Thoma Luarasi, një figurë e respektuar e diplomacisë shqiptare

April 6, 2014 11:18

Thoma Luarasi, një figurë e respektuar e diplomacisë shqiptare

Më 7 prill 2014 mbushen 110 vjet nga lindja e Thoma Luarasit, diplomatit të karrierës me kontribut të spikatur në një periudhë të gjatë historike të shtetit shqiptar, sidomos të viteve të paraçlirimit. Thomai ishte djali i madh i rilindësit të shquar, kolumnistit, botuesit dhe publicistit të shquar, Kristo P. Luarasit. Ashtu si dhe i ati i tij, Kristua, ai gjatë gjithë jetës së tij aktive u karakterizua nga një skrupulozitet, korrektësi dhe përkushtim maksimal në kryerjen e detyrave shtetërore në fushën e diplomacisë, duke lënë gjurmë të thella me punën e tij si përfaqësues i vendit tonë në konsullata e legata të ndryshme jashtë.

Fëmijëria dhe rinia

Ndërkohë që Thomai vazhdonte studimet në Sofje, në vitin 1924 me Dekret Ministëror ai fillon një punë në Konsullatën e Shqipërisë në Sofje si sekretar-daktilografist.  Në vitin 1927 Thomai përfundoi studimet universitare në Universitetin e Lirë të Shkencave Politike-Ekonomike të Sofjes, duke vazhduar studimet në Universitetin shtetëror të Sofjes në degën  Konsullore-diplomatike, që e mbaroi me fitimin e gradës së Doktorit në Drejtësi. Më pas kthehet në Atdhe  dhe pas pjesëmarrjes në një konkurs  arrin të fitojë një vend pune si atashe në sekretarinë e pergjithëshme  në Ministrinë e P. Jashtme në korrik 1930 të kryesuar nga Sulejman Delvina.

Hapat e parë në diplomaci

Kështu pas vitit 1930 ai hyn në karrierën diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, punoi aty për gati 16 vjet, duke kaluar nga njëra detyrë në tjetrën. Kështu në vitin 1930-32 vazhdoi punën në Qendër në detyrën e Sekretarit të III në Drejtorinë Politike në periudhën kur ministër sherbeu Rauf Fico në vitet 1932-33 emërohet si sekretar i III në Legatën shqiptare në Beograd, duke vazhduar në 1933 – 35 me punë në Qender si sekretar i III, ndërkohë që në 1935 rritet në gradën diplomatike dhe emerohet Sekretar i II me Dekret Mbretëror në Kryekonsullatën  Shqiptare në Aleksandri (Egjipt), mirëpo për arsye financiare ky dekret nuk u zbatua.

Një nga një, shkallë karriere

Në vitet 1936 – 1938  emërohet në detyrën e regjentit në Konsullatën e Gjenevës si dhe të sekretarit të Përfaqësisë Shqiptare pranë Lidhjes se Kombeve me seli në Gjenevë. Po në atë periudhë në vitin 1938 ai emerohet në detyren e sekretarit i të  Ngarkuarit a.i. i Dërgatës së Përhershme të Mbretërisë Shqiptare pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, kryesisht për punët juridike dhe ekonomiko-sociale. Në vitet 1937-1939  Thomai emërohet sekretar i II pranë Legatës Shqiptare në Berlin të Gjermanisë në detyrën e të ngarkuarit a.i. deri në vitin 1938, kur u dekretua ambasador i Mbreterisë Shqiptare pranë Raihut gjerma, diplomati i njohur dhe me integritet të lartë Rauf Fico, me të cilin Thomai kishte punuar jo vetëm në Ministrinë e P. Jashtme, por edhe në Legatën Shqiptare në Beograd dhe i lidhte një miqësi familjare. Me të ndau edhe punët në Budapest. Kjo punë u ndërpre vetëm në vitin 1939, kur Mbretëria Shqiptare u pushtua nga Italia fashiste dhe shërbimi diplomatik si çdo aktivitet tjetër brenda dhe jashtë vendit u përthith nga unifikimi i Shqipërisë nga Italia. Si punonjes të shërbimit diplomatik, pavarësisht me një qendrim anti Italian, ambasadori Fico u kthye pasi dorëzoi detyrën në qershor 1939, përfaqesuësit të Italisë, ndërsa sekretari i ambasadës mbeti edhe disa muaj për dorëzimin e inventarit, të mbylljes së aktivitetit të Legates, mbylljes së llogarive dhe të qirasë së godinës. Në shtator edhe Luarasi u kthye në Atdhe. Siç e përcjell edhe e shoqja e tij, Janina Luarasi (Kackowska), atij iu dha mundësia të qëndronte jashtë vendit, por ai nuk e pranoi këtë ofertë me besimin e palëkundur se njëlloj si i ati, që u kthye në vendlindjen e tij, edhe i biri i Kristos e kishte vendin në Shqipëri, pa menduar se një ditë mund të mbetej edhe në mes të rrugës i papunë.

Pas një ndërprerje 3-vjeçare, përsëri në detyrë

Në shtator të vitit 1939, kthehet në Tiranë, ndërkohë që  i gjithë sistemi administrativ drejtohej nga fashistët italianë. Thomai i tha jo shërbimit të metejshëm aktiv dhe mbeti për gati tre vjet në gjendje pasive. I shtërnguar nga rrethanat ekonomike, Thomai pranoi më pas të hynte sërish në punë në superstrukturë,  në Ministrinë e Tokave të Liruara në periudhën 1942-43, me detyrën e Drejtorit të Studimeve dhe të Çështjeve të Përgjithëshme, gjithmonë në fushën e vetë, ekonomi,  financë e jurisprudencë. Problematika ketu ishte e madhe dhe shumëllojshme, zgjidhjet e të cilave  kërkonte jo vetëm  punë, përvojë, por edhe sherbime në këto troje. Kështu gati çdo muaj ishte disa ditë larg shtëpisë, sidomos në Kosovë e Dibër, ku mplekseshin problemet shqiptaro-serbe, shqiptaro-bullgare dhe deri diku edhe ato shqiptaro-gjermane. Në  vitin 1943, kjo Ministri u suprimua.

