukatore Drita largohej nga dhoma, pasi kishte mbaruar mësimin, ajo na kujtonte që askush nuk duhet të largohej nga karrigia. Ne ishim fëmijë nga pesë vjeç e na duhej të qëndronim gjatë në një vend, pa folur me njëri-tjetrin e pa lëvizur”, kujton Alia.

Ajo thotë se për edukatoren kishte pak rëndësi që fëmijët kishin qëndruar ulur për orë të tëra pa lëvizur. Dhe duke e ditur se diçka e tillë ishte e pamundur nga fëmijë të vegjël, ajo kishte një plan.

“Me njëmbështetëse të karrigeve të vogla, ku uleshim ne, të cilën ajo e kishte shqyer nga karrigia, i rreshtonte ata që kishin bërë ‘gabime’ për muri dhe i detyronte të zgjasnin pëllëmbën e dorës. Një nga një, edukatore Drita na qëllonte me mbështetësen, ndërkohë që të tjerët prisnin dënimin me sy mbyllur. ‘Klodi, pse e ke dorën e nxirë’, më pyeste mami. ‘Nuk e di’, i thoja e turpëruar për gabimin e ditës”.

Sipas Alias, edukatore Drita nuk ishte sadistja e vetme në kopsht. Ajo tregon se edukatore Pëllumbesha ishte në garë me kolegen e saj në keqtrajtimin spektakolar të fëmijëve. As ajo nuk e toleronte zhurmën dhe kërkonte me rreptësi nga fëmijët që të flinin të gjithë gjatë orarit të gjumit.

“Unë e urrej gjumin e drekës dhe kur tentova t’i pëshpërit diçka shokut në krevatin ngjitur ajo më pa. Mbylla sytë dhe bëra sikur po flija, por ishte vonë sepse Pëllumbesha mori shkopin e fshesës dhe më qëlloi aq fort në shpinë saqë mbeta pa frymë”.

Dëshmitarë të tjerë që nuk kanë pranuar të identifikohen me emër, kanë treguar raste të ngjashme apo edhe më ekstreme të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike në kopshte. Vetëm në një nga rastet e treguara kishte pasur reagim, kur prindi kishte shkuar në kopsht dhe kishte rrahur edukatoren në sy të fëmijëve.

Në kërkim të shpagimit

Një mësuese e Historisë në shkollën time fillore kishte zakon t’i rrihte nxënësit për arsye të ndryshme, zakonisht të dorës së dytë. Atë ditë kishte arsye të fortë. Mbi derë, me vetëdije të plotë, kisha vendosur një fshesë dhe kur ajo e hapi, fshesa i ra mbi kokë. Nuk u lëndua, por turpi i përjetuar para nxënësve e bëri të shpërthente në shpulla ndaj djemve të ulur në bankat pranë derës.

Një shok i klasës që nuk kishte gisht në këtë rreng dhe të cilit nuk po ia them emrin për arsye që mund të kuptohen, u ngrit në këmbë dhe ia ktheu goditjen mbrapsht. Ai kishte trup të zhvilluar dhe krahë të fortë. Shpulla ishte e tillë sa mësuesja u lëkund lehtas dhe mbeti e shastisur një copë herë. “Më qëllove, më qëllove”, nisi të bërtiste me faqen e skuqur ku dukeshin disa shenja gishtash më të zbehta se pjesa tjetër e lëkurës.

Djali qëndroi me trupin drejt, sfidues para saj. Mësuesja nuk mori asnjë masë për ngjarjen – ndoshta nga turpi po të merrej vesh – ndërsa rebeli i ditës u shndërrua në heroin tonë për shumë ditë më pas.

Një djalë tjetër nga klasa ime, i cili rrihej sistematikisht nga e njëjta mësuese, si këmbim rrihte djalin e saj pak vjet më të vogël se ne. Sa herë rrihej ai, po aq herë rrihej edhe djali i mësueses. Duke qenë se asnjëra palë nuk komunikonte me tjetrën për këto zhvillime, dajaku vazhdoi i pandërprerë nga të dyja krahët… për disa vite rresht.

Kur isha në përfundim të shkollës së mesme takova një mësuese të fillores në rrugë. Ajo nja dy herë më kishte rrahur egërsisht. Iu prezantova dhe e pyeta nëse i kujtohesha dhe ajo pohoi me entuziazëm.

