Testi, 303 kandidatët që garojnë për licencën e farmacistit

December 18, 2018 09:00

Testi, 303 kandidatët që garojnë për licencën e farmacistit

Për dy ditë me radhë qindra farmacistë të rinj do të kalojnë në testim për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Pas vlerësimit të dosjeve të paraqitura nga secili kandidat, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar listën zyrtare të 303 kandidatëve që plotësojnë kushtet e duhura për të hyrë në provimin  e shtetit, rezultatet pozitive të të cilit janë vendimtare për të fituar licencën profesionale.

Me marrjen e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private. Provimi i informatizuar për këtë specialitet do të zhvillohet me tre turne për dy ditë me radhë, përkatësisht në datat 19 dhe 20 dhjetor.

Sipas autoriteteve të kësaj qendre, secili kandidat që është pjesë e listës së aprovuar duhet të paraqitet për të dhënë provimin e shtetit në oraret e përcaktuara vetëm për të. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë listën e kandidatëve që do të hyjnë në këtë provim, si dhe oraret kur duhet të paraqitet secili prej tyre në ambientet e provimit.

Që të mos rrezikoni përjashtimin, në ditën e testimit duhet të paraqiteni në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ndërkohë që duhet të keni detyrimisht me vete këto dokumente: “Kartë Identiteti për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal si dhe kopje të tyre), faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë”.

Duhet të bëni kujdes, pasi mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në spitalet dhe qendrat mjekësore të tjera. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Autoritetet drejtuese të kësaj qendre bëjnë me dije se një pjesë e mirë e këtyre të rinjve, kthehen në garë për licencën për të disatën herë, pasi kanë dështuar në sezonet e provimeve të zhvilluara përgjatë sezoneve të shkuara. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Pas farmacistëve testimet do të vijojnë me specialitetet e tjera mjekësore. Konkretisht, një ditë më pas do të nisë testimi për licencimin e mjekëve të rinj, i cili do të vijojë për dy ditë me radhë në datat 21 dhe 24 dhjetor. Deri në mbyllje të muajit dhjetor këtij testimi do i nënshtrohen edhe kandidatët e profilit mami, teknik imazherie, dhe teknik laboratori.

Më pas provimet e shtetit do të rinisin sërish në janar me profilet e tjera të mbetura. Një tjetër ndryshim që shoqëron këtë sezon testimesh për lejet profesionale është edhe heqja e ndëshkimit për djegien e profesionit në rastet kur një kandidat dështon me marrjen e pikëve kaluese edhe pas herës së pestë të dhënies së këtij provimi. Me ndryshimin e miratuar tashmë nga qeveria, provimet e shtetit mund të jepen edhe më shumë se sa pesë herë, dhe tarifa e përcaktuara që duhet të shlyhet nga kandidati në këto raste do të jetë 25,000 lekë.

Kliko KETU për të parë emrat.

 

DITA

December 18, 2018 09:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*