Thirrja e Vuçiçit dhe momenti historik për marrëdhëniet shqiptaro-serbe

July 29, 2017 11:09

Thirrja e Vuçiçit dhe momenti historik për marrëdhëniet shqiptaro-serbe

Dr. Ledion Krisafi

Në 24 korrik në një shkrim për të përditshmen serbe Blic Presidenti i sapozgjedhur serb Aleksandar Vuçiç bëri thirrje dhe shtroi përpara serbëve rëndësinë e një dialogu dhe këshillimi të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës. Një hap i tillë nga kreu i shtetit serb dhe njeriu politikisht më të fuqishëm në Serbi në vitet e fundit, është një ndër hapat më të rëndësishme që ka ndërmarrë Serbia në lidhje me Kosovën në dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit. Është një hap që duhet të ishte ndërmarrë shumë kohë më parë dhe që si për Serbinë ashtu dhe për Kosovën mund të kishte sjellë rezultate të tjera nga ato që janë sot.

Ndoshta për herë të parë që nga viti 1913 kur Serbia gjatë luftërave ballkanike çliroi (sipas historiografisë serbe) apo pushtoi (sipas historiografisë shqiptare) Kosovën, Serbia do të përballet me të gjitha idetë, synimet, iluzionet dhe mitet që rrethojnë Kosovën brenda Serbisë. Ky është dialogu më i rëndësishëm për Serbinë, edhe më i rëndësishëm se ai me Kosovën, pasi nëse serbët dhe Serbia bien në paqe me veten e tyre në lidhje me Kosovën, gjetja e paqes së jashtme me Kosovën do të jetë më e lehtë.

Gjatë një interviste në një televizion serb ditën kur u botua shkrimi i tij në Blic, Vuçiç tha se serbët dhe Serbia asnjëherë më parë nuk ishin përpjekur t’i kuptonin shqiptarët në Kosovë, të kuptonin synimet dhe dëshirat e tyre. Kjo është ndoshta hera e parë që një kryetar i shtetit serb e thotë diçka të tillë zyrtarisht. Vuçiç me këtë thënie ka kapur thelbin e problemit serb në lidhje me Kosovën. Serbia asnjëherë nuk u përpoq që t’i integronte shqiptarët e Kosovës brenda shoqërisë serbe, t’i bënte të ndiheshin pjesë e saj edhe pse kanë një gjuhë tjetër, kulturë tjetër dhe fe tjetër. Serbia u përpoq me çdo mënyrë që t’i bënte shqiptarët të ndiheshin keq në shtetin e tyre të ri, u përpoq t’i dëbonte masivisht, të kolonizonte tokën e tyre dhe si zgjidhje të fundit edhe t’i shfaroste, por asnjëherë nuk u përpoq t’i kuptonte. Serbia i ka parë shqiptarët e Kosovës si mish të huaj brenda trupit të Serbisë për të cilin duhet gjetur çdo mënyrë e mundshme për ta larguar. Ajo që po ndodh sot me thirrjen e Vuçiçit, edhe pse prej saj mund të mos dalë gjë si përfundim, është diçka historike, diçka që po ndodh për herë të parë në 104 vjet.

Në shkrimin për Blic dhe gjatë intervistës televizive Vuçiç tërthorazi pranoi se një pjesë e konsiderueshme e Kosovës tashmë gjendet përtej mundësive të Serbisë për të ndryshuar diçka. Pranimi i realitet ashtu siç është, edhe pse mund të mos të të pëlqejë, është hapi i parë i mençurisë, veçanërisht në politikën e jashtme. Në 28 vitet e fundit, që nga fjalimi i Sllobodan Millosheviçit në Gazimestan me rastin e 500 vjetorit të betejës së Fushë Kosovës, politika e jashtme e Serbisë e ka lënë pas realizmin që karakterizonte atë të Jugosllavisë dhe gjithmonë e më shumë ka gjetur ngushëllim tek idealizmat romantike të miteve dhe legjendave, jo vetëm në lidhje me Kosovën por edhe me pjesë të tjera të ish Jugosllavisë.

