Thesaret e krijimtarisë shkencore të prof. Kostallarit

November 7, 2019 13:50

Thesaret e krijimtarisë shkencore të prof. Kostallarit

Prof. as. dr. Kujtim Kapllani     

 

Më 7 nëntor mbushen 102 vjet nga lindja e prof. Androkli Kostallarit, ndërsa më 23 mars të këtij viti u mbushën 27 vjet që është larguar nga jeta.

Trashëgimia shkencore e prof. Kostallarit përbën një thesar që ka tërhequr vëmendjen e rretheve shkencore në një varg vendesh. Vepra shkencore kolektive, pra si bashkautor a redaktor përgjegjës i rreth 40 fjalorëve shpjegues e terminologjikë, i fjalorëve dy-e më shumë- gjuhësh; arrin rreth 40-50 mijë faqe. Krijimtaria shkencore tërësisht vetjake është përmbledhur në 6 vëllime. Dy vëllimet e para i kushtohen gjuhës letrare kombëtare, vëllimi III leksikut e fjalëformimit, vëllimi IV çështjeve të filologjisë shqiptare, vëllimi V përmban monografinëA. Kostallari – korifeu i gjuhësisë moderne shqiptare“ dhe vlerësime shkencore për Akademikun Kostallari nga njerëzit më në zë të kulturës shqiptare, si: akademikët I. Ajeti, M. Domi, A. Puto, L. Omari, R. Qose; profesorët A. Belushi, R. Përnaska, Xh. Lloshi, E. Lafe, A. Vinca etj. Vëllimi VI përmban leksionet për gjuhësinë e përgjithshme, për leksikun e fjalëformimin dhe për gjuhën letrare kombëtare.

Pa dyshim është gjuhëtari me formimin më të lartë teorik shkencor në filologjinë shqiptare. Për herë të parë në gjuhësinë shqiptare, më 1959, ai e ka trajtuar gjuhën si sistem dhe gjuhën letrare kombëtare si sistem sistemesh. Ky ndryshim është, si të thuash, i njëjtë me ndryshimin ndërmjet Neandertalit dhe Homo Sapiensit në shkencat e natyrës. Për formimin brilant shkencor profesori i famshëm, Vinogradov, deshi ta mbante asistent në katedrën e gjuhësisë në Moskë në Universitetin “Lomonosov“. Prof. Kostallari e kishte falënderuar për vlerësimin, por i kishte thënë se duhej të kthehej në Atdhe dhe të organizonte veprimtarinë shkencore në gjuhësinë shqiptare. Natyrshëm shfaqet ndër shqiptarët më të kulturuar të 200 vjetëve të fundit dhe një nga dijetarët më të denjë të radhitet ndërmjet gjenijve S. Frashëri dhe H. Tahsimi.

Shumë është diskutuar për rolin e A. Kostallarit në përcaktimin e standardit të gjuhës së njësuar shqipe. Të gjithë kanë gabuar: në vitin 1954 është botuar Fjalori i gjuhës shqipe nga Cipo, Çabej, Domi, Krajni, Myderizi. Thuajse të gjithë bartës të ligjërimit geg. Fjalori duket sikur të jetë botuar në vitin 1972, menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit

  1. Përafrimi i dy dialekteve shfaqet dukshëm në krijimtarinë e Kristoforidhit si detyrë parësore e Rilindjes Kombëtare. Trajta shkrimore u njësua në Kongresin e Manastirit, ndërsa përafrimi i nënsistemeve të trajtës letrare kombëtare të përbashkët e të njësuar u përvijua me Komisinë Letrare të Shkodrës, dy kongrese arsimore dhe konferencat e viteve ’50 të shekullit XX. Pra, fillesat e standardit s’lidhen aspak me Kostallarin, i cili në vitin 1954 u kthye nga studimet e Universitetit “Lomonosov”. Ai iu përkushtua historisë së formimit dhe zhvillimit të gjuhës letrare shqipe e veçorive ndëtimore e funskionale të saj. Si autoritet me formim të gjerë e brilant shkencor përpunoi parimet shkencore të formimit të gjuhës letrare. Guximi e talenti për të shtruar e mbrojtur tezat teorike e bazën e saj ndërdialektore janë përgjithësuar në botime dhe referate përgjithësuese në kongrese e konferenca shkencore. Vuri në pah faktorët gjuhësorë dhe historikoshoqëorë që përcaktuan rrugën e ndjekur prej saj; mbrojti tezën se ajo ka sistemin e vet mbidialektor me elemente të përbashkëta për të dy dialektet dhe elemente të veçanta me tipare dalluese herë të njërit e herë të tjetrit dialekt; se standardi nuk është shndërrim i drejtpërdrejtë i ndonjë varianti letrar në gjuhën letrare të njësuar; por është ndërtim e sistem ku janë shkrirë elemente të përbashkëta e të veçnta nga të dy dialektet.

