Theodhosi: Çu En Lai nuk ishte për industrializim sipas programit të PPSH-së

November 21, 2013 12:30

Theodhosi: Çu En Lai nuk  ishte për industrializim sipas programit të PPSH-së

PROCES – VERBAL

Në Tiranë më datën 30.10.1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime për bisedimet e bëra me personalitete të ndryshme të RP të Kinës.

Përgjigje: Me rastin e jubileut të 20 vjetorit të çlirimit të RP të Kinës, në festën që u bë më 1 Tetor 1968, mori pjesë nga RP e Shqipërisë një delegacion ushtarako-ekonomik, ku në përbërje të tij isha edhe unë. Në një mbledhje që u bë për problemet e mbrojtjes së vendit tonë disa ditë më vonë pas festës, nga pala jonë mori pjesë veç kryetarit të delegacionit Beqir Balluku, anëtar i B.P, zoti Rita Marko, anëtar i B.P dhe zëvendës kryetari i Këshillit të Ministrave, zot Adil Carçani, ambasadori i RP të Shqipërisë në Pekin zoti Nesti Nase, nga sa më kujtohet 2-3 kuadro (funksionar) ushtarake, dhe unë. Para se të venim në mbledhje, një nga pjesëtarët e delegacionit, konkretisht nuk më kujtohet, më thotë se duhet të shkoja edhe unë në mbledhje bashkë me personalitetet e përmendur më sipër. Nga pala kineze, nga sa më kujtohet, merrnin pjesë: Kryeministri i RP të Kinës Çu En Laj, anëtar i B.P të PK të Republikës Popullore të Kinës, Kan Shen, shefi i shtabit të Ushtrisë Popullore të RP të Kinës (emri nuk më kujtohet) dhe disa kuadro ushtarake të tjera. Në seancën e parë të mbledhjes, referoi zoti Kan Shen mbi situatën komuniste ndërkombëtare. Aspekte të veçanta karakteristike nuk më kujtohen; por në përgjithësi situata u paraqit me shumë optimizëm, me gjithë përpjekjet e imperialistëve ose neoimperialistëve sovjetikë për acarimin e situatës ose shantazhet e tyre në politikë. Zoti Kan Shen foli edhe për sukseset e revolucionit kulturor proletar në RP të Kinës, si dhe efektet pozitive që do të rezultonin nga ai.

Në vijim, duke u mbështetur në hartat ushtarake përkatëse të territorit të RP të Shqipërisë, delegacioni ynë shpjegoi, sipas rasteve të agresioneve kundër vendit tonë, se si është ndërtuar programi i Partisë së Punës të Shqipërisë për t’i përballuar ato dhe sigurisht, edhe ndihmën përkatëse të nevojshme që kërkohej në atë rast nga RP e Kinës në armatime të lehta e të rënda.

