Thesari i Ali Pashë Tepelenës

October 8, 2019 11:31

Thesari i Ali Pashë Tepelenës

Moikom Zeqo

Në zyrën 0313 të Interpolit, në katin 21 të një ndërtese në Parisin II ndodhet një dorëshkrim i koduar në kasafortë i emëruar si çështja FXY666ZM.

Ai mbart një enigmë të madhe dhe një shumësi historish sekrete.

Për specialistët e Interpolit dosja e këtij dorëshkrimi të koduar është një gjë që i takon përfundimisht arkivit.

Kjo do të thotë që enigma nuk është më ngushtësisht e mbyllur përfundimisht.

Një nga specialistët, detektivi Vinçenc Z., ngaqë lexon shumë libra ka vetvetiu një prirje letrare.

Rrëfimi mëposhtë mëton të reflektojë shënimet kaotike por me një logjikë konseguente të Vinçenc Z.

Thelbi i këtyre shkrimeve ka të bëjë me një thesar të famshëm dhe pikërisht me thesarin misterioz të Ali Pashë Tepelenës.

Dihet që rebelimi i Ali Pashë Tepelenës ndaj Portës së Lartë rezultoi tragjik.

Ali Pashë Tepelenën e rrethuan forcat e Hurshit Pashës.  Aliu plakrezistoi me armë në dorë, por u vra dhe iu pre koka.  Koka e balsamosur e vënë në një arkëz prej argjendi, iu dërgua Sulltanit në Stamboll.

Legjenda e thesarit të Aliut qe e tundueshme, me një forcë grishëse të pakufijshme.

Por Hurshit Pasha, ndonëse kërkoi gjithandej, nuk e gjeti thesarin.

Një vit më vonë Sulltani i preu kokën Hurshit Pashës për arsye se ndonëse qe mburrur për këtë thesar, nuk e kishte mbajtur fjalën.

Po si është e vërteta?

Në një relacion të diplomatit francez në Janinë, Fransua Pukvilit, të datës 1822 (data e kokëprerjes së Aliut), ka një të dhënë të çuditshme.

Diplomati i shkruan qeverisë së tij në Paris se kishte mundur të zbulonte me anë të informatorëve të besuar se Aliu para rrëfimit ia kishte besuar thesatin e tij Myftarit, djalit të tij më të madh, që ishte Pasha i Thesalisë dhe i Trikallës.  Myftari kishte mundur t’a ngarkonte thesarin në një anije dhe e kishte dërguar në ishullin e Maltës.

Myftari, kur e sulmuan të atin, kinse nuk u bashkua me të, duke shprehur besnikërinë dhe nënshtrimin ndaj Sulltanit.  Kështu ai u konsiderua tradhtar i Aliut dhe iu kursye përkohësisht jeta.

Ai shkoi në Stamboll, jetonte gjoja në gjendje të lirë, por kjo liri qe e rremë.

E rrethuan në sarajin e tij buzë Bosforit, përleshja qe një masakër e vërtetë.

Trupi i Myftarit u copëtua prej 156 plumbash.

Iu thërmuan dhe kafka, dhe kockat e gjymtyrëve.

Por vdekja e Myftarit do të thoshte që ai e mori me vete sekretin.

Detarët e anijes që dërgoi në Maltë djali i Aliut i kishte vrarë që të gjithë kurse anijes i kishte vënë flakën.

Në vitin 1923 një farë dijetari egjiptian i quajtur Abdullah Kemal Mafuz ndodhej në arkivat e Top Takisë, në Stamboll.

Ai u interesua për rrethanat e vdekjes së Myftarit.

Gjeti përshkrimin e vrasjessi dhe disa dorëshkrime.

Dorëshkrimet qenë më tepër tapi për pronat e Myftarit në Thesali.

Midis tyre qe dhe një letër e cila kishte këto gërma me alfabetin osman: D, M, P, L, P, U, GJ (në fakt G) dhe Q.