Me këtë përgjegjësi para kombit mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe” (1956), kryesoi komisionin që hartoi “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” (Projekt,1967), komisionin organizues të Kongresit të Drejtshkrimit (1972); kryesoi komisionin pë hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973) e të “Fjalorit drejtshkrimor” (1976) etj. Ka marrë pjesë në komisionet hartuese të një vargu fjalorësh terminologjikë etj.

Zhdukja e analfabetizmit, formimi i qyteteve të reja, rritja e rolit të kryeqytetit, përzierja e popullsisë, gjuha e administratës, letërsia artistike, gazetat dhe revistat; radioja e televizioni, shkollat e larta, instucionet që hetuan imtësisht sistemin e gjuhës shqipe, si: Instituti i Shkencave, Akademia e Shkencave, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) etj.; bashkëpunimi i ngushtë me intelektualët kosovarë e të diasporës përafruan natyrshëm dy dialektet, ku ndërkomunikimi shumëshekullor shkoi edhe më tej.

  1. Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të Kostallarit janë leksikologjia e leksikografia, formimi i fjalëve dhe onomastika; ku shquhet specialisti i rrallë jo vetëm i fjalëformimit e analizave leksikologjike, por edhe leksikografi i dorës së parë. Befason që student në Moskë, si bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht (1951), si autor i një shkrimi për problemet themelore të gjuhësisë shqiptare (1953) dhe si redaktor i “Fjalorit rusisht-shqip” me 25 mijë fjalë (1954).

Por puna së cilës i kushtoi gjithë jetën ishte hartimi i fjalorit shpjegues të gjuhës shqipe. Me një varg studimesh monografike rreth parimeve teorike të hartimit të fjalorit normativ të shqipes, rreth strukturës së sistemit leksikor dhe rreth disa prej mënyrave fjalëformuese tepër prodhuese të saj, ai përgatiti shtratin teorik ku do të lindte “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), në të cilin pasqyrohet në mënyrën më të plotë kodifikimi i normës leksikore, morfologjike, drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes standarde. Ky fjalor, që për nga vëllimi i fjalësit dhe struktura semantike e zërave nuk është kapërcyer deri më sot, ka marrë vlerësime prej botës shkencore.

Studimet shteruese për fjalët e përbëra mbështeten në një letërsi shumë të pasur, që dëshmon se autori i njihte studimet për kompozitat në gjuhësinë botërore dhe qëndrimet e gjuhëtarëve shqiptarë për këtë temë; se kompozitat e shqipes i vështronte në përqasje me gjuhët e sotme indoeuropiane, me greqishten e vjetër e latinishten; se mbështetej në një material shumë të pasur faktik, të vjelë nga burimet e shkruara e nga ligjërimet popullore si dhe për vlerësimin e pasurisë leksikore të shqipes dhe mundësitë e mëdha të pasurimit të saj me formime të reja të këtij lloji; edhe për analiza semantike e fjalëformuese, për klasifikime e përgjithësime. I bindur se shqipja i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e praktikës për emërtime terminologjike, ngriti një ekip gjuhëtarësh që u specializuan të përpunonin terminologjinë e të hartonin fjalorët terminologjikë të fushave të ndryshme të dijes (shqip-gjuhë të huaja, mbi 30) dhe ndihmoi drejtpërdrejt si bashkëhartues në fjalorët e parë. Me shkrimet për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), “Parimet për hartimin e fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe” (1968) dhe një numër studimesh të tjera u përpunua teoria e leksikografisë shqiptare. Kështu mundën të hartohen fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe (1980, 1984, 2002, 2006).

