Testamenti i Razi Brahimit

May 22, 2020 13:45

Testamenti i Razi Brahimit

Fitim Çaushi

U botua studimi me dhjetë ligjërata i kritikut letrar dhe studiuesit të letërsisë shqipe, Razi Brahimi. Studimi shtrihet në vitet 1945-1990 dhe trajton ecurinë e letërsisë shqipe pas çlirimit, duke përfshirë sa më shumë autorë dhe vepra letrare; vendin që zinin dhe misionin që përmbushnin në rrethana të caktuara shoqërore. Brenda këtij gjykimi është parë edhe letërsia e çdo periudhe, për çdo autor e vepër, sipas vlerave të qëndrueshme që i kapërxejnë kufijtë e epokës.

Këtë studim, për nga gjerësia, thellësia e analizave dhe konkretësia, do ta konsideronim kapitalin e çmuar për historinë e letërsisë shqipe. Autori i trajton shkrimtarët e realizmit socialist si misionar shoqëror, të cilët talentin dhe mendimin artistikisht të mishëruar dhe mjeshtrinë, i kanë parë lidhur pazgjithmërisht me pasqyrimin dhe vlerësimin estetik dhe etik të jetës, me qëllime humanitare, formuese dhe edukuese. Në analiza, interpretime dhe vlerësime, autori ka qëndruar sa më pranë mendimit kritik të kohës, ka dhënë me besnikëri atmosferën e kohës në përgjithësi, në letërsi e në qëndrimet ndaj letërsisë. Në këtë trajtim serioz, autori  e shikon letërsinë e realizmit socialist, jo si dukuri të shkëputur, po si stad i veçantë i historisë së letërsisë shqiptare, si zhvillim risor i traditave popullore, atdhetare e përparimtare të mëparshme, si një letërsi në shndrim e lartësim të pandrëprerë  bashkëkohësimi e cilësie.

Në studim gjejmë argumentime të pakundërshtueshme, se realizmi socialist, i cili u propagandua në Shqipëri pas Kongresit të I të PKSH dhe Konferencës së III të Shkrimtarëve, pasqyroi me vërtetësi realitetin në zhvillimin e tij revolucionar, me tendeciozitet klasor proletar dhe partishmëri komuniste, frymë popullore dhe karakter kombëtar. Tipizimi, historizmi, dhe shkrirja e realizmit socialist me romantizmin revolucionar, kanë qenë të orjentuara mirë për zhvillimin e një letërsie me frymë popullore e fizionomi kombëtare socialiste dhe janë bërë mbështetje për një krijimtari letrare që mbante vulën e historisë e të zhvillimeve të shoqërisë shqiptare, sa herë nuk janë kuptuar në mënyrë skolastike dhe nuk janë futur në skema të ngurta që përjashtonin, në emër të karakterit shoqëror, çdo kriter psikologjik e profesional të procesit krijues e rezultateve të tij. Përmes analizave të thelluara shkencore, Razi Brahimi ka dëshmuar, se shkrimtarët e pasluftës ishin të partishëm, jo vetëm si pjesëmarrës në LANÇ dhe aspirues idealesh socialiste, por edhe nismëtarë të shndrimeve cilësore ideoartistike në letërsi. Mbas çlirimit u synua vetëdijshëm e në mënyrë të organizuar që shkrimtarët ta ndienin veten përfaqësues pararojë të masave punonjëse dhe veprat e tyre t’u shërbenin çlirimit, emancipimit dhe aktivizimit të masave, në lartësim të dinjitetit njerëzor, në përfshirjen në punën e përbashkët për shndrimin e natyrës e të marrëdhënieve shoqërore.

Këta shkrimtarë, që iu përmbajtën parimit të partishmërisë proletare, u konsideruan shkrimtarë të angazhuar, që nga entuziazmi i Aleks Çaçit në vitet ’50: “punojnë bashkuar njëzet pendë qe” dhe deri tek apoteoza e “ëndrrës industriale” të Ismail Kadaresë në vitet ’60. Një ndryshim i thellë shoqëror, që nënkupton një ndryshim botkuptimor, ideologjik dhe moral të shoqërisë.

