Testi që tregon nëse rrezikoni nga yndyrat e larta në gjak

January 5, 2018 19:56

Testi që tregon nëse rrezikoni nga yndyrat e larta në gjak

Kolesteroli është një substancë natyrale që prodhohet nga vetë organizmi i njeriut. Pjesa më e madhe e kolesterolit në gjakun tonë (rreth 75për qind) prodhohet në mëlçi dhe pjesa e mbetur (rreth 25 për qind) vjen nga ushqimet që konsumojmë çdo ditë.

Ne të gjithë e dimë se nivelet e larta të kolesterolit në gjak nuk janë të mira për shëndetin tonë, por nivelet e duhura të kolesterolit, në fakt luajnë një rol jetik për mbrojtjen e qelizave dhe prodhimin e hormoneve.

Studimet referojnë se rreth 1/3 e të rriturve kanë nivele të larta të kolesterolit në gjak. Zakonisht niveli i lartë i kolesterolit nuk prodhon asnjë simptomë klinike, madje edhe kur nivelet e tij janë shumë herë më të larta se sa normat e lejuara.

Prania e tij shkakton forcim të arterieve deri në bllokim të tyre. Kjo e kufizon rrjedhjen normale të gjakut nëpër arterie dhe mund të çojë në probleme të tilla serioze: siç janë sulmi në zemër, ose goditjet në tru. Strukturat ndërkombëtare të shëndetit rekomandojnë që të gjithë të rriturit mbi moshën 20 vjeç duhet të kontrollojnë çdo dy, deri në katër vjet nivelin e kolesterolit.

Vlerësimi i kolesterolit bëhet nëpërmjet një testi të gjakut, i cili mat tri gjëra: HDL kolesterolin (kolesteroli i mirë ), LDL (kolesteroli i keq) dhe trigliceridet. LDL kolesteroli (lipoproteinë e kolesterolit me densitet të ulët) është lloji që ka tendencë për t’u depozituar në muret e arterieve. Qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) duke u kombinuar me LDL kolesterolin formojnë pllakëza, të cilat vendosen në arterie të ndryshme duke i ngushtuar ato, dhe duke kufizuar për pasojë rrjedhjen e gjakut. Niveli optimal i LDL kolesterolit për shumicën e njerëzve është 100mg/dL, ose më e ulët. Nëse vuani nga sëmundje të zemrës ju duhet të përpiqeni që nivelet e LDL të jenë 70 mg/dL ose më poshtë. Po jo i gjithë kolesteroli është i keq.

HDL kolesteroli konsiderohet si i “mirë” sepse në fakt, luan rol për të mbajtur nivelet e kolesterolit të keq. Sa më i lartë të jetë HDL aq më mirë është. Nivelet e HDL mbi 60 mg/dL mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës. Nga ana tjetër nivelet e HDL nën 40 mg/dL janë konsideruar si një faktor me rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.

Trigliceridet janë një lloj i yndyrave që gjenden në gjak, nivelet optimale të të cilave janë 150 mg/dL. Nivele më të larta sesa kaq, mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës dhe sindroma metabolike. Ndër faktorë rreziku për nivele të larta të triglicerideve përmendim obezitetin, diabetin, duhanpirjen, përdorimin e alkoolit, jeta sedentare dhe mungesa e aktivitetit fizik.    p.k/dita

 

 

January 5, 2018 19:56
Komento

1 Koment

  1. korçari January 6, 10:55

    Lexoni te rejat e fundit per kolesterolin pasi nuk eshte ai shkaktari i bllokimit te arterieve ,fakti çmimi i gjalpit eshte trefishuar ne tregjet boterore ,ne baze te nevojave trupore melçia prodhon dhe kolesterolin pasi eshte baza e ushqimit te qelizave

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*