Pra vetëm tetë gërma dhe asgjë tjetër.

Gjatë shikimit të dosjes së Myftarit egjiptiani dinak e vodhi fletën me këto tetë gërma.

Ai kuptoi se kjo fletë mbante një të fshehtë shumë të rëndësishme dhe mjaft serioze.

Por ishte e pamundur që të zbërthente kuptimin e gërmave.

Ai u mor 18 vjet me zbërthimin e mundshëm dhe simbolik të gërmave derisa u sëmur mendërisht dhe vdiq krejtësisht i harruar pa ia arritur qëllimit.

Të afërmëve të tij i kishte thënë se në këto gërma duhej të ishte sekreti i thesarit të Aliut, sepse ishte krejt i bindur për këtë gjë nga intuita e tij.

Ai i kishte studiuar gërmat me një ngulm të paparë.

Kishte shfletuar fjalorët e gjuhëve të gjalla dhe të vdekura, tërë alfabetet, por nuk kishte mundur kurrë ti afrohej kuptimit të mbyllur të gërmave fatale.

Në vitin 1967, me rastin e luftës të Egjiptit me Izraelin, agjentët izraelitë të Musadës, për arsye të pakutueshme u interesuan dhe për personalitetin dhe punën e egjiptianit Mafus.

Ata shtinë në dorë doku mentin origjinal me gërmat e alfabetit osman.

Një studiues i kriptologjisë, Dr. Isak Solomon Singer, u mor gjatë me mundësinë e deshifrimit.

Ai përdori teknikat më të sofistikuara për të arritur zbardhjen e së fshehtës.

Nuk dihet pse ky kriptolog i zellshën dhe plot fantazi e pati një zbulesë të brendshme.

Pas kësaj ai u bind  se thesari i Aliut duhej të qe dërguar në kështjellën e rrënuar të Tempullarëve, në Maltë.

Mbas kërkimeve të tij të shumta sidomos mbi pasardhësit mason të Tempullarëve, ai e përforcoi mendimin se midis Aliut dhe Myftarit kishte patur një lidhje midis tyre bashkëpunimi.

Dr. Isak Solomon Singer kishte shkuar pesë herë në Maltë dhe e kishte parë me sytë e tij kështjellën e rrënuar në lartësi të ishullit.

Por qe e pamundur të kuptonte diçka.

Absolutisht e pamundur.

Në  vitin 1992 kriptologu izraelit kishte dalë në pension.

Ai vendosi të vinte dhe një herë si turist në Maltë, këtë herë së bashku me gruan e tij Rahel, e cila kishte punuar në sektorin e dorëshkrimeve të pabotuara, në Universitetin e Jeruzalemit.  Tashmë dhe Rahela kishte dalë në pension.

Rahela po mblidhte materiale historike për të shkruar një libër për jetën e Sabat Zevit, i cili dihet u shpall Mesia në vitin 1666 në komunitetin e izraelitëve, në qytetin Izmir të Turqisë.  Sabat Zevi qe internuar në qytetin shqiptar të Ulqinit dhe e mbylli jetën e tij si Mesia i Rremë në një mjedis shqiptar.  Rahela kishte simpati për shqiptarët.

Idea se shqiptarët nuk e kishin njohur antisementizmin e ngazëllonte.

Gjatë qëndrimit në Maltë u takuan me një shqiptar, i cili pikturonte në një nga sheshet e qytetit të ishullit.

Ky shqiptar kishte ardhur si emigrant nga Shqipëria.

Ishte një djalë i ri 27 vjeç, i cili përpiqej të mbijetonte me anë të artit të tij.

Rahela u interesua për të.

Shqiptari i bëri portretin,- pastaj hëngrën një darkë bashkë në një tavernë buzë detit.