“LANÇ – ka shkruar autori – ndikoi mbi letërisnë si bazë politike e shoqërore për bashkimin e shkrimtarëve atdhetarë, antifashistë, përparimtarë e demokratë të vërtetë, si objekt frymëzimi, si lartësi nga mund të pasqyrohej me realizëm e këndvështrim perspektiv, e gjithë historia e popullit shqiptar, si në aspekt kombëtar, edhe në aspektin politik e shoqëror. Në krijimet kushtuar LANÇ sundon mendimi, se çdo sakrificë u krye në emër idealesh të larta kombëtare e shoqërore dhe vaditi rrënjët e lirisë e të një demokracie, e cila kishte parakusht barazinë shoqërore. Ajo ushqeu letërsinë realiste, humane, me vlera të padiskutueshme estetike, duke hyrë thellë në ndërgjegjen e popullit, sepse e lindi populli dhe e mbështeti mjedisi shqiptar edhe jashtë trojeve tona shtetërore”.

Sipas autorit të studimit, ky drejtim i ri i letërsisë, me formë kombëtare, kuptonte jo vetëm mjetet e shprehjes artistike apo vetëm gjuhën, por veçanësitë e konstitucionit shpirtëror kombëtar dhe veçoritë e zhvillimit historik e të rrugës për shndrimin socialist. Në çështje të formës e të mjeshtërisë artistike, zbatimi i parimeve realiste të pasqyrimit, origjinaliteti i të shprehurit artistik, gjetja e formave dhe strukturave sa më të përshtatshme të pasqyrimit, zhvillimi i gjinive dhe problemet e veçanta të tyre, shfrytëzimi sa i më i efektshëm i mundësive dhe i pasurisë shprehëse të gjuhës shqipe, e pasuroi ideoemocialisht letërsinë shqiptare.

Në vitet ’60 kanë debutuar në letërsi rreth 130 autorë, numër që erdhi duke u rritur në vitet pasardhëse. Në letërsinë e atyre viteve gjejmë të pasqyruar nismat revolucionare, luftën kundër burokratizmit, lëvizjen për emancipimin e gruas, sulmin kundër patriarkalizmit  e meskinitetit mikroborgjez etj., dhe në të gjitha këto, patosi i shkrimtarëve ka përkuar vërtetësisht e çiltërsisht me orjentimet, vendimet dhe rolin udhëheqës të PPSH, si një realitet i pamohueshëm. Vetë shkrimtarët dhe poetët kanë dhënë  gjykimin e tyre për këtë letërsi.

Gjatë studimit, autori konkludon se “heronjtë dhe personazhet pozitivë të letërsisë shqiptare të realizmit socialist, në veprat më të mira janë karaktere jetësor, me fizionomi të përcaktuar shoqërore e veçori vetiake, rrahur e kalitur në kudhrën e jetës, me rrënjët në historinë kombëtare, në rrethana të përcaktuara historike e bashkëkohëse, në mendimin se njeriu duhet të ngadhnjej në jetë e t’i bëjë rrethanat sa më njerëzore.”

Për realizimin e personazheve pozitivë, për të cilët është derdhur aq helm, autori shkruan: “Në vepra me subjekte e tematikë bashkëkohore, kemi skalitje të karaktereve me fizionomi kombëtare, kemi portrete e personazhe përthyer me ngjyrime epike, dramatike, lirike, humoristike e satirike dhënë në sfonde shoqërore, politike e famijare, karakteristike për periudhën e kalimit në rendin e ri. Në shumë prej veprave janë shmangur me sukses skematizmi dhe patetika, janë skalitur me mjeshtëri karaktere tipike të papërsëritshme e të mirëvendosur në mjedise e rrethana hisorikisht konkrete. Kjo është një vlerë artistike e krijuar, që edhe sikur të pranohet që “komunizmi është utopi”, dhe “ndërtimi i socializmit ka qenë kohë e humbur”, shkatërrim i Shqipërisë dhe rrafshim individualitetesh, siç dëgjojmë të thuhet e të shkruhet, asnjë studiues nuk do të mund ta mohonte, se mbi këtë bazë u arritën përparimet në letërsinë e pasluftës, përvojë pozitive dhe dëshmi artistike e çmueshme e një periudhe shndrimesh të vrullshme. Këto e rritën prestigjin e shkrimtarëve dhe artistëve të arrinin popullarit e lartësi, që do ta kishin zili homologët e tyre në vende me tradita më të hershme e më të pasura artistike.”