Fundi i karrierës diplomatike

Në shtator të vitit 1943 Thomai kaloi përsëri në mjedisin e tij të fushës së diplomacisë, duke u emëruar në 15 punonjësit të angazhuar automatikisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e riorganizuar tashmë për të përballuar kushtet e reja të diktuara nga hyrja e makinës administartive gjemane në Shqipëri. Në atë ministri Thomai mbulonte detyren e sekretarit të I të Drejtorisë Politike të seksionit të Traktateve dhe  të punëve ekonomiko-financiare. Kjo periudhë kaloi shpejtë dhe në vitin 1945 ai e mbylli karrieren e tij profesionale në diplomaci, ku e ndihmoi bagazhi i tij profesional dhe kulturor dhe një sere gjushësh të huaja që i zotëronte mire si bullgarisht, gjermanisht, serbo-kroatisht, italisht, frengjisht, rusisht dhe greqisht.

Në veprimtari të tjera shoqërore

Përveç kryerjes së detyrave funksionale, ai është marrë me sport, u emërua me Dekret Kryepiskopal si Anëtar i Komitetit Nacional Shqiptar t’Aleances Internacionale të Kishave për Paqen, në vitin 1932; si dhe zgjidhet sekretar i Pleqësisë së Shoqatës Shqiptare për Lidhjen  e Kombeve në Tirane në vitin 1934, me kryetar Mehdi Frashërin. Në vitin 1935 u dekorua  nga Nalt-Madheria e Tij, Mbret i Jugosllavisë me dekoratën  “Oficer i Urdherit te ‘Shen Sava’ , mbajtja e të cilës u dekretua nga mbreti Zog I. Në vitin 1937 më 6 prill me Lejen e Qeverisë Mbreterore, i miratohet kërkesa për t’u martuar me nënshtetasen polake Janina Kackowska.

Një mënyrë për të jetuar, përkthimet

Pas vitit 1944, gjendja ekonomike në familjen e Thomait u vështiresua, pasi nga njëra anë ai që në vitet e herëshme kishte një sëmundje të mushkërive për të cilën ai duhej të kurohej vazhdimisht.  Kështu kur i u ofrua një detyrë jashtë Shqipërisë, të shoqëronte në detyrë  diplomatike, ambasadorin e  dekretuar në Beograd, Hysni Kapo, ai paraqiti gjendjen shëndetësore, duke falenderuar u terhoq nga karriera e tij. Iu fut një punës së përkthyesit të lirë, pavarësisht se punoi edhe në disa institucione për gati 5 vjet.

Vdiq i nderuar më 02.05.1986 në moshën 82 vjeçare.

 

Kristo Luarasi

Thoma Luarasi u lind në Sofje  të Bullgarisë në familjen e patriotëve të Rilindjes Kombëtare Kristo P. Luarasi dhe Polikseni Luarasi (Dhespoti) në vitin 1904. I ati i tij, Kristua në moshën 17 vjeçare shkon fillimisht në Sofje dhe mandej në Bukuresht. Pasi përfundoi mësimet plotësuese, mësoi edhe zejen e gërmëradhitësit, u largua në Sofje ku u përfshi në Shoqërinë ”Dëshira”. Në këtë shoqëri  Kristo Luarasi luajti një rol të veçante me arsimin, aftësine oragnizuese dhe aktivitetin e tij i dha hov asaj dhe kurdoherë ishte i zgjedhur në drejtime të saj si kryetar, sekretar, financier dhe këshilltar. Në vitin 1902, Kristo martohet më mësuesen e shkollës së vashave  Polikseni Dhespoti, me të cilën e kaloi jetën e mëtejshme në mërgim e sëfundi në Shqipëri. Familja gëzoi katër fëmijë tre djem dhe një vajzë, më i madhi prej tyre ishte pikërisht Thomai, i lindur në 1904.

Dardha bie nën dardhë…

Fëmijërinë dhe rininë e herëshme Thomai i kaloi në Sofje. Kishte një  fizik të dobët, të cilin e kaliti duke u marrë me sport.  Në Sofje përfundoi në vitin 1923 arsimin e mesëm në gjimnazin klasik  dhe po atje vazhdoi shkollën e lartë, të cilën e përfundoi në periudhën 1927 – 1930, duke kryer dy fakultete, të ekonomisë dhe të drejtësisë.  Sëbashku me vëllanë më të vogël merrnin pjesë në aktivitetet artistike të shoqatës së të atit “Dëshira”. Më pas familja për tre vjet shkon në Selanik dhe nga këtej, më 1920 vjen në Tiranë. Kristua nuk iu nda asaj që kishte bërë jashtë, botimit të librave dhe gazetave. Ngriti një nga shtypshkronjat më të mëdha të kohës, e cila në periudhën komuniste u shtetëzua dhe shërbeu si bazë e ngritjes së industrisë tipografike në Shqipëri.  Ndërsa Thomai iu fut rrugës së diplomacies, ku la gjurmë të suksesshme. 

April 6, 2014 11:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*