  1. Tematika e studimeve për çështje të filologjisë shqiptare, paraqitur si studime e referate në konferenca e kongrese shkencore është shumë e larmishme – artikuj për gjuhësinë dhe për fusha të tjera, si: folklori, letërsia, historia etj. Vend të posaçëm zë referati “Gjendja e studimeve albanologjike në Shqipëri, probleme dhe detyra të reja” (1962), në të cilin jepet një panoramë e zhvillimit të shkencave filologjike e historike para Çlirimit, parashtrohen arritjet kryesore të studimeve albanologjike dhe përvijohen vijat e zhvillimit dhe detyrat kryesore që shtrohen para tyre. Në shkrime të tjera flitet për lidhjet e shqipes me ilirishten dhe për gjenezën e shqiptarëve. Në punimin “Rreth studimeve onomastike në lëmin e shqipes” jep një pasqyrë tërësore të etapave të zhvillimit të shkencës onomastike dhe një vështrim kritik retrospektiv të kërkimeve onomastike në fushë të shqipes e parashtron disa nga vëzhgimet e pikëpamjet e veta për lëndën e mbledhur e për detyrat kryesore që dilnin në këtë fushë.

Në shkrime për çështje të letërsisë shfaqet po aq origjinal sa në krijimet gjuhësore. Në studimet rreth prirjeve të zhvillimit të gjuhës së poezisë popullore dhe vlerave gjuhësore të eposit, e vlerëson këtë të fundit si “ përmendore të shkëlqyer gjuhësore të popullit tonë”.

Dy studime të tjera letrare me shumë prurje vetjake janë “Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore” dhe “Një vepër e panjohur poetike e Franc Nopçës (“gedichte” von Colez Marku”). I pari ka informacion shterues për trajtimin e figurës së Skënderbeut në letërsinë botërore prej shek. XVI deri në shek. XX. Vendin e Heroit Kombëtar në letërsinë botërore, e argumenton duke e parë Skënderbeun si kampion i lirisë. Figura e tij do të rrojë si figurë historike dhe si figurë letrare, përderisa në botë të ketë “popuj që luftojnë për të fituar e për të mbrojtur lirinë kundër grabitësve të saj”. Ky studim merr vlera sidomos në ditët tona, kur janë ngritur zëra për ta “çmitizuar” figurën e tij dhe për ta zhbërë epokën skënderbejane.

Studimi për një vëllim me vjersha të F. Nopçës, zbuluar prej vetë prof. A. Kostallarit në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës; përbën një punë të mirëfilltë filologjike për këtë vëllim në dorëshkrim. Arrin në përfundimin se autori i tij “është dijetari i mirënjohur hungarez Ferenc (Franz) Nopsca”.

Një cikël më vete formojnë studimet për gjuhën e autorëve të vjetër, si Matrënga e Bogdani, si dhe për prurjet e arbëreshëve të Greqisë në fushën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Në këto studime gjendet një informacion shumë i pasur për kulturën arbëreshe dhe për veprimtarinë e autorëve arbëreshë, që kanë qenë të panjohura ose shumë pak të njohura.

“E mbsuame e krështerë” e Matrëngës çmohet si dëshmi e hershme për shqipen, sepse “vërtet është botuar pas librit të parë shqip, “Mesharit“ të Buzukut; por, në thelb, përfaqëson një gjendje gjuhësore rreth një shekull më të vjetër se ky libër”, pikërisht sistemin e toskërishtes së shek. XV, që ishte ruajtur në formë të ngurtësuar në të folmen e Horës së Arbëreshëve. Përpjekja e Matrëngës për të formuar një gjuhë për gjithë arbëreshët e Italisë, shihet nga Kostallari si “një normëzim i parë i gjithë toskërishtes jugore”.