Më kujtohet që sytë më zbritën instinktivisht te mjekra e saj. Imagjinova sikur e godita me të gjithë forcën ndërsa ajo fluturoi mbi trotuar pa frymë. Në fakt nuk e godita dhe as diskutova mbi ato që më kishte bërë. I thashë diçka shumë të vrazhdë, futa duart në xhepa dhe vazhdova rrugën.

Një i afërm i imi shkoi një hap më tej. Edhe ai ishte në shkollë të mesme kur takoi rrugës një edukatore që e torturonte kur ishte në kopsht. Iu prezantua, i tregoi që i kujtoheshin tmerret që kishte pësuar prej saj, e pështyu në fytyrë dhe e qëlloi me shpullë pa e kursyer fuqinë.

Të tjerë kanë dëshmuar ndodhi më ekstreme. Enton Kaca tregon se kur ishte ende në shkollë, një “i fortë” erdhi të marrë hak për vëllain e vogël të rrahur publikisht nga “Profesor Spartaku”. Ai kujton se incidenti ndodhi në një korridor të shkollës, gjatë pushimit mes orëve të mësimit.

“Kjo përplasje midis Spartakut dhe vëllait të madh përfundoi me një sëpatë të vogël të ngulur në shpinën e mësuesit të Historisë, i cili nuk u ndje më aq entuziast për udhëtimet apo qortimet e tij kundrejt ca 11-12 vjeçarësh. Kjo bëri që ne të ndërmerrnim një fushatë talljesh kundër tij derisa ai u largua për të dhënë mësim diku tjetër”, rrëfen Kaca.

Klodiana Alia, gjithashtu, pati një takim me të shkuarën e saj. Tridhjetë vjet më vonë e hasi Pëllumbeshën në rrugë. E pyeti nëse e mbante mend dhe edukatorja e dikurshme tha se nuk e njihte.

“Epo, unë nuk mund të të harroj ty – i tha Alia – ti je ajo që qëllon një pesëvjeçare aq fort në shpinë sa asaj t’i merret fryma”. “Nuk të mbaj mend”, iu përgjigj Pëllumbesha dhe u largua.

Trauma që nuk shuhen

“Dajaku ka dalë prej xhenetit” apo “Dajaku është dru i xhenetit”, “Kush të rreh të do” e të tjera aforizma të këtij kalibri përdoren rëndom nga shqiptarët për të justifikuar apo edhe sugjeruar përdorimin e dhunës, kryesisht ndaj fëmijëve. Megjithatë, sentencat popullore jo gjithmonë arrijnë të qëndrojnë në këmbë para argumentit shkencor.

Orjola Pampuri, psikologe klinike dhe deputete në Kuvendin e Shqipërisë thotë se ushtrimi i dhunës shkakton deformim personaliteti te fëmijët. “Nëse një fëmijë përballet me dhunë, ndjen, sheh, dëgjon, e më pas përjeton emocionalisht apo fizikisht, sigurisht që egoja dhe superegoja e tij cenohen dhe nuk zhvillohen konform realitetit”, thotë Pampuri. Sipas psikologes, këtë deformim e nxit mjedisi i dhunshëm ku fëmija po zhvillohet dhe modeli i dhunshëm me të cilin po identifikohet.

Ajo thotë se dhuna në familje mund të ndikojë që sjellja e fëmijëve të shoqërohet me tërheqje sociale, apo sjellje ankthioze, performancë të ulët në shkollë, dhe vështirësi motorike apo konjitive.

Sipas Pampurit, mjedisi kulturor kapasur një peshë vendimtare në trashëgiminë e modelve të dhunshme përmes brezash, dhe ajo thotë se patriarkalizmi tradicional i shoqërisë shqiptare ka luajtur një rol domethënës.

“Vijmë nga një sistem, ku edukata dhe kultura mbi respektin reciprok në familje ka qenë e varfër, ku masat kundër dhunës kanë qenë të papërfillshme, ku edukimi i fëmijëve arrihej kryesisht në bazë të ndëshkimit dhe jo komunikimit dhe argumentimit të çështjeve që nxisin zhvillimin e shëndetshëm”, vëren ajo.