Mund të mos e pranojnë realizmin socialist krijues e lexues të ndryshëm, por letërsia e krijuar pas çlirimit ka qenë e prirë për të qenë një letrësi cilësisht e re në përmbajtje dhe një përpjekje e vazhdueshme risuese në formë, gjë që është arritur përmes debatesh e kundërthëniesh në mes prirjesh e individualitetesh krijuese të të njëjtit kah, në keqkuptime e keqinterpretime, në vështirësi pasqyrimi realist të jetës, në përpjekjet për të kapërxyer skemat e shabllonet,  rutinën e mediokritetin.

Autori analizon me realizëm të thellë dhe logjikë të hekurt kushtet shoqërore në të cilat u rrit letërsia e kësaj periudhe, kontradiktat objektive e subjektive, të trashëguara e të lindura prej vetë procesit letrar. Si gjithmonë konseguent qëndrimeve të tij parimore, Razi Brahimi thekson, se për shkak të mungesës së eksperiencës, në një pjesë veprash letrare vërehet përshtatja joartistike e koncepteve të përgjithshme ideopolitike, vërehet skematizmi i subjekteve dhe  ngjyrimi bardh e zi i realitetit e i qenieve njerëzore, zbukurimi i heronjve pozitivë, të cilat jo vetëm nuk kanë pasur të bëjnë me parimet e realizmit socialist dhe nuk errësojnë arritjet, po kanë qenë vazhdimisht objekt i kritikës letrare dhe i qëndrimeve që janë mbajtur ndaj letërsisë e arteve prej PPSH.

Shteti socialist ka përkrahur zhvillimin e letërisë e të arteve, po nuk ka pasur ligj, institucion a vullnet politik  që të detyronte ndokënd që të merrej me art e me letërsi, të trajtonte këtë apo atë temë, të kishte këto apo ato parapëlqime e prirje artistike. Spekullimet, se letërsia e realizmit socialist na paska qenë tërësisht e politizuar dhe shkrimtarët – njerëz të indoktrinuar që paskan shkruar me porosi  e jo me vullnetin e lirë, si në rastet kur kanë pasur sukses të merituar edhe në  dështime e botime librash skematikë e shabllonë, është dashakeqe dhe tendencioze. Autori shtron pyetjen: “Mos vallë nga frika e akuzave për politizim, nuk duhet të gjenin vend në letërsi komunistët, veprimtaria udhëheqëse e Partisë së Punës, reformat e kryera dhe zhvillimet e arritura prej pushtetit popullor, si zhdukja e analfabetizmit, zhdukja e gjakmarrjes, krijimi i armatës së intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve, bonifikimet dhe sistemimi i tokës shqiptare, elektrifikimi dhe kultura me përmasa evropiane, intensifikimi i bujqësisë dhe industrializimi i vendit?”

Për tendenciozitet negativ, skematizmi, lustrimi i realitetit, mediokriteti, konsiderohen sot, si pasoja të drejtimit letrar socialist, duke mohuar faktin, se më shumë se sa kaq, gjen në letërsinë e çdo kohe e të çdo vendi kapitalist, ku tregu i surrogatove stimulohet si shumë fitimprurës.

Poezia – thekson autori – ishte e para që iu përgjegj flakë për flakë shndrimeve të gjithanshme me temp revolucionar, të përthyente në imazhe poetike të përgjithësuara, lëvizjet masive, përplasjet dramatike, të shprehte tendosjen nervore dhe shqetësimet e gjendjeve të krijuara, të vizatonte tiparet shoqërore të bashkëkohësit dhe ndërgjegjen e tij të paqetë dhe, për këto arsye, të ndikonte fuqishëm te lexuesit.

“Nuk mund të fajësohet Partia e Punës për gjithfarë botimesh pa vlerë – konkludon Razi Brahimi – qofshin këto edhe me një tendenciozitet gjoja revolucionar. Nuk ka asnjë rast të vetëm që të jetë vlerësuar për kësi veprash të dobëta. Kritika kundër dobësish që vinin prej mangësive ideoprofesionale autorësh, keqkuptimeve të parimeve të realizmit socialist dhe trysnish nga teorizime kallpe, si fryt eksperimentesh formale e individuale dhe jo si rezultat akumulimesh e shndrimesh cilësore të njëmendësuara me kontributin e përbashkët të të gjithë shkrimtarëve në periudha kapërcimesh historike, ka qenë e vazhdueshme.”