“Pjetër Bogdani dhe gjuha letrare shqipe” është një punim tjetër i gjatë për “lëvruesin më të shquar të gjuhës shqipe përpara Rilindjes Kombëtare”. Ai tërheq vëmendjen për t’i vlerësuar si duhet konceptet dhe përpjekjet e Bogdanit për gjuhën shqipe dhe rolin e veprës së tij në procesin e formimit të shqipes letrare.

Ndikimin e gjuhës turke në leksikun e shqipes e kanë trajtuar shumë autorë të huaj. Në dy shkrime të kësaj përmbledhjeje, pas një vështrimi historik të depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe, Kostallari vëren numrin dhe fushat e jetës ku kishin depërtuar ato, duke arritur në përfundimin se rreth tri të katërtat e tyre lidhen kryesisht me jetën qytetëse, ku ndihej i fortë ndikimi i kulturës dhe i fesë islame, i administratës civile e ushtarake osmane. Prandaj, me shembjen e sundimit otoman, pesha e turqizmave, që kishin rrezikuar t’i zinin frymën gjuhës shqipe, erdhi duke u pakësuar me shpejtësi. Përkundër mendimeve se mënjanimi i turqizmave e ka varfëruar shqipen, ai argumenton se leksiku i saj ka ardhur duke u pasuruar.

Një cikël tjetër përbëjnë shkrimet kushtuar Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt e Ali Hadrit; në të cilat vlerësohet vepra e këtyre figurave të shquara të gjuhësisë e të kulturës shqiptare.

Me punën e talentuar drejtuese e organizative për të ideuar, shtruar probleme e dhënë zgjidhje të mprehta në mjediset më të përmendura shkencore, prof. Kostallari nuk reshti ditë e natë për të përmbushur projektet e tij krijuese. Për arritje të dorës së parë është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, dy herë me “Çmimin e Republikës” të klasit të parë (1974); “Mësues i Popullit» (1986); “Doctor honoris causa” në shkencat filologjike dhe “Magjistër i arteve të lira” i Universitetit të Goteborgut (Suedi) për punën e tij në fushën e gjuhësisë dhe, sidomos, të teorisë së gjuhës letrare. Ka qenë një ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i presidiumit të saj.

Më 1960 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS). Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE), më 1974 anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe, për disa vjet, nënkryetar i tij; anëtar i redaksisë së “Atlasit të Gjuhëve të Europës”.

Në vitin 1974 profesori H. Inalçik (turk) dhe prof. Konduraqi (rumun) e propozuan për kryetar të Komitetit Ndërkombëtar të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE), por në këtë mënyrë do të organizoheshin disa veprimtari shkencore ndërkombëtare në Shqipëri dhe, meqë me disa vende nuk kishim marrëdhënie diplomatike; Akademia jonë e Shkencave gjeti një si shfajësim për ta mënjanuar “sikur ende nuk ishim në gjendje për veprimtari të tilla madhore”!

***

Vërtet çudi që kjo pasuri kombëtare, e daktilografuar për t’u botuar në dy vëllime nuk dihet ende ku përfundoi!!! Prandaj puna për ta mbledhur, sistemuar e paraqitur për botim përbën një sfidë më vete. Fillova në Bibliotekën Kombëtare me periodikun e botimeve. Për 3 vjet e gjysmë skedova, fotokopjova, klasifikova dhe radhita gjithçka nga viti 1945 deri në vitin 1975. Atëherë u lidha me Irinë dhe Adrian Kostallari. Me Irinën gjetëm edhe studime të pabotuara, si “Parimet për të hartuar fjalorin e tipit të mesëm me përmasa më të ngjeshura”. Krijimtaria u klasifikua në tre zëra: në fushën e gjuhës letrare kombëtare, për leksikun e fjalëformimin dhe çështje të filologjisë shqiptare.