“Në fakt mund të jetë mirëfilli një dhunë sistemike kolektive, e cila e shpërndarë mund të zhvendoset në familje dhe kundrejt njëri-tjetrit”. Pampuri thekson se një shoqëri që i imponohet mendimi, veprimi, arsyetimi e vendimmarrja, e gjitha kjo mund të përkufizohet me shkelje të të drejtave themelore çka deformon sjelljen.

Fitim Uka, ligjërues në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Prorektor në Kolegjin Heimerer, në Kosovë, një vend ku disiplinimi i fëmijëve përmes dhunës fizike është gjithashtu i pranishëm – thotë se pasojat e dhunës janë më afatgjata dhe dramatike nga ç’mund të mendojë shumëkush.

“Çfarë na sugjeron literatura lidhur me efektet afatshkurtra apo afatgjata që mund të ketë dhuna tek ata të cilët janë subjekt i saj, janë ndonjëherë të jashtëzakonshme. Për faktin e thjeshtë që ne jemi mësuar ta konceptojmë dhunën thjesht si një formë të edukimit, e cila realizohet aty për aty dhe ka një fekt të menjëhershëm pozitiv”, thotë Uka.

Ai thotë se studimet tregojnë që ata që bien pre e dhunës kanë tendencë që të zhvillojnë simptoma të stresit post-traumatik. “Janë gjithashtu të predispozuar që të mbyllen në vetvete dhe të shfaqin shenja të depresionit, të mungesës së vetëbesimit, vetëvlerësimit, iniciativës; dhuna ndikon negativisht në të gjitha aspektet e funksionimit të një individi në kuadër të shoqërisë”.

Uka shpjegon se një keqkuptim themelor ndodh sepse efektet e menjëherëshme të dhunës mund tëduken pozitive për prindin apo atë që ushtron dhunën, sepse sheh ndikimin e aty për atyshëm për ndryshim të sjelljes. “Por, të gjitha teoritë në psikologji theksojnë faktin që në mungesë të këtij autoriteti që ushtron dhunën, personi ka tendencën që të shfaqë sjellje të cilat prapë janë antikomformiste”, thotë ai.

Sipas Ukës, kur flitet për ndikimin negativ të dhunës nuk mund ta kufizohet vetëm tek individi, por edhe në mundësinë që ka ky individ të kthehet në problem për shoqërinë. “Ata fëmijë, të cilët rriten në ambiente të dhunshme, qoftë në familje apo në shoqëri, kanë tendenca që t’i imitojnë modelet e dhunshme, dhe pastaj këto sjellje t’i demonstrojnë me bashkëmoshatarët e tyre fillimisht, por gjithashtu në të ardhmen edhe në raport me partnerët e tyre, bashkëshortët”.

AI thekson se të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë që efektet e dhunës janë negative dhe ajo nuk mund të konsiderohet si një mjet efikas i dukimit.

Ringritur krenarë?

Sot në moshën 37-vjeçare, shumë kujtime të dhunës së fëmijërisë i ka fshirë koha. Kanë mbijetuar vetëm disa. Përgjatë përvojave të mia jam munduar të mos ushtroj asnjë lloj dhune, fizike por jo vetëm, dhe shpresoj që në pjesën më të madhe t’ia kem dalë.

Ndërkaq, nga bisedat me më të rinj – të ashtuquajturit “breza të internetit” – mbi përvojat e tyre në shkollë, rezulton se brutalizimi i gjithanshëm ndaj brezave të mëparshëm tashmë mund të jetë histori. Edhe rastet e sotme të rralla të rrahjes së nxënësve, të pasqyruara në publik përballë dënimit të gjerë të shoqërisë, janë tregues se mynxyrat shkollore ndaj meje dhe shokëve të mi i përkasin, tashmë dhe më në fund, një kohe të perënduar.

Megjithatë, rastet e panumërta të raportuara dhe të paraportuara të dhunës në familje, mund të jenë pjesë e kësaj trashëgimie të së shkuarës – një spekulim ky, në mungesë të të dhënave faktike.

Zhujeta Cima, sipërmarrëse dhe nënë, thotë se për të është e pamendueshme të ushtrojë dhunë ndaj fëmijëve apo më të dobëtëve dhe se ndjen neveri prej saj. Ata që e njohin do të përmendin gjithmonë fustanet me shumë lule dhe buzëqeshjen e saj të madhe sa herë takon dikë.