Nga pala kineze fliste kryetari Çu En Laj, i mbështetur herë pas here edhe nga shefi i shtabit të Ushtrisë Popullore të RP të Kinës. Kryetari Çu En Laj thoshte, me sa më kujtohet, se në rastin e një agresioni frontal të armiqve nga deti, p.sh. nga shtete të tillë të mëdhenj, imperialiste ose neoimperialiste me armatimet e tyre të rënda, ai nuk e shikonte gjëkundi mënyrën e dallimit të një mësymjeje të tillë, nga një shtet kaq i vogël siç ishte Shqipëria. Ai vazhdontë të arsyetonte se në raste të tilla, të një bregdeti të gjerë relativisht në territorin tonë, nuk kishte mundësi se si të ndalohej një mësymje e tillë, me armatime të rënda të një lufte pozicionale, ashtu siç e kishim menduar ne. Nga sa më kujtohet, ai thoshte se një vend i vogël si i joni, në raste të tilla duhej të tërhiqej në thellësi duke përdorur armë të lehta. Diskutimet vazhduan tek tuk edhe nga personeli ushtarak, gjithmonë në kontradikta rreth problemit që trajtohej. Kryeministri Çu En Laj ngulte këmbë vazhdimisht në pikëpamjet e tij duke hyrë në shumë shpjegime, që mua nuk më kujtohen. Unë nuk isha në gjendje të kuptoja nga ana ushtarake se çfarë diskutohej, por tani kuptoj se ai nuk ishte dakord me vijën e Partisë së Punës të Shqipërisë për mënyrën dhe mbrojtjen e vendit tonë dhe rrjedhimisht nuk ishte dakort as me armatimet e rënda që nevojiteshin e kërkoheshin të ndihmohej RP e Shqipërisë. Kryeministri Çu En Laj përpiqej të arsyetonte duke bërë edhe ndonjë llogari të rastit, për të demonstruar që Shqipërisë s’kishte çfarë t’i nevojitej një armatim i rëndë ashtu si e kërkonte, por kryesisht armatime të lehta, më të përshtatshme sipas tij, për situata të tilla. Unë tani kuptpj se nuk ishte në rrugë të drejtë, ideologjike që kryeministri Çu En Laj t’i kundërvihej vijës së Partisë së Punës të Shqipërisë një vendi socialist, sidomos për problemin e mbrojtjes. Nëse RP e Kinës nuk i kishte mundësitë për ndihmën që kërkohej, rruga më e drejtë e përgjigjes do të ishte refuzimi, ndershmërisht nga faktorë të pamundësisë (qoftë të përkohshme), se sa të kundërshtosh vijën e një Partie mike, të një vendi “mik e vëlla”. Në fakt, Çu En Laj përpiqej të ndikonte me pikëpamjet e tij jo të drejta ideologjikisht përfaqësuesit e një Partie motër, në kundërshtim me çdo rregull.

Unë nuk di se si përfunduan më vonë bisedimet dhe marrëveshjet përkatëse. Në vetvete, gjatë mbledhjes, mendoja se ne, për çdo eventualitet na nevojiteshin edhe armatimet e rënda për një mbrojtje pozicionale sipas programit të Partisë. Lidhur me këtë problem, mua nuk më kujtohen mbledhjet ose bisedat e tjera. Unë kam marrë pjesë në këtë mbledhje duke u njoftuar para se të vija në mbledhje dhe nuk e dija se çfarë konkretisht do të diskutohej. Më kujtohet që në Byronë Politike, në një nga mbledhjet e bëra, ishte folur për të kërkuar një ndihmë ushtarake në RP të Kinës.

 

Industrializimi i vendit për zhvillimin e ekonomisë.

Kur ishte në vendin tonë delegacioni i miqësisë për një vizitë me kryeministrin e RP të Kinës (në 5 vjeçarin e tretë, viti nuk më kujtohet), që në mbledhjen e parë kur u shtrua nga pala jonë ndihma që kërkonte Partia e Punës së Shqipërisë për industrializimin e vendit, nga sa më kujtohet, kryeministri Çu En Laj, midis të tjerave tha se kjo duhej matur mirë në shumë drejtime; sidomos me kapacitetin e ndërtimit, me mundësitë e disponibilitetit të krahut të punës, për industri, bujqësi etj., nga sigurimi i lëndëve të para në vende, për t’u bërë ballë ngritjes së objekteve që kërkoheshin. Nga sa më kujtohet, nëpërmjet personelit të delegacionit kinez, ishte folur që kryeministri Çu En Laj kishte thënë për Kombinatin e Tekstileve në Berat, e ishte vendosur të ndërtohej në dy faza. “Nëse ky objekt është i leverdishëm, të ndërtohet në RP të Shqipërisë, duke përmendur dhe pasigurinë e lëndës së parë, për të dy fazat.” Kjo vërejtje u bë problem deri te kryeministri i RP të Shqipërisë, Mehmet Shehu, i cili na ngarkoi (Komisionin e Planit) të rishikonim llogaritjet e leverdisë, sigurimin e lëndës së parë, të fuqisë punëtore etj., gjë që u bë dhe iu transmetua edhe palës kineze për ta hequr nga ai shqetësim. Nga sa më bie ndërmend, në një bisedë me ambasadorin e RP të Kinës në atë kohë (zoti Lo Shi Gao), kur i flisnim për ndihmat internacionaliste që mund t’i jepte Kina vendit tonë në atë kohë pas prishjes së marrëdhënieve me revizionistët, vendi ynë e kishte lidhur ekonominë e ndihmën e tij me vendin e madh socialist Kinën, Lo Shi Gao na shpjegonte se sipas mendimit të tij, RP të Kinës do t’i duheshin me dhjetra vite për t’u industrializuar. Tani, rezultoj se që në atë kohë, kryeministri Çu En Laj nuk ishte për një industrializim sipas programit të Partisë së Punës të Shqipërisë, dmth (nënkuptohet) ishte në kundërshtim me vijën e Partisë në këtë fushë.