Në intervistën televizive Vuçiç gjithashtu tërthorazi tregoi se cili është pikësynimi i Serbisë në lidhje me Kosovën, kur tha se një serb nuk mund të shkojë lirisht në Malishevë, por edhe Hashim Thaçi nuk mund të shkojë lirisht në Leposaviç. Duke vënë në dukje dy anët e medaljes së situatës së sotshme në Kosovës, Vuçiç përcaktoi dhe kufirin e asaj që mund të synojë Serbia: Veriun e Kosovës. Me këtë Vuçiç nënkuptoi se pjesa tjetër e Kosovës, me përjashtim të kishave dhe manastireve serbe, është tashmë tërësisht jashtë mundësive të Serbisë. Ky është qëndrimi realist që Vuçiç ka kërkuar nga serbët dhe Serbia. Në fund të fundit, thirrja e Vuçiçit dhe shkrimi për Blic është një llogaritje e pastër e asaj që është humbur dhe nuk kthehet më dhe e asaj që ende nuk është humbur dhe mund të kthehet.

Problemi më i madh sot në Kosovë nuk është mosformimi i qeverisë, as kufiri me Malin e Zi dhe as përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Problemi më i madh është Veriu i Kosovës dhe më saktësisht: Mitrovica e veriut, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Potoku, katër komuna të banuara me popullsi serbe jashtë kontrollit të qeverisë në Prishtinë. Pothuajse 10% e territorit të Kosovës gjendet jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës.

As ndërhyrjet e Bashkimit Evropian dhe as fjalët e Angela Merkelit në Beograd nuk kanë ndryshuar gjë në lidhje me këtë çështje. Asnjë qeveri në Kosovë e cilitdo krah politik nuk mund ta kthejë veriun e Kosovës. Veriu i Kosovës sot është de facto pjesë e Serbisë dhe krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë është një hap më tutje për ta ligjëruar atë që tashmë ekziston në terren.

Thirrja e Vuçiçit paraqet një moment historik jo vetëm që Serbia të kuptojë vetveten në lidhje me Kosovën por nëse kjo ndodh dhe ndodh sipas pikave që drejtpërdrejt apo tërthorazi ka parashtruar njeriu më i fuqishëm politikisht sot në Serbi, mund të jetë një moment historik edhe për një marrëveshje përfundimtare mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Politika evropiane dhe amerikane e dy dhjetëvjeçarëve të fundit ka zgjidhur një pjesë të problemeve në Ballkan por problemet do vazhdojnë të jenë për aq kohë sa të ardhmen e Ballkanit e vendosin fuqi të jashtme që nuk e njohin historinë e popujve të Ballkanit. Pavarësia e Kosovës zgjidhi një pjesë të problemit, por nuk zgjidhi gjithë problemin e Kosovës, ashtu si marrëveshja e Dejtonit përfundoi luftën në Bosnje Hercegovinë por krijoi probleme me paqen në Bosnje Hercegovinë që edhe sot pas 22 vjetësh nuk janë zgjidhur e nuk mund të zgjidhen pa një rikonceptim të plotë të marrëveshjes së Dejtonit dhe të vetë Bosnje Hercegovinës.

Çfarë duhet të bëjë qeveria e Shqipërisë në këtë rast?Në një masë të madhe Vuçiç e ka shfrytëzuar marrëdhënien e mirë të viteve të fundit me kryeministrin shqiptar për të anashkaluar çështjen e Kosovës dhe për të përforcuar qëndrimin serb kundrejt Kosovës. Ndërmjet batutave të kryeministrit shqiptar, Aleksandar Vuçiç ka futur realizmin e një politike të jashtme që Serbia kishte vite që e kishte humbur. Qeveria shqiptare duhet të lejë pas batutat kryeministrore në politikën e jashtme dhe frazat klishe të ardhura nga Brukseli. Shqipëria duhet të përfshihet më tepër në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, pavarësisht atyre zërave kundër përfshirjes, sepse në thelb problemi i Kosovës nuk është një problem tërësisht Kosovë-Serbi, por është një problem mes shqiptarëve dhe serbëve. Shqipëria pavarësinë e së cilës shpalli Ismail Qemali në Vlorë në 1912 nuk përfundonte në Morinë.

July 29, 2017 11:09
Komento

9 Komente

  1. lili July 29, 13:23

    VUCIC krimineli e ka vetem per te perfituar poena karshi evropianeve qe do e marrin si sukses te madhe kete hap, kurse se fakt siç tregojne veprimet e verteta te shtetit serb asgje nuk ndryshon.