Pasi parashtron analiza veprash dhe autorësh nga hopi cilësor që pësoi letërsia jonë në vitet ‘60, Razi Brahimi shkruan: “Në vitet ‘70 kemi thellim të revolucionit ideologjik e kulturor, u nxitën e shpërthyen lëvizje masive revolucionarizuese e demokratizuese edhe në fushën e kulturës  e të arteve. U bë përgjithësimi i përvojës së fituar, u studjuan reagimet ndaj reformave të bëra, u mor parasysh intesifikimi i trysnisë së jashtme dhe i manovrimeve deviatore të brendëshme dhe u pa e domosdoshme të ndërhyhej më fort dhe të veprohej me bindje, por edhe me masa represive për të siguruar mbrojtjen e atdheut, ndërtimin e socializmit, unitetin e popullit dhe vënien e kulturës në shërbim të edukimit atdhetar, ndërgjegjësimit revolucionar dhe emancipimit shoqëror e shpirtëror.

Sado dramatike përplasjet në  udhëheqjen e lartë të Partisë dhe të shtetit, vitet ’70 kanë qenë vazhdim i ritmeve të shpejta të ndërtimit socialist, industrisë, bujqësisë, arsimit, kulturës, arteve. Rendi socialist tregoi epërsinë, forcën, dhe natyrën thellësisht humanitare. Në këto vite shpërpjestimet e vërejtura në mes zhvillimit ekonomik dhe forcimit e shtrirjes së marrëdhënieve socialiste në prodhim, e shtynin PPSH t’i jepte më shumë rëndësi faktorit subjektiv, i cili pa rënë në iluminizëm, mendohej, se mund e duhej arritur me punë e në punë në gjirin e kolektivit me pjesmarrje në lëvizjet revolucionare masive dhe në rrahjen e çështjeve ideologjike e politike të kohës dhe me intesifikimin e punës sqaruese  e edukuese të PPSH.

Është i pranueshëm, se të gjithë shkrimtarët, që kanë botuar në atë periudhë, u frymëzuan nga i njëjti realitet, qenë të së njëjtës prirje ideopolitike e shoqërore, kishin emërues të përbashkët metode artistike. Karakteristikë në rrafsh pasqyrues e vlerësues – thekson autori – ishte, si edhe në politikë: mënjanimi dora-dorës i frymës së entusiazmit patetik të periudhave të mëparshme dhe kalimi drejt një letërsie, të cilës nuk i mungojnë optimizmi dhe ideali komunist, por ky optimizëm vjen i mbrujtur me kundërthënie të kohës, me shqetësime vazhdimësie, me rritje të peshës specifike të një mendimi aktiv reflektim i një – brezi të ri krijuesish  dhe i një hapësire më të gjerë lirie për shfaqe individuale.

Shkrimtarët e brezit të ri në një hark kohor prej 20 vjetesh, arritën të formojnë profile artistike të veçanta, tipare individuale, duke dhënë kontribute për modernizimin e letërsisë në përvijimin e rrugëve për pasurimin e mundësive pasqyruese e shprehëse të saj, nëpërmjet mënyrash e teknikash huazuar nga letërsia bashkohëse dhe të dalin në pararojën e letërsisë kombëtare, madje janë të parët që bënë të njihet e të çmohet letërsia shqiptare edhe jashtë kufijve të vendit. Për të gjithë këta, autori ka bërë një analizë të thelluar dhe evidentuese.

Autori e ka trajtuar letërsinë shqipe të viteve të socializmit, si letërsi që pasqyroi njëmendësinë dhe botën shpirtërore bashkëkohëse, reflektoi vetëdijshëm orjentime ideologjike, politike e shoqërore të kësaj periudhe. Si fushë veprimtarie që dallon prej fushave të tjera të superstrukturës, për veçoritë tiplogjike e individuale, dha ndihmesë të vyer në proceset zhvillimore të shoqërisë së kohës dhe i zgjeroi hapësirat pasqyruese e artistikisht vlrësuese të realitetit në dinamikën e shndrimeve.