Është edhe për këto arsye, veç të tjerash, që delegacioni ekonomik qeveritar (për vitin 1965), me në krye zëvendës kryetarin e Këshillit të Ministrave, zotin Spiro Koleka, para se të nisej, u përgatit të referonte gjerë e gjatë e të bindte palën kineze e neve duke thënë: “Ato pretekste që ju mendoni, se nuk jemi në gjendje të idustrializojmë vendin, ne disponojmë çdo gjë të nevojshme dhe jemi në gjendje të përballojmë më së miri ndërtimet sipas programit të Partisë sonë.” Mirëpo krerët e delegacionit kinez në Pekin, zëvendës kryetari i Këshillit të Ministrave Li Si Nien e Fan I, veç 1-2 herë gjatë disa ditëve, nuk morën pjesë në këto referime dhe lanë për t’i dëgjuar ato anëtarët e tjerë të delegacionit të tyre, duke kërkuar hera-herës ndjesë se gjoja ishin të zënë me ndonjë punë urgjente etj. Që në mbledhjen e parë plenare që u bë, ku merrnin pjesë kryeministri Çu En Laj, zëvendës kryetari i Këshillit të Ministrave Li Si Nien, kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë Fan I, zëvendës ministri i Tregtisë së Jashtme Li Çian etj., dhe nga pala jonë gjithë delegacioni, mbas shtrimit të kërkesave tona për ndihmën ekonomike të 5 vjeçarit të katërt (1966-1970) nga kryetari i delegacionit tonë, e merr fjalën kryeministri I RP të Kinës. Kryeministri Çu En Laj bëri një ekspozë të ndihmës së dhënë për 5 vjeçarin e kaluar dhe tha se kishte pasur edhe një sërë të metash, sepse mjaft objekte ishin në vazhdim e sipër të ndërtimit, duke i ndarë disa për të meta në punët e tyre, disa për mundësi të realizimit nga ana jonë (palës Shqiptare) duke i argumentuar konkretisht me objekte sipas rastit. Duke folur, në vazhdim ai bëri edhe një si bilancë për të gjitha veprat e akorduaar duke i ndarë në vepra të realizuara plotësisht, vepra në ndërtim e sipër dhe ato të parealizuara fare ose të sapo filluara. Ai vuri në dukje kështu edhe një herë që edhe nga gjendja faktike, sipas tij, vërtetohej pikpamja e tij: se duhej vepruar me ritme më të ulëta në krahasim me ritmin e kërkesave tona, që sipas tij ishin të larta e të parealizueshme. Në këtë mënyrë, ai njëkohësisht linte të nënkuptohej se Shqipërisë nuk i duheshin gjithë këto vepra që nuk ishte në gjendje t’i realizonte, ashtu siç e kishte shfaqur pikpamjen e tij edhe për Kombinatin e Tekstileve në Berat, etj.