    Reply to this comment
  2. fshatari pafshat July 29, 15:20

    Dakort me Krisafin.
    Mbase duhej te konkludonte, jo me detyrat e qeverive ne TIrane dhe Prishtine por me, te ardhmen politike te Ballkanit, gje qe e parasheh prononcimi mediatik i Vucic. Pse? Cili eshte ai, shkurt fare, sipas meje?
    Vuci na zgjati karroten, per te fshehur kamzhikun e ardhshem. Ardhmeria nenkupton forcimin e mjaftueshem te Serbise brenda vendit, dhe jashte vendit me Rusine.Kur keto dy faktore, subjektiv dhe objektiv te piqen, atehere, do te shikoni “vleren e karrotes”. Kosova, Shqiperia e Madhe, nuk eshte ceshtje ndjenjash patriotike. Ajo eshte ceshtja kardinale ne strategjine pol-ek-ushtarake te Rusise dhe Amerikes per dominim ne Ballkan. Kush ka Ballkanin kontrollon me ne detaje Vloren,Durresin, Selanikun, Stambollin, Triesten.Dhe perjetson sundimin ne Mesdhe.Kujtoj se: Mitrovica eshte varri i hapur nga Ruset ne prag te fundluftes ne Kosove. Pse? Rastesi?…

    Reply to this comment
  3. Kasandra July 29, 17:05

    Prova e krimit dhe e turpit! Veriu i Kosovës dhe jugu i Çamërisë janë de facto prova e krimit dhe e turpit e atyre që i lypën dhe e atyre që i dhanë ato një shekull më parë. Ku janë sot mitrovicarët dhe çamët që i vranë e i zbuan me përdhunë nga trojet e tyre për t’i bërë ato serbe e greke që Dr. Ledion Krisafi i trajton sikur të ishin pjesë e oborrit të tij personal?! Ato janë toka shqiptare dhe shqiptarët janë gjallë akoma. Kujt i shërben loja e Krisafit me satusin de facto dhe de jure të trojeve shqiptare?! Ai e quan të mbaruar edhe statusin de jure, pra sugjeron faljen ose pazar me ato troje, por kjo nuk është e vërtetë, e as gjendja aktuale. Egzistenca e një komuniteti serb aty nuk e ndryshon faktin se ato janë troje shqiptare. Veç kësaj ai harron se manipulimi me tokat shqiptare është humbje për ne dhe tradhëti kombëtare. Banorët që ripopulluan veriun e Mitrovicës janë të lirë të largohen paqësisht nëse nuk duan të rrinë aty ose të integrohen, por duhet ta dinë (ata dhe drejtuesit e tyre) se toka ku ata shkelin e flenë kullon gjak shqiptari, se ata nuk do të çlirohen kurrë nga njolla tronditëse e bashkëpunëtorit të krimit në ndërgjegjen e tyre kur pranuan spastrimin etnik të shqiptarëve për tu marrë pronat dhe sot kanë lluksin të krekosen si gjeli majë plehut falë tolerancës shqiptare dhe ndërkombëtare në vend që të kërkojnë falje për të qetësuar ndërgjegjen e tyre. Pse nuk shikon Krisafi se shtëpi e toka blihen e shiten në shumë vende, madje me shumicë, nga njerëz parellinj, po kjo nuk e ndryshon statusin e kufirin e tyre askund, se në botë ka zgjidhje të ndryshme për raste të ngjashme nga të dy palët. Kur fuqitë e mëdha po e thonë me kujdes fjalën e tyre për korrigjimin e padrejtësisë së coptimit të kombit shqiptar dhe të trojeve të tij, pse ngutet të sugjerojë zgjidhje vullnetare Krisafi në dëm të vendit të vet?! Sugjerimi i Krisafit shkon kundër vullnetit dhe politikës shqiptare dhe asaj aleate. Sot këndi i vështrimit të problemeve nacionale dhe etnike kërkon që fqinjët tanë me ndihmën e BE-së e të ndërkombëtarëve të ndërgjegjësohen dhe t’i lëshojnë vetë territoret shqiptare me dialog që të rrojmë të qetë dhe në paqe. Serbia ka akoma për të dhënë Metvegjën, Bujanovcin dhe Preshevën, pjesë e Kosovës dhe viktimë e pazarit në bisedimet për mëvetësinë e Kosovës nga Serbia që çoi në zgjidhje jo të plotë dhe dhunim të kufirit etnik shqiptar për së dyti. Integrimi në Europë si dhe politika e BE-së në Ballkan nënkuptojnë edhe zgjidhjen e këtyre çështjeve. Ngutja jashtë politikës së BE-së është aventurë. Ndërkohë shqiptarët nuk mund të rrinë duarkryq, ose, më keq, të pranojnë sugjerime kapitulluese si ky i Krisafit që i kërkon Qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë injorimin e “frazave klishe” të Brukselit, pra t’i kthejnë kurrizin aleatëve, dhe të përfshihen më shumë (ku? me kë?!) në “zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës” në favor të politicës serbe dhe në kundërshtim me aktivitetin dhe politikën gjithëshqiptare për forcimin e unitetit dhe mbrojtjen e interesave shqiptare në trojet shqiptare dhe më tej. Përmbahu Dr. Krisafi! Kasandra.