Dr. Isak Solomon Singer, që tashmë kishte hequr dorë përfundimisht nga kërkimet e ethëshme për zbulimin e tetë gërmave, duke menduar se ka gjithmonë sekrete përherë të vdekura, gjatë bisedës me shqiptarin nxorri një letër dhe shkroi mbi të me alfabetin latin gërmat torturuese.

Shqiptari i pa me vëmendje këto gërma dhe tha se ndoshta ato paraqisnin fillimin e fjalëve ne gjuhën shqipe.

Nuk duhet harruar se Aliu dhe Myftari ishin shqiptarë.  Asnjë nga kërkuesit, as egjiptiani dhe as izraeliti nuk e dinin fare gjuhën shqipe dhe as nuk e kishin idenë e gjuhës shqipe.  Befas kriptologu i vjetër u tendos.

Një thirrje e brendshme gati sa nuk i buçiti nga qënia.  Fjalë shqipe?

Po më trego sesi këto gërma mund të shndërrohen në fjalë shqipe.

Vetëm një shembull.

Shqiptari ia ktheu se me këto gërma kishte në shqip fjalë të pafundme.

Megjithatë nuk ngurroi të jepte një shembull.

Ai para se të emigronte në Maltë kishte qenë student në Universitetin Bujqësor të Kamzës në Shqipëri, ku kishte studiuar për frutikulturë.

Studimet i kishte lënë përgjysmë në vitin e fundit, sepse i shkrepi që të ikte nga Shqipëria në Maltë.

I prirë nga frutikultura, shqiptari i shkroi sipas gërmave në shqip këto fjalë; D (dardhë), M (mollë), P (pjeshkë), L (limon), P (portokall), U (ulli), Gj (gjineshtër), Q (qershi).

Dr. Isak Solomon Singer e pa si një shaka këtë zbërthim.

Mbas takimit me shqiptarin ai shkoi në hotel së bashku me gruan.

Ndjente brenda vetes një ngulsh.

Mendja e tij qe vënë në lëvizje.

Pas mesnatës u ngrit nga shtrati,- ndezi abazhurin e dhomës dhe pa edhe një herë letrën ku shqiptari kishte shkruar emrat e drurëve.

Vetëtimthi iu kujtua se në kullën veriore të kështjellës së Tempullarëve kishte parë një grumbull drurësh frutorë krejt të vetmuar në atë hapësirë.

Ai e kuptoi se këto drurë përfaqësonin një kriptologji të veçantë.

Drurët duhet të ishin mbjellë aty me një qëllim të caktuar.

Ngaqë kështjella qe krejtësisht e braktisur dhe në lartësi, drurët nuk i kishte prekur askush.

Të nesërmen në mëngjes bisedoi me Rahelin.

Me ngut u ngjitën në kështjellë.

Befas panë pikërisht njëri pas tjetrit, ashtu siç rreshtohen gërmat në një fjalë ose fjalët në një fjali, një dardhë, një mollë, një pjeshkë, një limon, një portokall, një ulli, një gjinjeshtër dhe një qershi.

Qe një shkrim kriptologjik i padyshimtë.

Di. Isak Solomon Singer pati një tronditje të madhe.

Po ai nuk ishte në gjendje ende të kuptonte se ç’do të thoshte shkrimi i drurëve.

Mbas dhjetë ditësh ai së bashku me gruan e tij Rahelën u kthyen në Izrael.

Nisi të merrej ditë e natë me fillimin e këtij zbulimi të pabesueshëm.

Ai filloi të mësonte gjuhën shqipe, gjeti dhe siguroi të gjithë fjalorët e kësaj gjuhe dhe u zhyt si i marrosur, duke shënuar të gjitha fjalët që nisin me gërmat enigmatike.

Problemi i parë që duhej të zgjidhte ishte pse qenë mbjellë këta drurë të ndryshëm?

A përfaqësonin emrat e  këtyre drurëve thjesht përcaktimin gjenetik të drurëve apo diçka tjetër?

Mos ndoshta këta drurë përfaqësonin vetëm gërma nistore të fjalëve të tjera në shqip.

