Tifozët shqiptarë dhanë spektakël në “Luigi Ferraris”

November 19, 2014 23:01

Tifozët shqiptarë dhanë spektakël në “Luigi Ferraris”

Mbi 20 mijë shqiptarë në “Luigi Ferraris” të Xhenovas, dhuruan një dekor fantastik dhe një rekord. Miqësorja ndaj Italisë shënoi në fakt edhe numrin më të madh të tifozëve kuqezinj të mbledhur në një stadium të vetëm, kryesim i kushtëzuar edhe nga fakti i thjeshtë se asnjë impiant në Shqipëri nuk e garanton një kapacitet të tillë.

Prania e tifozëve shqiptarë që e bënë Italinë të dukej se luante në një transfertë dhe jo në shtëpinë e saj, i bëri italianët të njohin pasionin dhe dashurinë e pakufi që rrethon kombëtaren e drejtuar nga De Biasi. Por mbi të gjitha, shfaqja që dhuruan tifozët kuqezinj të mbledhur nga anembanë Italisë dhe jo vetëm në stadiumin e Xhenovas, ishte me të vërtetë një shembull qytetarie, që i bën nder krenarisë kombëtare.

Italianët e bezdisur pak ditë më parë nga fishekzjarret e një pjese të tifozëve kroatë në “San Siro” e të shastisur nga kujtimet e asaj sfide të ndërprerë mes Italisë dhe Serbisë në të njëjtit stadium, dëshmuan për qytetarinë e një prej kombeve më të vjetër të Botës. Mesazhet e solidarizimit me të prekurit nga përmbytjet në Liguria, apo akoma më tepër duartrokitjet e himnit italian nga tifozët kuqezinj, shumë prej të cilëve madje edhe i kënduan vargjet e Mamelit, i kanë lënë të befasuar të gjithë ata që ndiqnin ndeshjen, me mediat italiane që e cilësuan një gjest të tillë si një leksion autentik për sportin.

Ndërkohë, që tifozi i parë që hyri në fushë duke i kërkuar autografin Lorik Canës, u etiketua si pushtuesi më paqësor i fushës, natyrisht gjithçka që përsëritet e humbet disi kuptimin, me futjen e dy tifozëve të tjerë që rrezikoi të kalonte kufijtë e mirëkuptimit për një dashuri të pamatë për kombëtaren, ashtu si dhe ndonjë fishekzjarr më tepër në tribuna.

Gjithsesi gjithçka shkoi mirë për një mbrëmje fantastike pas së cilës edhe De Biasi mund të krenohej se Shqipëria humbi në fushë por fitoi në tribuna, ndërsa mediat më prestigjioze italiane që shprehen se tekniku italian mund të jetë krenar për futbollistët që drejton edhe për tifozerinë e kësaj skuadre. Në një mbrëmje që “Gazzetta Dello Sport” e përmbledh me një koment mbresëlënës: “Një kartolinë nga Xhenova, Marasi si një provincë e Tiranës”.

November 19, 2014 23:01
Komento

1 Koment

  1. orient November 20, 08:54

    -..teper prekese,por realisht keshtu duhet te na njohe bota se te tille jane shqiptaret…kufizimi na e ka tjetersuar imazhin dhe te” interesuarit”e kane keqperdorur ate per perfitime artificiale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim