THESARET E RRALLA TË SULOVËS

Pëllumb Gorica September 22, 2015 01:46

THESARET E RRALLA TË SULOVËS

Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi e mirë për të shfletuar faqe pas faqe“librin”e mistereve të saj, sidomos kur udhëton për herë të parë këtyre anëve. Kjo krahinë shtrihet në një reliev të copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, përrenj dhe vendbanime me peizazhe magjepsës. Sapo shkel këtu përshëndetesh nga reflekset e rrezeve të diellit, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit mitik të perëndive të lashta, Tomorrit. Me Tomorrin përballë ke në vetvete një ndjesi plotësie dhe sigurie, pse jo edhe të një krenarie të brendshme që je kaq pranë tij. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë, e cila të godet bukurisht në këtë zonë ende të virgjër të Shqipërisë. Themi të virgjër pasi Sulova nuk është studiuar si duhet, ajo përmban në vetvete dëshmi antike të kulturës së lashtë, thesare të qytetërimeve të vjetra, por edhe të mëvonshme.

***

Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha, që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, bashkudhëtar në këtë mëngjes vere, atje, në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe me shumë foto artistike. Kalojmë lumin Devoll që rrjedh në vazhdën e tij të stërlashtë ndërmjet brigjeve, diku pa u ngutur, diku i rrëmbyer e kumbues mbi zajet ngjyra-ngjyra. Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër, sytë prekin gjelbërimin e harlisur dhe ngrohtësinë e stinës. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara në qiell, pak nga pak iu zënë sytë rrezeve të diellit që ngrihen lart. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule tingëllojnë këmborët e një tufe delesh si melodi plot emocion.

Makina gjarpëron në rrugën plot kthesa malore, që herë i le vendbanimet në krah dhe herë kalon afër tyre. Secili nga këto vendbanime paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër: Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja. Me shtëpitë çatikuqe të zhytura mes gjelbërimit, këta fshatra janë shumë tërheqës. Tokat e parceluara janë të mbjella me rreshta të drejtë e të ndarë nga njëri-tjetri me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: dardhë, qershi, mollë, shegë, ftonj, kumbulla, rrush. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mendja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frytet e prodhimit. Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet natyrore, shto këtu edhe ato historike, impresionet janë të fuqishme, vetvetiu ndjen paqe e kënaqësi në shpirt.

Ndërsa endesh nëpër këtë trevë të bukur, ndjen një mungesë të theksuar të kujdesit nga shteti. Infrastruktura rrugore është ajo e socializmit, madje në disa fshatra edhe më keq. Mungesa e rrugëve ka sjellë një sërë problemesh ekonomike, por edhe sociale. Prodhimet nuk tregtohen, pasi tregu është larg, shkollat janë boshatisur, ambulanca shëndetësore nuk ka më. E vetmja rrugë mbetet braktisja e fshatit, ikja në qytete. Por edhe kjo tani është vështirësuar, nuk iket më me“xhaketë në krah”. Një pengesë për rrugët është edhe mosinteresim i pushtetarëve, me mendimin se ç’duhen rrugët atje kur fshatrat malorë po boshatisen. Në pamundësi për të nxjerrë fitime me mënyra të ndershme, shumë njerëz u janë turrur pasurive natyrore, duke i shfrytëzuar barbarisht ato. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegia e tij dhe gërryerjet e tokës, një masakër që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit të kësaj zone.

Ndalojmë paksa për t’u çlodhur. Kemi përballë një pamje rrëqethëse ku pylli është djegur e diku më tej është rrafshuar nga prerjet. Peizazhi është tepër trishtues. Një plagë e hapur që ndoshta edhe shekujt nuk do ta riparojnë dot. Një gjurmë rruge, krejtësisht e përpjetë, nëpër një peizazh gjelbërimi të harlisur, të çon në majën e kodrës më të lartë të Sulovës (980 m).Ndalemi në një burim, ku freskohemi, dhe thithim ajrin e ngarkuar me aromën  e luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh: lis,frashër, panjë, akacje, mëretë, shkozë, etj kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra që nga thëllëzat, turtujt, mëllenja, guhaku, shkurtëza, murgëza, bilbili, qukapiku, sorra, skifteri, bufi, lepujt, derrat, dhelprat, ujqërit etj.

Përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti, i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron për vendet ku kalojmë, për vendbanimet anës rrugës e për çdo gjë tjetër. Si njohës i mirë i trevës, Petriti ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, njerëzit, virtytet e sulovarit ndër breza. “Ajo që të bën përshtypje në krahinën e Sulovës – të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Kohërat me luftërat rrënuese, epidemitë vdekjeprurëse, hasmëritë, largimet, ndryshimet sociale kanë bërë të vetën. Por toponimet, si besnike të historisë, kanë mbetur. Pa u marrë më shumë me etimologjinë e tyre, në shumicën e tyre kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra.

Kalojmë në pjesën juglindore të kodrës ku mendohet se ka pasur një liqen të vogël, vendi tani ka emrin Liqedhës. Ai duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (dheut) që përdorej për punishtet e qeramikës në qytetin antik të Kodrionit. Me kalimin e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera, por ruhet forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe. Dikur këtu jeta njerëzore ka lulëzuar, por sot ka pak gjurmë nga e kaluara e hershme. Siç ndodh me shumë vendbanime malore në Shqipëri edhe në këtë trevë është përhapur braktisja e vendbanimeve, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e Irmajt. Heshtja i ka mbuluar shtëpitë, arat, pyllin. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve në kërkim të një jete më të mirë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket, gjë që të bën të ndjesh keqardhje për këtë vend të braktisur nga papërgjegjshmëria e një kujdestari të pakujdesshëm dhe indiferent që quhet shtet.

Nga kjo kodër e lartë ku jemi, nën këmbë kemi rrënojat e Kodrionit të lashtë, ndërsa vështrimi tej rrok krahinën e Sulovës, Nahijen e Beratit, Vërçën, Shpatin, Tomorricën nën këmbët e malit Tomorr. Për studiuesin Petrit Basha, kjo kodër duhet kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa të mos i mbulojë me pluhurin e saj. Fatkeqësisht qyteti antik i Kodrionit dhe Kalaja e Irmajt po shndërrohen në rrënojë nga disa sharlatanë që kërkojnë ar.

Të shkatërrosh, do të thotë të zhdukësh një vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh, ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po humbasin terren.

Kalaja e Irmajt ndodhet 980 m mbi nivelin e detit. Shumë pak është shkruar për të dhe muret ciklopikë, me gurë të vendosur në radhë njëri mbi tjetrin. Fragmentet e mureve të kalasë së Irmajt qëndrojnë në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i drurëve të lartë e të dendur. Mure të ngjashëm dhe po aq madhështore i hasim edhe në Daoroson (Hercegovinë) në Medun (Mal të Zi), por edhe në Tirsës afër Mikenës. Këto mure janë ndërtuar prej shekullit XIII para krishtit dhe më herët, ndoshta në fillim të kohës së hekurit.

Shëtitim mbi rrënojat e qytetit të Kodrionit (pellazgjisht, kodra jonë) të Dasaretëve të lashtësisë. Sipas autorëve antikë, Dasaretët banonin në një trevë të gjerë rreth liqenit të Ohrit, fusha e Korçës, krahinat e Kolonjës, Gorës, Oparit, Mokrës, Devollit, Skraparit, Tomorricës, Sulovës, Beratit dhe ishin të përmendur si bujq e blegtorë të mirë. Qyteti i harruar në përjetësi, i shkatërruar e i braktisur në kohëra, mendohet se është 2400-vjeçar. Ky fakt përmendet nga studiuesit Frano Prendi e Dhimosten Budina.

Shkelim në toponimet Erciros, Hija, Mullezë, Murza, Gropa e Thanës. Secila ka ndonjë histori. Psh, për kodrën Kunjëza e Madhe thonë se kur luftonte armiku që ishte jashtë mureve të Kalasë, nuk i shihnin dot se sa ishin aty brenda, ndaj për t’i  parë, ngritën këtu këtë maj kodre si kunj. Në shpatin e pjesës jugore të kalasë gjendet një toponim tjetër interesant, Gjurma e Mushkës, ku në dy gurë të mëdhenj janë gjurmët e goditjeve të patkoit  të kalit.

Për këtë qytet Petriti tregon se është themeluar në shek. IV–III p.e. sonë dhe ka vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Ka pasur lidhje me qytetet antike të Apolonisë, Dyrrahut, Amantias, Antipatreas, Bylisit, Pelionit, Dimalit etj. Gjatë gërmimeve janë gjetur tjegulla kolyptere, amfora, pitosa, pjata, kupa dhe solene, kandila vaji,etj; enë metalike, vegje enësh, kova, kullese bronzi, fibula bronzi, varëse zbukurimi. Në qytetin antik të  Kodrionit janë gjetur edhe monedha të Apolonisë,Dyrrahut,Aleksandërit të Maqedonisë etj.

***

Në hapësirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet dhe mrekullitë rreth e rrotull, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mbyllet me drekën tradicionale të njerëzve të mirë të Sulovës, që edhe këtu nuk harruan“rakinë me opingë”…

 

Pëllumb Gorica September 22, 2015 01:46
Komento

3 Komente

  1. lato September 23, 09:33

    Petrit Basha eshte nje visar i Gramshit.

    Reply to this comment
  2. lato September 23, 10:16

    Ky shkrim do te ishte mjaft i lezecem,sikur autori te mos futej ne expertize te gjuhesise historike dhe klasifikimit shkencor te rrenojave.PSH. toponimi Kodrion te le menjehere vulen e rrenjes shqipe Koder.Po nese kjo fjale eshte e trasheguar ne shqip nga pellazget,iliret,greket,latinet,sllavet,vikinget,arberit,turqit,kete duhet ta thone specialistett e fushes.Nese per ilirishten kemi disa glosa,toponime,emra bimesh,emra perendish;per gjuhen e pellasgeve kemi zero deshmi.Kemi vetem fantazi mor ti!.Ku e di ti qe fjala Kodrion vjen nga pellazgjishtje Kodra-jon?Po sikur sufixi -ion te jete vertete nje prapashtese dhe jo nje peremer i sotem pronor,si ne rastin e qytetit te lashte ilir Damast-ion,si ne rastin e qytetit tjeter ilir Pell-ion.Po pse ajo rradakja jote katundare, pse merret me klasifikime epokash historike,kur vleresimin e vjetersise se mureve e bejne specialistet,Nese kalaja e Irmajt eshte ndertuar ne shek.III-IV pes.perse guret duhet t`i perkasin shek.XIII para krishtit?Epoka e Hekurit eshte me e re se epoka e bronxit,keshtu qe ne shek e XIII,para krishtit je akoma ne epoken e bronxit,je ne periudhen e luftes se Trojes.Me vjen keq qe ke pasur me vete nje studiues serioz,te perkushtuar,pune shume dhe bereqet shume si Petrit Basha,librat e te cilit per traditen e zones se Tomorrit jane unikale.

    Reply to this comment
  3. Pëllumb Gorica September 25, 17:35

    Komentuesit “lato”!
    Në fakt ky shkrim i lezetshëm ashtu është, dhe i botuar më parë para dy vitesh në dy gazeta e portale, por kur futin duart “ustallarë” redaktorë, të babaqemos që ndryshojnë edhe titullin e shkrimit , por edhe të shkatrrojnë brendinë e tij me bagazhin e tyre, natyrisht lexuesi do gjej gabimet. Kjo :Kodrionit (pellazgjisht, kodra jonë) është shtuar nga gazetari që mbulon këtë faqe. Ai këtu ka marrë përsipër të bëjë ekspertizën gjuhësore dhe atje ku duhet thënë rreth lashtësisë së mureve dhe kush i ka ndërtuar në bazë atë të dhënave nga studimet e ka shkurtuar. Pastaj këto të dhëna rreth klasifikimit të epokave kanë dalë nga goja e Petrit Bashës, unë thjesht i kam përcjellë këtu. Ai është i fundit i moikanëve të Gramshit dhe vet historia e e kësaj treve.Por radakja ime që sipas teje është katundare nuk e meriton këtë fyerje. Jam menduar gjatë të përgjigjem ty e ndonjë tjetri pa të fyer, për të mos rënë në nivelin tënd mediokër e këtu gjoja kritikë vulgare. Sa për specialistët që kërkon të bëjnë vlerësimin e vjetërsisë së mureve, ata ka kohë që i ka zënë gjumi letargjik dhe as nuk e dinë ku ndodhet kjo kala. Ata dinë vetëm të firmosin që në këto dëshmi të ndërtohen lokale mishi dhe motele, duke i shkatërruar lashtësinë e tyre. Dhe e fundit meqë këtu shfaqesh anonim i mjerë “lato” mu kujtua një endacakë me këtë emër, këtu në Tiranë, i cili kur kërkon lekë dhe nuk i jep, të gjuan me gurë. Të uroj të mos jesh e bëhësh i tillë veçse gjuan me fjalë që e vërteta e tyre duhet thënë nga redakri, por ai preferon të hesht. Nëse nuk e ke shkelur të ftoj ta vizitosh këtë vend, Sulovën, ashtu siç unë e kam Mekë, e të heqësh nga koka mendimet e këqija si barëra të tilla në kopshtin e perimeve

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*