Për tri vjet ai bëri kombinimin e ndryshëm të fjalëve shqip që lidheshin me gërmat, duke hedhur në kompjuter 511273 variante.

Ai arriti të kuptonte se emrat e drurëve simbolizonin një fjali që përcaktonte gjithçka.

Ai i qe futur një loje linguistike gati të pashpresë- çdo gjë rrotullohej para syve të tij si një perpetum mobile.

Por nuk u tut dhe nuk u thye.

Në 23 shkurt (nuk ka rendesi  viti !), në orën 23:17 minuta, ai arriti të formulonte një fjali të tillë në shqip që iu duk se përmbante të vërtetën.

Fjalia qe “Drejt, Majtas, Poshtë Luginës, Ulu, Gjeje, Qesh”.

Fjalia dukej surealiste,- por dhe gati tipografike.

Në 17 gusht 1999, Dr. Isam Solomon Singer më gruan e tij Rahelën u nisën për në Maltë.

Orientuar nga fjalia me një kutpim potencial ata shkuan tek drurët, mbajtës të sekretit.

Poshtë tyre ishte një luginë e vogël, duke u ulur befas e panë grykën e mbyllur të një shpelle.

Gjithçka që vjen më pas ka ndodhur në një fshehtësi të madhe.

Ndoshta Dr. Isak Solomon Singer pati si bashkëpunëtor edhe tri djemtë e tij të rritur dhe burrin e vajzës së vetme që jetonin në Izrael.

Ata e blenë një jaht dhe u dukën përherë të fundit në Maltë në korrikun e vitit 1999.

Ata kanë vepruar natën, kanë gjetur thesarin e pallogaritshëm, e kanë ngarkuar në jaht dhe janë zhdukur përfundimisht.

Pastaj ka mundësi që të kenë ndryshuar identitetet dhe të jetojnë me emra të tjerë ose në Kanada, ose në SHBA, ose ndoshta në Buenos Aires të Argjentinës.

Turistët e shumë që vizitojnë Maltën kanë mundësi të shohin hyrjen e hapur të një shpelle poshtë kështjellës së Tempullarëve.

Por fshehtësia nuk është asnjëherë absolute.

Detektivët e Interpolit nuhatën diçka.

Ata bënë hulumtime të hollësishme por për arsye madhore, jo aq kriptologjike,- sesa për arsye të pamundësisë që bëhet gjithmonë e shumëfishtë në botën globale, e mbyllën më në fund dosjen e këtyre hulumtimeve dhe e arkivuan në zyrën e Interpolit në Parisin II.  (1999)

 

October 8, 2019 11:31
Komento

9 Komente

  1. kuksiani October 8, 12:34

    Në 17 gusht 1999, Dr. Isam Solomon Singer më gruan e tij Rahelën u nisën për në Maltë.
    Ata e blenë një jaht dhe u dukën përherë të fundit në Maltë në korrikun e vitit 1999.

    Kur kane qene me te vertete per here te fundit ne Malte?
    Nuk bie dakort me kete teori, sepse Aliu nuk i besonte askujt dhe nuk mund ta linte thesarin te fshihej ne Malte!

    Reply to this comment
  2. Sqepari October 8, 14:26

    40 ishin mushkat ngarkuar me flori

    Reply to this comment
  3. fteri October 9, 07:24

    d.m.th Aliu paska shku në atëbotë lakuriq ,nuk kishte xhepa të merrte ca flori .Brez pas brezi do ta kujtojmë me nderim veprën e Aliut për antiotomanizmin që kishte ,veprim që i preu kokën.Por haram për fshehjen e thesarit ,ai mund ta fshihte në teritorin shqiptar,jo ta qonte jshtë.

