Terrorizmi dhe kufizimet e solidaritetit evropian

November 18, 2015 21:50

Terrorizmi dhe kufizimet e solidaritetit evropian

Franca arriti për herë të parë në historikun e Unionit, të kërkojë dhe të marrë angazhimin e klauzolës së mbrojtjes reciproke (neni 42§7, Traktati i Lisbonës). Pra, angazhimin unanim të shteteve anëtare të BE-së, për të ofruar ndihmë dhe asistencë me të gjitha mjetet në dispozicion, duke përfshirë edhe ato ushtarake. Por, a mund të themi se, kjo do të shënojë një pikë kthese në kuadrin e politikave të mbrojtjes së BE-së ? Pra, a mund të flasim për një avancim të mbrojtjes evropiane ?

Në fakt, mekanizmi që angazhohet nuk ka një karakter të qartë imponues juridik, duke lënë një fushë të lirë mbi “detyrimin për ndihmë dhe asistencë nga të gjithë vendet anëtare”. Pra, nuk ka specifikim të qartë se, çfarë ndihme dhe asistence konkrete, vendet anëtare janë të detyruara të ofrojnë. Siç edhe është njoftuar, qeveria franceze, pritet të nis një sërë bashkëbisedimesh dypalëshe me vendet anëtare të Unionit, ku do të shkëmbehen pikëpamje të ndryshme se, çfarë palët mund dhe dëshirojnë, që të kërkohet, por edhe të ofrohet. P.sh qeveria belge ka shprehur aktualisht gatishmërinë e saj në maksimum, por gjithçka e ofruar në terma konkretë, do të varet nga diskutimet bilaterale, që do të kryhen.

Por, duket se politika franceze është orientuar drejt një përqasje strategjike disa planesh.

Së pari, ky orientim ka shkuar drejt kërkimit për një mbështetje të fortë politike në nivel evropian, me domethënie të lartë simbolike. Aktivizimi për herë të parë i këtij mekanizimi është forca, që do të shoqërojë këtë simbolikë. Por, ky mekanizëm, ndihma dhe asistenca, që parashikohet të ofrojë duke mos qenë juridikisht e precizuar, krijon hapësirë për angazhim në bazë të vullnetit, që do të shfaqin shtetet anëtare. Ky angazhim mund të variojë nga ndihma konkrete ushtarake, ndihmë në terma financiare, apo ndihmë e një niveli logjistik.

Së dyti, ndonëse simbolika e mbështetjes së gjerë politike është shumë e rëndësishme, angazhimi që mund të ofrojnë shtete të ndryshme anëtare të Unionit, mund të arrijë të lehtësojë barrën e Francës në angazhimet dhe ndërhyrjet e saj ushtarake në shumë vende të botës (Afrikën Qendrore, Rripin e Sahelit, Libi, etj)

Së treti, Franca kërkoi angazhimin e nenit 42§7 të Traktatit të Lisbonës, ndërkohë që mund të kërkonte edhe angazhimin e nenit 222 të Traktatit të Funksionimit të Unionit Evropian. Një nen i njohur gjerësisht si mundësi për angazhim të trupave ushtarake në terren, që i janë vënë në dispozicion Unionit nga Shtetet Anëtare.

Klauzola e Solidaritetit

Neni 222 

1.Unioni dhe Shtetet Anëtare, veprojnë së bashku në frymën e solidaritetit, nëse një Shtet Anëtar është objekt i një sulmi terrorist ose viktimë e një fatkeqësie natyrore, apo me origjinë njerëzore. Unioni mobilizon të gjithë instrumentet në dispozicion të tij, duke përfshirë edhe burimet ushtarake të vëna në dispozicion nga Shtetet Anëtare.

a) – të parandalojë kërcënimin terrorist mbi territorin e shteteve anëtare ;

– të mbrojë institucionet demokratike dhe popullatën civile nga një sulm i mundshëm terrorist ;

– të japë asistencë një shteti anëtar mbi territorin e tij, me kërkesën e autoriteteve të tij politike, në rastin e një sulmi terrorist ;

(…)

Por, ku qëndron ndryshimi mes aktivizimit të këtij neni dhe nenit 42§7 ?

