Testimi i korrikut, mësuesit që mund të garojnë për licencat e reja

July 4, 2017 10:23

Testimi i korrikut, mësuesit që mund të garojnë për licencat e reja

Pyetjet e testit do jenë rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit, pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për njërin nga profilet lëndore në të cilat mësuesi kërkon të fitojë licencën

Pranvera Kola – DITA

Janë me qindra mësuesit e rinj që do të garojnë gjatë këtij muaji për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit në një nga 23 profilet lëndore të mësuesisë.

Për të hyrë në testin e licencës, arsimtarwt e rinj duhet të bëjnë regjistrimin, si dhe të shlyejnë tarifën përkatëse, sipas radhëve të hyrjes në provim.

Drejtuesit e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (QSHA), bëjnë me dije se të drejtën për të dhënë testin e licencës gjatë dy javëve në vijim e kanë të gjithë mësuesit e rinj që kanë kryer studimet e larta universitare të nivelit të parë dhe të dytë, të cilët duhet që të kenë kaluar me sukses edhe detyrimet e praktikës profesionale.

Provimi i shtetit për lejet e reja profesionale të mësuesisë në 23 specialitetet përkatëse, do të zhvillohet sipas një kalendari datash të përcaktuara nga QSHA, tw cilat do tw bëhen publike brenda kësaj jave, së bashku edhe me listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të konkurruar për licencën.

Testimi për licencat profesionale të mësuesisë   

Konkretisht për provimin e licencës mund të konkurrojnë mësuesit e arsimit fillor, arteve figurative, biologjisë, biologji-kimisë, edukimit fizik, fizikës, gjeografisë, gjuhës angleze, gjuhës frënge, greke, gjermane, italiane, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, histori-gjeografisë, histori-gjeografisë dhe edukatës, informatikës, mësuesit e instrumenteve muzikore, kimisë, matematikës, matematikë-fizikës, matematikës informatike, si dhe mësuesit e shkencave sociale.

Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet nw ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për profilin e tij lëndor, për të plotësuar testin me alternativa online.

Autoritetet e QSHA-së theksojnë se provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën.

Në faqen online zyrtare të kësaj qendre, do të gjeni të detajuara edhe fondin total të pyetjeve për secilën nga këto tematika, të cilat do të jenë pjesë e testimit final të licencës. Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit par nisjes sw vitit tw ri mësimor 2017-2018.

Ndërsa mësuesit që do të vlerësohen me nota negative, duhet të presin fundin e vitit për të hyrë sërish në këtë provim, çka do të thotë se aktualisht këta mësues nuk mund të konkurrojnë për asnjë vend të lirë pune.

Rregullat për dhënien e provimit

Sipas rregullave të zbardhura nga kjo qendër, kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit  të provimit të shteti.

Për të mos rrezikuar hyrjen në provim, kandidati duhet të jetë i pajisur me dosjen përkatëse të dokumenteve, ku duhet të përfshijë: “Letërnjoftim (Kartë ID, ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit, duhen dokumentet origjinale, si dhe kopje të tyre. Në rastet e ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Me vete duhet të keni edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA-së, të dredhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ose pikat e postës, të specifikuar sipas herës së pjesëmarrjes në provim”.

Në ditën e provimit, detyrimisht duhet të keni me vete edhe një kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.

Ndërsa kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Mungesa e njërit prej këtyre dokumenteve ju përjashton nga provimi i licencës për ushtrimin e profesionit të mësuesit.

Sipas ligjit për profesionet e rregulluara, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë detyrimisht të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga universitetet përkatëse.

“Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda, ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, detajohet në nenin 7 të ligjit për profesionet e rregulluara.

Penalizimet

Po ashtu duhet tw bëni kujdes që në ditën e provimit të mos thyeni rregullat e përcaktuara, pasi do të ndëshkoheni.

Kështu, gjatë paraqitjes në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat në vijim, të mos marrë me vete mjete komunikimi, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi, gjithashtu ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.

Gjatë ditëve në vijim, çdo kandidat duhet që të verifikojë të dhënat përkatëse në listën zyrtare që do të zbardhë QSHA pwr datat dhe oraret e testimit për secilin specialitet.

Pikët dhe tarifat

Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit.

Tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Ekspertët e QSHA-së, bëjnë me dije se janë të shumtë kandidatët që do hyjnë në provim për herë të dytë dhe të tretë, pasi nuk kanë grumbulluar dot pikët minimale për të qenë kalues. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara edhe tarifat konkrete të hyrjes në provimin e licencës që duhet të paguajë secili kandidat.

Kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë rezultatin nëse ka pakënaqësi. Konkretisht sqarohet se në rastet e pakënaqësive me rezultatin e shpallur, duhet të paraqisni ankesën me shkrim pranë Qendrës së shërbimeve Arsimore, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve.

Pas shqyrtimit të ankesës, kjo qendër kthen përgjigje të argumentuar për vlerësimin e marrë nga kandidati. Në rastet kur sugjerohet rivlerësim i rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit. Ndërkohë që pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës, për të cilin duhet të regjistrohet edhe në Urdhrin Profesional.

Tarifat e provimit të licencës për të gjitha kategoritë

  • Tarifa që duhet të shlyejnë kandidatët që do të japin për herë të parë provimin gjatë këtij sezoni është 10,000 lekë.
  • Tarifa që duhet të shlyejnë kandidatët që do të japin për herë të dytë provimin e licencës në mësuesi është 12,500 lekë.
  • Tarifa që duhet të shlyejnë kandidatët që do të japin për herë të tretë provimin e licencës në mësuesi është 15,000 lekë.
  • Tarifa që duhet të shlyejnë kandidatët që do të japin për herë të katërt provimin e licencës në mësuesi është 17,500 lekë.
  • Tarifa që duhet të shlyejnë kandidatët që do të japin për herë të katërt provimin e licencës në mësuesi është 20,000 lekë.
  • Nëse dështoni edhe në provën e pestë, ju humbisni përfundimisht të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesit.
July 4, 2017 10:23
Komento

1 Koment

  1. liljana March 29, 07:10

    Provimi i shtetit pengon të paaftët të hyjnë në sistem .Po të tjerët që janë në sistem dhe janë të paaftë si do dalin nga sistemi???

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim