Theodhosi: Luftën e klasave e kam konsideruar gjithnjë me zbutje

November 7, 2013 15:34

Theodhosi: Luftën e klasave e kam konsideruar gjithnjë me zbutje

PROCES-VERBAL

Në Tiranë, më 16 Shkurt 1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

PYETJE: Na trego i pandehur, se cilat kanë qenë pikëpamjet e tua antiparti për çështjen e zhvillimit të luftës së klasave, kur të kanë lindur ato dhe si i ke realizuar këto pikëpamje armiqësore?

PËRGJIGJE: Siç kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme hetimore, unë kam patur pikëpamjen antiparti sipas të cilës mendoja se në vendet ku ndërtohet baza ekonomike e socializmi lufta e klasave vjen duke u shuar. Kjo pikëpamje e imja burimin e ka qysh në origjinën time dhe më vonë ka evoluar e është bërë më e theksuar. Këtë e them sepse qysh pas çlirimit të Shqipërisë, unë kisha mendimin që njerëzit e klasave të përmbysura jo vetëm që të viheshin në punë në raport me njohuritë e tyre por mund të caktoheshin edhe në poste drejtuese të ekonomisë dhe për këtë mjaftonte që ata të punonin mirë dhe të mos i kryenin sabotime ekonomisë. Po kështu, më vonë kur dolën kuadrot e pushtetit popullor që mësuan nëpër shkolla, unë nuk e quajta të drejtë heqjen e njerëzve me përbërje jo të mirë politike nga vendet drejtuese dhe zëvendësimin e tyre me njerëzit, kuadrot pushtetit popullor, kur këta njerëz që ishin me origjinë të keqe politike deri në ato kohë, nuk kishin kryer ndonjë krim dhe që sipas meje mund të vazhdonin të punonin në atë sektor ku ishin.

Me kalimin e kohës dhe konkretisht më kujtohet se aty nga viti 1956 kur u mbajt kongresi i 20 i Partisë revizioniste sovjetike, pashë që ky kongres hodhi pikëpamjet se në vendet ku ndërtohet socializmi, lufta e klasave vjen duke u shuar, se shteti është i të gjithë popullit e pikëpamje të tjera që binin në kundërshtim me mësimet e Marksizëm-Leninizmit. Unë për shkak dhe të mendimeve të mëparshme që kisha për problemin e luftës së klasave e që përmenda më lartë, i konsiderova këto ide të kongresit të 20 të sovjetikëve të drejta dhe që puqeshin me mendimet e mia. Rrjedhimisht, unë nuk isha dakord me qëndrimin që mbante Partia e Punës së Shqipërisë qysh në ato kohë e vazhdimisht e cila luftën e klasave e konsideronte si diçka që duhet zhvilluar kurdoherë dhe që tendencë të përgjithshme edhe në vendet ku ndërtohet baza ekonomike e socializmit, ka ashpërsimin e saj dhe jo shuarjen. Po kështu unë qysh në ato kohë e vazhdimisht kam menduar se edhe në Shqipëri, shteti duhet të jetë i të gjithë popullit dhe jo shtet i diktaturës së proletariatit. Në këto rrethana, unë mendoja se diktatura e proletariatit në Shqipëri ishte e ashpër prandaj ajo duhej të zbutej dhe demokracia e liria duhej të ishte e njëllojtë për të gjithë njerëzit si për punëtorët, fshatarët, intelektualët, apo dhe për njerëzit që ishin me origjinë jo të mirë politike.