E rishikova dy herë lëndën dhe iu drejtova profesorëve R. Memushaj, E. Lafe dhe Q. Murati (Instituti Albanologjik) ta shihnin me vëmendje. Ata kanë bërë një punë vërtet të lavdërueshme, duke nënvizuar dhe saktësuar gjithçka. Pasi i pasqyrova besnikërisht vërejtjet e tyre, iu drejtova prof. Memushajt për ta redaktuar dhe profesorëve E. Lafe e Q. Murati për recensat. Ndërkaq përfundova monografinë për prof. Kostallarin, mblodha dhe radhita nekrologjitë e gjithë shkrimet për të dhe iu drejtova bashkëpunëtorëve të tij dhe njerëzve më në zë të kulturës shqiptare të shpreheshin për krijimtarinë e prof. Kostallarit. Pasi e përfundova, iu drejtova sërish prof. R. Memushajt: ”Merre dhe gjej ku e ka syrin pleshti!”. Kjo punë është kryer nën recensën e përditshme të profesorëve Xh. Lloshi dhe E. Lafe. Me kolegun Memushaj përgatitëm edhe vëllimin VI, ku përfshihen leksionet për gjuhësinë e përgjithshme, për leksikun e fjalëformimin dhe për gjuhën letrare kombëtare. Në të gjitha universitetet shqiptare i japin leksionet e prof. Kostallarit, por shumë rrallë i zihet emri në gojë!!!

Mirënjohje të thellë profesorëve R. Memushaj, E. Lafe, Q. Murati e Xh. Lloshi; pa punën dhe talentin e të cilëve kjo vepër nuk do të arrinte nivelin që meriton.

Mirënjohje edhe atyre që bashkëpun për vëllimin V, sepse i besuan projektit tim dhe e pasuruan atë; duke filluar me akademik R. Qosja e prof. A. Vinca në Prishtinë, akademikët A. Puto e L. Omari në Tiranë; prof. A. Belushi në Itali e prof. R. Përnaska (Doctuer d’État) në Paris. Ç’kanë thënë ata, përbëjnë një grusht gurësh të çmuar, të cilët po ua vëmë në tryezë brezave të sotëm e të ardhshëm.

Prof. Kostallari 20-vjeçar doli partizan në Luftën Kundërfashiste e deri sa vdiq luftoi për të lartësuar emrin e shkencës e të kulturës shqiptare; bashkëshortja, rusja Evgjeni Kostallari që në vitin 1954 ka punuar profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës e, më pas, në Institutin e Tokave; Irina ka dalë në pension. Pra, bëhen rreth 140 vjet punë, ku përfshihen edhe pagesat për një banesë, të cilën shumë prej nesh e kemi përvetësuar me pagesë simbolike. Por shtëpisë së akademikut dikur pas viteve 2000 i doli pronari dhe përfundoi në rrugë biblioteka e tij e famshme, bashkë me Irinën!!! Mesa duket disa prej nesh, shqiptarëve, gjejmë mënyrën më të shëmtuar për t’u mbajtur mend!…

Mirënjohje për Këshillin Botues dhe akademikun M. Korkuti, që e vlerësuan me objektivitet shkencor botimin e veprës së akademikut A. Kostallari.

*               *        *

Dikush mund të blejë gjithçka, por nderin dhe jetën nuk i ble dot! Dikush mund të bëjë për vete djalin a vajzën më të këndshme të globit, por dashurinë nuk e ble dot! Dikush mund të ndërtojë a blejë shtëpinë më luksoze, por qetësinë nuk e ble dot! Këtë e bën vetëm dashuria e respekti për të bukurën, të madhërishmen; siç bënë kolegët e mi – profesorët e nderuar, që redaktuan e recensuan veprën madhore të prof. Kostallarit! Siç bënë bashkautorët e vëllimit V, të cilët e pasuruan dhe i dhanë përmasa madhore idesh veprës së papërsëritshme të akademikut A. Kostallari.

Kjo ka qenë një punë 10-vjeçare, e ideuar dhe e përfunduar nga qëllime fisnike, pra tërësisht falas; nga të gjithë studiuesit. U shtoftë kjo farë e idealistëve të tillë të papërmirësueshëm! Kështu u bë e mundur të mbulohej një humbëtirë e tejskajshme që do të krijonte bjerrja e veprimtarisë shkencore e akademikut të madh. E pra, vetëm kaq, vetëm kjo përpjekje e përbashkët me dijetarë të tillë – për të mos pasur një tjetër HUMBËS TË MADH në Ballkan; na bën të gjithë krenarë… Të gjithë së bashku mund ta sjellim të tërin në tokë atë, kalorësin e mbetur mes rrufesh e shkrepëtimash.

