Teuta-Tirana, start me barazim

September 7, 2016 22:54

Teuta-Tirana, start me barazim

Në Niko Dovana u regjistrua barazimi i dytë pa gola në këtë kampionat, me durrsakët dhe bardheblutë që e mbyllën takimin me shifrat e bardha 0-0. Nga një shtyllë në cdo krah por asnjë gol për një ndeshje që gjithsesi prodhoi shumë emocione.

Teuta dhe Tirana janë abonuar tashmë me barazimet pa gola sepse kjo ishte ndeshja e 4-t rradhazi në Superiore që nuk prodhoi gol mes këtyre dy skuadrave. Asnjë risi në formacionin e Teutës me trajnerin italian Bexhi që propozonte që nga minuta e parë një formacion të ngjashëm me atë që hidhte në fushë Gugash Magani sezonin e kaluar.

Te Tirana kishte disa ndryshime me trajnerin Daja që aktivizonte në nga minuta e parë Ansi Nikën, Asion Dajën, sulmuesin nigerian Edeh por edhe dy të rikthyerit në skuadër portierin Ilion Lika dhe mesfushorin Afrim Taku. Minutat e para të ndeshjes nuk prodhuan pothuajse asgjë aq sa kamerat e përqëndruan vëmendjen te tribuna Vip e stadiumit, Niko Dovana aty ku përkrah presidentit të Teutës Hasanbelliu ishte i pranishëm ish presidenti i Cesenës Igor Campedeli, i cili ka nisur një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij durrsak.

Rreziku i parë erdhi në minutën e 22-të dhe Teuta ishte me të vërtetë e pafat, pasi ishte shtylla që i mohoi golin sulmuesit të skuadrës vendase Eri Lamcja. Në të 29-tën Asion Daja krosoi mirë duke gjetur të lirë brenda zone Ansi Nikën por ky i fundit gaboi në goditjen e tij me kokë. Që nga ky moment deri në fund të pjesës së parë rastet për shënim ishin të gjitha të Teutës. Në të 31-tën Ilion Lika ndali një goditje të Eri Lamces. 6 minuta më pas Erand Hoxha dhe Silvestër Shkalla i prishën punë njëri tjetrit duke mos rrezikuar dot portën e Tiranës pas ekezkutimit të një goditjeje standarte. Djemtë e Detit patën një tjetër rast me Shkallën në minutën e 44-t, por tentativa e mbrojtësit nuk gjeti kuadratin. Në pjesën e dytë ishte Tirana skuadra më kërkuese në fushë, me bardheblutë që kishin për pjesën më të madhe të kohës topin nën kontroll.

Në të 53-tën provoi Hoxhallari nga distanca por priti Mocka. 5 minuta më pas fillimisht Nika dhe Karabeci goditën portën e Teutës por pa rrezik. Minutat në vazhdim nuk prodhuan raste të pastra. Për të parë një tjetër shans të Tiranës duhej pritur minuta e 75-të, kur Ede pasoi mirë për Takun por gjuajtja e mesfushorit bardheblu, mori kundërpërgjigjen e Mockës. Tirana mund ta kishte fituar ndeshjen por fati nuk ishte me kryeqytetasit në minutën e 92-të, teksa goditja e Dajës nga hyrja e zonës u ndal nga shtylla. Në Niko Dovana u mbyll pa fitues me Teutën e Tiranën që morën nga një pikë në premierën e tyre në sezonin e ri të kategorisë Superiore.

September 7, 2016 22:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*