Veç sa më sipër, unë kam patur pikëpamjen tjetër antiparti që sipas meje, nuk ishte e drejtë të thuhej se në socializëm rolin hegjemon për ndërtimin e kësaj shoqërie e kishte klasa punëtore me në krye partinë e saj. Unë mendoja se për ndërtimin e socializmit marrin pjesë edhe shtresa të tjera, merr pjesë i gjithë populli me të cilin është bërë punë edukuese dhe që të gjithë punojnë për këtë gjë, prandaj nuk ke se çfarë roli hegjemon të luajë klasa punëtore. Veç kësaj unë mendoja se klasa punëtore nuk ishte në gjendje, ishte e paaftë, ta luante këtë rol hegjemon sepse sipas meje ajo ishte pa nivel kultural për të drejtuar apo kontrolluar ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit, ajo duhej të prodhonte të mira materiale, ndërsa rolin drejtues e kontrollues do ta luanin aparatet shtetërore dhe specialistët intelektualë që kishin njohuri. Siç kam shpjeguar edhe më parë unë mendoja se Partia nuk mund ta luante këtë rol drejtues e kontrollues por atë sipas meje e bënin vetëm aparatet shtetërore dhe specialistët.

Në kuadrin ndërkombëtar, unë përsëri luftën e klasave e kam konsideruar gjithnjë e me zbutje. Këtë pikëpamje e kisha sepse Shqipëria ishte një vend i vogël dhe mendoja që në Bashkimin Sovjetik apo në vendet revizioniste  ndërtohej socializmi, marrëdhëniet me këto shtete ishin prishur për fajin e udhëheqjes shqiptare prandaj ne duhej t’i rilidhnim përsëri këtë marrëdhënie. Sovjetikët ishin dakord për këtë gjë por nuk donte udhëheqja shqiptare gjë që unë përsëri e konsideroja si gabim të udhëheqjes së Partisë tonë. Duke menduar kështu kisha pikëpamjen se ky ashpërsim me sovjetikët vjen për fajin tonë dhe se nga sovjetikët ose vendet e tjera revisioniste unë nuk shikoja ndonjë rrezik real për agresion siç thoshte Partia jonë. Po kështu duke menduar se vendi ynë ishte i prapambetur ekonomikisht, kisha pikëpamjen se duhet të bëjmë tregti me të gjithë shtetet qoftë edhe me amerikanët, por më shumë me vendet revizioniste. Këtë pikëpamje në veten time e arsyetoja se në fund të fundit tregtia bëhet për interesa ekonomike dhe ashtu si të leverdis ekonomikisht, ashtu duhet ndërtuar edhe politika.

Duke patur këtë pikëpamje antiparti, unë në kundërshtim me politikën e Partisë aprovova edhe propozimin e Lipe Nashit e të disa specialistëve të tjerë të naftës që u kontraktua me një firmë amerikane nga ne morëm makineri elektronike për shpejtimin e studimeve sizmike. Unë kam patur pikëpamjen se marrëveshje tregtare të bënim me të gjitha shtetet që kishim leverdi të barabartë pavarësisht nëse me ato shtete kishim ose jo marrëdhënie diplomatike.

PYETJE: Na jepni i pandehur shpjegime se çfarë di ti për blerjen e kësaj makine elektronike?

PËRGJIGJE: Nga fillimi i vitit 1970, në Ministrinë e Industrisë e të minierave lindi nevoja për  blerjen e një makine llogaritëse elektronike që do të shpejtonte e saktësonte, studimet sizmike për kërkimin e naftës. Unë këtë gjë ja bëra prezent Qeverisë e cila na tha shikojeni, studiojeni dhe po të duhet domosdoshmërisht një makinë e tillë, e blini.

Unë, para se të kërkoja fondet nga Qeveria dërgova një grup specialistësh me në krye Ramiz Xhabinë, në Algjeri për të parë nëse ata përdornin makina të tilla dhe çfarë rezultatesh jepnin. Pasi u kthye ky grup; më raportoi se këto makina përdoreshin shumë në Algjeri dhe jepnin rezultate të mira. Në fillim kërkuam një makinë të tillë nga R.P. e Kinës, por ajo na u përgjigj se nuk dispononte.

Aty nga mesi i vitit 1971, mbaj mend që unë kam biseduar me Kiço Ngjelën në telefon, për këtë çështje dhe ai më tha që le të bisedojnë njëherë specialistët e ministrisë tuaj me specialistët e makinë-importit për të përcaktuar se ku ka e nga ne mund ta marrim një makinë të tillë.