Së pari, ndryshimi qëndron tek fakti se, ndihma ushtarake që Unioni do të mobilizojë ka një karakter ekskluzivisht kombëtar, pra brenda territorit. Së dyti, ai nuk krijon hapësirë për transferimin e kësaj ndihme, në territoret e huaja ku një vend anëtar mund të jetë i angazhuar ushtarakisht.

Neni 222, nuk është aktivizuar dhe nuk është kërkuar ndonjëherë për aktivizim. Ndoshta ngaqë rëndesa apo dramatizmi i ngjarjeve të ndryshme terroriste, nuk ka qenë i një niveli të tillë sa të kërkohet ky angazhim i lartë ushtarak në nivel evropian. Por, nga ana tjetër, ndonëse ngjarjet, nuk mund të jenë të një rëndese të tillë, që mund të angazhojnë veprimin e gjithë Unionit, nuk mund të mos flitet për një hezitim, preferencë, apo qoftë edhe ambicie kombëtare për të menaxhuar, kontrolluar, zgjidhur dhe drejtuar vetë fenomene kaq të rëndësishme në rang kombëtar. Dozat e kësaj ambicie janë vërejtur në çdo fazë të ndërtimit apo avancimit të Unionit, në mungesën e vullnetit për të përparuar në një nivel federal.

Gjithsesi, angazhimi i mekanizmit të parë nën Traktatin e Lisbonës (neni 42§7) duket se ka tërësisht një karakter të fortë simbolik të nevojshëm për Francën, por edhe për Unionin në këto momente delikate dhe nga ana tjetër mund të lehtësojë disi dosjen franceze të angazhimeve të saj ushtarake në botë. Ky mekanizëm, duke i qenë i paprecizuar konkretisht në lidhje me ndihmën dhe asistencën që duhet ofruar, është e vështirë të thuash se ndikon, apo mund të gjykohet si një hap përpara në fushën e politikës së mbrojtjes në nivel evropian. Për më tepër që, ato nuk mund t’i hapin rrugën një operacioni të organizuar nga BE. Vetëm në rast se autoritet franceze do të kishin kërkuar angazhimin e nenit 222, atëherë, po, mund të flasim për një hap përpara të politikës së mbrojtjes evropiane, ku Unioni angazhohet plotësisht në ofrimin e ndihmës së tij ushtarake në shtetin anëtar, që kërkon këtë ndihmë, me operacione konkrete të mirë koordinuara.

Ndonëse Unioni dhe vendet e tij anëtare, i kanë tashmë mekanizmat, që shërbejnë për pasjen e një roli aktiv në fushën e politikës së sigurisë së përbashkët dhe politikave të mbrojtjes, ato shfaqen hezituese për të demonstruar një fuqi evropiane, në rang ndërkombëtar. Hezitimet vijnë sa nga refuzimet e disa vendeve anëtare, si Britania e Madhe, apo Gjermania, por edhe nga mungesa e dëshirës për të pasur vija të qarta reflektimi gjeopolitik. Edhe ndërhyrjet e koalicionit kundër Daesh, variojnë me diferenca të mëdha. Disa vende janë në vijën e parë të sulmeve dhe bombardimeve ajrorë, disa të tjerë kanë angazhim thjesht në nivel logjistik. Përtej përçarjes, që shfaqi ndërhyrja në Irak (2003), edhe ndërhyrja e fundit në Libi (2011), ekspozoi shenjat e përgjumjes përfundimtare të politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë së përbashkët, teksa Franca kërkonte ngritjen e një komande të përbashkët me Britaninë e Madhe, për të drejtuar gjithë operacionet, Britania refuzoi, por edhe Gjermania nuk ishte aspak dakord me një nismë ushtarake të kryesuar nga Unioni. Pa përmendur këtu argumentet e vazhdueshme, që vijnë nga disa vende anëtare për mos konkurrim të NATO-s, apo qëndrimet e disa vendeve të tjera anëtare, që janë tërësisht neutrale në fushën e politikës së mbrojtjes./im.ta/

November 18, 2015 21:50