Regjisor, prind dhe sipërmarrës, Enton Kaca aktualisht e ndan jetën mes Shqipërisë dhe SHBA-së bashkë me qenin e tij Buffo, një Border Collie çamarrok, karakteri i të cilit i përshtatet me emrin, që pak a shumë përkthehet në “Gaztor”. Kaca është lloji i perfeksionistit që mund të nervozohet lehtë nga detaje të padukshme për shumicën, por ndërsa njerëzve jashtë familjes së tij u flet nganjëherë ashpër, Buffo-n e qorton kurdoherë me butësi.

Klodiana Alia jeton në SHBA. Atje punon si fotografe dhe instruktore joge. Disa prej kujtimeve që do t’i harrojë vazhdojnë t’i shfaqen, por më të zbehta, më të mjegullta. Duket sikur zhvendosja fizike nga Shqipëria u ka pamundësuar traumave të fëmijërisë që ta ndjekin me të njëjtin intensitet përtej oqeanit, deri në Amerikën e largët.

Elsi Rizvanolli sot është një baba krenar që nuk mund ta imagjinojë të ushtrojë dhunë ndaj familjes së tij apo kujtdo tjetër. Por, nganjëherë fantazmat e terrorit shkollor i shfaqen; fotografi të mendjes, shpulla që i ka përjetuar vetë, apo njolla gjaku dhe urine të shokëve të tij të përjetësuara në kujtesë.

Rizvanolli beson se ai dhe bashkëvuajtësit e brezit të tij kanë një detyrim më të lartë moral për të treguar të vërtetën dhe për ta këputur trashëgiminë e së keqes. “Nuk jemi thjesht viktima, por njerëz të vetëdijshëm, ndaj vuajtjet dhe padrejtësitë që kemi përjetuar nuk mund t’ua përcjellim të tjerëve”, thotë ai.

Dhe duke parë pas në kohë, prej të sotmes së frymëzuar nga shembulli heshtur i dhjetëra mijë fëmijëve që pasi përjetuan apo dëshmuan terrorin e një epoke, sot janë burra e gra që u shërbejnë familjeve dhe shoqërive të tyre, nuk mundem veçse të ndihem dëshmitar i një ‘tour de force’ të heshtur që i tejkalon brezat pa trashëguar mëkatin. Nuk mundem veçse të mendoj me zë të lartë, se ne duhet të jemi, se ne vërtet jemi më të mirë se ata që na torturuan.

November 9, 2017 11:26
Komento

15 Komente

  1. Nxensi November 9, 11:32

    Doli e shkroi edhe nje budalla tjeter. Se këto kanë ndodhur né shkollen Apo me mesusen tende. Ka qënë gjithe shqiperia siç shkruhet? Budalla e gjysem