Shumë baltë është hedhur për zbatimin e metodës së realizmit socialist në letërsinë shqipe, veçanërisht për Plenimin e IV të PPSH qershor 1973. Si e trajton Razi Brahimi në këtë studim, këtë plenum kaq të përfolur pas 40 viteve? “Plenumi i katërt u parapri prej ndërhyrjeve të Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor 9 janar, në sekretariatin e KQ për edukimin e  rinisë 26 shkurt dhe në mbledhjen e organizatës së Partisë të aparatit KQPPSH më 15 mars, për t’u finalizuar më 20 dhjetor 1974 me diskutimin në sekretariatin e KQ me temën: “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmësit besnikë të Partisë për edukimin komunist të njerëzve tanë”

Në të gjitha këto analiza doli se problematika shqetësuese ka qenë jo thjeshtë disa shfaqe ndikimesh të huaja në letërësi dhe arte, apo disa teprime mode, parapëlqimesh e sjelljesh të rinisë, por shenjat e shthurjes dhe rënia në gjendjen ekonomike e shoqërore në vetë PPSH e funksionimin e shtetit, në qëndrimin e drejtuesve, të specialistëve e të punonjësve ndaj realizimit të planeve të zhvillimit, pronës së përbashkët, punës dhe disiplinës, si rrjedhim mundësitë për plotësimin e kënaqshëm të kërkesave në rritje të punonjësve, po shkonin drejt shterimit.

Me teknologjinë e re të telekomunikimit, ishte bërë e vështirë të përballohej trysnia e jashtme ideologjike e kulturore, lufta kundër ndikimeve të huaja e qëndrimet liberale ndaj tyre. Në kushtet e dilemës: a do të mundej Shqipëria e vogël t’i qëndronte trysnisë së jashtme dhe një agresioni të mundshëm, të vazhdonte ndërtimin e sociaizmit dhe t’i përmbahej teorisë M-L? Kjo dilemë trazonte mëndjet e shumë njerëzve, deri në forume e udhëheqje partiake, të cilët në lidhje edhe me faktorë të jashtëm, devijonin nga programi i PPSH. Në plenum u fol gjerësisht për kulturën letërsinë dhe artet, dobësitë e tyre u panë si mangësi të punës së Partisë, të shtetit të organizatave e institucioneve që merreshin me to, e me të njëjtin shqetësim u shtruan edhe çështjet kritike në ekonomi, në mbrojtje, në veprimtarinë shtetërore dhe në vetë punën udhëheqëse të Partisë. Sado me sy kritik të shikohet plenumi i IV, për PPSH do të kishte qenë puna më e lehtë “të vinte rregull” në lëmin e kulturës e të artit në qoftëse kultura dhe artet do të kishin qenë i vetmi shqetësim.”

Analiza e Razi Brahimit është shumë objektive dhe konkrete, ai thekson se shqetësimi në Plenumin e IV, ka qenë më i thellë sesa problem letrar. Në 23 shkurt 1973 Enver Hoxha deklaronte: ”Ka raste kur shprehet ndonjë mendim i çoroditur, sipas të cilit u dashka që ne të ndjekim symbyllur rrugën e zhvillimit europian. Nuk mund të mohohet që në Europë ka edhe gjëra të mira, sidomos në drejtim të shkencës dhe teknikës. Këto realizime nuk i hedhim poshtë, por në asnjë mënyrë nuk mund të pranojmë që politikisht të zhvillohemi sipas rrugës evropiane. Ne kemi vlerësuar e vlerësojmë vetëm artin revolucionar, përparimtar e demokratik të huaj, qoftë ky i së kaluarës ose i shekullit tonë. Ne do ta zhfrytëzojmë atë edhe në të ardhmen në mënyrë kritike, sepse kjo është e nevojshme për zhvillimin kulturor të masave, për edukimin ideoestetik të tyre, si dhe për formimin e atyre shijeve që i rezistojnë ndikimit degjenerues e vulgar borgjezo-revizionist. Kjo kërkon një punë të kujdesshme nga ana jonë, të pjekur e të shkallëzuar, kërkon mënjanimin e qëndrimeve ekstreme  që kanë për bazë ksenomaninë ose ksenofobinë, liberalizmin ose sektarizmin, mungesën e qëndrimit kritik ose të qenit brenda.”