    Reply to this comment
  4. demo October 9, 07:40

    Historianet serioze qe bene Historine e Shqiperise(ata me diploma te universiteteve me te mira te Evropes) kane dhene edhe shifren e sakte te thesarit te Aliut qe u dergua ne Stamboll,pas vrasjes se Aliut.
    Plot 18 milion grosh.Lexo Historine e Shqiperise vellimi i pare fq 468
    Ne 23 Maj 1820 Aliu mblodhi ne Janine kreret e kryengritjes Arberore te Greqise,prfterinj dhe hoxhallare,klefte dhe martalloze dhe u dorzoi si fillim 1 milion e 500 mije grosh per fillimin e kryengritjes.
    Pas kesaj,gjate rrethimit te Janines,nga kalaja dilnin cdo nate kaloresit e Aliut me hejbet e ngarkuar me florinj qe ja dergonin kryengritesve arvanitas.
    Thesari Aliut ushqeu kryengritjen greke.
    Kjo tregon qe Aliu nuk e largoi asnjehere thesarin e tij nga vetja,deri castin e fundit e jo me t`ja dorzonte Myftarit e Veliut tek te cilet nuk kishte pike besimi..
    Fantazite e Zeqos me enigma thesaresh te fshehur,me udhetime ne Malte,me kode sekrete,tregojne qe Zeqo nuk u semur sot,por ka qene semure qe ne 1999 kur ka vene vitin e shkrimit,megjithese Zeqo edhe kur shkruan sot i daton para bronxit per te mashtruar lexuesit.
    Qe te duket i besueshem ka shkruar ca zyra me numra ne Paris,me indekse,ndertesa me numur katesh,kati 21,rafti 42,kodi ZPLMNKOPQ.
    Ju siguroj qe nuk egzistojne fare.
    Shkoni verifikoni.
    Eshte i hatashem.Edhe duke vdakur,ju genjen.

    Reply to this comment
  5. Templari October 9, 10:09

    Tregim i mirë por i dëmtuar nga inkoherencat. Një e tillë është p. sh. fakti se shume prej pemëve të enigmës së Zeqos e kanë ciklin e jetës mes 50 – 100 vjet. Kështu që Solomoni dhe Rahela nuk kishin sesi ti gjenin aty rreth 200 vjet pas kohës së Aliut

    Reply to this comment
  6. Mollosi October 9, 18:54

    Sipas Bajronit, Ali Pasha kishte nje pasuri perrallore, rreth 400 ton ar , te gjitha te plackitura dhe te rrembyera prej tij.

    Reply to this comment
  7. Tz October 9, 20:02

    Zeqo perrallaxhiu, vetem ky I di keto sekrete dhe nuk ka te dyte,Ky eshte nje palaco Çabejan dhe sic thote Nikos Stillos ,ai eshte nje mafios I akademise Çabejane..Ne amfiteatrin e Durresit kur Niko Stilo shpjegonte nje fraze shqipe te shkruar ne gure me germa greke ky bole albanologu me emrin Zeqo e kundershtonte ne menyren me te ndyre ,mos harrojme se Niko eshte nje etruskologe dhe gjithashtu njeh mire greqishten e vjeter dhe te re……

    Reply to this comment
    • Spectrum October 9, 21:46

      Thesari i Aliut vazhdon te kerkohet deri ditet e sotme flitet per nje shume maramendese ne vlere diamante dhe rubin dhe monedha floriri,nuk eshte kerkuar nga individe por nga sherbimet inteligjente me te degjuara nuk eshte gjetur akoma kerkohet ne bregdetin e jonit ndermjet porto palermos dhe korfuzit si dhe ne malet perreth Janines

      Reply to this comment
    • Jon October 10, 12:47

      Ju Tz nuk ka Greqishte te vjeter.Vetem Pellazget,Iliret ,Dardanet ,Arberit,sot Shqiptaret kane lidhje me gjuhen e vjeter Pellazgjishtja.E ashtuquajtura Greqishtja e vjeter eshte degezim i Pellazgeve qe quhen sote Greke.Gjithcka ka lidhje ME SEGMENTIN (Pellazg-Shqiptar)

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*