    Reply to this comment
  4. Koburja July 29, 20:24

    Shume analize e kthjellet nga dr Krisafi..

    Reply to this comment
  5. beni July 30, 11:03

    Jugosllavia sh nje model per bashkimin e te gjith popujve e nje ekonomi te perbashket per gjith rajoninn,por ekstremizmi islamo komunist enveroislamist si dhe si Islamist ne anen tjetr te shqiperis natyrale kosove e maqedoni kan qen e nje Modell otomanizmi me bindje e ideologji fetare e jo integrale ne Europen ton!
    Integrimi fillon e mbaron me Reformation te medha Kulturore,qe per fat te keq se shifet perpara,pervecse radikalizmin te shoqeria kosovaret e maqedonise qe kerkojn edhe shqiperin te radikalizohet mes islamizmit Fanatiker e ekstremist!
    Ndertimi monumentee te Kultit ne te gjith hapesiren natyrale shqiptare dhe nje urejtje ndaj fqinjeve Tan te krishtere,tregon qarte se kjo shoqeri esht e infekttuar nga paragjykime fetare ekstremiste otomanizmi dhe nuk kerkon te integrohet!
    Troc behet Luft pushteti e ekstremistin demagogun e bejn Hero!
    Serbet e shqiptaret kan qen Miq por me hyrjen e otomanizmi u Ben armiq?
    Pra feja Ben Politiken?

    Reply to this comment
  6. KORÇARI July 30, 11:42

    Vuçiç, me këtë hedh topin në fushën Shqiptare.
    Kjo është një lëvizje shumë finoke nga ana e Vuçiç,lëvizje e cila prapaskena , prapaskena të cilat akoma nuk e dimë se çfarë fshehin .
    Në duhet të jemi shumë të kujdesshëm si në veprime ASHTU dhe në deklarata, por sidomos në veprime, PASI kjo lëvizje nga ana e Sërbisë është një thikë me dy prersa (tehe).

    Reply to this comment
  7. Nick July 30, 18:16

    500 vjetori apo 600 vjetori i Betejes se Kosoves, c’rendesi kane 100 vjet me shume ose me pak.

    Reply to this comment
  8. alphade August 2, 12:22

    E megjithate serbet e kane humbur perfundimisht Kosoven !!! Le te hidhen e perdridhen e perseris:
    serbet e kane humbur perfundimisht Kosoven si
    shtet ! Problem mbetet Veriu i Kosoves: Mitrovica,
    megjithate ne fundit te fundit do mbeten shkembimet,
    midis Mitrovices dhe Presheves,Bujanocit,Medvegjes
    me rrethinat e tyre,sic deklaron edhe akademiku i mire-
    njohur ,R. Qosja .
    Nje popull i mesuar me pavaresine eshte veshtire ne mos
    e pamundur te veshe perseri vargojt e skllaverise ! Ky
    eshte rasti i Kosoves dhe popullit kosovar ! Prandaj kot
    e kane keta analistet serbe apo shqiptar qe vene kujen
    sa here ndodh dicka ne Kosove e Ballkan ne pergjithesi .
    Kohet moderrne nuk do te lejojne kurresesi nje konflaga-
    cion ballkanik ne teresi sepse lideret e ketyre vendeve ,
    sado anakronike qe te jene perseri e dine se nje lufte
    ndershtetrore ballkanike do te terheqe te gjithe zjarrin bo-
    ror: SHBA-s dhe Gjermanise ,etj. Prandaj “cimbisjet” e
    Dacicit jane per konsum te brendeshem sidomos ndaj
    klerit retrograd e fundamentalist lidhur me Kisoven : dihen deklaratat e tij luftenxitese duke e konsideruar ate
    ” zemren e Serbise” ! Po keto deklarata perbejne ne fakt
    perpelitjet e fundit te serbeve ! I vetmi rrezik e perseris
    eshte e do te jete Mitrovica serbe por edhe kjo nuk do te
    mund te rimerret pa kompesim territoresh ,sic e kam
    thene edhe me lart ! Tung !

    Reply to this comment
  9. alphade August 2, 12:47

    Komenti im.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*