Akademiku A. Kostallari nuk ka nevojë për ne, ne kemi nevojë për atë.

November 7, 2019 13:50
Komento

6 Komente

  1. MH November 7, 15:38

    Drejteshkrimi i gjuhes letrar shqipe vec anes gjuhesore ka dhe nji rendesi patriotike qe te gjithe njerzit nga e cfaredo krahinet do te flasin me te njejten partitur ku nuk do ekzistojn prezantimi karaktrisitik i te folurit i cdo banorit nepermjet te shprehunit origjina nga asht.Nga fakti.Qe porsa hape gojen nji nga te vriut.Jugoret e cmojne malok.
    Por ama gjuha letrare me pretendimin qe asht njehesuar se bashku dy dialektet Toske – Gege nuk qendron.Marrim krijimtarine e Potit Naim Frasheri dhe krahasojme me krijimtarin e poetve gege ma te vjeter Fishta,Mjeda,Nikaj,Pashko Vasa etj e deri tek i madhi Migjeni.Nuk ka askund njehesim gjuhesor te gegnishtes me ate te toskenishtes.
    Qe kuptohemi drejte me fakte.Naim Frasheri krijonte qe ne stamboll vepra letrare origjinal sic u arrite ne vitin 1972 drejteshkrimi letrare i shqipes.
    Ku Naimi dhe ku viti 1972.

    Reply to this comment
  2. Gzim Kulufi November 7, 18:15

    Vertet Kostallari eshte figure, por ne shkrim ka nje gabim ne fillim; tek behet fjale per trajtimin e gjuhes nga Kostallari si “sistem” dhe si “sistem sistemesh” dhe keto analogohen me Neandertalin dhe Homo Sapiensin; ketu tek e dyta duhej shkruar “Homo Sapiens Sapiensin”, sepse Neandertali hyn tek Homo Sapiensi, por jo tek Homo Sapiens Sapiensi!

    Reply to this comment
  3. Kola November 7, 19:57

    Nje falenderim i vecante Prof.Kapllanit, per monografine per nje nga monumentet e gjuhes dhe kultures shqipe te madhit Kostallari.