    Reply to this comment
  2. anticensurë25642654 November 9, 13:06

    nuk e di se ku kanë ndodhur gjëra të tilla,por di të them se dhe unë si shumë të tjerë kemi bërë shkollat në atë kohë!!në vitet ’80 kisha dalë nga rendi i kësaj dhune që pretendohet këtu,sepse isha unë më i aftë se çdo mësues,por po flas për fund vitet ’60 deri nga meis i viteve ’70!!të paktën atje ku kam qënë unë në shkollë nuk ka pasur dhunë të të tilla përmasave!!as shpulla e aq më pak vizore e mjete të tjera të forta!!unë personalisht si kalama mistrec,i kadegorisë superiore,haja ndonjë shpullë,ndoshta dy e tre,por ju siguroj se po të isha unë në vënd të mësueses!?do të kisha dhënë më shumë!!mbaj mënd një gjë të vogël!asnjë herë nuk kam shkuar të ankohem!sepse,pavarsisht se e dija fare mirë që mësuesi e kishte kadegorikisht të ndaluar të përdorte dhunë dhe se për të mund të pushohej nga puna,prapë e kam kuptuar se kam qënë unë ai që i ka bërë “mutin muhabetit”dhe jo mësuesi i shkretë që duhej të bënte luftë me sistemin e tij nervor!!edhe pas mbarimit të shkollës,kam pasur një mardhënje të shkëlqyeshme me të gjithë mësuesit,veçanëtisht ata të “egrit”!!dy raste më kanë mbetur në mëndje nga mësuesit që nuk kanë ushtruar “dhunë”!!e para ishe një mësuese që dukej që në fytyrë se vetëm mësuese nuk ishte,por as femër në shpirt!!pavarsisht se isha i një niveli nërmjet 9ësh dh e10ës,në fund ma nxorri 5!me arsyetimin se isha shumë i pasjellshëm!!dhe lënda ishte e tillë ku ajo kishte mundësinë ta arsyetonte notën!!
    e njëjta gjë me një profesor në të mesme!!ai dëshirën e kishte të më thyente brinjët nga e para tek e fundit,por si takatin dhe mundësinë se kishte,prandaj më uli notën në lëndën e tij!!pas maturës ndërronte gjithnjë rrugë nga frika sa herë më shihte!!një ditë e ndala dhe i thashë të mos ndërronte rrugë!!mjaftonte të mos më fliste,sepse unë nuk kisha ndërmënd ti bëja gjë!!i thashë “unë nuk jam i nivelit tënd,nuk shfrytëzoj atë që kam në dorë”!!
    pra,të flitet për DHUNË në sitemin arsimor,të viteve ’80 është një idiotësi!!
    që ka pasur mësues që kanë ushtruar “dhunë”!?që kanë lëshuar shpulla majtas djathtas,ose dhe diçka më tepër!?
    ka pasur dhe ka për të egzistuar tërë jetën!!
    unë mendoj se shumica e mësuesve të tillë,kanë zgjedhur profesionin e gabuar!!disa i lëshojnë nervat në momente të caktuara!!

    Reply to this comment
  3. Astriti November 9, 14:30

    Jane gjera qe kane ndodhur dhe jo rralle. Sigurisht, qe ka pasur edhe shume modele mesuesish shembullore.
    Sot, jane mesuesit qe kane frike nga nxenesit.

    Reply to this comment
  4. Qytetar November 9, 14:54

    Ndjese per termin qe po perdor: Pislleqe gazetareske! Nuk ia vlen te shtoj me shume. I thashe te gjitha. Keqardhje edhe per Adrianin qe e boton shkrirmin e ketij gazetruci!

    Reply to this comment
  5. shqip November 9, 15:29

    E lexova deri ne nje pike kete shkrim idiot . Po ku do te dalesh o njeri qesharak ? Do te nxjerresh qe edukata e marre ne ato shkolla , paska qene kohe e humbur e brezit tone ? Po pse nuk thua tjetren o idiot , qe mesuesit nuk te kerkonin para per te marre provimet . Pse nuk thua o tip Uriah Hipi , qe ne ato shkolla nuk bente vaki te hynte njeri me pistolete . Qe ne oborret e shkollave femijet vraponin , loznin , e nuk blinin karamele Lazarati . Nuk i hipnin vajzat ne 4×4 me xhama te erreta . Dhe e di pse o tipi qe do te behesh i degjuar ? Sepse ai profesori , ajo mesuesja e muzikes , apo ai/ajo tjetra , vigjelonin e nuk lejonin rrugaç ti afrohej femijeve . Vjen e na i sjell ne forme anekdodash , nje sistem nga me te sukseshmit per sa i perket dijes dhe kultures qytetare . Pale , fut gjoja edhe ca episode aktuale , per ta mbuluar m.. me sh…. . Ne ajo shkolle na mesoi te lironim vendin nje te moshuari . Ata profesore na mesuan abc e miresjelljes qytetare . Po regjimin pse e fut ne kete mes . çfare prisje ti tip mjeran ? Qe qeveria e asaj kohe ti jepte prioritet kioskave ne brendesi te shkollave ? Ti ofronte femijve prodhimet e Gate Mahmutajt nga Lazarati ? Po si keshtu o shkrimtar i vonuar ! Te paska bere pershtypje nje terheqje veshi , e nuk te bejne pershtypje shiringat e vizat e miellit qe nxenesit i terheqin ne banjot e shkolles . E di ! Ka plote qe te thone :” Po lere fare , eshte humbje kohe ” Vertete . Po nuk mund te rrime pasive , kur shikojme dy realitete qe jane si dy bote te ndryshme . Edhe kur nje pellembe apo terheqje e veshit nuk e justifikojne fenomenin . as qe mund te krahasohen me metodat destruktive te mesimdhenijes e edukimit qe ofrohet sot . Te pakten jo deri ne keto momente .

