Thaçi-Serbisë: Ndalo përpjekjet për tensione!

Redaksia Online March 22, 2013 17:31

Thaçi-Serbisë: Ndalo përpjekjet për tensione!

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë edhe një herë thirrje Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele nga veriu i Kosovës, si dhe të ndalojë përpjekjet për të krijuar tensione në vend.

Thaçi i ka bërë këto komente në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohet raporti i rregullt i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

“Situata në veri krijon paqëndrueshmëri dhe kërcënim serioz për situatën e sigurisë në rajon”, ka thënë Thaçi.

“Barrikadimet e orkestruara nuk janë vetëm pengesa fizike, por ato dërgojnë mesazhe për ndarje mbi baza etnike”, ka thënë Thaçi, duke iu referuar barrikadave që kanë vendosur serbët nëpër rrugë të ndryshme në veri.

Kryeministri i Kosovës ka kujtuar po ashtu se në muajt e fundit, në veri të Kosovës, kanë ndodhur “së paku 20 shpërthime”.

Ai ka thënë se prapa tyre qëndrojnë strukturat paralele serbe, të cilat financohen nga Beogradi.

***

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka nisur diskutimin për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Në seancë marrin pjesë kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Në raportin e rregullt tremujor për Kosovën, sekretari Ban ka thënë se janë bërë hapa përpara me kalimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd nga niveli teknik në nivel të lartë politik. /REL/

Redaksia Online March 22, 2013 17:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*