    Reply to this comment
  4. demo November 7, 23:16

    Kujt ja thua keto ti:Padyshim eshte gjuhetari me formimin me te larte teorik shkencor etj.? Cfare jane keto kalambure,mrroklla fjalesh”Gjuha si sistem dhe gjuha letrare kombetare si sistem sistemesh?
    Po na ben pordhe filosofike si i biri Sevo Tarifes.
    Androkli Kostallari nuk eshte gjuhetari me formimin me te larte shkencor.Eshte i I DELEGUARI I APARATIT TE KOMITETIT QENDROR TE PARTISE SE PUNES NE INSTITUTIN E GJUHESISE,NE KATEDREN E GJUHES DHE NE AKADEMINE E SHKENCAVE.
    Shkurt eshte zeri i Partise ne Gjuhesi.
    Ishte tmerri i korifejve te shkences gjuhesore Eqrem Cabej,Mahir Domi.
    Ishte miza e kalit qe e bezdiste Aleksander Xhuvanin.
    Ishte kryeadministratori i kongresit te drejtshkrimit qe me qellim antikombetar perjashti pjesemarrjen e GEGNISHTES ne pasurimin e Gjuhes se njesuar Kombetare.Eshte Personi qe me arrogance politike ndryshoi terminologjine,emertimet e zgjedjimit,lakimit,morfologjise,sintakses,te ngulitura kahere nga gjuhetaret e tradites.
    Ky eshte Kadri Hasbiu i Katedres se Gjuhes Shqipe,sepse i hoqi gjuhes shqipe Formen Fillestare Foljore,infinitivin ose Paskajoren ne gjuhen shqipe,
    TE CILEN E RUAN VETEM GEGNISHTJA,POR NUK E KA TOSKERISHTJA.Me ba;me thane;me punue etj.
    E zhduku nga textet sekretari i pare i partise Androkli Kostallari.E zevendesoi me foljen ne veten e pare te kohes se tashme te menyres deftore,,Infinitivin si formen e dhene fillestare te foljes e kane te gjitha gjuhet Indoevropiane:Fare,Lavorare,Fahren,Lehrnen,
    Cmotrit,ljubit etj.
    Androkli Kostallari eshte persekutori i gjuhes shqipe.E tufezoi gjuhen,e sakatoi.Krejt i paafte nga ana profesionale,por arroigant me gradat e komisarit politik qe i dha partia,e shnderroi gjuhen e pasur shqipe ne
    ZHARGONIN E KOMITETIT QENDROR.
    Androkli Kostallari eshte nje persekutor i Korifejve te shkences gjuhesore Eqrem Cabej,Selman Riza
    Ate fjalor te gjuhes shqipe te vitit 1980 e kane hartuar qindra bashkepunetore,qe nga mesuesit e fshatrave qe bridhnin krahine me krahine,shtepi me shtepi,per te mbushur skedat me fjale te rralla,dialektore,qe ja dergonin Institutit te Gjuhesise.Eshte themeli bazament i fjalorit te shkencetarit Kostaq Cipo i vitit 1954.Oj na paska shtruar jorganin zotrote,”platformen teorike” Androkli Kostallari mbeshtetur ne veprat e shokut Enver(!)
    Pska shkruar edhe qe gjuha letrare kombetare eshte sistem mbi sistemet,DHE PO NA HABIT FARE TI MOR KUJTIM ME ANDROKLLARIN TEND.Androkllari tend si gjuhetar nuk i vjen Cabeut as te maj e thorit.
    Me vjen keq per profesoret Xhevat Lloshi,Emil Lafe,qe kane rene ne kurthin tend,se per ta ruaj konsideratat me te larta.

    Reply to this comment
  5. demo November 8, 12:11

    I mirekuptoj konsideratat e Shkencetareve Kosovare,Idriz Ajeti,Rexhep Qose,Agim Vinca,sepse atyre u lejohej te komunikonin VETEM me Androkli Kostallarin,si komisar politik i Partise ne Gjuhesi.SEPSE SHKOLLA BORGJEZE ESHTE E RREZIKSHME PER PARTINE DHE SH.ENVER.
    E kerkuan Eqrem Cabeun te udhehiqte Katedren e Indoeuropianistikes ne Universitetin e Vjenes.
    Nuk kerkuan Androkllarin.Shoku Enver u terbua:-Ky?Vetem ky?Gjithmone Ky? Caktoni nje tjeter,i tha Ramize Alise.E kishte fjalen per Androkllarin.
    Mirepo ne Viene Marxizmi ne Gjuhesi nuk pranohej,se ishte si gripi derrit.Nuk pranohej as derri bartes.
    E keni ne Arkive,,Eshte botuar ne shtyp,,tregojani edhe Nexhmies,se nuk e di qe ne e dime si e ka trajtuar shoku enver CABEUN E MADH.

    Reply to this comment
  6. MH November 8, 14:48

    Eqrem Cabej
    E ka vleruse kryevepren “Lahuta e Malcise” si nji arritje te nji nivelit Homerik.Por vec kesaj Ai e ka vlersue edhe per nji pasuri fjalesh ne fjalorin e shqipes qe nuk i ka dialekti Toske.Vlersim i bame shume kohe para se ne Shqiperi te vendoset sistemi monist.
    Por duhet te mos harrojme qe gjuha shqipe asht e vjeter dhe kjo mbeshtetet tek dialekti Gege.Ku dialekti gege i gegnishtes se vjeter asht pothuej i njejte me greqishten e vjeter.
    Sic e kam komentue dhe ma siper.
    Gjuha e Naimit ne Stamboll ishte identike me gjuhen e njehsum letrare shqipe te vitit 1972.At’here ku qendron bashkimi i dy dialekteve ne njehsim te gjuhes.
    Shkurt dhe sakt ne vitin 1972 asht vendos njehesimi i gjuhes letrare i toskenishtes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*