Duke e parë problemin në vazhdimësi, Brahimi vazhdon: “Ngjarjet që pasuan në vitin 1976-82, dëshmojnë, se plenumi i IV dhe ndëshkimi i pikpamjeve dhe i veprimtarisë së dy anëtarë të KQ që i kundërviheshin orjentimeve, ka qenë paralajmërim për analiza kritike të mëtejshme dhe për masat e rrepta që u morën kundër kuadrove qendrore të Partisë në lëmin e ekonomisë, mbrojtjes, pushtetit…Kjo fushatë spastrimesh dëshmon, se çështja e rrethimit imperiaist-revizionist e ndikimeve të huaja dhe qëndrimeve ndaj tyre, kishte të bënte me sektorët më nevragjikë të jetës së vendit, me devijime jo të disa krijuesve të magjepsur pas shkëlqimesh të rreme të modës perëndimore, e disa “qafleshëve”, po të disa prej drejtuesve më të lartë të shtetit e të Partisë, të cilët kishin bashkrenduar veprimtarinë me jugosllavët dhe agjentura të huaja, megjithëse qenë përgjegjës për vijën e përcaktuar në kongreset e Partisë, prisnin rastin e volitshëm (vdekjen e Enver Hoxhës), për të shpalluar hapur kapitullimin e vet.

Ishte ky një prej shkaqeve që pas Plunuimit të IV këta elementë mbështetur nga kritizerët, karrieristët, amiciozë e smirëzinj, u vërsulën kundër shkrimtarëve artistëve dhe të rinjsh me “devotshmëri”, të tepruar që u pasua edhe me drama e me penalizim të disa artistëve. Ishte vetgënjim pandehja, se me këto konstatime, orjentime dhe masa administrative e ndëshkimore, do të mund të pastrohej terreni nga “barërat e këqia. Ky qëndrim i rrezikshëm i këtyre rrufjanëve politikë, e nxiti Enver Hoxhën të kuptojë efektin depresiv të Plenumit të IV dhe të ekstremizmit që e pasoi atë nga veprimtaria e disa dogmatikëve, prandaj në fjalimin e dhjetorit 1974, iu drejtua shembëjve pozitivë, duke bërë vërejtje për ato raste kur ndërhyrja e kritikës cënon individualitetin krijues të shkrimtarëve  e të artistëve”.

Nxirësit e realitetit e paraqitin lerërsinë e viteve ’70, si traumatike. Nëse u referohemi analizave të Razi Brahimit për veprat që u shkruan dhe u publikuan në atë periudhë,vërejmë, se nuk ka pasur asnjë traumë dhe asnjë ngërç, pati gjallërim të krijimtarisë, lartësim të cilësisë, vazhdim të përpjekjeve bashkëkohësuese, afirmim të mëtejshëm individualitetesh dhe debutim të  sukseshëm letrarësh  të rinj e të talentuar, të cilët, veç të tjerash, zgjeruan hartën e përfaqësimit letrar me autorë prej të gjitha trevave. Kritizerë mediokër, kontestojnë partishmërinë proletare, se gjoja krijoi një letërsi dogmatike të politizuar! Ku janë sot “talentet e mëdha”, që dinë vetëm të kritikojnë? Përse s’krijojnë vepra letrare madhore, më të mira se ato të realizmit socialist, në këto 30 vjet?! Përkundër deklarimesh për çideologjizim, tendencioziteti buron prej realitetit historik, prej njohjes së kontraditave të shoqërisë. Përderisa bëhet fjalë për zhvillim “të lirë” të letërsisë, përse shkrimtarët realistë me botkuptim marksist dhe me ideale komuniste, duhen konsideruar të indoktrinuar dhe të lajthitur, pse kanë pasqyruar një realitet historik që zhvillohej në kah socialist përmes kontraditash klasore dhe janë frymëzuar prej optimizmit të masave popullore në zgjidhjen e këtyre kontradiktave?

Ç’të keqe ka pasur – thekson autori – ngjitja në piedestal e heronjve të luftës çlirimtare  e të punës ndërtimtare, pasqyrimi i përpjekjeve  për ç’rrënjosjen e skllavërimit ekonomik dhe shpirtëror të popullit dhe veprimtarisë së dendur e teje të vështirë për shkallmimin  e obskurantizmit, paragjykimeve e zakoneve prapanike, për çrrënjosjen e mendësisë e të psikologjisë patriarkale e mikroborgjeze dhe për t’u mbyllur shtigjet ndikimeve të jashtme çoroditëse? Mos vallë në veprat letrare e artistike, qoftë edhe në ato me tematikë ngushtësisht ideotematike, nuk gjenden edhe vlera të tjera të natyrës mbarënjerëzore  apo që kanë të bëjnë me edukimin  e përgjithshëm  estetik e artistik të lexuesve, për të mos u shtrirë në rolin e veprave  më të mira në përparimin  e dukshëm që arritën letërsia dhe artet  gjatë ndërtimit të socializmit? Në të gjitha këto drejtime – konkludon Razi Brahimi – “zhvillimi i letërsisë “sipas porosive të Partisë”, cilatdo qofshin të metat e dobësitë e kritikuara me kohë, ka  qenë i shëndoshë e përparimtar dhe nuk mund të diskreditohet as me etiketime përçmuese rrugaçërie politike, as duke marrë si shembull mediokritete e dështime. Kritizerët e vonuar do të binin në pozita reaksionare në qoftë se do të orvateshin të diskretitonin përmbajtjen e veprave të realizmit socialist apo t’i kundërviheshin  kritikës që u është bërë në këto  vepra  rendit feudo-borgjez, bashkëpunëtorëve të fazhizmit, bandave kriminale, mendësive e zakoneve mesjetare, obskurantizmit fetar dhe dukurive që pengonin emancipimin e shoqërisë e të çdo individi.”