Në vijim, u bë një diskutim i gjatë e i rëndësishëm për çështjen e bujqësisë. Që në fillim, duke qenë se ne kërkonim import drithrash buke për çdo vit të 5 vjeçarit të katërt, Çu En Laj, në formë pyetje, donte të dinte nëse kishim mendim apo nëse kishim vendosur që edhe më tej të vazhdonim të importonim drithra buke. Pasi ju dha përgjigja nga kryetari i delegacionit tonë, se si kishte parashikuar Partia jonë të zgjidhte sigurimin e drithrave të bukës në vend, deri në fund të 5 vjeçarit të katërt (1966-1970), por që ne, edhe në vitin 1970 kërkonim një sasi të kufizuar edhe nga importi sepse bujqësisë nuk i dihej si prodhim sezonal, pasi ishte vënë në dijeni edhe për planifikimin e rritjes së rendimentit të drithrave të bukës, me mjetet disponibël  dhe me kimizimin dhe mekanizimin e mëvonshëm, për të cilat kërkonim dy uzina të plehrave kimike (superfosfati e nitrati). Çu En Laj mori përsëri fjalën dhe tha: “RP e Kinës, rëndësinë kryesore në ekonomi ia kishte kushtuar bujqësisë në radhë të parë, për të zgjidhur problemin e drithrave të bukës në vend si dhe prodhimet e tjera ushqimore, bujqësore.” Ai përmendi shpesh herë se kjo bëhej sipas mësimeve të kryetarit, zotit Mao Ce Dun. Ai shtoi se ne (pala Shqiptare), kishim parashikuar rendimente të vogla të prodhimit, sidomos me mjetet disponibël. Për të na bindur në këtë drejtim, na propozoi të vizitonim një kooperativë bujqësore të quajtur “Taxhai”, që ishte bërë dhe propagandohej si shembull në të gjithë RP të Kinës, sepse kishte marrë zotim që pa kërkuar asgjë nga shteti, të hapte toka në tarraca shkëmbore, të prodhonte për të siguruar nevojat e veta dhe t’i jepte teprica shtetit. Kur vamë e vizituam, ku na shoqëronte kryeministri Çu En Laj, ata na demostruan neve se si merrinin 70 kv ha misër vetëm me përpunimin e mjeteve të brendshme, lokale, qilizëm të thellë etj. Gjatë bisedës që u bë në kooperativë, veç sa më kujtohet, na tha se nga prodhimi i bollshëm, kooperativistët kishin të drejtë të ndanin të paktën nga 3 kv drithra buke për frymë në vit dhe nga të ardhurat e tjera që përfitonin (nga tepricat e tjera) arrinin të përballonin nevojat e tjera të jetesës.

Çu En Laj, moszhvillimin e industrisë së rëndë me këto mënyra veprimi e bisedimi, deshi t’ja komunikonte edhe RP të Shqipërisë, duke refuzuar, siç bëri bëri në vijim, mos akordimin e uzinës azotike etj.

Pasi u diskutuan një për një të gjitha kërkesat tona, në grupe pune, sipas objekteve dhe kredive për materiale e paisje, të cilat sipas bisedimeve me kuadrot e specialistëve e grupeve nuk na jepeshin të gjitha, u bë një mbledhje e dytë plenare, ku kryeministri Çu En Laj na komunikoi ndihmën që parashikonin të na jepnin plotësisht ose jo për çdo sektor të kërkesave tona, duke dhënë edhe shpjegime për ato që nuk na jepeshin. P.sh., për mos furnizimin e uzinës azotike, ai na tha se parimisht ata na jepnin ato fabrika ose uzina të cilat si pasojë, i prodhonin vetë, midis tyre na dhanë uzinën e petëzimit të çelikut (kryesisht hekur beton), duke e lënë për studim hekurin shqiptar (mineralin) për një kohë të dytë dhe deri atëhere do të na furnizonin ata me lëndën e parë të nevojshme. Kështu edhe për superfosfatin (në Laç), ai tha se lëndën e parë do të na i furnizonin për 2-3 vjet, pastaj duhet ta siguronim vetë, dmth duke bërë tregëti me shtete të tjera. Po kështu, edhe nga zëvendës ministri i Tregëtisë së Jashtme Li Çian, për një seri mallrash të rëndësishme, si prokate, tuba, vajra etj., u kishte thënë kuadrove e specialistëve tanë se mund të bënim tregëti edhe me shtete të tjera që mund të ishin edhe më afër nesh për t’i siguruar ato, e jo vetëm me RP të Kinës. Li Çian, në vitin 1968, na propagandoi shumë panairin e tyre të tregëtisë së jashtme në Kanton, ku shkuam për vizitë sipas propozimit të tij, duke na shoqëruar vetë për të na shpjeguar tregëtinë e tyre me afaristët e shumë vendeve të tjera kapitaliste, na thoshte se valuta e lirë nuk dilte kollaj, dhe duke qenë se neve na mungonte shumë valuta e lirë, duhej ta shtrinim një tregëti të tillë. Bile dhe një kredi të vogël në valutë të lirë, që na e kishin kërkuar për të importuar ndonjë objekt që nuk e siguronte RP e Kinës, në 1968, kryeministri Çu En Laj na i dha duke theksuar se ishte mirë që ne të zhvillonim tregëtinë edhe me vendet e tjera, pavarësisht se cilat.

