T’i legalizojmë… sekserët

January 17, 2016 13:33

T’i legalizojmë… sekserët

Unë mendoj që me ndryshimet kushtetuese vendi ynë të shpallet Republikë e Sekserëve Shqiptarë. Me këtë akt i jepet fund ndrojtjes që kanë në punët e tyre informale armata e madhe e sekserëve. Mjaft më! Nuk mund të lejohet që ky sektor i rëndësishëm për ekonominë tonë të lihet në informalitet, sikurse e kanë lënë qeveritë e mëparshme, pa i kontabilizuar shumat marramendëse që vijnë nga ky aktivitet me rëndësi jetike jo vetëm për xhepat e sekserëve, por edhe për të ardhurat kombëtare. Me të drejtë ju mund të pyesni: Si mundet të formalizohet sekserllëku? Meqenëse ekonomistëve nuk u ka vajtur në mendje, po u jap unë mendimin tim të vyer ekonomik. Në listën e profesioneve të lira, Ministria e Punës të shtojë atë të sekserit.

Të gjithë sekserët pa përjashtim të regjistrohen në QKR, atyre t’u lihet kohë vetëm 1 muaj. Le të shtypen e shtrëngohen te kangjellat e QKR-së ashtu si 3 muaj më parë tregtarët e paregjistruar. Për të kapur afatin kohor, atyre duhet t’u vijnë në ndihmë kolegët e tyre sekserë.

Pasi të përfundojë regjistrimi dhe pajisja e të gjithëve me kasa fiskale, vendi ynë do të ketë një tregues që të kryesojë me numrin më të madh të sekserëve në botë, për dobinë që i kanë sjellë popullit dhe Mëmëdheut. Me formalizimin e këtij aktiviteti vendi ka me se të krenohet. Përvoja e tyre duhet të përgjithësohet me një simpozium ndërkombëtar në Tiranë. Por më parë është nevojë konsensusi me opozitën, pasi ajo ka meritë në mbarështimin e maskarallëkut, sekserllëkut doja të thosha, si frut i drejtimit demokratik të Partisë Demokratike.

Ja pra, bashkë me formalizimin e këtij aktiviteti, ne i japim famë vendit tonë. E bëjmë atraktiv për vizitorët e huaj. Ata mund të këndojnë bashkë me sekserët: “O sa mirë me qenë sekser, oee, oeee…”

 

Letër e nënshkruar

Xhevdet Cora

January 17, 2016 13:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*