Autori në studimin e tij pranon se, ndonse me veçanësi subjekti, mjedisesh, karakteresh e procesesh, ndërtimi i disa veprave letrare është mbështetur mbi skema, me ngushtësi ideore, ka sjellë cënimin e realizmit dhe origjinalitetit. Realizmi është cënuar, jo se autorët e romaneve  janë udhëhequr prej idealesh socialiste dhe kanë qenë të prirë ta pasqyrojnë  realitetin përmes kontradiktash  e konfliktesh, që e çojnë shoqërinë përpara dhe e çlirojnë njeriun prej barrëve të shtypjes shoqërore, politike e shpirtërore, po për shkak, se nisur prej këtyre qëllimeve, ata kanë krijuar përshtypjen e rreme të shndrimeve botkuptimore e psikologjike, kanë krijuar një ndjenjë euforie propagandistike, e cila është e huaj  për letërsinë artistike realiste. Pavarësht tematikës dhe gjinive, fryma kritike e letërsisë, e shpalluar apo e pashpallur, ideologjike, politike, shoqërore a etike, përshkon të gjithë letërsinë, duke u shtrirë edhe në problematikën artistike, si polemikë a diskutim konceptesh e praktikash krijuese. Aktualisht nuk ekziston kritika e mirëfilltë artistike; institucioni i kritikës artistike po shuhet fare, ka vetëm një informacion dhe reklama të shpëlara në gazeta e media, mediokritete dhe mohime të së kaluarës. Nuk shkruhet për formën, teknikën artistike, për estetikën e veprave, flitet pak për individualitetin e penave më të shquara. Sikundër edhe në rendin borgjez, letërsia nuk mund t’i shpëtonte konformizmit as në socializëm. Këtë pjellë të çdo sistemi shoqëror, së bashku me rrënjët e saj hisorike, autori e ka shtjelluar gjatë dhe në mënyrë të argumentuar.

Në orientimet për kulturën dhe letërsinë, pas plenimit të IV u theksua e njëjta rëndësi e kulturës dhe arteve në edukimin e njerëzve, u përsërit i njëjti rekomandim për t’i dhënë përparësi pasqyrimit të aktualitetit, u kërkua ngritja e cilësisë, si dhe më parë. Në Kongresin e  VIII- të të  PPSH, oreientohej: “Është kërkesë e kohës zgjerimi i gamës së temave të letërsisë dhe arteve, përfshirja në to përherë e më tepër e gjerësisë dhe e larmisë së jetës, në mënyrë që dalngadalë të kompletohet prej shkrimtarëve dhe artistëve tanë, tabloja e madhe e epokës socialiste në Shqipëri. Krijimi i kësaj  dëshmie artistike mbetet një detyrë bazë e letërsisë dhe arteve tona.”

Letërsia dhe gjinitë artistike vazhduan zhvillimin me vlera të reja, u evidentuan autorë të rinj të talentuar. Një pjesë e letërsisë, ajo që ushqehej rëndomtë prej direktivave politike, pati në fokusin e vet luftën kundër mendësive e psikologjisë patriarkale e mikroborgjeze, kundër ndikimeve të huaja, si dhe kundër burokratizmit, teknokratizmit, formalizmit, doemos përmes asimilimit të frymës e nismave revolucionare, nxjerrjes në të të virtyteve popullore, ndjenjën mobilizuese të optimizmit historik e të perspektivës së sigurt socialiste.