Me pretekst për të na bindur se ndihmën kryesore RP e Kinës ja akordonte RP të Shqipërisë, kryeministri Çu En Laj na vuri në dijeni të një liste kontigjentesh e ndihmash, caktuar nga organet qendrore përkatëse kineze, nga e cila u jepej veç neve, edhe mjaft shteteve të tjera që ata i quanin miq (borgjez), sigurisht në sasi valute të kufizuar, për të ndihmuar ato në zhvillimin e ekonomisë, për çlirimin e tyre në perspektivë etj. Kjo sigurisht nuk ishte marksiste për krerët e delegacionit e sidomos për Çu En Laj, pasi nuk duhej vlerësuar vendi ynë si ato vende të tjera që ndihmonin ata.

Në vitin 1965, pala kineze i kundërvihej vijës së Partisë sonë edhe për mënyrën e industrializimit të vendit tonë. Këtë e them sepse gjatë programit të vizitave që u bënë, në një pjesë të mirë të tyre, ishin në fabrika të vogla ose në ofiçina të vogla, për të na demostruar se nuk industrializohej vendi vetëm me industrinë moderne, por edhe me objekte të tilla të vogla, duke i sajuar edhe vetë. Për këtë mënyrë trajtimi, mendoj, ishte instruktor i gjithë personeli në kontakt me ne. Edhe për një uzinë disi moderne që ne kërkuam të vizitonim jashtë programit, nga sa më kujtohet, Li Çian, me të qeshur na u përgjigj: “Pastaj mbas vizitës suaj, edhe këtë do të na i kërkoni?”

Në vitin 1968, mbasi u nis njëri delegacion nga Pekini në Tiranë, filloi nga puna delegacioni ekonomik me në krye zëvendës kryetarin e Këshillit të Ministrave Adil Çarçani, ku bënin pjesë veç meje Rahman Hanku, ambasadori i RPSH në Pekin Nesti Nase, Vasil Kati si dhe mjaft drejtorë e specialist të industrisë së tregëtisë. Nga pala kineze kryesonte delegacionin zëvendës kryetari i Këshillit të Ministrave Li Si Nien. Nga sa më kujtohet, merrte pjesë zëvendës ministri i tregëtisë së Jashtme Li Çian, një zëvendës kryetar i Komitetit për marrëdhënie ekonomike me jashtë, emri s’më kujtohet (Fan I i sëmurë) e shumë kuadro e specialist të tjerë. Pasi u shtrua nga kryetari i delegacionit tonë programi i ndihmës që kërkonte RP e Shqipërisë, që kishte të bënte kryesisht me zhvillimin e industrisë së rëndë mbi bazën e lëndëve të para të vendit, si përpunimi i hekur-nikelit, naftës, apatiteve, mineralit bakër, hidrocentrali i Fierzës, disa miniera të mëdha, kombinati poligrafik, antibiotikësh etj., nga pala kineze u kërkua një kohë për diskutimin e tyre dhe ndërkohë u propozua që delegacioni të bënte një sërë vizitash miqësie si dhe në disa objekte që lidheshin me kërkesat tona.

 

November 21, 2013 12:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*