Tirana në provën e “ferrit” në Laç, Flamurtari do pikët e para në transfertë

September 20, 2014 12:16

Tirana në provën e “ferrit” në Laç, Flamurtari do pikët e para në transfertë

E shtuna rezervon duele interesante për dy nga 5 skuadrat pretendente për titullin Tirana dhe Flamurtari. Kryesuesit e kampionatit do të zbarkojnë në Laç për t’u përballur me kurbinasit, në një sfidë që rikthehet me praninë e tifozëve pas tre sezonesh të luajtura me dyer të mbyllura. Bardhezinjtë shpresojnë që me ndihmën e publikut të mposhtin 24 herë kampionët, dhe të gjejnë fitoren e parë sezonale, për t’iu rikthyer pretendimeve të fillimsezonit. Skuadra e Cungut duhet të kalojë ngërçin e shënimit të golave, pasi në 4 javët e para Laçi regjistron vetëm një gol të realizuar, në barazimin 1-1 ndaj Partizanit në xhiron e parë të kampionatit. Por përballë nuk është kundërshtari ideal, pasi Tirana vjen pas një starti perfekt të kampionatit duke kryesuar e vetme me 10 pikë. Bardheblutë do të bëjnë pa qendërmbrojtësin Curri dhe fantazistin Bakaj, por për Maganin rikthehen Morina dhe Ndikumana. Tirana nuk fiton në fushën e Laçit që prej 5 majit 2012 duke regjistruar një barazim dhe një humbje në dy transfertat e fundit.

Në Peqin, Elbasani kërkon pikën e parë të sezonit teksa pret Flamurtarin e pretendimeve. Dy herë kampionët e vendit pritet të luajnë pa Bylykbashin teksa do të rikthehet me ekipin Merxha. Ndaj Flamurtarit janë 90 minuta delikate ku gabimet nuk lejohen dhe kërkohet kthesa për të synuar mbijetesën. Tek kuqezinjtë e trajnerit Gjoka është në dyshim pjesëmarrja në këtë sfidë e portierit Lika, i cili vuan një dëmtim në dorë. Por për të mbajtur lart pretendimet, Flamurtari duhet të reagojë pas barazimit në shtëpi me Vllazninë teksa përballë kanë një skuadër që sjell fat, duke kujtuar dy ndeshjet e fundit në Vlorë ku kuqezinjtë shënuan në total 12 gola. Fitorja e fundit e Elbasanit daton në shtatorin e 2006 me rezultatin 2-1, një periudhë e largët për klubin që në atë edicion vinte pas titullit kampion.

Ndërkohë në “Loro Boriçi” do të luhet në heshtje një 90 minutësh rivalësh midis Vllaznisë dhe Apolonisë. Të dyja skuadrat regjistruan rezultat të njëjtë fundjavën e kaluar ndaj pretendentëve për titull dhe nisur nga ky fakt kjo sfidë premton për një rezultat të hapur. Në vizitën e fundit në Shkodër Apolonia doli me një pikë pas një 90 minutëshi tepër të luftuar dhe spektakolar. Por kësaj radhe jo vetëm përbërja e skuadrave ndryshon por edhe stadiumi, pasi kuqeblutë janë të dënuar të luajnë me dyer të mbyllura.

September 20, 2014 12:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*