Pas kësaj specialistët e Ministrisë së Industrisë, Beqir Alia, Hasan Hasani dhe disa specialistë të sizmikës, më thanë mua se specialistët e makina-importit na treguan që oferta dhe me sa dinë ata makina të tilla elektronike perfekte prodhojnë amerikanët dhe sipas shpjegimeve që u kishin dhënë specialistët e Tregtisë së Jashtme, amerikanët këto makina nëpërmjet filialeve të tyre i shesin edhe në Francë e në Gjermani. Në ato kohë unë mbaj mend që kam biseduar përsëri me Kiço Ngjelën por se ku konkretisht nuk më kujtohet. Di që si unë dhe Kiçua vendosëm që të dërgonim një grup të përbashkët me specialistë nga të dy ministritë në Francë dhe në Gjermani për të parë dhe për të vendosur marrjen e kësaj makine.

Ne i kishim kërkuar Qeverisë fondin për blerjen e kësaj makine dhe ajo na dha 500.000 dollarë. Kështu në ato kohë mbaj mend që u nis një grup për në Francë e Gjermani me në krye Hasan Hasanin, ish-nëndrejtori i naftës. Mbaj mend që si kaloi një kohë, ata na njoftuan se filiali amerikan për blerjen e kësaj makine kërkonte 700.000 dollarë dhe unë e Kiço Ngjela meqenëse nuk e kishim këtë fond, ramë dakord që grupi të kthehej pa e përfunduar marrëveshjen dhe në fakt grupi u kthye. Pas kthimit të grupit, më kujtohet që unë jam vënë në dijeni se specialistët tanë kishin biseduar me amerikanët në Gjermani dhe amerikanët ishin dakord që ne të na e jepnin këtë makinë por kërkonin që krahas lidhjes së kontratës pala jonë të mbushte edhe një formular që do ta merrnin amerikanët, në të cilin tregohej, marka e makinës, ku ishte prodhuar, çfarë pune kishte bënte, e çështje të tjera që nuk më kujtohen. Gjithashtu, amerikanët kërkonin që ne ta blenim këtë maqinë 700.000 dollarë. Mesa më kujtohet këtë këto gjëra m’i ka thënë ish-ndihmësi im Hasan Hamza, i cili i kishte marrë nga bisedimet që bëri me pjesëtarët e grupit. Mbaj mend që unë Hasan Hamzës i kam thënë që mbushja e këtij formulari nuk na prish punë le ta mbushin po e duan amerikanët, por çështja është te çmimi sepse ne nuk kemi fond aq sa duan ata.

Në ato kohë, unë kam biseduar përsëri Kiço Ngjelën, bile e kam marrë në telefon dhe i thashë, që neve na duhet kjo makinë elektronike, këta specialistët e mi më thanë që për të blerë këtë makinë duhet mbushur nga pala jonë një formular; unë mendoj që të dërgojmë një grup tjetër me funksione më të larta që të dinë të bëjnë Pazar e të vendosin, sepse po të duhen 50.000 apo 100.000 dollarë, po i japim e të blihet makina. Gjithashtu, i thashë Kiços që përsa i përket mbushjes së formularit që kërkohet, le ta mbushin edhe atë. Kiçua, më tha: “E more një gjë e atillë është, prandaj unë jam dakord me ty, që të dërgojmë tani njerëzit që duhen dhe ç’është për të bërë ta bëjmë e të marrim makinën.” Unë i thashë Kiços që ne nga ana jonë do të dërgojmë Lipe Nashin me dy-tre specialistë të tjerë, por dhe ju dërgoni njerëzit që duhen. Kiçua më tha mirë dhe më gjatë nuk më kujtohet të kemi biseduar.

Kështu pas pak kohësh u nis grupi me Lipe Nashin e Andrea Mançon dhe me specialistë të tjerë, të cilët përfunduan kontratën për blerjen e kësaj maqine në shumën prej 500.000 dollarë.