Me restaurimin e kapitalizmit, e keqja më e madhe në letrësi dhe arte po konsiderohet realizmi socialist dhe thelbi revolucionar i tij: partishmëria komuniste të identifkuar qëllimisht me trajtime dogmatike të kritikuara, me mediokritete dhe dështime, me mungesë talenti. Në kundërpërgjigje të kësaj, Razi Brahimi do të shkruaj: “Në qoftë se gjykohet objektivisht, edhe pa qenë nevoja të përmendet realizimi socialist dhe partishmria komuniste, letërsia shqiptare e epokës socialiste del e përfaqësuar nga vlera të shumta, të cilat jo vetëm janë pasqyrë e kohës, shprehëse të një fryme humaniste e demokratike, frymëzuese dhe mishëruese të fizionomisë kombëtare, por edhe për natyrë dhe realizëm artistik,  kanë për të mbetur dëshmi të një rendi shoqëror që mundësoi shpërthimin e talenteve, kërkonte dhe krijonte të bukurën, ecte drejt emancipimit të gjithanshëm të personalitetit të njerëzve, pra edhe të letrarëve dhe të artistëve.”  Porosia e autorit në mbyllje të këtij studimi do të jetë: “Me ese, tregime dhe romane botuar nga fundi i dhjetvjeçarit, u mbyll në historinë e letërisë shqiptare kapitulli i realizmit socialist, urojmë të mos mohohen vlerat e krijuara gjatë 45 vjetëve, të mos shtrëmbërohet historia politikisht dhe të mos jepet shkas për shmangje prej realizmit e brerje të idealeve humanitare, popullore e kombëtare, të cilat kanë qenë tipare të letërsisë së gjertanishme.”

Studimi i Razi Brahimit për Historinë e Letërsisë Shqipe të viteve 1945-1990, do të mbetet një pasuri intelektuale për nxënësit studentët, krijuesit dhe intelektualët shqiptarë. Aty ata do të gjejnë mirënjohjen dhe respektin e thellë për shkrimtarët, që vunë nga një gur në themelet e shëndosha të letërsisë tonë. Në këtë studim të mirëfilltë shkencor harmonizohen maturia dhe ekuilibri në gjykime e vlerësime, qëndrimi i ftohtë kritik, pasioni i fuqishëm, dashuria e thellë për kulturën kombëtare, atdheun dhe popullin. Në të janë bërë përgjithësime dhe interpetime që do t’i qëndrojnë kohës.

Razi Brahimi ishte intelektual i një brumi të veçantë, i paisur nga natyra me aftësinë e njeriut që ka dhunti forcën e shprehjes, guximin, formën tërheqëse dhe stilin e ngjeshur me mendim. Ai ishte një fenomen letrar dhe do të mbetet pasuri e kulturës tonë kombëtare, për tërë atë trashëgimi letrare e estetike.

 

May 22, 2020 13:45
Komento

2 Komente

  1. Gege Kosova May 22, 15:30

    Asnje sistem, apo rend shoqeror,nuk eshte pa leshime e dobesi.edhe leteresia e realizmit socialist,ka leshimet e dobesite e saja.Por, doemos duhet ta pranojme se, faktet jane me kryeneqe,se kryeneqesi jone personale, ato te dalin para e te ndalin te shikosh,te mendosh e te rezonosh drejt e pa lakadredha.E verteta dhe e drjeta madheshti.

    Reply to this comment
  2. demo May 22, 15:41

    E kam njohur Razi Brahimin.Kam diskutuar me te per letersine,shkrimtareet.Ishte i drejtperdrejte,bir i epokes se tij.Por nuk ishte hypokrit,qe ndryshe mendonte dhe ndryshe paraqitej.
    Me neverisin ca “Zbulime “te atehershem ,ca prurje te reja qe u reklamuan shume dhe u perkedhelen shume nga shtypi Parise,ca Mustafera,ca fariballinje,ca Lleshanakera,qe vinin nga provinca.Razi Brahimi nuk mori deren ne krahe si Driteroi,Dhimiter Xhuvani,qe zbuluan gopin e semes.
    Gjithe ajo zhurme,keto fare talenmtesh kane perfunduar ne manipulatore politike.minj kazanesh te politikes.
    Sot nuk kane asnje lidhje me letersine.
    Razi Brahimi nuk i ndryshoi bindjet e tij.
    Te keqen e kemi pasur nga KAMELEONET.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

mersin escort mersin bayan escort konya escort eskişehir escort

Njoftim

Njoftim