    Reply to this comment
  6. NjeQytetarOptimist November 9, 18:26

    Ju siper komentuestit te kishit Vera Piten njehere ne nje ore mesimi ( jo nje vit) dhe do shurronit ne breke .. Shtaze mesues..

    Reply to this comment
  7. Nxenesi i mire ne kohen e gabuar November 9, 19:02

    Edhe ajo kohe ka pasur prototipa qe nuk ben nena te dyte.Disa perdornin presionin psikollogjik tek femijet,por pjesa derrmuese e mesuesve ishin tamam prind i dyte per nxenesit.Kjo ka qene koha.Sepse nuk ja vetem dhune fizike por ka dhe psikologjike

    Reply to this comment
  8. Bushi November 9, 19:31

    O qafmolle,o qafe katran,o qafe shejtan,paske qene idiot fare o te humbt vula.Ku,ne ç’dreq shkolle e paske fituar diplomen e idiotesise psikopate? Nuk te vjen pak turp kur shkruan gjera qe nuk kane qene? Ne kohen e socializmit,kush prekte femijen,nxenesin, sikuer nje qime floku,penalizohej dhe hiqej menjehere nga puna.Kerkesa e llogarise ishte shume e larte.Kjo bente qe edhe shkollat pedagogjike te nxirnin mesues te pergatitur,me qellim qe te kishin aftesi per nxenes te pergatitur. Ato qe shkruani ju,jane kolloqifte me rigon qe ti hash e te bejne mire.

    Reply to this comment
  9. dori November 9, 19:49

    Artikull shkruesi paskish qene njeri koke bosh sepse nuk mund Te krahasosh sistemin e arsimit Te asaj kohe me Te sotmin qe mesuesit Kane frike nga nxenesit po nuk i vuri note kaluese

    Reply to this comment
  10. lora November 9, 20:11

    Meqense pohon me gojen tende qe nuk ke qene nxenes i shkelqyer ndonjehere, tregon se dhe gazetarine po e ben me thashethem; prandaj do beje mire qe po te jeshe i martuar dhe te keshe femije, tregojua atyre keto perralla se une s’kam nevoje. Ka dy lloj gazetaresh kur shkruajne shume e lexuesi s’ka durim te lexoje: ose s’ka kohe, gje qe ti e ke me pashe, ose s’ka mendje te koncentroje problemet.

    Reply to this comment
  11. El Che November 10, 10:23

    Dhuna ka qene ndaj femijve ka qene e gjithepranishme ne arsim dhe spo flasim per nje shpulle po te rrahur paq…. kete e dime te gjithe se e kemi jetuar…….. po ne te njejte kohe kjo s’ja ul vlerat shkolles nga e cila kemi dale……..
    shumica kane qene te perkushtuar dhe ka pasur dhe psikopate te vertete… qe s’duhet ti afrohen nje femije 50 dhe jo me te jene mesues
    Doni nje shembull: pyesni pak per drejtrorin e shkolles 4deshmoret ne vitet 89-90. nje psikopat i tille masakronte..po po masakronte.. femijet se nuk kishin pergatitur vjershen per partine sot eshte pjestar i famijles mbreterore ( me ner me thone )

    Reply to this comment
    • Nausika November 10, 15:33

      O El Che,
      Shqiperia ishte një burg i madh dhe pse çuditen këta që në shkolla të rrihnin dhe prindi i thotë të lumtë dora?
      Diktatura e proletariatit, është dhuna e atij që është në nivel të ulët…
      Fisnikët i vranë e po ashtu të shkolluarit e kush mbeti?
      Ata që bënë shkollën e muzhikut…

      Reply to this comment
    • Beni November 10, 15:35

      Çfarë u mësua në atë kohë u harrua sapo u hapen kufijtë….

      Reply to this comment
  12. Plaku Xhuxhumaku November 10, 15:16

    E cfare ka per t’u cuditur, i gjithe ai shtet funksiononte i mbeshtetur mbi dhunen, here e fshehte dhe e padukshme, here brutale dhe ashiqare. Dhuna ne shkolle ishte vetem nje refleks i zbehte i superdhunes ne jete.