Atë ditë që u kthye Lipe Nashi nga jashtë shtetit erdhi në zyrën time dhe mbasi u takuam, i thashë Lipes së unë tashti kamë një punë tjetër, më duket mbledhje në ministri, por unë sonte do të vij në Fier dhe takohemi në shtëpinë e Partisë e atje bisedojmë, bile i thashë Lipes që po të donte të më priste dhe të iknim bashkë pasdite në Fier. Lipia tha që do të ikte më parë dhe kështu u ndamë.

Pasdite unë shkova në Fier sepse të nesërmen, mesa më kujtohet kisha një mbledhje në Komitetin Ekzekutiv të Fierit apo në Drejtorinë e Naftës. Kur mbërrita në Fier, në shtëpinë e Partisë, mora në telefon Lipe Nashin në zyrë dhe Piro Gushën që të vinin. Ata erdhën njëri pas tjetrit brenda një kohe të shkurtër. Lipia filloi të më informonte për çështjen e blerjes së makinës, por Piro Gushua më tha që a nuk vemi sonte të tre  në shtëpinë time se atje jemi më rehat për të biseduar. Unë i thashë që mirë jemi edhe kështu por Pirua insistoi dhe u ngritëm të tre e shkuam në shtëpi të tij. Pasi shkuam të tre në shtëpinë e Piros, Lipia filloi të na tregonte se kontratën me amerikanët e kishin lidhur në Gjermaninë Perëndimore, se formularin që kërkonin amerikanët për t’u mbushur nga pala jonë ne kishim pranuar që ta mbushnim, na tha se filialet e firmave amerikane ishin shumë të interesuara për të bërë tregti me ne, na mori edhe për darkë shefi i këtij filiali amerikan që qe në Gjermani, i cili me pasaportë hiqej si kanadez, por në fakt ishte amerikan, çmimin e kësaj makine e ulën në 500.000 dollarë, tha Lipia sepse ne nuk morëm makinat fushore sizmike.

Në vazhdim, Lipia më tha, se në Paris ishte takuar edhe me Beqir Ballukun, i cili ndodhej për kurime dhe kishin qenë bashkë për drekë në ambasadë. Unë e pyeta se si ishte Beqir Balluku me shëndet dhe ai më tha që mirë ishte. Pas një kohe, unë ika e fjeta në shtëpinë e Partisë.

Këto gjëra më kujtohen mua për çështjen e blerjes së kësaj makine.

Proces-verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

 

I PANDEHURI                                                HETUESI

/KOÇO THEODHOSI/                                           /ELHAM GJIKA/

 

 

* * *

PROCES – VERBAL

Në Tiranë më 17 Mars 1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

Pyetje: Në proceset e mëparshme hetimore, ke pranuar se ti i pandehur, në bashkëpunim me persona të tjerë, keni kryer edhe në sektorin e naftës veprimtari të ndërgjegjshme armiqësore-sabotuese. Na jepni shpjegime të hollësishme për këto sabotime që keni kryer në këtë sektor të ekonomisë popullore.

Përgjigje: Si rezultat i pikpamjeve të kundërta anti parti që unë kam patur ndaj vijës së përgjithshme politike dhe ekonomike të Partisë, edhe për sektorin e naftës kam patur disa pikpamje që kanë qenë të kundërta me vijën dhe direktivat e Partisë për këtë sektor të ekonomisë.

Konkretisht pikpamjet e mia të kundërta me vijën e Partisë për çështjet e naftës kanë qenë këto:

