THAÇI…

Bedri Islami February 26, 2016 22:59

THAÇI…

Nga i dërguari i Ditës në Prishtinë, Bedri Islami

 

Shumë pak vetë kanë menduar se, pas gjithë asaj stuhie politike që u ngrit ndaj figurës së Hashim Thaçit, ky do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës. Iu desh të kalonte nëpër dy rrathë të zjarrta, nga të cilët, ai i pari, ishte përvëlues, pasi mori vetëm 50 vota të deputetëve të pranishëm. Ishte, mendoj unë, momenti i tij i “shok-ut” politik, megjithatë ishte ende i qeshur, i sigurtë në vete dhe i bindur se do të ketë një përfundim tjetër. Ndërkohë që shumë të tjerë rreth tij ishin të alarmuar, ai ishte i fundit që e shfaqte shqetësimin e tij. Filloj të ketë qetësim në raundin e dytë, kur doli mbi atë shifër që i duhej në pjesën e fundit të asaj që po ndodhte në Kuvendin e Kosovës.

Në shkrimin e djeshëm tek DITA kam shkruar jo rastësisht se Thaçi është njeriu që askush nuk e di se cili është versioni i tij përfundimtar dhe se nga ajo që mban brenda vetes mund të ndodhin përmbysje të momentit të fundit.

Me 71 vota të deputetëve, ose 10 vota më shumë nga sa i duhej, ai pret muajin prill që të betohet si president, dhe të kalojë në një ndërtesë tjetër, pasi ka provuar kryeministrinë në dy postet më të rëndësishme të saj: kryeministër në dritë dhe kryeministër në hije, i emëruar si zevendës. Tani, njeriu që është mësuar të jetë pjesë e urdhërit do e ketë vështirë të mësohet me titullin më shumë honorifik të presidentit, por ndodh edhe kështu: ai që këmbënguli aq shumë , që në Rambuje që presidenti të jetë simbol dhe jo faktor, e që më pas e bëri këtë edhe në Kushtetutën e vendit të tij, më shumë se gjithçka tjetër për t’i ngushtuar udhët Rugovës, tani do i duhet të ecë vetë në këto rrugë.

Zgjedhja e tij mund të shihej në dy pamje të ndryshme: Në opozitën që protestoi në sallën e parlamentit dhe të cilës, kur i mbaruan fjalët u erdhi në ndihmë gazi lotsjellës; dhe protestat e saj në rrugë, nga e cila, mjerisht, bombat molotov, ishin më të shëmtuarat; dhe, pamja e dytë ankthi i deputetëve të shumicës. Ishin si dy enë komunikuese që nuk takoheshin kurrë. Pas raundit të parë, ndërsa deputetët në sallë po angushtoheshin, protestuesit jashtë po ngazëllenin. Më pas, pamja ndryshoi: Në sallë po ngazëllenin, në rrugë po mllefoseshin. Në çastet mes njerit votim dhe tjetrit më rastisi të kem komunikim me disa nga deputetët e pozitës, që vinin nga rradhët e PDK-së. Më dukej i pakuptimtë trazimi i tyre, kur e gjithë pamja e Thaçit dukej se kishte fshehur diçka në vete, një të papritur, që, edhe pse nuk ishte krejt e hapur, ishte mjaftueshëm e qartë.

Nga prilli i këtij viti ai do të jetë presidenti i Kosovës. Deri asaj dite shumë ngjarje do të ketë në Kosovë. Njëra prej tyre do të jetë edhe këtë ditë të shtune, 27 shkurt, e cila është paralajmëruar si ditë e protestës së madhe të Opozitës. Nëse deri tani ajo ka pasur një kauzë të mundshme, mos qenien e Thaçit president, tani ajo ka një kauzë të së nesërmes, prishjen e këtij vendimi. Në cilën mënyrë njëra palë do të qëndojë nëzgjedhjen e saj dhe cila do të jetë rruga e palës tjetër për të vazhduar protestat, kjo nuk është e vështirë të merret me mend. Dy palët, deri tani, në vitin e fundit, nuk kanë krijuar pole mendimi përballë njera tjetrës, por pozicione, dhe këto të fundit, dashur pa dashur, të kujtojnë luftën.

Fishekzjarret që u hodhën, më shumë se gjithçka tjetër, u menduan si një çast feste, por ishin aq të pakta sa që mund të mendohej se , duke qenë një gëzim i shfaqur shkurt, ai do të vazhdojë diku tjetër…në të gjitha ato komuna që janë bastione të PDK-së, dhe ku figura e Thaçit është ende e pacënuar.

Le të shpresojmë për një gjetje, më e mira e mundshme, në këtë kohë. Për fat të keq, askush nuk e di se cila është, kur të dyja palët kanë kundërshti të pamasa ndaj njëra-tjetrës.

A do të ketë mësuar Thaçi nga gabimet e së shkuarës në jetën e tij politike dhe a do të bëhet ai, ashtu si ka ëndërruar, njeriu i të gjithëve?