    Reply to this comment
  13. Nero November 10, 19:09

    Kam qene mesues ne ate kohe dhe e kam perdorur shpullen ne dy raste te vetme gjate 20 vjeteve pune:
    1- fundi i viteve 80- nje nxenes me therret emrin ne rruge nga larg dhe shton ca fjale te”kendeshme” duke menduar se nuk do ta shihja.
    Te nesermen e thirra para klases dhe e pyeta se si ndjehej ate mengjes. I skuqur flake ne fytyre nuk foli. Ishte nga ata trimoshat qe nuk i bente cerr syri per asgje e ta kthente fjalen pa siklet. I kerkova te perseriste fjalet qe me tha nje dite me pare aty para shokeve te tij. Nuk e hapi gojen e me shikoi tere frike. Natyrisht isha nje koke me i larte se ai. E kuptoj se bera gabim ne ate cast, por qe nje qurravec, nxenesi im, te me shante me nene mua mesuesin e tij ne mes te publikut, kur une isha me grau e femijet e mij, e meritonte nje mesim te mire. Ia futa nja kater shpulla te mira dhe i thashe se ai e ndonje tjeter te mendohej mire para se te bente nje gje te tille. I kerkova te me sillte prinderit( ne ate kohe prinderit ende ishin ne ende ne tone si mesues) po nuk me erdhi njeri te me takoje.
    2- vitet e para te 90- kishte filluar rrugaceria te futej neper shkolla, Sa hyra ne klase pashe nje nxenes qe theu karriken e tij thjesht per qef duke e perplasur ne mur e filloi te qeshi me shoket sikur kishte bere trimeri te madhe. E pyeta se keshtu i trajton karriket ne shtepine e tij? U zgerdhi tere qef. I meritonte ca shpulla. Filloi te bertase dhe i thashe i thuaj mamase e babase se perse te godita dhe i thuaj te vine te flasin me mua per te paguar vleren e karrikes. Nuk u ndje ,e nuk ia degjova me zerin ne klase.

    Keto kane ndodhur, ne tere karrieren time 290 vjecare si mesues e jane te vetmet raste qe une kam goditur nje djale te ri. Do te fusja shpulla edhe femijes tim po te bente gjera te tilla, njesoj si ja kam futur me shpulle nipit kur ma ktheu me sharje me nene se nuk i pelqeu kur i thashe se po bente shume zhurme.
    Kur kam qene nxenes vete ne vitet 60, kemi patur nje mesues vizatimi qe perdorte vizoren si ndeshkim per ata qe benin camarroklleqe qe ishte pak si tej mase se ne sihim femije shume te urte.
    Me ekstremi qe kam perjetuar ka qene nje mesues matematike qe kapi prej flokesh nje here nje vajze ne gjimnaz dhe ia perplasi koken ne derrase sepse nuk kishte zgjidhur te tera problemet qe ay na kishte vene per detyre. Ajo me ka lene nje shije shume te keqe ne mendje se ishte vajza me e urte qe kishim ne klase dhe nuk ia thoshte shume ne matematike.
    Keto gjera ndodhin edhe ne boten e civilizuar perendimore, por me vjen keq ta them se ky shkruesi e ben sikur femijet ne ato kohera abuzoheshin fizikisht ne menyre makabre ne sistemin shkollor gje qe nuk eshte aspak e vertete. Qe kudo ka individe qe e kalojne masen kjo eshte e ditur, por ta pergjithesosh sic e ben ky eshte krim. Ne kemi patur sistemin aresimor me te mirin qe gjendet e qe sot eshte zhdukur nga shjkollat tona ku teksted mesimore jane per qare, dhe mesuesit jane inkompetente.

    Perse nuk shkruan ky zoterija per idiotizmat ne tekstet shkollore qe te bejne te zesh koken me duar. Se ankohen ca per ideologjizmat e teksteve te asaj kohe, po tekstet e sotme qe kane jo vetem pasaktesira shkencore por edhe permbajtej te pahijeshme per nivelin perkates shkollor perse nuk flet ky trim?

    O miqte e DITES, botoni kritika por jo cdo gje qe ju dergohet ne redaksi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*