Kam patur pikpamje se industria e naftës duhet të ishte një sektor më vete dhe jo me vartësi të plotë nga Ministria e Industrisë dhe Minierave. Unë e konsideroja të drejtë organizimin e këtij sektori kur ishte kombinati i naftës dhe në Ministri kishte një apo dy persona vetëm informues për problemet e naftës në digaster dhe e konsiderova jo të drejtë riorganizimin e këtij sektori që u bë më vonë duke krijuar Drejtorinë e Shfrytëzimit, Drejtorinë e Kërkimit dhe Institutin e Kërkimeve të Naftës. Veç kësaj, në Ministrinë e Industrisë, u krijua një drejtori tjetër me Ramiz Xhabinë në krye që merrej me koordinimin dhe drejtimin e centralizuar të këtyre sektorëve vartës. Me sa më kujtohet, ky riorganizim ka ndodhur nga fundi i vitit 1964 ose fillimi i vitit 1965, kohë në të cilën unë Isha kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Në atë kohë nuk më kujtohet që këtë pikpamje ta kem biseduar me persona të tjerë. Nga fillimi i vitit 1966, kur erdha Ministër i Industrisë e Minierave, këtë mënyrë organizmi të naftës e konsideroja të gabuar, pasi, sipas meje, një drejtim i centralizuar i industrisë së naftës nga Ministria nuk ishte i drejtë dhe nuk mund që të përballoheshin problemet që ngrinte secila drejtori apo edhe Instituti nga Ministria. Me sa më kujtohet, në atë kohë, drejtor i Drejtorisë së Shfrytëzimit ishte Lipe Nashi, ndërsa drejtor i Drejtorisë së Kërkimeve ishte Piro Bozo. Mbaj mend se aty nga vitet 1966-1967, unë kam biseduar me Lipe Nashin dhe Piro Bozon për gjendjen e organizimit të industrisë së naftës. Unë u thoja atyre se kjo mënyrë organizimi që kishim, sillte vështirësi për Ministrinë që të drejtonte gjithë industrinë e naftës kështu e copëzuar. Në këto diskutime, si Lipia dhe Pirua, më thonin se për naftën duhej krijuar një Drejtori e Përgjithshme që të përmblidhte shfrytëzimin dhe kërkimin jashtë Ministrisë së Industrisë sepse kështu do të realizohet më mirë koordinimi i veprimeve ndërmjet këtyre sektorëve. Unë mbaj mend që Piro Bozos në atë kohë i kam thënë se për këto mendime që kishte, të bënte një relacion dhe të na e dërgonte në Ministri. Në fakt Pirua më ka dërguar mua një relacion për këto problem aty nga vitit 1967. Pra unë këtë pikpamje timen për çështjen e decentralizimit të industrisë së naftës e kam biseduar që në kohën që përmenda me Lipe Nashin e Piro Bozon dhe pashë se të dy këta kishin të njejtat mendime si edhe të miat për këtë problem, bile Lipia ishte më i avancuar, pasi shpesh herë më thoshte që ne duhet ta bëjmë sa më shpejt një gjë të tillë.

Mbaj mend që po në ato kohë (1966-1967), unë këtë çështje e kam biseduar edhe me Zenel Hamitin që ishte zv.Ministër për naftën dhe me Ramiz Xhabinë që ishte drejtor i Drejtorisë së Naftës në Ministri. Në këto biseda atëhere Zeneli ishte i lëkundshëm, ndërsa Ramizi ishte dakort që të bëhej një bashkim i tillë. Këto kanë qenë bisedat që më kujtohet se kam bërë në atë kohë me persona të tjerë për këtë çështje.

 

November 7, 2013 15:34
Komento

2 Komente

  1. Marin November 7, 18:01

    Keta intelektuale donin ta ndryshonin Shqiperine duke mos e leshuar pushtetin nga duart e PPSH, trashegimtari i Enver Hoxhes, Ramiz Jago-ja e leshoi pushtetin dhe e shkaterroi Shqiperine. Ja se ku te con diktatori!

    Reply to this comment
  2. beni November 8, 09:26

    Mbas denimt qe moren te akuzuarit,pergjimi ndaj tyre vazhdoj edhe ne burg reparti 321 burrel!
    Pergjoheshin njeher eret ne mengjes edhe ne darke,bile kot nuk flitej,pusho se edhe muret kane veshe!!!Vertet ne kto mure te ketij burgu kishin veshe!!Me pas vazhdonte denimi,deri sa te mos dilje me nga ky burg!!!Ta benin gjyqin ne zyren e komandantit te burgut!
    Nuk dua te vazhdoj me,per tu treguar sekretet e sistemit komunist,se si shteti e zinte lepurin me qere!Shkoni e pyesni Nduen se ai di me shum se vete Enveri apo Ministri brendshem i atyre koheve!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*