E vështirë do të jetë, megjithëse ai ka provuar se edhe kur ka nxjerrë vetëm majën e aisbergut të tij politik, pjesa tjetër nuk ka vonuar të shfaqet. Ai është presidenti i ri i Kosovës. Nuk mbetet gjë tjetër, veçse të urojmë për një presidencë të mbarë.

 

Prishtinë, 26 shkurt 2016

Bedri Islami February 26, 2016 22:59
Komento

4 Komente

  1. Lesi February 27, 08:05

    Keta ,si ne kete ane edhe ne anen tjeter te tokes Shqipetare ,jane administratore te vjedhjeve galopante te asurive nentokesore e gjithçka kane keto vende ,ku me ineresantja este se vetem popull nuk ka!I njejti skenar si ne Shqiperine e pas viteve 90,sherbetore ,agjente,shites ose fales teritoresh nen urdhera e ambasadore “mik” ne llozha!
    Ne çdo vend ku mungn populli “Burrat e shtetit” jane te gateshem te vrasin edhe popullin e tyre neper sheshe per ulese(karike) korupsioni!Kjo eshte politika e politikanet e sotem ne truallin shqipetar .Kendej nga kjo ane s’na mbetet gje tjeter veçese Rama(Thaqi me me shume kolorit)te hedhe kanidaturen per President e kryeminister te veme Bashen(Isen e Kosoves)!Vetem keshtu do te mund te qetesojme “miqt abasadore” qe te fillojne te bejne se fundemi pune diplomatike e jo siç jane sot stermullar te kolonive abasadoriale!

    Reply to this comment
  2. Mollosi February 27, 09:50

    “Fati i Presidentit ne meshire te nje Liste (serbe) qe se njeh Republiken e tij. Cfare trishtimi”.
    Keshtu e komentoi gazetari Lumir Abdixhiku zgjedhjen e Hashimit per president .

    Reply to this comment
  3. katarakti February 27, 20:09

    Artikull i dobet. Thjesht pershkrim. Pa nerv. Autori nuk ka dashur te mbaje qendrim. Ne fakt te dy palet, per mendimin tim, meritojne nje “dru” te forte. Dikush qe per karrigen e tij djeg vendin, dhe dikush tjeter qe ben cubin dhe nuk respekton demokracine.

    Reply to this comment
  4. Besnik Berisha March 7, 11:31

    Nuk është vështirë të hetohet se autori vazhdon të jetë tejet i anshëm! Për mua, që i njoh raportet e Tij me personin e Hashim Th. dhe C., është e qartë se pse ai, edhe në ditën më kritike, komunikon vetëm me deputetët e pozitës, por lexuesit e gazetës Dita nga një i dërguar special i saj në Prishtinë, do të prisnin pasqyrim real të gjendjes. Dhe po ta bënte autori punën e reporterit të paanshëm, siç e kanë bërë shumë kolegë të tij të gazetave prestigjioze evropiane e amerikane, (DW, NZZ, Indipedent, NT….) do ta kishte fare të lehtë të konstatonte se kryetari i Republikës (jo presidenti, sepse Kosova sipas Kushtetutës është Republikë parlamentare), është zgjedhur në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur.
    Le të kujtojmë ca fakte trishtuese. Atë ditë mbi 8000 policë e njësi special, snajperist gjithandej, ishin rreth e rreth Kuvendit dhe brenda tij.
    Këto pamje kosovarëve të moshës së mesme, nuk kishi si mos t’ ua kujtonin pamjet kur ishte suprimuar Kuvendii i asaj çerek autonomia që ata gëzonin në vitin 1989, në kohën kur po ngjitej në skenë Slobodan Milosheviqi!
    Fundja, Thaçi po shkonte drejt majes së pushtetit me ndihmën dhe mbështetjen faktike të pasuesve ideologjik e politik (Listës Serbska) të Milosheviqit. Kuorumin për zgjedhjen e tij nuk e bën deputetët shqiptar, por Lista Serbska, ky “kalë troje” në truallin e Republikë,s që vazhdon të mbetet peng i marionetave të tipit të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.
    Uroj që gazeta Dita të jetë e hapur, mos të cenzuroj shkrime që nuk shkojnë për shijen e Bedri Islamit, që vazhdon tutje t’ i shërbejë pavetëdijshëm një bande kusarësh të veshur me pushtet në Kosovë.
    Bedriu ka merita historike që në momente kritike, shpëtoi LPK-në nga shpërbërja, por me shkrime panagjerike në dobi të kësaj bande, ka rrezik të humbas respektin që ka një pjeës e mirë e idealistëve në Kosovë. Këtë, sinçerisht, nuk do të doja të ndodhte. Ky shkrim dhe atë e rreshton krah bandave dhe e largon tepër larg idealistëve që e bën Republikën dhe duan ta bëjnë Bashkimin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*